11/01/2021 11/01/2021 Përveç lutjes, kreshmës, studimit të Shkrimit të Shenjtë dhe reflektimit, ekziston edhe një zakon që ka ndihmuar shumë persona në rritje shpirtërore dhe zell. Të gjitha zakonet janë të rëndësishme, dhe nuk mund të themi cili është më i rëndësishmi kur mendojmë për rritjen në jetën shpirtërore, sepse në një formë të balancuar të gjitha...
11 Ιανουαρίου, 2021 - 17:40

Një zakon që të ndihmon shumë të përparosh

Διαδώστε:
Një zakon që të ndihmon shumë të përparosh

Përveç lutjes, kreshmës, studimit të Shkrimit të Shenjtë dhe reflektimit, ekziston edhe një zakon që ka ndihmuar shumë persona në rritje shpirtërore dhe zell.
Të gjitha zakonet janë të rëndësishme, dhe nuk mund të themi cili është më i rëndësishmi kur mendojmë për rritjen në jetën shpirtërore, sepse në një formë të balancuar të gjitha janë shumë të rëndësishme, por disa persona shikojnë një zakon që lidhet shumë me rritjen e tyre shpirtërore.
Pra, sa më shumë e praktikojnë këtë zakon më shumë rritemi, sa më shumë rritemi aq më shumë e praktikojmë. Ky zakon është LEXIMI.
Sa më shumë të LEXOJMË, më shtohet zelli dhe zjarri i zemrës, dhe e kundërta, kur e lëmë pas dore LEXIMIN jemi më të vakët shpirtërisht, dekurajohemi dhe mërzitemi më shpejt.
Por, a na drejton LEXIMI në rritje apo rritja në lexim? Në fakt janë të lidhura të dyja.
Si lidhet LEXIMI me rritjen shpirtërore? A nuk kemi qëllim rritjen në dashuri për Zotin, jo thjesht rritjen në njohuri për Zotin?
Sigurisht, që qëllimi është dashuria, por çfarë do të thotë të duash një person? Si mund ta di që dashuria ime është e vërtetë? Cilët janë faktorët tregues?
Dashuria e vërtetë tregohet në dy mënyra: NJOHURI dhe ZBATIM.
Që ta duash dikë vërtet duhet t’i kesh të dyja; edhe ta njohësh edhe të zbatosh vepra dashurie.
Shumë prej nesh përpiqen të duan Zotin që nuk e njohin. Dashuria që nuk kërkon njohuri është dembele ose e cekët. Dashuria kërkon njohuri, dhe rritja në dashuri kërkon rritje në njohuri.
Prandaj shumë njerëz e duan leximin dhe na sugjerojnë të fillojmë zakonin e leximin. Të përpiqemi një javë, 20-30 min në ditë, ndoshta nga pasditja. Pas një jave të shohim çfarë ndikimi do të ketë. Le të fikim celularët, televizorin, të marrim një libër dhe të lexojmë.
Nuk ka rëndësi çfarë libri, libër shpirtëror, historik, jetë shenjtorësh, libër shkencor, libër motivues. Çfarëdolloj libri që sfidon mendjen dhe lartëson zemrën tënde. VETEM LEXO!
Sapo ta fillosh këtë zakon, mos ndalo aty. Vazhdo leximin. Vetëm vazhdo, sepse LEXIMI sjell rritje në njohuri, pastrim në mendje, rritje në dashuri, rritje shpirtërore!
Ja edhe një këshillë nga shën Pavli për dishepullin e ti të dashur, si kërkesë e tij e fundit.
“Përpiqu të vish shpejt tek unë, sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë, dhe iku në Thesaloniki; Kreshenci në Galati, Titi në Dalmaci. Me mua është vetëm Lluka; merre Markun dhe sille me vete, sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë. Tikikun e dërgova në Efes. Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troadë, pranë Karpit, dhe LIBRAT, sidomos PERGAMENAT.
Shenjtorët për LEXIMIN
“Kur e zhytni mendjen dhe zemrën në libra shpirtërore, do të jeni gjithmonë të mbushur, sepse leximet shpirtërore të japin një themel në Perëndinë”. Shën Joan Gojarti
“Duhet të lexoni, sepse ky është ushtrim shpirtëror”. Shën Theofani i mbyllur
“Leximi ndihmon shpirtin kur ai qëndron në lutje”, “Nëpërmjet leximit shpirti ndriçohet në lutje”, “Pa tundime askush nuk do të fitojë urtësi nga Shpirti i Shenjtë; dhe pa këmbëngulje në lexim askush nuk do të pastrojë mendimet”. ”Insisto me qetësi në leximin e Shkrimeve Hyjnore dhe do habitësh Perëndinë”. ”Sa ëmbëlsi sjell në zemër kujdesi për lutjen dhe leximin dhe sa e kënaq edhe e gëzon shpirtin! Vetëm ata që u kushtohen këtyre e dinë këtë”. Shën Isaak Siriani
Lutje para LEXIMIT
Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.
O Zot, Jisu Krisht, hap sytë e zemrës sime, që të dëgjoj fjalën Tënde dhe të kuptoj dhe të bëj vullnetin Tënd, sepse unë jam një i huaj në tokë. Mos i fshih urdhërimet e Tua nga unë, por hapi sytë e mi, që të shoh mrekullitë e ligjit Tënd. Më fol gjërat e fshehta dhe sekrete të Urtësisë Sate. Tek Ti e vendos shpresën time, Zoti im, që të ma ndriçosh mendjen dhe kuptimin me dritën e njohurisë Sate, që jo vetëm t’i çmoj ato gjëra që janë shkruar, por që t’i zbatoj ato, që duke lexuar jetën, veprën dhe fjalët e shenjtorëve, të mos mëkatoj, por që ato të shërbejnë për restaurimin, ndriçimin dhe shenjtërimin tim, për shpëtimin e shpirtit tim dhe trashëgimin e jetës së përjetshme. Sepse Ti je ndriçimi i atyre që ndodhen në errësirë dhe nga Ti vjen çdo vepër e mirë dhe çdo dhuratë. Amin
Rinia Ortodokse Tirane

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων