28/03/2020 28/03/2020 Kur trupi i Jisuit gjendej i varur në Kryq së bashku me dy trupat e dy hajdutëve, askush nga nxënësit e tij nuk kishte kurajën të afrohej për të zbritur trupin që ta varroste. Për më tepër kush do të kishte guxim të shkonte tek Pilati që të kërkonte trupin e “krimineli të dënuar me...
28 Μαρτίου, 2020 - 19:27
Τελευταία ενημέρωση: 28/03/2020 - 19:28

Drita e Krishtit largon frikën nga zemra jonë

Διαδώστε:
Drita e Krishtit largon frikën nga zemra jonë

Kur trupi i Jisuit gjendej i varur në Kryq së bashku me dy trupat e dy hajdutëve, askush nga nxënësit e tij nuk kishte kurajën të afrohej për të zbritur trupin që ta varroste. Për më tepër kush do të kishte guxim të shkonte tek Pilati që të kërkonte trupin e “krimineli të dënuar me vdekje?” Nxënësit e Tij? Ku ishin ata?
Ata ishin fshehur nga frika se mos rrezikonin jetën e tyre për shkak se kishin qenë dishepujt e Tij. Por, ishte një nxënës tjetër. Ai ishte një nxënës fshehtas i Jisuit “një anëtar i Sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë, dhe priste dhe ai mbretërinë e Perëndisë”, Jozefi nga Arimathea i cili tashmë shpall hapur se ai është nxënës i Jisuit. “Ai mori guximin dhe kërkoi nga Pilati trupin e Jisuit”. Duhej një guxim i jashtëzakonshëm për një njeri të vepronte në këtë mënyrë.
Ekzistojnë shumë lloje guximesh. Ekziston guximi që ne shohim në fushë beteje. Ekziston guximi i treguar nga astronautët. Ekziston guximi i të Krishterëve të hershëm, të cilët për të mos mohuar Zotin, pranuan që trupat e tyre të zhyteshin në zift dhe të përdoreshin si ndriçim për kopshtet e perandorëve (si Neroni). Ekziston guximi i 40 – martirëve të shenjtë të cilët duke mos mohuar besimin e tyre të krishterë, u futën në një liqen të ngrirë të zhveshur derisa dhanë shpirtin e tyre tek Zoti. Ekziston guximi i të Krishterëve Orthodhoksë në kohën e regjimit Komunist, të cilët u dënuan me anë të torturave të papërshkrueshme në Kampet e Përqendrimit. Le të kujtojmë një histori në Rusi në kohën e regjimit Komunist.
Autori i këtij tregimi përshkruan mbërritjen e Pashkës nga fundi i Prillit. Siberia ka një dimër shumë të ashpër. Në ditën e Pashkës një grup grash nga Voronezhi, të burgosura për besimin e tyre Orthodhoks, kërkuan nga drejtoria e burgut të përjashtohen nga puna atë ditë. Mirëpo zyrtarët e burgut jo vetëm që nuk e pranuan kërkesën e tyre por në çast urdhëruan rojet t’i nxirrnin që në atë moment të bënin punën e tyre, të prisnin dru në pyll. Kur ato mbërritën tek vendi ku do të prisnin drutë, flakën sopatat dhe nisën të psalin Himnet e Pashkës. Rojet i rrethuan, dhe i drejtuan tek një pellg me ujë dhe i urdhëruan të hiqnin çizmet që ato mbanin duke i kërcënuar se në qoftë se nuk do të pushonin së psaluri do t’i fusnin në ujë. Këto gra jo vetëm që nuk pushuan por të futura në ujë të ngrirë recituan çdo fjalë që psal populli gjatë Liturgjisë. Pra ky është guximi. Ai është sfidues. Ai ecën përmes flakëve. Ai qëndron më lart se rreziqet fizike.

Guxim për t’u penduar
Duhet guxim të heqim nga vetja maskat që ne veshim, të shohim veten siç realisht jemi, dhe të punojmë për të bërë diçka. Kur djali plangprishës i tha babait të tij “Mëkatova kundër qiellit dhe para teje, nuk jam i denjë të quhem yt bir” (Lluka 15:18-19), në atë moment ai nisi të mposhtë krenarinë e tij. Kjo padyshim kërkonte guxim. Por kur ai i tha vetes ndërsa ndodhej ende në atë vend të largët, “Do të çohem dhe do të shkoj tek Ati” ai tregoi një guxim më të madh. Duhet guxim të pranosh mëkatin. Por të çohesh, të heqësh dorë nga mëkati dhe të kthehesh tek Ati, kjo kërkon guxim më të madh.
Nevojitet guxim të jesh sot një i Krishterë Orthodhoks. Rruga e të Krishterit është shumë e vështirë. Duhet guxim të ndjekësh Zotin në jetën tonë të përditshme. Duhet guxim të jetosh sipas standardeve të Krishtera. Dhe në të vërtetë, nuk mund të jesh një i Krishterë i vërtetë sot në këtë kohë që ne jetojmë po nuk pate guxim. Kush është burimi i këtij guximi? Si mund ta marrim atë? Ku mund ta gjejmë?
Këta njerëz të shenjtë e njohën Zotin. Esenca e Krishterimit është takimi personal ndërmjet dy personave → vetja jonë dhe Perëndia.
Njeriu është krijuar që të ndërtojë një marrëdhënie të ngushtë, thellësisht personale ndërmjet tij dhe Perëndisë. Nga të gjitha krijesat që u krijuan nga Perëndia, vetëm njeriu u krijua me kapacitetin dhe aftësinë për të njohur Perëndinë.
Shën Athanasi shkruan! Përse duhej të ekzistojë krijesa në qoftë se ajo nuk mund të njohë Krijuesin e saj?
Si mund të jenë njerëzit qenie të arsyeshme në qoftë se ata nuk do të njihnin Fjalën e Atit nëpërmjet Të Cilit ata kanë marrë ekzistencën e tyre?
Ata nuk do të ishin gjë tjetër, veçse kafshë dhe nuk do të kishin tjetër njohje përveç gjërave tokësore; dhe përse duhej t’i krijonte Perëndia në qoftë se Ai nuk kishte ndërmend që ata ta njihnin Atë?
Pyetja është si mund ta njohim Perëndinë? Ashtu siç nevojiten mjete të ndryshme për të shqyrtuar të vërtetën në shkencat e ndryshme p.sh. mikroskopi në biologji, teleskopi në astronomi etj, po kështu ne kemi nevojë për mjete totalisht të ndryshme për të njohur Perëndinë i Cili është “Udha, e Vërteta, dhe Jeta”. Pra ne na nevojiten mjete shpirtërore p.sh:
1. Ne nuk mund të njohim Perëndinë, pastërtinë e zemrës. Zoti tha: “Lum ata që janë të pastër në zemër sepse ata do të shohin Perëndinë” (Mat.5:8). Një njeri nuk mund ta njohi Perëndinë pa pastërtinë e brendshme e cila vjen si pasojë e pendimit të përditshëm. Siç na thotë dhe Shën Joani i shkallës “Pastërtia e brendshme, dlirësia e bën dishepullin e saj një teolog, i cili më pas vet arrin të kuptojë dogmat e Trinisë”.
2. Përveç pastërtisë së zemrës, ne nuk mund ta njohim Perëndinë pa Shpirtin e Shenjtë. “Asnjë nuk mund të thotë se Jisui është Zot veç në Frymën e Shenjtë” (1 Kor. 12:3). Ne mund ta njohim Perëndinë vetëm nëpërmjet Logosit (Fjalës) në Shpirtin e Shenjtë. Shpirti i Shenjtë është Perëndia që na mëson për Perëndinë. Shën Siluani i cili fjeti më Zotin në Malin Athos në vitin 1938 shkroi për njohjen e Perëndisë nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë: “Ne mund të studiojmë sa të duam, por ne nuk mund ta njohim Zotin në qoftë se ne nuk jetojmë sipas Urdhëresave të Tij, sepse Zoti nuk njihet nëpërmjet studimit, por nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë”. Shumë filozofë dhe studiues arritën në besimin e ekzistencës së Perëndisë, por ata nuk e njohën Atë. Të besosh në Perëndi është një gjë, por ta njohësh Atë është diçka tjetër. Si në qiell dhe në tokë Zoti është bërë i njohur vetëm nga Shpirti i Shenjtë, dhe jo përmes studimeve të përditshme.
3. Veç pastërtisë së zemrës dhe Shpirtit të Shenjtë ne nuk mund ta njohim Perëndinë larg nga Ungjijtë. At Florovski shkruan: “Perëndia e krijojë njeriun në mënyrë që ai të dëgjonte Fjalën e Tij, t’i pranonte ato, të rritej sipas tyre, dhe nëpërmjet tyre të bëhej pjesëmarrës i jetës së përjetshme”.
4. Përveç pastërtisë së zemrës, Shpirtit të Shenjtë dhe Ungjijve ne nuk mund ta njohim Perëndinë pa dashuri. Apostull Joani shkruan: “Perëndia është dashuri, dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të” (Joani 4:16). Ne e njohim Perëndinë përveç dashurisë sepse Ai është dashuri e pastër.
5. Pastërtia e zemrës, Shpirti i Shenjtë, Ungjijtë, dashuria dhe së pesti Lutja. Ne nuk mund ta njohim Perëndinë pa lutjen. Një shprehje klasike thotë: “Ai që lutet është një teolog; dhe një teolog është ai njeri që lutet”.
Kur Danieli u ndalua nga një dekret i Nebukadnosorit t’i lutej Perëndisë së tij, ai jo vetëm që nuk pushoi së luturi tre herë në ditë siç e kishte zakon, por ai vazhdoi ta kryente këtë ritual hapur, siç vepronte më parë, ku të gjithë mund ta shihnin, megjithëse ishte i vetëdijshëm se do të hidhej në tufën e luanëve. Tre herë në ditë ai hapte dritaren e tij drejt Jerusalemit dhe i lutej Perëndisë së vërtetë. Ai qëndronte pranë Zotit dhe Zoti qëndronte pranë tij dhe kur ai u hodh tek strofulla e luanëve.
6. Ne nuk mund ta njohim Perëndinë në qoftë se ne nuk jemi në kungim më të dhe në qoftë se Perëndia nuk është prezent brenda nesh. Mënyra më e mirë për të njohur Perëndinë thotë Shën Grigori i Nisës “është të bëhesh i ngjashëm me Atë”.
Pra drita e Krishtit, njohja e Tij, largon frikën prej nesh. Ajo na forcon që të mos i frikësohemi fytyrave të njerëzve. Sepse guximi është më tepër se kapadaillëk. Ai buron nga thellësitë e shpirtit tonë kur ne jemi të vetdijshëm kur Perëndia është bashkë me ne.
Ja se çfarë na thotë libri i Jozeut: “Ji i fortë dhe trim, mos kij frikë, dhe u thyej, sepse Zoti Perëndia yt është me ty kudo që të shkosh?”

Ç’është guximi?
Të gjithë ne habitemi kur dëgjojmë përgjigjen e dhënë nga treqind Spartanët natën përpara betejës së Thermopileve, kur ata u njoftuan nga një informator se shigjetat e Persianëve do të ishin kaq shumë sa do të nxinin qiellin, shumë mirë i thanë ata – “atëherë ne do të luftojmë në errësirë”.
Ky është guxim.
Në Lindje pema e kumbullës është simbol i guximit. Kur pyetën se përse, një nga banorët u përgjigj: “Sepse ajo fillon të çelë ndonëse akoma nuk ka shkrirë bora”.
Fjala për guxim në gjuhën Greke është parrhesia.
Ajo formohet nga dy fjalë pas – që do të thotë të gjithën, dhe rheo – që do të thotë shprehme fjalë. Pra fjala do të thotë se një person i cili ka guximin e Krishtit nuk ka frikë të flasë, por shpall Ungjillin e Jisuit me guxim dhe lirshëm. Ne duhet të kemi guxim, për të folur për Zotin tonë Jisu Krisht sepse shpëtimi i botës kërkon guximin tonë. Të Krishterët që kanë frikë nuk do të çojnë njerëz në mbretërinë e Perëndisë, por rrezikojnë dhe veten e tyre.
Të Krishterët e druajtur që struken në një dhomë të veçuar që kanë frikë të flasin emrin e Zotit kurrë nuk do të rrëzojnë kështjellat e djallit. Ne nuk duhet të jemi të Krishterë të ndrojtur dhe të frikësuar. Në kohën që ne jetojmë ku të gjithë kanë lënë dhomat e fshehta dhe të izoluara; kurorëshkelësit (kurvarët), prostitutat të cilat tashmë kërkojnë të drejtat e tyre, homoseksualët që kërkojnë të përligjin marrëdhëniet e tyre; ne të Krishterët duhet të jemi të guximshëm, të mos mbyllemi nëpër dhoma të izoluara, të mos fshehim besimin tonë, të mos kemi ndrojtje të pohojmë se jemi pasues të Zotit.
Jozefi nga Arimathea ishte një i Krishterë “i fshehtë” por ai mori guxim të dilte nga dhoma e veçuar dhe të shpallte publikisht se ai ishte nxënës i Jisuit, duke kërkuar tek Pilati trupin e Tij. Të Krishterët futen në dhomën e tyre vetëm kur luten (Mat. 6:6) më pas duhet të dalin në botë për të pohuar Zotin dhe të punojnë për Të.
A ishin Apostujt të Krishterë të fshehur kur ata kundërshtuan hapur mbretërit, sfiduan mbretërira dhe dhanë jetën e tyre për ato që ata predikuan?
A ishte Shën Pavli një i Krishterë “i fshehur” kur ai qëndroi në arenën në Efes ku të gjithë bërtisnin: “E madhe është Diana e Efesit” dhe ai shpallte publikisht se: “I madh është Jisui i Nazaretit”.
A ishte Shën Joan Pagëzori një i Krishterë “i ndrojtur”, kur ai dënoi imoralitetin dhe korrupsionin e një oborri mbretëror, ndonëse ai e dinte se kjo gjë do t’i kushtonte kokën e tij?
A ishin profetët e Izraelit njerëz të cilët qëndruan në heshtje dhe të mbyllur? Padyshim që jo. Për Profetët thuhet se Izraelitët “i rrahën, një tjetër e varën dhe një tjetër e vranë me gurë. Kaq shumë prej tyre sakrifikuan jetët e tyre në shërbim të Perëndisë saqë u bë e zakonshme të flitej për gjakun e profetëve” (Zbul.16:6; 18:24).
Përveç fuqisë prej Fjalës së Perëndisë, profetët s’kishin gjë tjetër. Ata s’kishin asgjë në favor të tyre kur ata përballeshin me kundërshtarët e tyre, dhe shumë herë me njerëz të pushtetshëm që Perëndia u kërkonte atyre t’i sfidonin. Profetët zotëronin guximin suprem për të cilin Aristoteli shkroi se “një njeri i guximshëm është ai që s’ka frikë përballë një vdekje fisnike dhe gjërave që e çojnë drejt vdekjes”, e ky është shembulli që ne shohim me Samuelin duke u përballur me Saulin, Natanin duke akuzuar Davidin, Elian duke u ndeshur me Ahabin, Amosin duke qortuar Jeroboamin, Isaian duke sfiduar Ahazin, Jeremian përballë Zedekias, Danielin duke iu kundërvënë Nebukadonesorit, Joan Pagëzori duke u përballur me Herodin. Profetët dhe Apostujt ishin njerëz të guximshëm, të vetëdijshëm se nuk ishin zotër të jetëve të tyre. Duke e marrë jetën e tyre prej Perëndisë ata ia besuan tërësisht Atij ditën dhe rrethanat e vdekjes së tyre.
Virtyti i guximit është i nevojshëm për të gjitha virtytet e tjera. Historia e filozofisë morale insiston se asnjë virtyt tjetër nuk është i mundur pa virtytin e guximit, natyrisht as bamirësia dhe as drejtësia. Njeriu që s’ka guxim nuk mund të jetë në lartësinë e duhur në asgjë tjetër. Në fjalët e Shën Ambrozit të Milanos lexojmë: “Brenda shpirtit mediokër nuk ka guxim, i cili mbron zbukurimin e gjithë virtyteve”. “Guximi”, shkroi Thoma Akuini, është “virtyti i përgjithshëm ose kushti i çdo virtyti”.
Prandaj besimi ynë Orthodhoks nuk është besimi i frikacakëve por i njerëzve të guximshëm, le të mos kemi frikë të pohojmë se jemi të Krishterë Orthodhoksë, të mos kemi frikë të themi se shkojmë në kishë çdo të dielë për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore, të mos kemi frikë kur bëjmë Kryqin, të mos kemi frikë t’u themi të afërmve tanë që të vinë e të pagëzohen në Kishën tonë të Shenjtë, të mos kemi frikë kur themi “Krishti U Ngjall” sepse “Ai, Me të vërtetë U Ngjall”
Të kujtojmë gjithmonë fjalët e Zotit: “Kushdo që do të më rrëfejë përpara njerëzve dhe Unë do ta rrëfej përpara Atit tim që është në Qiej; kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve dhe Unë do ta mohoj para Atit tim”.

 

facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων