Zoti është “shpresa e gjithë anëve të dheut”!
Koment Isaia 11: 10-12:2
Mesia, thotë profeti Isaia, nuk është mbret vetëm i Izraelit, por nga Ai kanë “fillesën kombet” dhe “mbi atë do të shpresojnë”. Do të ketë pushtet mbi gjithë botën dhe mbi Atë do të vihet shpresat e shumë popujve. Me këto fjalë theksohet “karakteri mbarëbotëror i Mesias” (ΙΓ 115). Isaia i hyjfrymëzuar, kapërcen kufizimet e ngushta judaike dhe zgjeron horizontin e tij drejt gjithë botës. E shikon Mesian si Kryetar të Kishës, “që shtrihet nga njëra anë deri në anën tjetër të Botës”. Ai është “shpresa e gjithë anëve të dheut”, siç thuhet edhe në një uratë të Kishës.
Selia e mbretërisë së Tij, shton, do të jetë e lavdishme dhe e nderuar. Ai nënkupton Jerusalemin, e cila u bë selia e Tij dhe nga e cila nisi veprën e saj Kisha e shenjtë, që Ai themeloi, për t’u vazhduar përjetësisht vepra e Tij shpëtimtare. Jerusalemi ka lavdi, ngaqë atje është vendi i prehjes së Tij, domethënë Varri i Tij i Tërëshenjtë, prej të cilit buruan mbas Ngjalljes së Tij, të gjitha dhuratat e pasura të Perëndisë për shpëtimin e njerëzve (vargu 10).
Nga vargu 11 e në vazhdim, flitet për çështjen e preferuar të Isaisë, që është shpëtimi i të “mbeturve”, domethënë i asaj pjesë të popullit të Perëndisë, e cila do të mbijetojë nga të gjitha torturat e hidhërimet dhe do t’i kthehet Zotit me pendim. Në vargjet që pasojnë (v. 11-16), Profeti thekson me shprehje të bukura se me dorën e tërëfuqishme të Tij “Zoti do të lejojë kthimin e lavdishëm në Palestinë të Izraelitëve që ishin shpërndarë në kombe të ndryshme” (ΙΓ 115).
Përmend vende të ndryshme, në të cilat ishin shpërndarë Izraelitët dhe përbënin diasporën, “në të katër anët e dheut”. Do të ngrejë “flamur”, thotë, që ta shikojnë të gjithë kombet, në të katërta anët e horizontit, dhe do të “mbledhë” “të dëbuarit e Izraelit dhe do të grumbullojë ata që u shpërndanë nga Juda”. Për Izraelitët (mbretëria e veriut), përdor fjalën “të dëbuarit”, sepse për shkak të pabesisë së tyre të shumtë, pësuan shkatërrim më të madh. Për më tepër, qëllimi i ardhjes së Mesias është “të kërkojë dhe të shpëtojë të humburit” (Shiko dhe Llukai 19:10).
Por edhe ata që duken plotësisht “të humbur”, mund t’i shpëtojë dashuria e Tij e gjithëurtë, e gjithëfuqishme dhe e shumë mprehte.
Kur Profeti thotë “mbledhje” e popullit të Perëndisë, nuk nënkupton thjesht kthimin në atdhe nga vendet e ndryshme të botës, ku ishin të shpërndarë; mbi të gjitha, ka përpara syve të tij profetikë kthimin e tyre në pendim dhe në besim tek Zoti dhe inkuadrimin e tyre në mbretërinë e vërtetë të Messias, që është Kisha.
Flamuri që do të ngrihet, që të tërhiqet populli i Perëndisë, “mbetja”, në mbretërinë e Messias, sipas Etërve të Shenjtë, është Kryqi i Nderuar. Në mënyrë karakteristike, Vasili i Madh shkruan se, prandaj u çua në vdekje me kryq Zoti, “që nga të katër anët e dheut të mblidhen të shpëtuarit. Në katër anë ndahen pjesët e kryqit, që çdonjëra të drejtohet drejt katër pjesëve të botës” (ΒΕΠΕΣ 56, 245). Isaia i hyjfrymëzuar domethënë, shikon këtu me sytë e tij profetikë, Kryqin e Nderuar tek po lartësohet dhe i drejtohet me katër anët e tij të katër pikave të horizontit, i cili bëhet instrument, me anë të të cilit do të tërhiqen dhe do të mblidhen në mbretërinë e Messias, Kishën, “ata që kanë dëshirë të mirë” (ΠΝΤ 165). Madje, e tha dhe VetëPerëndinjeriu: “dhe unë do tju ngre nga toka (me anë të Kryqit dhe Analipsit), (=do të tërheq pranë vetes jo vetëm Judenjtë, por të gjithë ata që do të besojnë tek unë)” (Jn. 12:32-33).
Të mbledhurit në mbretërinë e Messias, vazhon fjala profetike, do të kenë dashuri dhe unitet mes tyre. Rivaliteti i dy mbretërive të Izraelit dhe Judës, do të pushojë. Ëndrra e Hebrenjve shpresëtarë për unitet e Izraelit me Judën, do të bëhet realitet (v. 13). Profetët e shikonin epokën mesianike si fundin e përçarjes së dy mbretërive (Shih Osea 2:2, Mikea 2:12, Zakaria 9:9-10, Ezekieli 37:15-28). Kjo i referohet përsëri mbretërisë shpirtërore të Mesias, ku u bashkuan duke u integruar në trupin mistik të Zotit, që është Kisha, Izraelitët (Efremi) Judha, por edhe paganët.
Pas bashkimit dhe unitetit të deri dje armiqve, nën purtekën e Messias, Profeti i frymëzuar flet për fitoret e popullit tashmë besimtar të Zotit. Do të fluturojnë, thotë, me anije të Filistejve, të cilët do t’i mundin dhe do të zotërojnë gjithë detin. Filistejtë ishin armiqtë tepër të ashpër të tyre dhe suleshin shpesh herë kundër Hebrenjve. Këtu shfaqen si të mundur, madje duke vënë në dispozicion të atyre (izraelitëve) anijet e tyre. Përmend së pari Filistejtë, që ishin armiqtë e tyre kryesorë, për të treguar se me ndihmën e Zotit, fitorja e popullit do të jetë e lehtë dhe e plotë, pasi armiqtë e ashpër do të nënshtrohen menjëherë. Paraqet gjithashtu, edhe emra popujsh të tjerë armiqësorë, të cilët i kishte shkatërruar Davidi, për të treguar se pasardhësi i tij Messia, do të ngrejë popullin e Tij në lavdinë dhe madhështinë që kishte në kohën e Davidit. Nuk kishte masë tjetër krahasuese, që dëgjuesit dhe lexuesit judenjë të Profetit të kuptonin lavdinë, që do të fitonte populli i Perëndisë gjatë epokës mesianike. Por, në realitet, kjo lavdi do të jetë në mënyrë të pakrahasueshme më e madhe se ajo e Davidit, sepse do të jetë e përjetshme dhe mbarëbotërore (Shiko dhe Amos 9:11).
Dhe kjo profeci i referohet Kishës, sepse Hebrenjtë e kthyer në jude, asnjëherë nuk kishin të gjitha ato pushtime gjeografike, për të cilat flet fjala profetike. Këto fjalë hyjnore, gjejnë zbatim në gjendjet shpirtërore të Messias nëpërmjet Ungjillit, që predikuan Nxënësit e shenjtë dhe trashëgimtarët e tyre. “Mbi gjithë dheun doli zëri i tyre edhe në anët e botës të thënat e tyre” (Psalmi 18, shiko dhe Romakëve 10:18). Apostujt e shenjtë “nuk qëndruan vetëm në Jude për të ungjillëzuar Jisuin, por të tjerë shkuan në Lindje dhe predikonin në qytetet e atjeshme, të tjerë morën për sipër Perëndimin, të tjerë u jepnin kombeve fqinje fjalët katekizuese, por për nevojën e përhapjes së fjalës në të gjithë botën, do të nevojitej dhe përdorimi i anijes”, gjë që e bëri apostull Pavli (Kirili 333).
Në dy vargjet e fundit (v. 15-16), paraqet kthimin e pjesës tjetër të shpërndarë në për kombe të popullit të Perëndisë, “si një eksod të ri” nga skllavëria e Egjiptit (ΠΙΜ 188). Në mënyrë të përsosur letrare por edhe me shprehje të gjalla, thekson se Perëndia i gjithëfuqishëm, do të çelë mrekullisht rrugët, që të kthehen në Sion Hebrenjtë e shpërndarë. Rikujton kalimin e Detit të Kuq dhe thotë se Perëndia mund të hapë në lumin Eufrat jo një, por shtatë kalime, që populli i Tij të kalojë i shpenguar dhe i paprekur. Numri simbolik i shtatës, tregon këtu lehtësinë e madhe që do të ketë populli i Perëndisë gjatë kthimit në shtëpinë e tij, nën mbrojtjen e Zotit. Flet për kthimin e diasporës dhe madje nga Babilonia, sikur të ishte shpengim nga Egjipti, sepse tirania dhe nënshtrimi i populli në Egjipt, ishte më e ashpra dhe më e zgjatura në kohë, nga të gjitha nënshtrimet e mëparshme të popullit të Zotit. Konsiderohet, në një farë mënyre, si një masë krahasuese dhe e hidhërimeve të popullit dhe e gjithëfuqishmërisë së Atij, i Cili i shpëtoi nga një fatkeqësi e madhe.
Kjo vlen edhe për shpengimin dhe çlirimin shpirtëror të popullit të Perëndisë, i cili është Kisha tashmë dhe konsiderohet si Izraeli i ri. Gjithëurtësia dhe gjithëfuqishmëria e Perëndisë ka mënyra për t’i rrëzuar të gjitha pengesat, që vendosen nga instrumentet e Satanait, i cili bën të pamundurën për t’i mbajtur njerëzit larg Kishës dhe shpëtimit.
Kuptimi i rrëzimit të çdo pengese dhe vështirësie, me qëllim që të shpengohet populli i Perëndisë, përmendet gjithashtu edhe në çështjen e përhapjes së fjalës shpëtimtare të Kishës së Zotit në botë, për të cilën u fol edhe më parë. “Vështirësitë, të cilat dukeshin të pakapërcyeshme, duke e bërë përparimin e predikimit të ungjillit të pamundur, do të shkatërrohen” (ΠΝΤ165).
Kapitulli 12
Në këtë kapitull mbyllet Koleksioni i parë i fjalës profetike të Isaias, që i referohet kryesisht popullit të Perëndisë dhe është e njohur si “Libri i Emanuelit”. Gjashtë vargjet e tij janë një himn i mrekullueshëm mirënjohjeje drejtuar Zotit, i cili shpengon popullin e Tij nga çdo rrezik dhe tundim. Kjo këngë e mrekullueshme, që ka mënyrën e Psalmeve 148 dhe 149, na kujton disi “himnin falënderues për daljen e mrekullueshme nga Egjipti (Eksodi 15)” (ΠΙΜ 189). Ashtu siç lavdëruan Judenjtë Perëndinë, me “timpane dhe valle”, me në krye Mariamën, motrën e Moisiut, pas kalimit të mrekullueshëm të Detit të Kuq dhe çlirimit nga Egjiptasit, kështu do të lavdërojnë Zotin “atë ditë”, domethënë atëherë kur do t’i shpëtojë përsëri nga armiqtë, të cilët do të tentojnë t’i asgjësojnë. Shpëtimi i tyre do të shënojë pushimin e zemërimit të Perëndisë kundër popullit të Tij dhe derdhjen e mëshirës dhe dhembshurisë së Tij të pashtershme mbi ta (v. 1).
Fraza “atë ditë” është eskatologjike. Sigurisht që i referohet edhe shpëtimit të Judenjve nga torturat për shkak të Asirisë dhe Babilonisë edhe më pas të Romakëve, por kryesisht i referohet shpëtimit që do të falë Messia, “kur do të çlirohen nga skllavëria e mëkatit” (ΙΓ 118).
Vargu i dytë i këtij lavdërimi të mrekullueshëm, shpreh me entuziazëm sigurinë për prezencën e Zotit në mes të popullit të Tij përsëri. Ai është Zoti im, thekson. Ai është lavdia ime dhe kantiku im! Ai është Shpëtimtari im! Populli i shpëtuar flet në vetë të parë: “Ja Perëndia, është shpëtimtari im… dhe nuk do të kem frikë…është lavdia dhe kënga ime… dhe u bë shpëtimi im”. Në këtë mënyrë, fjala e tij ka më shumë gjallëri dhe ngrohtësi. Me këto fjali të gjalla “shprehin bindje të palëkundur ndaj Zotit, se është Shpëtimtari i tyre. Ngaqë Shpëtimtari i tyre nuk është njeri si ata, por Ai është Perëndia i tyre, prandaj dhe shpëtimi i tyre është i sigurt dhe asnjë frikë nuk i tremb ata” (ΠΝΤ 167). Nuk i tremb asgjë. Janë plotësisht të sigurt (Shiko dhe Psalmin 45).
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










