20/01/2020 20/01/2020 Zemërim, mëri. Thotë shën Joan Sinaiti: “Zemërim do të thotë të mbash brenda teje, vazhdimisht, urrejtje dhe të kujtosh të keqen, që të kanë bërë. Do të thotë, akoma, që të duash të hakmerresh ndaj atij, që të acaroi. Mëri do të thotë sjellje e paqëndrueshme dhe gjaknxehte, dhe paturpësi e shpirtit. Mëria tregon njeri...
20 Ιανουαρίου, 2020 - 16:06

E DIELA E XXIX Kolosianëve 3, 4-11. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E DIELE, 19 JANAR 2020 Ki Kujdes nga Stuhia Shpirtërore

Διαδώστε:
E DIELA E XXIX Kolosianëve 3, 4-11. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E DIELE, 19 JANAR 2020 Ki Kujdes nga Stuhia Shpirtërore

Zemërim, mëri. Thotë shën Joan Sinaiti: “Zemërim do të thotë të mbash brenda teje, vazhdimisht, urrejtje dhe të kujtosh të keqen, që të kanë bërë. Do të thotë, akoma, që të duash të hakmerresh ndaj atij, që të acaroi. Mëri do të thotë sjellje e paqëndrueshme dhe gjaknxehte, dhe paturpësi e shpirtit. Mëria tregon njeri të mbushur me krenari. Duhet të kujdesemi shumë për këtë gjarpër, që quhet mëri.”

* * *

Njeriu, shumë herë, bëhet si deti në furtunë, kur i trazon shpirtin stuhia e mërisë. Atëherë ndodhin përmbytjet më të shumta. Blasfemi, fjalë ofenduese, rrahje, krime.

Ekzistojnë, sigurisht, dhe raste, kur zemërimi është një reagim kundër së keqes. Një indinjatë e hirshme, shumë herë, për një padrejtësi, që bëhet ndaj vetes tënde ose ndaj të tjerëve. Në disa raste, madje, lejohet gjaknxehtësia, kur bëhet fjalë, që do t’i shërbejë një qëllimi më të lartë. Dhe babai do të mërzitet dhe do ta shfaqë gjaknxehtësinë e tij, që të edukojë fëmijën e tij. Dhe oficeri, dhe përgjegjësi, do të reagojnë vetvetiu me gjaknxehtësi, që të mos përsëritet një e keqe që u bë.

Sepse ekzistojnë situata, fatkeqësisht, kur nuk sjell rezultate butësia, këshilla atërore dhe rekomandimi shoqëror. Nevojitet dhe “kamxhiku”, të cilin e përdori edhe Zoti, që të dëbojë nga Tempulli, ata që e kishin shndërruar “shtëpinë e Perëndisë në shtëpi tregtie”.

Shën Vasili i madh shkruan për priftin Ili në Dhiatën e Vjetër, se duhej të zemërohej për sjelljen e djemve të tij, Ofni dhe Finees, dhe t’i ndëshkojë, gjë që nuk e bëri dhe kështu shkaktoi dënimin e Perëndisë. Por dhe “armiqësia”, që duhet të ndjejë njeriu ndaj së keqes dhe mëkatit, ka si kusht dhe justifikon një reagim të fortë.

Kusht i domosdoshëm në këtë rast është, që ti të jesh i rregullt përball ligjit të Perëndisë. Përndryshe, do të shkaktosh indinjatë, nëse zemërohesh dhe do, gjoja, të korrigjosh të tjerët, ndërkohë, që dhe ti je në të njëjtën gjendje.

Në rastet e zemërimit të ligjshëm, që justifikohet, duhet njeriu të ketë shumë kujdes, në mënyrë që, të jetë i drejtë në gjykimet e tija dhe të jetë i matur. Të niset nga interesi i ngrohtë, për mbizotërimin e së drejtës dhe të rendit, për korrigjimin e së keqes apo për mbrojtjen e së mirës dhe së vërtetës. Atëherë ndodh ajo, që rekomandon Davidi: “Zemërohuni por mos mëkatoni.” Psalm 4, 5.

Por, këto raste janë të pakta, përpara aq rasteve të tjera, në të cilat zemërimi është pasion mëkatar dhe i frikshëm dhe i neveritshëm, dhe sjellë të këqija të panumërta ndaj atij që zemërohet dhe ndaj shoqërisë.

Në fillim shfaqet si mospëlqim, pastaj si antipati, ose mungesë durimi. Shumë shpejt bëhet gjaknxehtësi, që shoqërohet me fjalë nevrike dhe fjalë, që e kapërcejnë logjikën. Zhvillohet dhunshëm dhe shpërthen në fjalë dhe goditje. Arrin në mani, që nuk është veçse një marrëzi e përkohshme. Atëherë, i zemëruari, bën atë, që bën dhe i marri. Dhe arrin deri në atë pikë, sa kërkon vdekjen, shkatërrimin dhe humbjen e tjetrit dhe bën krim. Zoti, që ta largojë pasionin e mëkatit nga shpirti i njeriut, tha, në predikimin mbi mal: “Por unë po ju them juve se kushdo që zemërohet më kot kundër vëllait të tij, do të jetë fajtor për në gjyq…” Mattheu 5, 22.Dhe është fajtor sepse shkatërron trupin dhe shpirtin e tij, dhe, njëkohësisht, u sjell shumë të tjerëve dëm të pallogaritshëm.

Shën Joan Gojarti shkruan në mënyrë karakteristike: “Zemërimi e çon shpirtin shumë lehtë në dëshpërim, dhe krijon armiqësi dhe urrejtje të tmerrshme. Dhe i sjell shpirtit shumë gjëra të tjera dhe krijon një gjendje të padurueshme, që tregon një njeri jo të logjikshëm dhe serioz, por të marrë dhe mendjelehtë”. Njeriu i logjikshëm, me zemërimin dhe mërinë, egërsohet dhe bëhet më i keq dhe me i ulët se kafshët e palogjikshme.

Prandaj, në mënyrë të arritur, shënon atë Eusebi Matthopulos, tek libri i tij, “Qëllimi i Njeriut”, faqe 245:Zemërimi dhe mëria është një pasion shumë shkatërrues dhe shumë i dëmshëm… sjell errësim dhe trazirë në mendje. Për shkakun e tij, nuk e lejon njeriun të gjykojë me drejtësi dhe në të vërtetë, dhe nuk bën punë të drejtë dhe të pëlqyer nga Perëndia… Të zemëruarit, janë njerëz të mjerë për veten e tyre, u shkaktojnë vuajtje dhe tirani edhe njerëzve të tjerë. Dhe, më e tmerrshmja, është se mbesin jashtë Mbretërisë së Qiejve. “Edhe veprat e mishit janë të dukshme, të cilat janë… armiqësitë, grindjet, zilitë, zemëratat, zënkat, mosmarrëveshjet,… dhe të ngjashme me këto, për të cilat ju parathem, siç edhe jua parathashë, se ata që bëjnë të tilla, s’kanë për të trashëguar mbretërinë e Perëndisë.” Galatianëve 5, 18-21.

* * *

Por, si do ta luftojmë këtë pasion të tmerrshëm? Dhe përgjigjet atë Eusebi: “Së pari, njeriu të mendojë, se çdo padrejtësi, në përgjithësi, nga të tjerët, qoftë përbuzje, apo fjalë të këqija, apo ofendime, apo shpifje, apo çdo lloj dëmi tjetër, të gjitha këto nuk mund të na dëmtojnë thelbësisht.” faqe 246.Shën Joan Gojarti, në një fjalim të mrekullueshëm, mbështet me argumente se, “nuk mundet askush të dëmtojë atë, që nuk e padrejtëson veten e tij.” Me të vërtetë, nuk mund ta dëmtojnë shpirtin tënd, fjalët e këqija, shpifjet dhe të gjitha ato, që të bëjnë të mërzitesh, nëse i përballon siç duhet, ashtu si Zoti ynë.

Të mendojmë, akoma, se zemërimi nuk është fuqi, por dobësi, që na nxjerr të zbuluar para të tjerëve. Është pasion, që na poshtëron. Sa nëna dhe sa etër, me këtë sjellje të pasionit të tyre e ulën veten e tyre në sytë dhe në ndërgjegjen e bijve të tyre? Çfarë vlerësimi mund të ketë një nënë nga djali i saj, kur ajo, e skuqur në fytyrë dhe si e marrë, nga zemërimi, i thërret dhe e godet në mënyrë të padrejtë dhe e mallkon?

Jerondi Josif nga Mali i Shenjtë këshillon: “Përderisa njeriu është gatuar i logjikshëm dhe i butë, korrigjohet, pakrahasim më mirë, me dashurinë dhe me mënyrë të butë, sesa me mërzitje dhe sjellje të egër. Këtë ta them ty dhe për të gjithë të tjerët. Kurrë mos kërkoni të korrigjoheni me inat, sepse nuk e nxjerr ngasja ngasjen. Por, me përulësi dhe dashuri të sinqertë. Kur shikon të paraprijë zemërimi, lëre për një moment korrigjimin. Dhe, kur do të shikosh se kaloi zemërimi dhe erdhi paqja dhe punon dallimi i shpirtit me apati, atëherë fol për gjërat e dobishme. Unë nuk kam par kurrë të bëhet korrigjim me zemërim,
por gjithmonë me dashuri. Atëherë dhe ai që këshillohet sakrifikohet. Kështu, pra, të bëni. Merr shembull nga vetë vetja jote; kur zbutesh, me sharjet apo me dashurinë?”

Shën Vasili i Madh na rekomandon: «Të ushtrohemi në përulësinë, që na mësoi Zoti ynë me fjalë dhe me vepra. Ai lau këmbët e nxënësve të Tij dhe na tha: “Kush të dojë të jetë i parë, do të jetë i fundit i të gjithëve, edhe shërbëtor i të gjithëve.” Marku 9, 35.» Përulësia është ilaç dhe për zemërimin.

Të kujtoni se zemërimi nuk korrigjon asnjë të keqe, por përulësia, butësia dhe virtyti i shëron pasionet. Prandaj dhe shën Pavli porosit: “Mos u mund prej së keqes, po munde të keqen me të mirën.”Romak. 12, 21.

“Pasioni i zemërimit -thotë shën Marku asketi- turbullon dhe errëson çdo shpirt dhe e tregon njeriun të ngjashëm me egërsirat. Ky pasion mbështetet, veçanërisht, te krenaria, fuqizohet me atë dhe mbetet i pamposhtur.” Thoshte ava Isaia: “Vëllai im, nëse dikush do të të hidhërojë dhe e shikon në gjendje zemërimi, mos i fol fare, që të mos tronditesh më tepër, por kur të shikosh veten tënde dhe atë, në gjendje butësie, atëherë foli, jo sikur po e qorton, por sikur po i kujton gabimin e tij me përulësi.”

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Me përpjekje të përditshme, me luftë dhe me shumë lutje. Pema e zemërimit dhe e mërisë nuk pritet me një të rënë. Të lutemi me nxehtësi duke vëzhguar Jisuin “të bukur dhe të përulur.” Pa Hirin e Tij nuk mund të bëjmë asgjë. Me Hirin e Tij të tërëfuqishëm, do të themi bashkë me apostull Pavlin: “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit, që më jep fuqi.” Filipianët 4, 13.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

† IGNATI

radiongjallja.org

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων