Mespentikostia. Dëshmor Isidori në Hios. Hierodëshmor Theraponti i Qipros. Dëshmorët Aristoteli, Leandri
E mërkurë, 14 maj 2025 – Shenjtori i ditës.
DITË KRESHME
(Sot mund të konsumohet peshk)
KRISHTI U NGJALL!
Mespentikostia. Dëshmor Isidori në Hios. Hierodëshmor Theraponti i Qipros. Dëshmorët Aristoteli, Leandri.
– MESPENTIKOSTIA –
Në mes të javës së katërt, kremtohet solemnisht dita mes Pashkës dhe Rushajeve (Pesëdhjetores/Pentikostisë). Kjo quhet festa e Mespentikostisë/Mes-Rushajeve, në të cilën Krishti “në mes të festës” i mëson njerëzit për misionin e tij shpëtimtar dhe i ofron të gjithëve “ujin e gjallë” (Joani 7:14, 38). Përsëri ne kujtohemi për praninë e Mësuesit dhe për premtimin e tij shpëtimtar: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” (Joani 7:37).
Ne mendojmë përsëri për vdekjen dhe ngjalljen tonë me Krishtin në Pagëzimin tonë dhe për marrjen e Shpirtit të Shenjtë prej Tij në Mirosjen. Ne “shohim mbrapa njerën dhe paramarrim tjetrën” siç thotë një nga himnet e festës. Ne e dimë që i përkasim mbretërisë së Krishtit të Ngjallur, ku “Shpirti dhe Nusja thonë ‘Eja!’ Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17; Isaia 55:1).
Në mesin e festës, o Shpëtimtar, shuaje etjen e shpirtit tim me ujin e gjallë, siç i ke premtuar të gjithëve: Nëse dikush ka etje, le të vijë të pijë! O Krisht Perëndi, Burim i jetës, lavdi më Ty (Përlëshorja).
Krishti Perëndi, Krijuesi dhe Zoti i të gjithave, i ftoi të gjithë në mes të festës: Ejani dhe pini ujin e pavdekësisë! Ne falemi para Teje dhe thërrasim plot besim: Falna mëshirat e tua, se Ti je Burimi i jetës sonë!
* * * * *
– DËSHMOR ISIDORI NË HIOS –
Ishte nga Aleksandria dhe toger në ushtrinë romane, nën mbretërimin e Decit (rreth 250). Arriti në Hios me flotën e drejtuar nga njëfarë Numerius, u denoncua si i krishterë nga centurioni Julius. U çua përpara admiralit, ku deklaroi me gëzim se adhuronte Jisu Krishtin, të vetmin Perëndi të vërtetë. Numerius e shtriu atëherë në tokë, e lidhi me katër hunj dhe dha urdhër ta tërhiqnin demat. E hodhën në furrë ku doli i paprishur.
Në këtë ngjarje mbërriti edhe babai i tij i cili ishte idhujtar dhe kërkoi të merrte përsipër nënshtrimin e Isidorit. Por argumentet e tij nuk patën dobi, duke shndërruar kështu edhe lidhjen që kishin në urrejtje. E lidhi të birin pas disa kuajve të egër dhe, si e tërhoqën zvarrë për shumë kohë, atletit të shenjtë të Krishtit iu pre koka.(Sipas një të dhënë më të vjetër, pas shumë pyetjesh Numerius ia preu gjuhën dhe e dënoi me prerje koke. U varros nga miku i tij Amonios). Trupin ia hodhën në një luginë që ta hanin bishat.
Por një grua besimtare, e quajtur Meropi (2 dhjetor), pasi i shpëtoi mbikëqyrjes së gardës e mori trupin dhe e varrosi me nderim. U kap e u torturua. Kur qëndronte në burg, pati një vizion të shën Isidorit në mes të një drite të shkëlqyer, i rrethuar nga rreshta engjëllore që psalnin Trishenjtorin. Ai i tha: “Paqe me ty! Ja, do të marrësh kurorën që Perëndia të ka përgatitur.”
Me këto fjalë Meropi dha frymën te Zoti dhe dhoma u mbush me parfum erëmirë. U varros pranë shën Isidorit, i cili më vonë u nderua si mbrojtës i ishullit të Hios dhe, në pellgun mesdhetar, si mbrojtësi i marinarëve. Më 1225, lipsani i tij u çua në Venecia, i cili e çliroi qytetin nga një epidemi murtaje. Në shenjë falënderimi, banorët në nderim të shenjtit ndërtuan një kishë të mrekullueshme zbukuruar me mozaikë në bazilikën e shën Markut. Më 1967, një pjesë e lipsaneve u vendos në kishën e Hiosit.
* * * * *
– HIEROMARTIR THERAPONTI I QIPROS –
Shën Theraponti, episkop i Qipros, u martirizua në rrethana të panjohura. Lipsanet e shenjta të tij i transferuan në Konstandinopojë për shkak të kërcënimit nga pushtimi arab, pasi shenjtori iu shfaq rojës së kishës së tij.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










