“Njohim historinë e Kishave të Mitropolisë sonë”!
“Bazilika e Margëlliçit”!
Nga Ilirjan Gjika
Krishtërimi u shfaq gjatë shekullit të parë, në një periudhë ku krizë e përgjithshme morale, politike, shoqërore, juridike dhe kulturore kishte përfshrë perandorinë romake. Në këto rrethana, feja e re u shfaq si fuqi shpëtimtare e qytetërimit 70 milionësh mesdhetar1. Krishtërimi në këtë trevë u përhap gjatë shekullit të I-rë pas krishtit, me të njëjtën skemë si në të gjithë Epirin e ri dhe Ilirinë e Jugut.
Do të ishte apostulli Pal që në vitin 57 do ta shkelte vetë në tokën e Epirit. Pikërisht në Bibël tek “Dhiata e Re”, në “letrën dërguar Titit”, paragrafi 3: 12, ai thotë: “Kur të dërgoj Artemanë dhe Tikikun bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopol, sepse vendosa të kaloj dimrin aty”.
Diku në këto vite, Pali, emëroi edhe 70 peshkopët e pare që do të drejtonin kishat e hapura përgjatë qyteteve kryesore të perandorisë romake. Midis tyre veçohet edhe Marini, peshkopi i Apolonisë. Një të dhënë të tillë na e jep Aleksudhi i cili i referohet dorëshkrimit me numër 423 që ndodhet në bibliotekën e Jeruzalemit3.
Nga Apolonia krishtërimi u përhap edhe në qytetet në brendësi të vendit si, në Bylis dhe qëndra të tjera rreth tij, përfshirë edhe Margëlliçin. Fillimisht në mënyrë ilegale deri në vitin 313, kohë, kur eerandori Kostandin, e shndërrua në një nga fetë zyrtare të kësaj perandorie. Pas kësaj date nis edhe organizimi kishtar i cili gjatë viteve të para të administrimit të perandorisë bizantine, kishte marrë formë të plotë dhe të konsoliduar.
Duke nisur nga shekulli i V me rënien ekonomike të Apolonisë, Bylisi, del si qëndra më e rëndësishme urbane midis Shkumbinit dhe Vjosës. Një shekull më vonë, guida e udhëtimeve të Hieroklit, e rendit atë një ndër tetë qytetet kryesore të provincës së Epirit të Ri.
Pas vitit 458, Bylisi, kthehet në qendrën më të rëndësishme peshkopale në këtë rajon. Kështu nga dokumentet e kohës përmenden disa përfaqësues të lartë të klerit vendas. Në vitin 431 peshkopi i Bylisit dhe Apolonisë, Feliks, mori pjesë në koncilin ekumenik të Efesit. Ndërsa në vitin 458, në letrën e drejtuar perandorit Leon, në vitin 458, përmendet edhe peshkopi tjetër “Filohari”.
‘’Peshkopata e Bylisit u zgjerua duke u shtrirë jo vetëm në qytet, por më vonë, gjatë gjysmës së parë të shek. VI, edhe në territoret ku dikur banonin bylinët..’’, thekson arkeologu Skëndër Muçaj në artikullin e tij ‘’ Gjurmët e krishtërimit në antikitetin e vonë6’’. Pra, nga pikëpamja administrative kishtare, qyteti në Margëlliç dhe kleri i tij ishte nën varësinë e peshkopatës së Bylisit.
Këtë fakt e tregojnë edhe ndërtimet e kultit paleokristian, siç janë pesë bazilikat e qytetit të ndërtuara midis mesit të shekullit IV deri në mesin e shekullit VI. Ndërtimi i këtyre bazilikave, ku
dy të parat kanë përmasa monumentale, tregon për organizimin e konsoliduar të kishës, por dhe për rëndësine e kësaj qëndre kishtare. Të kësaj periudhe në rajonin përreth janë një sërë kishash paleokristiane, rrënojat e të cilave i ndeshim jo vetëm në Apoloni, Frakull, Kafaraj, Kraps, Kreshpan, Margëlliç, Luar, Drenovë, Panahor, Aranitas, Romës por edhe në Dukas dhe Ballsh7.
Bazilikat ishin një tip godinash që u përdorën si faltore të kultit kristian. Në periudhën e antikitetit të vonë gjatë shekujve IV-VI, ato u shfaqën si një tip i mirëfilltë i arkitekturës kishtare.
Bazilika përbëhej nga një sërë pjesësh si: naosi që ishte salla kryesore e cila ndahej në tre nefe, absida ose pjesa lindore në formë harku e saj, narteksi ose parasalla dhe ekzonarteksi ose portiku i pajisur me kolona.
Gjithashtu, si ambjente ndihmëse të bazilikave për ushtrimin e kultit ishin edhe diakonikoni që ishte kthina ku ruheshin sendet e shërbesave fetare dhe proteizisi, ose vendi ku ruheshin veshjet e klerikëve. Një tjetër ambient ishte edhe baptisteri apo pagëzimorja. Bazilikat e kësaj periudhe zbukuroheshin me mozaikë, skultura arkitektonike dhe dekorime të ndryshme.
Bazilika e Margëlliçit u zbulua nga arkeologu Skënder Muçaj në pjesën V-L të kodrës së Kalasë së Margëlliçit në vitin 1978. Ajo është ndërtuar me gurë dhe baltë dhe ka një planimetri katërkëndëshe. Është ndërtim i thjeshtë dhe pa zbukurime duke u përbërë nga tre navata dhe narteski. Një pjesë e kësaj bazilike ka qenë e ndërtuar prej druri. Prej druri përbëheshin edhe shtyllat që ndanin nefet e saj të cilat mbështeteshin në bazamente guri në formë katërkëndëshe. Edhe dyshemeja ishte e thjeshtë dhe me taban dheu8
Gjetja në narteksin dhe dy anët e hyrjes së saj e një sërë pitosash të izoluar nga brenda me zift, tregon se ajo është përdorur edhe si depo ushqimore në rast rrethimi. Nga krahasimi i materialit arkeologjik mendohet se edhe ky objekt së bashku me fortifikimin mund të jetë ndërtuar në shekujt IV-VI9.
Ndoshta ndërtimi i kësaj bazilike lidhet me përcaktimin se kisha luajti një rol të rëndësishëm
‘’në shpëtimin shpirtëror dhe fizik të popullisë vendase dhe ndaj kërcënimit shfarosës që vinte e për nga dyndjet e barbarëve paganë’’.
Mundësia që një pjesë e saj ka qenë ndërtur prej druri druri dhe dyshemeja e shtruar me dhe, tregojnë se kjo bazilikë mund të jetë ndërtuar shpejt dhe nevoja të ngutshme. Ndoshta ajo ishte në funksion të garnizonit ushtarak që kontrollonte këtë fortifikim të antikitetit të vonë.
Gërmimet arkeologjike dhe studimet në të ardhmen mund të hedhin dritë mbi zhvillimet e krishtërimit në këtë qytet ilir. Kostatimi është se stadi i dëshmive arkeologjike dhe njohurive të sotme nuk na lejon të ndërtojmë një histori të plotë rreth kësaj godine dhe funksionimit të saj.
Literatura.
1-Georg Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, Plejad, Tiranë 1997, f. 19.
2-Bibla, , LIM Tiranë, përkthim 1991-1994, f. 252.
3-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 108-110.
4-Hierocles, Synecdemos, 8, XIII, 653. 3
5-Acta et dimplomata, 1. 23.
6-Skënder Muçaj, Gjurmët e krishtërimit në antikitetin e vonë, Art e Trashëgimni, 7, IMAF, 2016, f. 83.
7-Skënder Muçaj, Gjurmët e krishtërimit në antikitetin e vonë, Art e Trashëgimni, 7, IMAF, 2016, f. 81. Skënder Muçaj, Vendbanime të antikitetit të vonë në krahinën e Mallakastrës, Iliria, 9-10, Tiranë 1979-1980, f. 286-288.
8-Skënder Muçaj, Vendbanime të antikitetit të vonë në krahinën e Mallakastrës.… f. 288.
9-Po aty, f. 288.
10-Skënder Muçaj, Gjurmët e krishtërimit në antikitetin e vonë, Art e Trashëgimni, 7, IMAF, 2016, f. 83.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










