17/01/2022 17/01/2022 U kremtua me gëzim kujtimi i Shën Andonit të madh si dhe dita e emrit të Mitropolitit tonë Imzot Andonit. Me këtë rast kishin ardhur për të meshuar priftërinjtë e dioqezës së Elbasanit dhe besimtrë për të ndjekur meshën dhe uruar Mitropolitin Andon që mban emrin e këtij Ati të madh të murgjërisë. Në fjalën...
17 Ιανουαρίου, 2022 - 18:05

Kremtua me gëzim kujtimi i Shën Andonit

Διαδώστε:
Kremtua me gëzim kujtimi i Shën Andonit

U kremtua me gëzim kujtimi i Shën Andonit të madh si dhe dita e emrit të Mitropolitit tonë Imzot Andonit. Me këtë rast kishin ardhur për të meshuar priftërinjtë e dioqezës së Elbasanit dhe besimtrë për të ndjekur meshën dhe uruar Mitropolitin Andon që mban emrin e këtij Ati të madh të murgjërisë.
Në fjalën e tij Imzot Andoni foli për jetën dhe mësimet e Shën Andonit si dhe për shëmbullin që zelli dhe dashuria e tij për Zotin na nxit edhe ne sot që t’i imitojmë.
Në fund të gjithë klerikë e besimtarë uruan Mitropolitin Andon, gëzuar për shumë vjet!
* * * * *
– Oshënar Andoni i Madh –
Shën Andoni, lulja e parë e shkretëtirës, lindi rreth vitit 250, në fshatin e vogël Komas, në Egjiptin e Sipërm. Prindërit e tij, të krishterë fisnikë e të pasur, e rritën me besimin dhe frikën e Perëndisë. Vetë ata u morën me edukimin e djalit të tyre, sepse Andoni nuk i dëshironte lojërat e zhurmshme të fëmijëve të tjerë dhe i përbuzte shkencat profane. Dilte nga shtëpia vetëm për të shkuar në kishë, ku ndiqte me vëmendje leximin e librave të shenjtë dhe tregimet për luftën e shenjtorëve.
Në moshën 20-vjeçare, vdekja e prindërve e la në krye të trashëgimisë familjare dhe të vetmin përgjegjës për edukimin e motrës së tij më të vogël. Një ditë, tek shkonte në kishë duke medituar për jetën paqësore të apostujve dhe të të krishterëve të parë, të çliruar nga çdo shqetësim, dëgjoi të lexoheshin këto fjalë të Ungjillit: “Nëse do që të bëhesh i përsosur, shko e shit pasurinë tënde dhe jepua të varfërve; dhe do të kesh thesar në qiell, dhe eja e ndiqmë pas” (Matth. 19.21). I bindur se ato ishin thënë vetëm për të, u nis t’i ndante pa humbur kohë tërë tokat që zotëronte mes fqinjëve, shiti mobiliet dhe u dha të varfërve paratë, duke ruajtur një pakicë për sistemimin e së motrës. Një herë tjetër, pasi dëgjoi të lexoheshin këto fjalë: “Mos u mendoni, pra, për të nesërmen” (Matth. 6.34), vendosi përfundimisht të hiqte dorë nga bota, shpërndau pjesën e pasurisë që i kishte mbetur, të motrën ia besoi një gruaje të virtytshme, dhe la shtëpinë për të përqafuar jetën asketike.
Ndërkaq, në atë kohë, nuk ekzistonte ende ndonjë manastir i organizuar, vetëm disa burra, të cilët jetonin si eremitë pranë fshatit të tyre, me kreshmë dhe lutje. Një nga këta etër banonte afër me Andonin, të cilin shenjti mendoi ta imitonte. U vendos në një vend të izoluar, me mendje të çliruar nga preokupimet dhe kujtimi i jetës së mëparshme. Bënte punë krahu, shpërndante tepricat te të vobektët, studionte librat e shenjtë dhe përpiqej të ruante të paturbulluar lutjen në zemër. Si një bletë punëtore, sa herë që dëgjonte të lavdërohej virtyti i ndonjë eremiti, e vizitonte, vëzhgonte përulësinë e një tjetri, ushtrimin, përqendrimin në lutje dhe studimin e një të treti e kështu me radhë, dhe, me t’u kthyer në qeli, përpiqej t’i bënte të vetat të gjitha këto virtyte.
Demoni, ziliqar i të gjitha veprave të mira të njerëzve, ngaqë nuk duronte dot të shikonte zellin e të riut, vendosi ta luftonte. Fillimisht i solli në kujtesë pasurinë që kishte braktisur, të motrën që e kishte lënë dhe të gjitha kënaqëstë e jetës së mëparshme. Pastaj i paraqiti në mënyrë të tmerrshme vështirësitë e jetës asketike, dobësimin e trupit, luftën e gjatë që do të duhej të duronte për vite të tëra dhe një re të dendur mendimesh të shumëllojshme. Por Andoni, me besimin e fuqishëm që kishte, durimin dhe lutjen e vazhdueshme, u bëri ballë këtyre sulmeve, prandaj i ligu e sulmoi në një front tjetër. I paraqiti në mendje mendime jo të pastra dhe i nxiti shqisat rinore me shumë sugjerime të turpshme. Por, si pa që shenjti rezistonte, natën mori pamjen e një gruaje që e ftonte në mëkat me gjeste të ndyra. Por atleti i Krishtit e dëboi satanin me kujtimin e mundimeve të ferrit. Demoni, i lodhur, iu shfaq si fëmijë i shëmtuar dhe i zi dhe, duke iu paraqitur si fryma e imoralitetit, pranoi se u mund prej tij. Para kësaj pamjeje kaq qesharake, Andoni e përbuzi me himne: “Zoti është ndihma ime, dhe do t’i përçmoj gjithë armiqtë e mi” (Ps. 117.7). Ai ishte faktikisht i bindur se nuk ishte fitorja e tij, por Hiri i Perëndisë që ishte me të (I Kor. 15.10). Prandaj, i mësuar urtësisht nga Shkrimet e Shenjta për makinacionet e ndryshme të demonëve, nuk dremiti në sigurinë e gënjeshtërt; por gjithmonë vigjilent, punonte me më shumë kujdes të robëronte trupin, nga frika se mos në betejën e dytë dilte humbës. E përforcoi edhe më tepër vendimin e tij nëpërmjet disiplinës së shenjtë; ai nuk ndiente më vështirësi kur kalonte natën në lutje, hante pak bukë e kripë, një herë në dy ditë, dhe refuzonte çdo ngushëllim njerëzor. Duke harruar kohën që kalonte me këtë mënyrë jetese dhe duke vrapuar pa pushim përpara (Fil. 3.14), e konsideronte çdo ditë si fillimin e asketizmit dhe i bëri të tijat fjalët e profetit Ilia: “Zoti është i gjallë, dhe duhet që sot të dal në prani të tij” (III Mbret. 18.5).
Prandaj dhe u hodh në sulm dhe zgjodhi si vendbanim një nga varrezat e vjetra që kishin hapur paganët. Duke mos e duruar këtë provokim, satani erdhi për ta sulmuar natën me një lukuni demonësh. E goditën mizorisht dhe e lanë përtokë, tërë plagë. Kur miku i tij, i cili kujdesej për të, e gjeti gjysmë të vdekur, e transportoi menjëherë në kishë. Kur u përmirësua, Andoni iu lut ta çonte përsëri në varr. Në pamundësi për të qëndruar më këmbë, lutej i shtrirë dhe i sfidonte me guxim demonët. Këta të fundit, turreshin në varr, duke marrë pamje bishash apo zvarranikësh. Luftëtari trim sulmohej nga çdo anë, por i largonte duke thirrur me forcë: “Nëse do të kishit ndonjë pushtet, një nga ju do të më mjaftonte për të më mundur; por meqë Zoti ua mori forcën, përpiqeni të më frikësoni duke qenë të shumtë në numër. Shenja e dobësisë suaj duket kur shndërroheni në kafshë pa arsye. Nëse keni pushtet mbi mua, ejani, mos vononi më tepër, sulmomëni! Nëse nuk keni asgjë, e kotë që tërboheni kështu. Shenja e Kryqit dhe besimi janë për mua mur i pakapërcyeshëm!”. Demonët e pafuqishëm kërcëllinin dhëmbët nga inati. Përfundimisht, Zoti Jisu Krisht i erdhi në ndihmë dhe i dëboi frymët e errësirës, duke u shfaqur lart në qiell i rrethuar nga një dritë rrezëllitëse. Andoni e pyeti: “Ku ishe Ti, o Zot? Përse nuk e ndalove më herët këtë betejë?”. Krishti iu përgjigj: “Këtu isha, përkrah teje. Por doja të shihja përpjekjen tënde. Përderisa rezistove me kaq guxim, do të jem që tani e tutje mbrojtësi yt dhe do ta bëj të njohur emrin tënd mbi dhé”.
Andonin, atëherë 35 vjeç (286), e pushtoi një zjarr i përflaktë zelli pas atyre betejave dhe vendosi i vetëm të futej më thellë në shkretëtirë. Arriti në bregun lindor të Nilit, gjeti mbi mal një rrënojë të vjetër e të braktisur dhe, pasi e spastroi nga zvarranikët që banonin atje, qëndroi në vetmi të plotë, duke ndaluar hyrjen e kujtdo. Kaloi kështu 20 vjet në këtë vend të tërhequr, ku një herë në gjashtë muaj i vinte një mik dhe ia hidhte bukën nga një mur i madh. Të shumtë ishin ata që u tërhoqën nga fama e tij dhe vinin për ta vizituar. Qëndronin përjashta, duke dëgjuar nga brenda potere të madhe dhe zërat e demonëve të ulërinin kundër tij, se u kishte zaptuar banesën me kaq burrëri.
Një ditë, nga zelli i tepërt, admiruesit e tij e shtynë me forcë portën dhe panë Andonin me pamje të shkëlqyer, sikur të dilte nga shenjtërorja mistike, dhe me të njëjtën pamje si para 20 vjetësh, me gjithë mundimet e trupit.
Që nga ajo ditë priste dishepuj (rreth vitit 306), të cilët sa vinin e shtoheshin. Ngriti dy manastire: njërin në lindje të Nilit, në Pispir, tjetrin në bregun e majtë, jo larg Arsinoesë. Me zemër të paqësuar, me mendje të përqendruar te Perëndia dhe pa u lëkundur, shën Andoni kishte pushtetin të pajtonte armiqtë, qoftë edhe vetëm me praninë e tij, bënte që të mbretëronte rreth tij dashuria mes njerëzve dhe shëronte të sëmurët me lutjen e tij. I frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, i drejtonte murgjit në shkencën shpirtërore. I porosiste të mos e lëshonin zemrën në sprova apo të linin pas dore zellin e tyre të parë, por, në të kundërt, ta shtonin nga dita në ditë, sikur të rinisnin nga e para, duke medituar për këto fjalë të apostullit: “Përditë vdes” (I Kor. 15.3).
Ai thoshte: “Le të përpiqemi të mos zotërojmë asgjë, përveç atyre që do marrim me vete në varr: pra dashurinë, butësinë, drejtësinë etj… Virtytit, d.m.th. Mbretërisë së Qiejve, i nevojitet vullneti ynë, pasi ajo është brenda nesh. Virtyti nuk konsiston në tjetër gjë, veçse ta ruajë pjesën shpirtërore të shpirtit tonë në pastërtinë e bukurinë, në të cilat ai u krijua”.
“Duke e ruajtur me vigjilencë zemrën tonë kundër njollosjes nga mendimet e këqija, kundër nxitjes së kënaqësive dhe kundër rrëmbimit të zemërimit, do të mund t’u rezistonim sulmeve të demonëve që na rrethojnë dhe përpiqen me qëllimin e vetëm t’i pengojnë të krishterët të ngjiten në qiell dhe të zënë vendet ku ata u dëbuan për shkak të krenarisë dhe revoltës së tyre. Vetëm duke këmbëngulur me asketizëm të qëndrueshëm dhe me shumë lutje mund të marrim nga Shpirti i Shenjtë karizmën e dallueshmërisë së frymëve, me qëllim që t’i prishim dredhitë e tyre. Fillimisht na sulmojnë me mendime të papastra, pastaj, në qoftë se i kemi zmbrapsur me besim, kreshmë dhe lutje, i rikthehen sulmit me imagjinata të ndryshme, me synimin për të na frikësuar. Përsëri të shtyrë nga fuqia e Krishtit, ata përpiqen të na gënjejnë duke u shtirur sikur parathonë ngjarjet që do të ndodhin, gjë që vetëm Perëndia është i aftë ta bëjë, por që arrijnë ta imitojnë në saje të shkathtësisë së natyrës së tyre të patrup. Edhe nëse na gjejnë sërish të pathyeshëm, atëherë vetë princi i tyre, satani, shfaqet me tërë salltanetin e tij, rrethuar nga një dritë e rreme, parafigurim i zjarrit që i është përgatitur për përjetësinë, dhe na sugjeron vizione, zbulesa, luftëra asketike, dhe një shumëllojshmëri marifetesh, që të na bëjë të biem në krenari dhe iluzion. Mos u frikësoni nga këto sulme. Duke qenë se e kanë humbur fuqinë e tyre që prej Mishërimit të Zotit tonë Jisu Krisht dhe duke mos mundur të rrinë në prehje, na kërcënojnë me fjalë, zhurma dhe shfaqje të kota. Nëse do të kishin ndonjë pushtet, nuk do kishin nevojë të shpalosnin këtë shkëlqim dhe me kohë do ta kishin ndaluar rritjen dhe përparimin e të krishterëve. Vetëm Perëndisë duhet t’i druhemi, prandaj nuk duhet t’ua kemi frikën demonëve, por vetëm t’i përbuzim. Pasi asgjëje s’i tremben më tepër se kreshmës së murgjve, përulësisë, durimit të tyre, dashurisë që ata kanë për Perëndinë dhe për vëllezërit. Nëse ju vjen ndonjë shfaqje, mos u trazoni, por pyete atë që të shfaqet: Kush je ti? Nga po vjen? Nëse ky vizion është i shenjtë, do t’i shpërndajë menjëherë dyshimet dhe do ta kthejë frikën tuaj në gëzim; nëse vjen nga djalli, ai do të arratiset përnjëherësh kur të shikojë qëndrueshmërinë tuaj. Të gjitha këto sprova janë me dobi për ju: nëse mungojnë tundimet, askush nuk mund të shpëtohet“.
Nën ndikimin e Andonit, shkretëtira u bë qytet i vërtetë, u popullua me murgj të shumtë, të cilët e kishin mohuar botën për t’u bërë qytetarë të këtij qyteti qiellor. Të gjitha këto manastire u ngjanin tempujve, ku njerëzit, të bashkuar në harmoni të ëmbël me qëllimin e përbashkët që kishin vendosur, e kalonin jetën duke psalur, duke studiuar Shkrimet e Shenjta, duke agjëruar, duke u lutur me gëzimin dhe me shpresën e të mirave të ardhshme.
Në këtë kohë, Maksimini rindezi në Egjipt zjarrin e persekutimit dhe bëri të rridhte gjaku lumë në qytetin e Aleksandrisë (311). Andoni, i djegur nga dëshira për t’u martirizuar, shkoi në Aleksandri dhe doli me trimëri para rrezikut dhe, duke vizituar rrëfyesit e besës nëpër burgje e miniera, i nxiste ta çonin deri në fund luftën e mirë. Me gjithë dëshirën e tij të flaktë për të pasur të njëjtin fund si ata, Perëndia e ruajti në manastirin e tij, ku vazhdoi martirizimin e vet të pagjakshëm të ndërgjegjes, duke i dyfishuar përpjekjet.
Ndonëse rrinte i mbyllur, ai vazhdonte të kryente mrekulli dhe vizitorët shtoheshin dita-ditës. Prandaj dhe vendosi të tërhiqej më thellë në shkretëtirë. U bashkua me një karvan të saraçenëve dhe arriti më këmbë deri në malin Kolzim (sot Mali i Shën Andonit), i cili gjendet në shkretëtirë, afër Detit të Kuq, tri ditë më këmbë që nga Nili, ku u vendos pasi u sigurua me një zbulim nga Perëndia. Meqë bishat e egra vinin dhe turbullonin ujin e burimit që rridhte atje, shenjti i dëbonte me delikatesë vetëm me tingullin e zërit të tij. Kultivonte atë pak kopsht që kishte për të mbijetuar dhe, përveç disa vizitave të rralla të dishepujve të tij, ai jepej pa u dorëzuar në soditje dhe në luftë kundër demonëve të furishëm.
Pas shumë vjetësh, Andoni, tashmë i plakur, shkoi të vizitonte nxënësit e tij në Pispir, në bregun e djathtë të Nilit. Gjatë udhës, bëri të buronte ujë në shkretëtirë për të shuar etjen e shokëve që ishin me të. I madh ishte gëzimi kur mbërriti njeriu i Perëndisë dhe të gjithë murgjit gjetën rastin për të ripërtërirë zellin e tyre në luftërat e virtytit. Kur u nis për në mal, një turmë e madhe e ndoqi pas: disa kërkonin shërimin e sëmundjeve të trupit, të tjerë vinin për të gjetur ngushëllim dhe mësime për shpirtin; shenjti i jepte kujtdo sipas nevojës, si Perëndia. E theu heshtjen vetëm pasi mori frymëzimin nga Shpirti i Shenjtë, dhe fliste me fjalët e Shkrimit të Shenjtë, sikur të ishte ai autori. Ai thoshte me besim: “Nuk e kam frikë Perëndinë, sepse e dua. Dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën”. Për këtë arsye, në mësimet e tij, këmbëngulte për dashurinë vëllazërore dhe pastrimin e zemrës. Gjithashtu thoshte: “Nga i afërmi varet jeta dhe vdekja. Në fakt, nëse e fitojmë vëllanë tonë, vetë Perëndinë fitojmë; por nëse bëhemi për vëllanë tonë nxitje mëkati, mëkatojmë kundër Krishtit”. Atë plot dhembshuri, dinte ta ndërthurte në kohën e duhur asketizmin e dishepujve të tij me ndonjë zbavitje, dhe u transmetonte mësimin që ai vetë kishte marrë nga engjëlli, të ndërthurte me heshtjen lutjen e pastër, psalmodinë dhe punën e dorës, me qëllim që të luftonte plogështinë. I konsideronte si të tijat vuajtjet e atyre që i vinin dhe lutej për secilin. Kur Perëndia kryente nëpërmjet tij shërim, falënderonte dhe, kur Ai refuzonte, përsëri falënderonte dhe i nxiste këta fatkeqë të mbeteshin në shpresë.
Një ditë, gjatë lutjes së tij, shën Andoni u ngazëllua në frymë dhe u ngrit trupërisht në ajër nga engjëjt, të cilët hoqën prej tij hordhinë e demonëve, që donin të ekzaminonin paturpësisht sjelljen e tij që nga lindja. Fytyra rrezatonte një shkëlqim të tillë pastërtie dhe të gjitha lëvizjet e trupit dëftonin gjendjen pa pasion të shpirtit të shenjtit, i cili shpërndante rreth tij dritë paqeje, gëzimi dhe butësie. Pa pasur nevojë për t’u bërë i njohur, të gjitha sa e shikonin, tërhiqeshin drejt tij. Ai lexonte në zemrat e tyre si në një libër të hapur dhe, si mjek i zoti, u jepte ilaçin e përshtatshëm. Kështu, mbarë Egjipti e mbante si atin dhe mjekun e tij, njerëzit me pozitë vinin thellë në shkretëtirë për të biseduar me të dhe, madje, vetëm për të marrë bekimin e tij; dhe perandori Konstandini i Madh shkëmbeu letra me murgun e përulur.
I pandikuar nga gjithë këto ndere dhe me mendje të drejtuar vazhdimisht te Perëndia, Andoni ishte pajisur në mënyrë hyjnore edhe me të gjithë njohurinë e nevojshme për të turbulluar diturinë e kësaj bote. Disa filozofë paganë, të fryrë nga krenaria për shkak të dijes që pretendonin se zotëronin, menduan me përçmim ta vizitonin këtë të pashkolluar, për të cilin fliste tërë Egjipti. Me pak fjalë, njeriu i Perëndisë ngatërroi sigurinë e tyre. Ai u tregoi se si urtësia e kësaj bote u bë e marrë me marrëzinë e Kryqit, u vërtetoi marrëzinë e miteve të tyre, që e ulnin Perëndinë me ngjashmërinë e kafshëve dhe të objekteve të sajuara, ndërsa doktrina e Krishtit e ngre njeriun në kungim me natyrën hyjnore, dhe u bëri të njohin se atë që të krishterët njohin me besimin dhe fuqinë e përjetimit, ata përpiqen më kot ta arrijnë me ligjërata dhe arsyetime. Më në fund, vulosi fitoren e tij duke çliruar të demonizuar me fuqinë e Krishtit dhe kështu i la vizitorët e tij të turpëruar.
Shën Andoni kishte respekt të veçantë për klerikët dhe përgjegjësit e Kishës. Pa dyshim, ishte i huaj në çdo çështje kishtare; sidoqoftë, ai e mbështeti fuqishëm besimin orthodhoks, i cili rrezikohej seriozisht në ato kohë të trazuara. Kur arianët e Aleksandrisë kishin hapur thashetheme se eremiti i ndritur kishte të njëjtën doktrinë me ta, shenjti nuk duroi dot, por doli nga shpella për t’u kthyer në qytetin e zhurmshëm, për të shpallur hapur, para të gjithë popullit që kishte ardhur për ta parë, besimin e tij në hyjninë e Birit dhe Fjalës së Perëndisë, bashkimin e tij të pandashëm me doktrinën e Sinodit të Nikeas dhe për të afirmuar mbështetjen e tij për shën Athanasin (338).
Në moshën 105-vjeçare, u nis, sipas zakonit, të vizitonte murgjit që ishin vendosur në një mal akoma më thellë shkretëtirës dhe t’u thoshte me gëzim se Perëndia do ta thërriste së shpejti në atdheun e tij të vërtetë. I nxiti të këmbëngulnin përditë në punët asketike, sikur vdekja të ishte shumë afër, të imitonin shembullin e shenjtorëve dhe të ruanin me kujdes traditën e Etërve të frymëzuar nga Perëndia, duke shmangur çdo lidhje me heretikët; pastaj u tërhoq në një shkretëtirë të thellë, ku i shërbenin dy dishepujt e tij: Makari (19 janar) dhe Amathi. Në çastin e vdekjes, i porositi të mos e transportonin trupin e tij në Egjipt, nga frika se mos e balsamosnin sipas zakoneve pagane ende në fuqi, dhe i urdhëroi ta varrosnin në një vend të panjohur. Një pjesë të veshjeve të tij ua la dy rrëfyesve të Orthodhoksisë: shën Athanasit dhe shën Serapionit të Thmuisit (21 mars), dhe tunikën e tij prej lëkure kafshësh dy dishepujve më të afërt, me qëllim që këta, duke i mbajtur këto veshje, të mbuloheshin me mbrojtjen e tij të padukshme. Pastaj shtriu këmbët, dhe me fytyrën e mbushur me gëzim, sikur do të takonte miq, fjeti në paqe. Ishte 17 janar 356. Fama e Atit të murgjve u shtri në tërë skajet e dheut dhe ndër shekuj biografia e tij, e shkruar me dashuri nga shën Athanasi i Aleksandrisë, u dhuroi shpirtrave të dashuruar me Perëndinë një model të përsosur të udhës që duhet të ndjekë dikush për të arritur në përsosmërinë e jetës së krishterë.
Trupi i shën Andonit mendohet të jetë zbuluar nëpërmjet një vegimi, në vitin 561, dhe u transferua në Aleksandri. Rreth vitit 635, për shkak të kërcënimit të invazionit arab, u transportua në Konstandinopojë dhe rreth vitit 1050, sipas dëshmisë së traditës perëdimore, një zotëri i Dofinesë solli një pjesë të lipsaneve të tij në Francë (Shën Andoni në Dofine), të cilat u bënë objekt i njohur pelegrinazhi.
Me ndërmjetimet e Shën Andonit, o Zoti Jisu Krisht,mëshirona dhe shpëtona, amin.

 

Mitropolia e Shenjtë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit

 

 

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων