25/05/2026 25/05/2026 Le t’i bindemi mësimeve të Kishës, sepse kështu mund të shpëtojmë! Predikimi i Kryepiskopit Joan E Diela VII Pas Pashkës – E Etërve të Sinodit I Ekumenik Katedralja “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, 24 maj 2026 Pas festës së Analipsit, Ngjitjes së Zotit në Qiell, Kisha përkujton Etërit e Sinodit të Parë Ekumenik. Përse Kisha ka...
25 Μαΐου, 2026 - 16:43

Predikimi i Kryepiskopit Joan E Diela VII Pas Pashkës – E Etërve të Sinodit I Ekumenik

Διαδώστε:
Predikimi i Kryepiskopit Joan E Diela VII Pas Pashkës – E Etërve të Sinodit I Ekumenik

Le t’i bindemi mësimeve të Kishës, sepse kështu mund të shpëtojmë!
Predikimi i Kryepiskopit Joan
E Diela VII Pas Pashkës – E Etërve të Sinodit I Ekumenik
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”
Tiranë, 24 maj 2026
Pas festës së Analipsit, Ngjitjes së Zotit në Qiell, Kisha përkujton Etërit e Sinodit të Parë Ekumenik. Përse Kisha ka vendosur që t’i kujtojë këta Etër pikërisht ndërmjet Analipsit dhe Pentikostisë? Sepse Etërit e Sinodit të Parë Ekumenik formuluan Besimin tonë. Ata nuk shpikën një besim të ri. Zoti e kishte zbuluar atë, por ata e formuluan atë në mënyrë që ta bënim më të qartë. Shkaku i këtij formulimi ishte një prift në Aleksandri me emrin Arios, një teolog i dëgjuar, elokuent, bindës, por shumë krenar dhe ambicioz. Ai, duke lexuar Shkrimin e Shenjtë, mendoi që Krishti, Biri i Perëndisë, nuk mund të ishte njësoj si Ati; por do të ishte i lindur në kohë dhe që ekzistonte një kohë kur Ai nuk ishte. Debati filloi një ditë kur Patriku i asaj kohe Aleksandri, më vonë Shën Aleksandri, po fliste për Trininë dhe Ariosi e ndërpreu duke i thënë që ishtë një kohë që Biri nuk ka qenë. Kështu filloi një debat i madh dhe Ariosi nuk bindej, prandaj Patriku Aleksandër thirri një Sinod të vogël lokal. Ariosi nuk iu bind as Sinodit dhe ata e hoqën si prift. Por ai e përhapi kudo këtë doktrinë. Duke qenë mjeshtër i manipulimit, ai krijoi disa gjëra shumë popullore të cilat njerëzit mund t’i kapnin përnjëherë. Kështu ai filloi të kompozonte disa këngë, meloditë e të cilave nuk i dimë, por dimë diçka nga fjalët që ai thoshte në to: Ishte një kohë kur Biri nuk ishte, Biri nuk ka të njëjtën lavdi me Atin. Këto këngë i përhapi nëpër popull dhe kudo, jo vetëm në të gjithë Egjiptin, por ato u përhapën në të gjithë Perëndorinë Lindore të asaj kohe. Shën Kostandini i Madh, duke parë rrezikun e madh të kësaj ndarjeje, e cila mund të sillte edhe ndarjen e Perandorisë edhe të Kishës, thirri një Sinod shumë të madh. Arsyeja që e thirri ishin fjalët që do të citoj: Për mua shqetësimi më i madh nuk është gjaku i derdhur nëpër beteja dhe ushtarët që dhanë jetën për të çliruar Krishterimin nga persekutimi, por grindja brenda Kishës, sepse ajo është shkatërruese.
Në Sinodin e Parë Ekumenik u mblodhën 318 Etër të Shenjtë nga e gjithë Perandoria, sidomos nga pjesa e Lindjes. Midis tyre ishin edhe persona që kishin shenjat e persekutimeve në trup: Shën Jakovi, peshkopi i Irakut të sotëm, Shën Pafnuti, një peshkop nga Egjipti të cilit i kishin hequr një sy dhe e kishin torturuar, saqë mezi lëviste me një këmbë. Aty ishin edhe peshkopë të dëgjuar si Shën Nikolla, Shën Spiridhoni i Trimithundës dhe të gjithë e kundërshtuan interpretimin e Ariosit si shtrembërim të madh të Besimit tonë. Gjithashtu, aty u dhanë shembuj të ndryshëm nga Etër të famshëm që ishin teologë dhe jepnin argumente të shkëlqyera, madje edhe me anë të mrekullive që u bënë. Një nga mrekullitë ishte ajo e Shën Spiridhonit. Ai, për të vërtetuar se si në një mund të jenë tre, mori një tullë dhe e shtrëngoi. Zoti bëri mrekulli. Nga tulla rrodhi ujë, doli flakë dhe në dorën e tij mbeti baltë. Ai u tha atyre që kjo është një tullë, por ka tre elemente. Ashtu edhe Zoti, Trinia e Shenjtë, është një Qenie Hyjnore, po janë tre persona. Debatet ishin shumë të ashpra, por në fund 316 Etër e dënuan herezinë e Arios, vetëm dy prej tyre nuk e dënuan. Sinodi e mbylli me triumf këtë çështje. Por Ariosi nuk u dorëzua, sepse heretikët nuk janë vetëm njerëz që kanë doktrinë të gabuar; ata janë edhe njerëz që nuk binden, sepse janë krenarë dhe ambiciozë. Shumë Etër të Kishës në periudhën e tyre mund të kenë pasur disa ide të gabuara, por ata i janë nënshtruar Kishës. Kisha njeh si të vërtetë vetëm konsensusin e të gjithë Etërve të Saj, kur të gjithë janë dakord për diçka, jo vetëm opinionin e një personi. Krenarët nuk binden, prandaj krijojnë gjithmonë sherr dhe grindje në Kishë. Përçarja është një nga mëkatet më të mëdha që mund të ndodhë. Kushdo ai që përçan Trupin e Krishtit bën mëkat jashtëzakonisht të madh. Shën Qipriani thotë që një skizmatik (përçarës) edhe sikur të vdesë si martir, nuk do të falet për krimin që ka bërë. Bindja ndaj mësimeve të Kishës është shumë e rëndësishme.
Çfarë do të thotë të jesh krenar? Krenar do të thotë të mbështetesh vetëm në mendjen tënde, jo në atë që Kisha ka mësuar vazhdimisht. Sikundër theksova më sipër, Etërit e Sinodit të Parë nuk krijuan një besim të ri, por ata formuluan dhe qartësuan atë që ishte zbuluar nga Krishti tek apostujt. I gjithë Shkrimi i Shenjtë tregon që Krishti është Perëndi i vërtetë, siç e themi edhe në Simbolin e Besimit: Dritë prej Drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë. Të tre Personat e Trinisë kanë të njëjtën Qenie. Ajo është Qenie Hyjnore, që do të thotë një Perëndi, por në tre Persona. Kjo është shumë e vështirë për t’u kuptuar nga mendja njerëzore, siç kemi vështirësi të kuptojmë te Jisu Krishti që është një person dhe në të janë dy natyra: natyra hyjnore dhe ajo njerëzore. Paftësia e mendjes njerëzore për të kuptuar shumë gjëra i ka çuar njerëzit në herezi dhe në gabime shumë të mëdha. Ne nuk mund ta shpjegojmë dot Misterin e Perëndisë vetëm me mendjen tonë. Misteri i Perëndisë kuptohet nga një përvojë personale me Perëndinë, nga një pastrim shpirtëror shumë i madh dhe nga hiri i Perëndisë. Nuk e zbuluam ne Perëndinë. Perëndia u shfaq tek ne. Dhe ky është ndryshimi ndërmjet Filozofisë edhe Besimit. Filozofia është përpjekja e njerëzve gjenial për të shpjeguar veten e tyre dhe botën, por një filozof e kundërshton filozofin tjetër, sepse njeri mendon në një formë, tjetri në formën tjetër. Besimi është diçka tjetër, është një e vërtetë që është zbuluar nga Zoti dhe nuk është i hapur për negociata, e pranojmë ose nuk e pranojmë ne. Nëse kemi besimin, pa dyshim që do të arrijmë edhe në njohjen e Perëndisë. Shën Agustini thotë që nuk vijmë nga njohja në besim, po nga besimi kalojmë në njohje. Nëse ne besojmë dhe i bindemi Kishës në mësimet e saj, dalëngadalë do të fillojmë të kuptojmë dhe do të ndriçohemi. Kështu, mendja jonë do të ndriçohet për të kuptuar Misterin e Trinisë, për aq sa mund të kuptojë mendja jonë e kufizuar. Siç e dini thënien e famshme: Perëndia është mbi arsyen, por jo jashtë arsyes. Arsyeja na ndihmon në besim, por nuk do të thotë që ajo mund ta shpjegojë të gjithin, sepse në të ka shumë mistere të mëdha. Shën Damaskini thotë që ne e dimë që Biri i Perëndisë është i lindur, jo i bërë; që Shpirti i Shenjtë buron nga Ati, por si bëhen këto, ne nuk e kuptojmë dot. Ky është mister shumë i madh dhe nëse njeriu dëshiron ta shpjegojë vetëm me mendjen e tij, do të gabojë gjithmonë.
Ekzistonte edhe një element tjetër përse Ariosi iu kundërvu Shën Aleksandrit. Ariosi donte të zgjidhej Patrik. Sinodi nuk e zgjodhi atë, por zgjodhi Aleksandrin si Patrik. Meqenëse Aleksandri ishte mbrojtës shumë i fuqishëm i Trinisë, Ariosi, i nxitur nga kjo, sulmoi doktrinën e Trinisë, duke dashur të sulmonte vetë Aleksandrin. Shpeshherë shumë gjëra që ndodhin kanë të bëjnë edhe me marrëdhëniet personale, pavarësisht se ato mund të maskohen me gjëra të tjera. Ka njerëz që ndoshta nuk e duan një person dhe fillojnë ta sulmojnë në ato gjëra që ai bën ose do. Në fakt ata nuk e kanë çështjen për doktrinat, as për formulimet e tyre, po e kanë për arsye personale. Prandaj krenaria dhe egozimi, të cilat lindin smirën dhe ambicien për lavdi, i çojnë gjithmonë njerëzit në gabim. Pavarësisht se ai i maskohet me forma të ndryshme, si Ariosi që filloi të maskohej, duke thënë që duhet të përhapim të vërtetën që është në Ungjill. Por nëse Ungjilli lexohet me kujdes, do të dallohet qartë që ai është i mbushur me dëshmitë që Krishti është Perëndi i vërtetë dhe njeri i vërtetë. Në Letrën e Hebrenjve, në kapitullin e parë, Shën Pavli duke cituar Psalmet thotë: “Ti në fillim, o Zot, themelove dhenë, dhe punë të duarve të tua janë qiejtë” (Hebr. 1:10a) dhe “Ti, o Zot, krijove gjithçka nga moseqenia”, duke folur kështu për Krishtin. Gjë që do të thotë se nuk ka qenë një kohë që Krishti nuk ishte, sepse ishte Ai që krijoi botën dhe kohërat (Shih. Hebr.1:2). Lindja e Krishtit para gjithçkaje ishte Lindje Mistike, të cilën mendja jonë nuk mund ta kapë dot, sepse Perëndia ka qenë gjithmonë. Nuk ishte një kohë që Krishti nuk ishte. Personi i Krishtit, Personi i Birit, sepse shpeshherë me fjalën ‘Krishti’ kuptojmë dhe Birin e Perëndisë që u mishërua, mori trup njeriu, por nuk kishte asnjë kohë kur Ai nuk ishte. Ai është i përjetshëm, ashtu si Shpirti i Shenjtë.
Po përse Kisha e mbrojti me kaq forcë këtë mësim? Shumë njerëz sot mund të thonë që çfarë rëndësie ka ajo që thotë njëri apo tjetri? Ajo ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe, se duke u prishur doktrina, prishet dhe gjithçka tjetër. Besimi nuk është thjesht një doktrinë, një teori. Besimi është praktikë për t’u jetuar. Nëse Krishti nuk do të ishte Perëndi i plotë, Ai nuk mund të na shpëtonte ne. Askush nuk mund ta mbushte dot hendekun ndërmjet hyjnisë edhe njerëzve, nëse nuk do të ishte vetë Zoti. Prandaj dhe Etërit e Kishës e mbrojtën Doktrinën e Shpëtimit dhe e dinin sa e rëndësishme është ajo. Nëse nuk do të besojmë në Krishtin si Perëndi, ne nuk mund të shpëtojmë. Në Ungjillin e Shën Joanit, Krishti thotë që shumë njerëzve këto fjalë mund t’ju duken shumë të ashpra dhe ju do të vdisni në mëkatet tuaja, nëse nuk besoni atë që Unë jam (Shih. Jn.8:24). Nëse ne fillojmë të bëjmë ndryshime dhe nuk kemi më Krishtin që na është zbuluar realisht, po krijojmë një Krisht sipas mendjes sonë, nuk mund të shpëtojmë dot. Prandaj Etërit e Kishës e kishin kaq të rëndësishme mbrojtjen e kësaj Doktrine. Pikërisht, këta Etër vunë themelin e formulimit të Doktrinës sonë. Shtatë nenet e para të Simbolit të Besimit u vendosën në këtë Sinod.
Sinodi i Parë Ekumenik u mor edhe me shumë çështje të tjera. Ai përcaktoi datën e Pashkës, caktimi i së cilës do të sillte unitet ndërmjet të krishterëve. Gjithashtu, Sinodi zgjidhi edhe një çështje shumë të madhe, atë të skizmës që ishte shkaktuar nga Meleti, një tjetër episkop krenar, i cili krijoi përçarje. Pas persekutimit, Kisha është ndodhur shpesheherë në vështirësi shumë të mëdha. Në atë kohë në Egjipt, Meleti së bashku me disa njerëz të tjerë mendonin që të gjithë ata njerëz që mëkatuan dhe nuk i rezistuan persekutimit, nuk duhet të pranoheshin më në Kishë. Por Kisha është e mëshirshme, sepse Ajo përpiqet të zbatojë atë që thotë Zoti, i Cili i fal mëkatarët që pendohen (Shih. 1 Jn. 1:9; Is.1:18; Ps.103:12). Nëse Zoti nuk do t’i falte mëkatarët, asnjë nga ne nuk do të ishte gjallë. Por Meleti nuk e pranoi këtë mësim dhe krijoi një sistem tjetër, një Kishë tjetër brenda Kishës, duke dorëzuar peshkopë të tjerë dhe duke krijuar një përçarje shumë të madhe. Sinodi i Parë Ekumenik gjeti një zgjidhje edhe për këtë çështje dhe vendosi shumë rregulla mbi Disiplinën Kishtare.
Por thelbi i këtij Sinodi ishte pikërisht mospranimi i doktrinës së Ariosit, sepse ishte një kohë, siç thuhet dhe një fjalë shumë e famshme për Shën Athanasin e Madh: Athanasi kundër gjithë botës. Pra, ishte një kohë që arianizmi ishte përhapur pothuajse në të gjithë Perandorinë. Si Perëndimi dhe Lindja e Perandorisë ishin mbushur me këto mësime jo të sakta, sepse në natyrën njerëzore, mënyra si i shpjegonin këto mësime të gabuara, dukeshin me kuptim. Ky ishte gabimi. Dhe gabimi është gjithmonë yni kur mundohemi ta shpjegojmë diçka ashtu siç e mendojmë ne. Kjo ndodh edhe sot me Ungjillin, jo vetëm në Kishën tonë, por në shumë Kisha ndodh që njerëzit mundohen ta interpretojnë Ungjillin ashtu si e kuptojnë ata ose ashtu siç duan ata që të ishte Ungjilli. Ungjilli është Fjala e Perëndisë dhe është e pandryshueshme. Qielli dhe dheu do të shkojnë, thotë Zoti, po fjalët e mia janë përjetë (Shih. Mt.24:35). Fjalët e Ungjillit janë të qarta dhe të thjeshta, por ato kuptohen nga një zemër e pastër. Prandaj, Sinodi i Parë Ekumenik është një thirrje për gjithsecilin nga ne. Nëse ne do ta shtojmë besimin dhe jetën shpirtërore, nëse do të jemi më të përkushtuar, duke medituar rreth Ungjillit, do të fillojmë ta kuptojmë Atë (Ungjillin). Dhe duke kuptuar Ungjillin, do të njohim kështu edhe madhështinë e Etërve të Kishës dhe sesi ata e njohën dhe e ruajtën besimin e tyre, ashtu si Zoti e kishte transmetuar atë në tokë.
E fundit që përkujtohet sot është Lutja e Zotit që lexohet në Ungjillin e sotëm. Ajo është një nga pjesët më të bukura në Ungjillin e Shën Joanit, më poetikja edhe më prekësja. Aty Zoti lutet për nxënësit e Tij dhe për të gjithë ta që që do të besojnë tek Ai gjatë gjithë kohës. Kjo Lutje i ka dhënë forcë Kishës që të ruajë Besimin. Pa Lutjen e Krishtit drejtuar Atit njerëzit nuk do të kishin forcë për t’i rezistuar betejave të shumta. Në fillim i Ligu nxiti persekutimin. Miliona martirë në të gjithë Perandorinë u vranë për Besimin e Krishterë dhe persekutimi vazhdoi afërsisht për tre shekuj, por ai nuk e mundi dot Kishën. Persekutimi jo vetëm që nuk e shoi Besimin, por bëri që ai të shtohej dhe të shtrihej në të gjithë Perandorinë. Kështu, i Ligu ndërroi taktikë. Ai filloi ta sulmonte Kishën nga brenda, siç thotë Shën Pavli që më vonë do të vijnë disa ujqër brenda Kishës, të cilët do të përpiqen ta shqyejnë grigjën (Vep. Ap. 20:29). Këta janë heretikët dhe të gjithë njerëzit skizmatikë (përçarës), krenarë, ambiciozë, të cilët për hir të egoizmit të tyre sakrifikojnë edhe të gjithë Kishën. Njerëz të tillë shfaqen vazhdimisht dhe kryeheretiku ka qenë gjithmonë Ariosi. Doktrina e tij ishte rrezik i jashtëzakonshëm. Etërit e Kishës, duke hedhur themelet e Doktrinës, e ruajtën Kishën edhe nga herezitë e tjera që dolën më vonë, sepse Doktrina e tyre ishte vendosur në themele të sigurta.
Prandaj dhe ne sot i kujtojmë këta Etër. Ne nuk kujtojmë vetëm ngjarjen, por kujtojmë Etërit si persona, prandaj përmendim edhe numrin 318 veta. Nga ana historike, ne nuk e dimë saktësisht sa persona mund të kenë qenë atje, por ky numër i zgjedhur është numër shumë i rëndësishëm, sepse ishin përfaqësues nga e gjithë Perandoria. Një Sinod Ekumenik këtë kuptim ka, se është Sinod ku mblidhen të gjithë peshkopët, marrim vendim me shumicë, pastaj vendimi i shumicës është i detyrueshëm për të gjithë të krishterët e tjerë, sepse është bërë nga njerëz të shenjtë dhe të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë. Ne besojmë që Kisha udhëhiqet nga Krishti. Ai është Kreu i Kishës dhe Shpirti i Shenjtë nuk është larguar kurrë nga Kisha. Sado të paraqiten njerëz që duan ta shtrembërojnë dhe ta përçajnë Kishën, Shpirti i Shenjtë është gjithmonë i pranishëm në Të. Gjithmonë do të dalin njerëz që do ta mbrojnë Kishën.
Prandaj, le t’i lutemi Atit Qiellor që gjithsecilit nga ne t’i japë mençuri, urtësi dhe përulësi për t’ju bindur Kishës. Sepse duke ndjekur mësimin e Kishës, ne mund të shpëtojmë. Duke ndjekur vetëm pasionet tona, ne nuk kemi mundësi të shpëtojmë. Lutja e Krishtit për të gjithë njerëzit duhet të lexohet vazhdimisht nga të gjithë. Madje do t’ju rekomandoja ta lexoni dhe njëherë kur të shkoni në shtëpi, sepse është lutje jashtëzakonisht e fortë dhe është lutje për gjithsecilin nga ne. Le të shpresojmë dhe të lutemi që Lutja e Krishtit të na mbrojë, ndriçojë dhe shenjtërojë. Amin.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων