“Lumturia e së keqes është e përkohshme”!
Robërit izraelitë, shton, të cilët do të merren në tokën e huaj do të kullosin atje si “demat”. I quan dema sepse ata kullosin larg njëri – tjetrit. Kështu edhe robërit do të ndihen të vetmuar; nuk do të ndjejnë mbështetjen e bashkatdhetarëve dhe bashkë skllevërve të tyre. Në tokat e vendit të tyre të shkretuara do të kullosin delet. Vendi i tyre do të shkatërrohet dhe “do të kthehet në një kullotë” (PT 79).
Toka e Premtuar, nga e cila rridhte mjaltë dhe qumësht, do të bëhet një vend banimi dhe ushqimi të pasur për kafshët! Dhe kjo profeci gjeti përmbushjen e saj në kohën e romakëve. Në vitin 70 ps.Kr. Titoja pasi pushtoi Jerusalemin, urdhëroi ta digjnin dhe ta plugonin. Në atë gjendje u katandis qyteti i shenjtë, lavdia dhe fama e Izraelit.
E treta e “mjerë” godet të padrejtët dhe falsifikuesit, të cilët me kohë janë lidhur me zinxhirët e mëkatit dhe në vend që të pendohen, provokojnë dhe përqeshin drejtësinë hyjnore (vrg.18-19). Këta njerëz “ngjasohen me qetë, ashtu si qetë tërheqin ngarkesën, kështu edhe këta tërheqin dënimin e mëkatit të tyre. Litarët, të cilët lidhet ngarkesa e tyre janë talljet e tyre të gjata dhe të vazhdueshme ndaj profecive të profetit” (JJ 62). Në Fjalët e urta thuhet; “kur vjen i pabesi vjen dhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi”.
Një mëkat lidhet te një tjetër, dhe nga një pe i hollë që ishte në fillim, bëhet si litar që lidhë anijet, dhe i lidhur tashmë mëkatari tërhiqet si një kafshë për therje, atje ku e drejton ai që e ka lidhur.
Më e keqja është se “mëkatari thërret akoma edhe Perëndinë. Duke marrë kuraje nga zemërdhembshuria hyjnore, e cila ka për qëllim të çojë në pendim, nuk llogarit pasojat që do të ketë për shkak të drejtësisë hyjnore. Dhe thotë; le të vijnë shpejtë të gjitha ato që Perëndia ka vendosur për ne”(PT 80)). Sa njerëz të tillë ekzistojnë sot në ditët tona! Lë të na ruajë Zoti nga ngurtësia e mëkatit.
E katërta e “mjerë” godet si një rrufe shtrembëruesit e vlerave (vrg.20). Këta njerëz, theksojnë shpjeguesit e rinj, nuk hedhin poshtë thjeshtë vlerat tradicionale, por sjellin një rregull të ri të kuptimeve dhe vlerave morale. Përpiqen të arrijnë kthimin në kaosin fillestar, në të cilin nuk kishte dallim midis dritës dhe errësirës. (Shih dhe Zan.1:2). Janë shtrembëruar për arsye janë zhytur thellë në mëkatin e tyre dhe kërkojnë të shtrembërojnë gjithashtu kodin moral të sjelljes. A nuk të kujton ky rast sjelljen e disa gazetarëve dhe shkrimtarëve materialistë dhe ateistë të kohës sonë? Të thuash se është e mirë e keqja dhe e djallëzuara, të paraqitësh dhe tregosh të hidhurën si të ëmbël dhe të ëmblën si të hidhur, dritën si errësirë dhe errësirën si dritë nuk është thjesht mëkat. Është diçka më e thellë. Është shtrembërim i së vërtetës dhe imitim i Djallit. Bëhesh vegël e Santanit, i cili është shtrembërues i së vërtetës dhe atë i gënjeshtrës. (Shih dhe Jn.8:44).
E pesta e “mjerë” shigjeton ata njerëz, të cilët kanë një ide të lartë për veten e tyre dhe që mbështeten vetëm në urtësinë dhe mendimin e tyre (vrg.21). Me këtë “mjerë” profeti godet ata të cilët nuk llogarisin Ligjin e Zotit dhe nuk marrin parasysh urdhëresat e Tij. Ata rregullojnë jetën e tyre personale dhe atë publike krejt ndryshe, duke u bazuar vetëm në idetë dhe urtësinë e tyre, në një kohë kur ata janë dhe paria e popullit. Nuk pranojnë asnjë këshillë dhe sugjerim, madje as nga ana e profetëve, që janë të dërguarit e Perëndisë. Patjetër këtu, profeti, nuk nënvlerëson urtësinë, por të vetëquajtur të urtë, ata të cilët me egoizëm e konsiderojnë veten e tyre si të urtë dhe të zotë për të gjitha.
E gjashta e “mjerë” përfshin të shthururit, prijësit pijanecë dhe të padrejtë (vrg. 22-23). Në vargun 11 profeti foli në përgjithësi për pijanecët.
Tani kthehet përsëri kryesisht për prijësit (pleqtë) pijanecë. Dhe do të thotë për ata njerëz të cilët janë drejtuesit më të larë të shtetit dhe nëpunësit shtetëror të cilët kanë dhe përdorin pushtetin, por që janë skllevër të pijes, me pasoja tragjike për ata vetë, por edhe për shtetin. Si është e mundur një njeri i dehur, me mendje të turbullt nga pija, të mund të rregulloi dhe zgjidh drejtë çështjet e rëndësishme të shtetit, dhe të qeverisi me drejtësi? “Sa më lartë ndodhet dikush, aq më tepër i ekspozuar është në sytë e të gjithëve dhe aq më tepër e mundshme është sjellja e përbuzshme” (PT 81).
Një prijës, i zhytur dhe i përkushtuar shijimit të pijeve dhe dëfrimeve, është e pritshme gjë do të marrë ryshfete dhe nuk do të japë në mënyrë të drejtë drejtësinë. Për këtë dhe profeti i frymëzuar përfshin brenda në këtë “mjerë”, për prijësat pijanecë dhe gjykatësit që marrin ryshfete.
“Të gjithë këta merrnin dhurata dhe ryshfete që të mund të bënin një jetë plangprishëse” (JJ 63).
Pas këtyre kërcënimeve natyrisht që do të vijnë dhe rezultatet: Përderisa izraelitët nuk llogarisnin Ligjin e Zotit dhe nuk deshën që t’i bindeshin urdhëresave të Tij, zemëruan të shenjtin Perëndi dhe i pretë një shkatërrim i tmerrshëm. Ashtu si digjet dhe shuhet kallamishtja, kështu do të digjet edhe rrënja dhe filizi i popullit të larguar nga Perëndia. Kështu që lumturia e së keqes është e përkohshme. Zhduket, përpara se ta shijosh.
Përderisa me sjelljen e tyre zemëruan Perëndinë, vazhdon profeti, Ai vuri mbi ta dorën e fuqishme të zemërimit të Tij; tani nuk ka gjë që mund t’i shpëtojë. Do të hedh poshtë mospendimin e tyre këmbëngulës ashtu si e meritojnë. Do të tronditen malet nga ndërhyrja e Tij kundër tyre. Të vdekurit e tyre nga lufta do të jenë aq të shumtë, sa do të mbeten të pavarrosur dhe do të bëhen si pleh nëpër rrugët.
Meqenëse nuk do të pendohen edhe pas dënimit, do të vazhdojë të mbesë mbi ta dora e zemërimit të Zotit. (vrg.25).
*Përkthim nga Vëllimi i 16, “Dhiata e Vjetër” me shpjegime të Teologut të shquar Panajot Trebela, botuar nga vëllazëria “Sotir”, Athinë 2002!
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.











