“Ku e kemi thurur folenë tonë”?!
Njëherë, në një mëngjes të mrekullueshëm pranveror, dy zogj dolën me fluturim për të thurur çerdhen. Njëri nga ata zgjodhi një qoshe të shkëlqyer dhe u vendos ndërmjet degëve të një peme të dendur. Ajri kundërmonte me aromën e këndshme të gjelbërimit të freskët, poshtë gurgullonte një përrua, duke ndritur gëzueshëm gjatë ditës me diell, kurse natën duke pasqyruar yjet e panumërta të qiellit.
Por, papritur, vonë në mbrëmje, shpërtheu stuhia; përroi u kthye në një lumë të vrullshëm, doli nga brigjet dhe përmbyti gjithë vendin rretheqark, duke asgjësuar gjithçka gjatë rrugës. Pema u këput, çerdhja u shkatërrua dhe u zhduk streha e rehatshme e zogut. Ai e kishte thurur atë shumë poshtë, duke menduar vetëm për ditët e ngrohta me diell dhe netët e qeta me yje.
Zogu tjetër u ngrit në një lartësi të paarritshme dhe thuri një çerdhe të vogël në një të çarë shkëmbi të lartë. Atje shumë shpejt nisi të vlojë jeta e re, foleza u mbush me zogj. Stuhia shpërthyese gjëmoi poshtë, në luginë, kaloi pranë shkëmbit, por nuk mundi të arrijë deri në majën e lartë dhe në mëngjes, kur dielli filloi përsëri të ndriçojë, foleja e ngrohtë, që mbeti e padëmtuar, ishte në vendin e vet, pa asnjë rrezik.
Po ne, ku e kemi thurur folenë tonë? Ku është themeli i mendimeve dhe i ndjenjave tona? Qëndron vallë shpirti ynë mbi gurin e fortë, të palëkundur të besimit, i gatshëm t’u rezistojë mashtrimeve dhe ngasjeve, apo e kemi ndërtuar “shtëpinë tonë mbi rërë dhe rënia e saj do të jetë e madhe?” “Askush nuk mund të vërë themel tjetër, përveç atij, që është vënë, i cili është Jisu Krishti.” (1 Kor. 3:11).
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










