Përse të Krishterët Orthdhoksë zbukurojnë Tempujt e tyre me Ikona? Përse i nderojmë ato?
Mësime nga Shën Joani i Kroshtadit
Natyra ime fizike ka nevojë për imazhe. Prandaj ne me të drejtë bëjmë ikona dhe i nderojmë ato. Çfarë është njeriu veç një imazhi i gjallë i Perëndisë së gjallë?
A mund të bëjë natyra jonë pa një imazh? A mund të sjellim ndërmend një person që mungon pa e paraqitur dhe pa e parafytyruar atë?
A nuk na krijoi vet Perëndia mundësi për të paraqitur dhe parafytyruar?
Ikonat janë përgjigja e Perëndisë ndaj domosdoshmërisë britëse të natyrës sonë.
Imazhet apo simbolet janë një domosdoshmëri e natyrës njerëzore në gjendjen tonë shpirtërore të tanishme; ato shpjegojnë në mënyrë vizuale shumë gjëra të botës shpirtërore të cilat ne nuk mund t’i kuptojmë pa imazhet dhe simbolet. Për këtë arsye, Mësuesi hyjnor, Urtësia nëpërmjet të Cilit të gjitha gjërat u krijuan, Biri i Perëndisë Zoti ynë Jisu Krisht, shpesh i mësoi njerëzit duke përdorur imazhet apo paravolitë. Për këtë arsye gjithashtu Kishat tona Orthodhokse paraqesin shumë gjëra tek shikimi i të krishterit nëpërmjet imagjinares; për shembull, paraqet vet Zotin, Nënë e Tij të pacenuar, Engjëjt dhe Shenjtorët, në ikona, që ne të mund të përshtatim jetët tona, të gjitha mendimet tona, fjalët dhe veprat, tek imazhi i mendimeve, fjalëve dhe veprave të Zotit dhe Shenjtorëve të Tij.
Është një traditë e mrekullueshme që të Krishterët të kenë një ikonë të shpëtimtarit dhe t’i luten Atij përpara saj. Kjo është domosdoshmëri britëse e shpirtit tonë. Vet Zoti, me dashurinë e Tij, dëshiron të formohet brenda nesh, siç tha Apostulli “që Krishti të banojë në zemrat tuaja nëpërmjet besimit”.
Por si mund unë të formoj Krishtin në zemrën time në qoftë se unë nuk e paraqes atë së pari me arsye përpara syve të mi?
Ne kemi imazhet e Shpëtimtarit, Nënës së Perëndisë dhe të Shenjtorëve. Dashuria e të Krishterëve, që dëshirojnë gjithnjë të mbartin imazhet e tyre në mendimet dhe zemrat e tyre, ashtu si natyra jonë, e cila është trupore dhe shpirtërore, i ka paraqitur ato në ikona, duke i vendosur në pjesët më të nderuara të shtëpisë, ashtu si në zemrat tona apo dhomat e shpirti tonë, dhe duke i nderuar ato duke u përulur përpara tyre, së pari shpirtërisht dhe më pas trupërisht.
Përfytyrimi influencon shumë kapacitetin krijues dhe aktiv të shpirtit njerëzor. Në qoftë se një i Krishterë vështron me dashuri dhe nderim imazhin e Zotit tonë Jisu Krisht, ose të Nënës Tij të përmbibekuar, ose të njërit prej Shenjtorëve të Tij, tiparet shpirtërore do të veprojnë në të njëjtën mënyrë – butësia, përulësia, mëshira, maturia do të stampohen (nguliten) në shpirtin e tij. Vetëm nëse do të sodisim imazhet, dhe mbi të gjitha, jetët e Zotit dhe të Shenjtorëve të Tij më shpesh, sa do të ndryshojmë dhe rritemi nga fuqia në fuqi.
Të nderosh ikonat do të thotë të përfitosh shumë, sepse ajo korrespondon me natyrën tonë, dhe me mendimin praktik, si edhe me vet Shkrimin e Shenjtë, sepse gjendeshin imazhe të Qeruvimeve në tabernakullin e Moisiut të Besëlidhjes së Vjetër.
Nderoni në çdo mënyrë imazhet e njerëzve të gjallë, në mënyrë që të nderoni siç duhet imazhin e Perëndisë. Sepse imazhi i Zotit është imazh njerëzor. Ai i cili nuk respekton imazhin njerëzor nuk respekton imazhin Perëndisë.
Duke nderuar ikonat, së pari unë nderoj Perëndinë, i Cili lindi përpara gjithë jetëve Birin, imazhin e Tij të gjallë, që krijoi gjithësinë dhe gjithë krijesat që ishin në mendimin e Perëndisë At, krijoi njeriun sipas imazhit dhe ngjashmërisë së Perëndisë; së dyti duke nderuar Ikonat unë nderoj imazhin e Perëndisë së mishëruar, së treti duke nderuar ato, unë nderoj veten, njeriun e bërë në imazhin e pavdekshëm hyjnor, i ftuar për të qenë pjesëmarrës i natyrës hyjnore, të bashkohet me Perëndinë, të bëhet Tempull i Shpirtit të Shenjtë.
Ikonat iu zënë vendin vet personave emrat e të cilëve ato mbartin. Imazhet e shenjtorëve në ikonat tona paraqesin tek ne afërsinë në frymë të shenjtorëve të Perëndisë, të cilët jetojnë në Perëndinë, dhe gjithmonë janë pranë nesh në Shpirtin e Shenjtë, nëpërmjet besimit tonë të përzemërt dhe lutjes ndaj tyre.
Zoti i kudondodhur është në imazh ose në kryq si në fjalën e Ungjillit. Imazhi i Tij në ikonë apo në kryq është vetëm një pamje e jashtme, ndërsa Ai vet është substanca e brendshme – që shfaq Veten kudo, në çdo gjë, dhe përmes çdo gjëje, dhe në veçanti nëpërmjet imazheve dhe shenjave në të cilat Emri i Tij i nderuar është mbishkruar, apo ngjashmëria e Tij është vizatuar.
Unë vështroj ikonat në kishë dhe mendoj se sa Krijuesi dhe Dhuruesi i të gjithave e ka nderuar dhe lartësuar natyrën tonë. Shenjtorët e Tij shkëlqejnë me dritën e Tij, ata janë shenjtëruar nëpërmjet hirit të Tij, duke mposhtur mëkatin dhe duke u pastruar nga çdo papastërti e trupit dhe e shpirtit. Ata janë mbushur me lavdi nëpërmjet lavdisë së Tij, ata janë bërë të pranishëm nëpërmjet paprishmërisë së Tij. Lavdi Zotit, që ka nderuar, ndriçuar dhe lartësuar natyrën tonë!
Është e pamundur të paraqitësh dhe të mendosh për kryqin pa dashuri. Aty ku është kryqi aty ka dashuri. Në Kishë ju shihni kryqe kudo dhe në çdo gjë, në mënyrë që çdo gjë duhet t’ju sjellë ndërmend se ju jeni tempulli i Perëndisë së dashurisë, tempulli i dashurisë i kryqëzuar për ne.
Ne kemi ikona në shtëpitë tona dhe i nderojmë ato, për të treguar, midis gjërave te tjera, se sytë e Perëndisë dhe gjithë bashkësia e qiejve janë të fiksuar tek ne vazhdimisht, dhe ata shohin jo vetëm veprimet tona, por gjithashtu fjalët, mendimet, dhe dëshirat tona.
A mos i përdorni ikonat në shtëpitë tuaja thjesht si zbukurime, pa u kthyer tek to me besim të çiltër, dashuri dhe nderim që iu takon gjërave të shenjta? Ikonat në shtëpitë apo në Kishë nuk janë për ekspozim (vitrinë), por për lutje para tyre, për nderim, për udhëzim. Imazhet e shenjtorëve duhet të jenë mësuesit tanë në shtëpi dhe në Kishë. Studiojeni jetët e tyre, skalitini ato në zemrat tuaja, dhe përpiquni të imitoni jetët e tyre.
Perëndia prehet (pushon) tek Shenjtorët, dhe madje në emrat dhe ikonat e tyre. Vetëm duhet të përdorim ikonat e tyre me besim dhe ato do të bëjnë mrekullira.
Ikonat mrekullibërëse të Nënës së Perëndisë, dhe të Shenjtorëve të tjerë, na mësojnë të shohim çdo imazh si vet shenjtorin tek i cili ne lutemi si persona të gjallë që bisedojnë me ne, sepse ata janë po aq pranë nesh sa imazhet e tyre – me të vërtetë, shumë pranë – vetëm në qoftë se ne lutemi tek ata me besim dhe sinqeritet. E njëjta gjë si me Kryqin Jetëdhënës. Aty ku është Kryqi, apo shenja e Kryqit aty është vet Krishti, fuqia dhe shpëtimi i Tij, vetëm nëse ne bëjmë shenjën e Kryqit apo nderojmë imazhin e Kryqit, me besim.
Unë nxitem të nderoj ikonat sepse unë shoh tek to të shfaqet fuqia e Perëndisë, që shpëton besimtarët dhe ndëshkon mosbesuesit, po kështu unë shoh dhe ndjej të njëjtën fuqi në shenjën e Kryqit të Zotit, i cili quhet jetëdhënës për shkak të fuqisë së tij mrekullibërëse.
Zoti i ruan, jo vetëm lipsanet por gjithashtu imazhet e Shenjtorëve, duke mos i lejuar ata të prishen dhe të kalben, nga pakujdesia apo neglizhenca, por mrekullisht i përtërin ato siç ne dimë për histori të shfaqjes së Ikonave mrekullibërëse mbi të gjitha ato të Nënës së Perëndisë, Virgjëreshës së Shenjtë.
Sa i dashur është për Perëndinë imazhi i njeriut, veçanërisht i një Shenjtori, si një enë e hirit. Nëpërmjet imazheve të tilla Ai bën mrekulli, dhe dhuron fuqi të padukshme për shërim dhe ngushëllim.
Nëse dikush do t’ju pyeste përse ju luteni tek imazhet e pajetë, çfarë përfitimi keni nga ato, thoni se ne marrim përfitim shumë herë më të madh nga ato sesa ne marrim nga njerëzit e gjallë më të dashur dhe më dashamirës; thoni se fuqi dhe ndihmë e bekuar për shpirtrat tanë gjithmonë vjen tek ne prej tyre, duke na shpëtuar nga mëkati dhe hidhërimi dhe sëmundja – mbi të gjitha nga Ikonat e Shpëtimtarit dhe të Nënës së Perëndisë; thoni se mjafton një shikim me besim në ata, si ndaj atyre të cilat janë të gjallë dhe pranë nesh, na shpëton nga mundimet mizore, veset dhe errësira shpirtërore; thoni se prekja e rrobës së Shpëtimtarit, dhe rrobat e Apostujve, mund të sillnin shëndet tek të sëmurët sa më tepër janë në gjendje të shërojnë ikonat e shpëtimtarit dhe Nënës Tij të pacenuar besimtarët prej çdo vuajtje, sipas besimit të tyre në Zotit dhe në Nënën e Tij.
Të dy, vet Zoti dhe Nëna e Tij e panjollë vazhdimisht na tregojnë, se nëpërmjet mrekullive, si të jashtme dhe të brendshme, se nderimi ynë i vërtete i Nënës së Tij, dhe të Shenjtorëve të Tij dhe të Ikonave të Shenjta, i pëlqen Atij, dhe janë dobiprurëse për ne në shkallën më të lartë.
Engjëjt e Shenjtë dhe Shenjtorët e Perëndisë janë miqtë dhe vëllezërit tanë më të mirë, më të sjellshëm, më të besuar, të cilët na ndihmojnë ne kaq shpesh në rrethana në të cilat askush nuk mund të na ndihmojë.
Ne kemi ikonat e tyre; dhe duke i parë këto ikona ne i thërresim ata me lutjet tona, duke e ditur se ata kanë guxim të madh përpara Perëndisë, për të na ndihmuar ne.
Puthja me buzë korrespondon tek puthja me shpirt, dhe kur ne puthim gjërat e shenjta, ne duhet t’i puthim ato me shpirt dhe zemër ashtu si me buzë.
Mësime nga Shën Joani i Kroshtadit
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










