Prifti ka përgjegjësi të madhe: Shën Pais Agjioriti – Vitamina shpirtërore)
Prifti, nuk mund ta mbyllë kurrë derën e tij; ai ka një përgjegjësi shumë të madhe. Njëri është i dëshpëruar, tjetri i sëmurë dhe ka nevojë, dikush tjetër është gati për të vdekur, disa duhet t’i pranojë e disa të tjerë duhet t’i vizitojë. Prifti nuk mund të mohojë. Shpirtrat janë në rrezik dhe ai duhet t’i ndihmojë. Në qoftë se nuk i ndihmon dhe i merr Perëndia të parregulluar, cili do të mbajë përgjegjësi. A nuk do ta ketë prifti? Unë si murg, mund ta mbyll edhe derën, të iki në shkretëtirë, të zhdukem dhe të ndihmoj me lutje pa bërë zhurmë. Sepse puna ime nuk është të zgjidh problemet e botës, por të them ndonjë lutje për të. Prandaj nuk u bëra prift dhe atë shpirtëror, që të ndihmoj në një mënyrë tjetër. Po të isha prift në botë, nuk do ta mbyllja kurrë derën e shtëpisë. Duhet të përgjigjesha gjithnjë pa bërë dallime për gjithçka që do të më kërkonin të tjerët. Së pari, do të përkujdesesha për besimtarët e enorisë sime dhe pastaj atë që do të tepronte do t’ua jepja njerëzve të tjerë, të cilët do të më kërkonin ndihmë. Do të interesohesha jo vetëm për besimtarët, por edhe për jobesimtarët, për ateistët dhe për armiqtë e Kishës. Po të isha atë shpirtëror dhe të më thoshte diçka një njeri për dikë tjetër, do ta thërrisja edhe atë që të gjeja zgjidhje. Do të merrja në telefon për të parë se ç’bën tjetri që ka një tundim, që ka një problem etj. Si do të mund të rrija i qetë?!
Prifti duhet të ecë përpara që ta ndjekin besimtarët. Në tufën e dhenve i pari shkon dashi dhe delet e ndjekin. I kthen brirët nga e djathta dhe të gjitha delet kthehen djathtas. Të gjitha delet ndjekin dashin, domethënë kryetarin. Prandaj delet nuk veçohen, por shkojnë njëra pas tjetrës. Dashi e di drejtimin nga do të shkojnë dhe delet e ndjekin.
– Jerond, a justifikohet një njeri i cili ka një përgjegjësi baritore, të dojë një shpirt të mirë më shumë se një tjetër që ka kërkesa të paarsyeshme?
– E zemë se je bari dhe ke në tufë shumë dhen. Disa kullosin të gëzuara dhe blegërijnë, disa të tjera janë të dobëta ose kanë ndonjë shushunjë sipër dhe dalin mënjanë. Për cilat do të përkujdesesh më tepër? A nuk do të kujdesesh për ato që janë të dobëta? Ose po t’i sulet ndonjërës çakalli dhe ato të fillojnë të blegërijnë, ku do të vraposh? Do të shkosh tek ato që blegërijnë be-be dhe që kullosin në qetësi, apo tek ato që rrezikohen nga çakalli? Çobani delen e sëmurë ose të plagosur e do më shumë dhe kujdeset në mënyrë të veçantë, derisa ajo ta marrë veten. Edhe ata që bëjnë mrekulli, edhe ata që janë plagosur nga armiku (djalli) t’i kemi në të njëjtin vend të zemrës sonë e të mos i përbuzim. Më shumë kam dashur, kam ndjerë dhimbje dhe i kujtoj gjithnjë ata që kishin më parë një jetë të shëmtuar dhe që përpiqen të këpusin pasionet, sesa ata që nuk i mundojnë ato. Kur ka dashuri të brendshme, atëherë tjetri njoftohet, sepse dashuria e ëmbëlson gjithë njeriun e jashtëm dhe e zbukuron me Hirin Hyjnor, i cili nuk fshihet, sepse rrezaton.
Barinjtë, qofshin këta priftërinj ose kryepriftërinj, është mirë që të kujtojnë Moisiun se ç’hoqi me 2 milion njerëz grindavec. Sa shumë dashuri që pati për popullin dhe sa shumë u lut, sa shumë u torturua për vite të tëra në shkretëtirë edhe ai, derisa i çoi në tokën e premtuar. Në qoftë se do të sjellin këto në mendjen e tyre, do të marrin kurajo të pashtershme dhe nuk do të mërmërisin kurrë për mundimet e vogla në krahasim me ato që hoqi Moisiu.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










