E kremtja e Pagëzimit të Zotit
E kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Krishtlindja, janë dy festa të cilat lidhen ngushtësisht me njëra tjetrën, jo vetëm për nga koha e kremtimit, por edhe nga përmbajtja e tyre si Theofani. Theofania, ose e thënë ndryshe Perëndi-shfaqja, është prezantimi dhe shfaqja e misterit të Perëndisë në botë dhe tek njerëzit. Dikur, këto dy festa kremtoheshin së bashku si një e vetme, si festa e Theofanisë, por diku nga shekulli i katërt filluan të marrin secila karakterin e vet të veçantë dhe të kremtohen të ndara nga njëra tjetra. Theofania, ose shfaqja e Perëndisë, është zbulimi dhe shfaqja e misterit të shpëtimit. Sot Theofani quhet e gjithë periudha dymbëdhjetë ditore nga Krishtlindja deri në ditën e Ujit të Bekuar, ose Epifanisë. Ashtu si termi Theofania edhe Epifania, ka pak a shumë të njëjtin kuptim, Epifani do të thotë përmbi shfaqe, ose shfaqje që lartazi, ose fanepsje, siç është përdorur dhe në librat liturgjikë, e cila lidhet me shfaqen e Trinisë Jetëbërëse në botë, në momentin e Pagëzimit të Zotit. Gjithashtu edhe përdorimi tjetër, si festa e dritave, i referohet ndriçimit të natyrës njerëzore pikërisht prej kësaj ngjarjeje, prej kësaj Theofanie. “U Shfaqe me lavdi, në tërë botën, edhe drita jote ndriçoi mbi ne sot, pra të himnojmë. Erdhe u shfaqe, O Drita e Paafruarshme”. (Shkurtorja). Gjithashtu edhe ne në gjuhën e përditëshme e quajmë dita e Ujit të Bekuar, duke iu referuar bekimit të madh të ujit, si një nga momentet më të të veçanta të kësaj dite, që është dhe tipari kryesor i festës së Epifanisë, sepse edhe vetë pagëzimi i Zotit në Jordhan bekoi dhe shenjtëroi natyrën e ujërave.
Të krishterët besojnë se, që në momentin kur Biri i Perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e Jordanit, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua prej cilësive të saj që kishin të bënin me vdekjen, të trashëguara nga rënia. Në epifaninë e Zotit i gjithë krijimi bëhet përsëri i mirë. Kjo gjë kremtohet veçanërisht, në Bekimin e Madh të Ujit. Kjo është dëshmia liturgjike që tregon se gjithçka u krijua për të qenë e “mbushur me plotësinë e Perëndisë” (Efesianët 3:19).
Duke mos përjashtuar aspak aktin e pagëzimit, ajo çka merr vëmendjen kryesore në të gjithë këtë ngjarje nuk është thjesht pagëzimi në vetvete, por dinamika dhe rrjedhojat që sjell ky akt në botë, si ngjarje kyçe në historinë e gjindjes njerëzore në tërësi. Dita e Pagëzimit të Zotit mund të themi se është dita e pajtimit me Perëndinë. Krishti që pagëzohet në Jordhan shlyen mëkatin e Adhamit e të Evës, duke u sjellë atyre dhe gjithë gjindjes së njerëzve stolinë e vjetër, të cilën e humbën në Eden. Perëndinjeriu pagëzohet në Jordhan si shërbëtor për të treguar natyrën e tij njerëzore, por njëkohësisht dëshmia e Frymës së Shënjtëruar dhe zëri i Atit, dëshmonin plotësinë e natyrës së tij hyjnore.
Më me rëndësi se fakti i pagëzimit në këtë ditë është ai i Perëndi-shfaqes. Gjë që do të thotë se tashmë Emanueli jeton mes njerëzve. Një restaurim i plotë për gjininë njerëzore e cila kthehet përsëri në Eden. Perëndia shfaqet përsëri si në parajsën e vjetër, ku edhe mund të shihet prej të gjithëve. Verbëria dhe perdia e krijuar prej mëkatit hiqet. Druri i jetës nuk ruhet më, shpata e zjarrtë e Qeruvimeve hiqet prej tij, sepse parajsa u çel përsëri dhe gjithçka kthehet në identitet.
Psallmisti David thotë: “Jordhani u kthye prapa kur të pa”. Një nga etrit më të mëdhenj të Kishës e komenton këtë varg në një analogji mjaft reale të asaj që ndodh në realitet. Jordhani që buron nga Liqeni i Galilesë, përshkon dhenë e Judhesë dhe derdhet në Detin e Vdekur. Analogji e plotë e gjinisë njerëzore e cila shkonte drejt vdekjes dhe humbjes. Kurse kthimi i Jordhanit prapa në momentin e pagëzimit, kthen Detin e Vdekur tek jeta. Që do të thotë se njerëzimit i çelet rruga nga vdekja në jetë, në parajsën e përmallëshme. Një restaurim i plotë i gjindjes njerëzore, një kthim në natyrën origjinale të krijimit. Vetë dëshmia e Atit dhe zbritja e Frymës së Shënjtëruar që shoqërohen me hapjen e qiejve tregojnë një zbulim dhe shfaqe të Perëndisë. Qielli tashmë është i hapur për njerëzit. Fakt i cili i jep mundësinë çdo njërit, të shohë dhe ngjërojë lavdinë hyjnore. Mundësi, e cila në breza është kthyer në një mesazh. Perëndia u shfaq në mish edhe u shoqërua me njerëzit, tani mbetet përpjekja jonë për t’a pranuar Atë i cili u faneps për të ndriçuar botën dhe për të çelur vërtet sytë tanë, që u verbëruan nga premtimi i remë i gjarpërit.
Pagëzimi i Zotit në Jordhan ka një rëndësi të përgjithëshme për tërë njerëzimin. Ai është një pjesë përbërëse e jetës hyj-njerëzore të Shpëtimtarit në tokë dhe rrjedhojë natyrale e mishërimit të tij. Fjala Perëndi i mishëruar mbasi mori natyrën njerëzore e shoqëroi atë duke kaluar nëpër të gjitha veprat hyj-njerëzore, me anë të të cilave ai realizoi restaurim dhe shpëtimin e gjinisë njerëzore. Zoti, si i pamëkatshëm, nuk kishte nevojë të pagëzohej me pagëzimin e pendimit të Joanit, por si Adami i Ri, si Kreu i Ri i njerëzimit, si ai që mori mëkatet e botës, ai e mori edhe pagëzimin për shpëtimin tonë. Sikundër u bë njeri për njerëzit, që të shtypte djallin, i cili kishte shtypur gjithë njerëzit, po ashtu për njerëzit ai u pagëzua për të lënë në ujrat e Jordhanit mëkatin e të gjithë atyre që do të thirreshin të rilindnin nga uji dhe fryma. Ndonëse pa mëkat Zoti tregon se pagëzimi i tij nga Joani ishte i domosdoshëm për shpëtimin e njerëzve. Kështu, në pagëzimin prej Joanit në Jordan, Jisui e identifikoi vetveten me mëkatarët, si: “Qengji që ngre mëkatin e botës” (Joani 1:29)
Për Shën Grigor Theologun, dita e pagëzimit është dita e shpëtimit tonë, sepse pagëzimi i Zotit në Jordhan ka një rëndësi unike, për të gjithë njerëzit dhe për botën. Njeriu dhe gjithë gjinia njerëzore u shenjtëruan nëpërmjet Krishtit të mishëruar. Zoti u pagëzua si njeri, por na fali mëkatet si Perëndi, u pagëzua jo sepse kishte nevojë për pastrim, por për të pastruar dhe shenjtëruar ujrat dhe natyrën. Duke dalë nga ujrat mbas pagëzimit, Jisui ringre pas vetes gjithë botën. Qiejtë, që i ishin të mbyllur për Adhamit dhe pasardhësit të tij hapen përsëri. “Zoti u pagëzua, jo sepse kishte nevojë për pastrim, por për t’i shtypur kokën gjarpërit” – thotë Damaskini. E bëri të vetin pastrimin tim, për të larë mëkatin tim. Për të varrosur Adhamin e vjetër në ujërat e Jordhanit, për të shenjtëruar Pagëzorin, për të përmbushur ligjin, për të zbuluar misterin e Trinisë dhe për tu bërë për ne prototipi i pagëzimit.
Zoti, e konsideroi pagëzimin si “përmbushje të çdo drejtësie” (Mt 3:15). Me anë të pagëzimit të tij, Zoti e çliroi natyrën njerëzore nga mallkimi dhe e drejtoi atë në rrugën e shpëtimit. Në këtë mister merr pjesë e gjithë Trinia e Shenjtë, Ati Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Gjithçka që ka të bëjë me jetën tokësore të Krishtit lidhet direkt me ekonomië e tij për shpëtimin tonë, por gjatë pagëzimit në Jordhan kjo ekonomi restauruese shfaqet në një mënyrë veçanërisht të dukshme.
Theofania merr kuptim e saj të vërtetë dhe të plotë vetëm nën prespektivën e vet sotiriologjike, e cila manifetohet në çdo detaj të saj. Shfaqja e Perëndisë Triadike, ka për qëllim dhe synon shenjtërimin e botës, të cilin Krishti e ka prekur nëpërmjet “epifanisë” së tij në mish. Ashtu si krijimin e parë dhe pagëzimi është një krijim i ri, ose më mirë përtëritje e gjithë krijimit. Me pagëzimin e Zotit bota rikrijohet, jo si fenomen natyror, por si rilindje shpirtërore dhe në mënyrë të mistershme pagëzohet e gjithë natyra njerëzore. Pagëzimi i Shpëtimtarit, është parë nga Etërit e shenjtë si misteri më anë të të cilit janë shpëtuar nga mëkati njeriu dhe bota. “Kur Shpirti i Shenjtë zbriti mbi Krishtin gjatë pagëzimit në Jordhan – thotë Shën Athanasi – Ai zbriti mbi ne, sepse vetë Krishti e kishte marrë mishin tonë duke u bërë si ne. “Fjala e mishëruar jep edhe merr, jep si Perëndi dhe merr si njeri”.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










