Ndërroi jetë motra Athanasia Puliu
KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Qendra Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi”
Ndërroi jetë motra Athanasia Puliu
Ish-drejtore e Qendrës Diagnostike Orthodhokse të Tiranës
Këshilli Drejtues i Qendrës Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi” të Tiranës njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta në moshën 80-vjeçare të motrës Athanasia Puliu, më 7 janar 2020, në spitalin “Ungjillëzimi” të Athinës, ku ishte çuar urgjentisht si pasojë e një hemorragjie të rëndë cerebrale.
Motra Athanasia lindi më 8 korrik 1939 në Volos, ku kaloi vitet e fëmijërisë, jetime nga babai dhe pranë nënës së saj të përkushtuar, e cila ishte shembull dashurie të painteres ndaj të përvuajturve. Pas studimeve në Shkollën e Infermierisë të Kryqit të Kuq (1959), u punësua në Spitalin Onkologjik “Shën Sava” të Athinës. Shërbeu nga viti 1960-1992 në Departamentin e Kirurgjisë, fillimisht si motër infermiere dhe në vazhdim si motër drejtuese. U dallua për përgatitjen e lartë mjekësore, për konsekuencën, për interesimin për të sëmurët dhe në netët pa gjumë, duke fituar simpatinë e veçantë të personelit mjekësor.
Pas daljes në pension në vitin 1994, erdhi në Tiranë dhe me zell hierapostolik, me përkushtim dhe me vetëmohim punoi në sektorin e shëndetit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1999, kur Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, prof. dr. Anastasi, themeloi Qendrën Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi”, duke vlerësuar përvojën mjekësore, aftësitë e larta drejtuese dhe moralin orthodhoks që e karakterizonin, i besoi drejtimin e funksionimit të Qendrës. Motra Athanasia Puliu punoi me dinamizëm, entuziazëm dhe me efektivitet, duke fituar vlerësimin dhe respektin e të gjithë atyre që e njohën. Në vjeshtë të vitit 2019 u rikthye në Athinë, por nuk e shkëputi komunikimin dhe bashkëpunimin me përgjegjësit e Qendrës. Në njëzet vitet e funksionimit të saj, Qendra Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi” e Tiranës ka ofruar shërbime bashkëkohore mjekësore në 24 specialitete dhe u ka shërbyer 2,5 milionë të sëmurëve, pa asnjë dallim.
Motra Athanasia kontribuoi, gjithashtu, në ngritjen dhe funksionimin e klinikave më të vogla mjekësore në Korçë, Jergucat, Lushnjë dhe Kavajë. Ajo kontribuoi edhe në ngritjen e qendrës për të moshuarat Familja e Dashurisë “Hyjlindësja Mari”, në Tiranë.
Kryepiskopi Anastas u shprehu ngushëllimet e tërëshpirtshme të afërmve të saj në Greqi dhe, pas komunikimit me Mitropolitin e Dhimitriadhës, Ignatin, ngarkoi Kryesekretarin e Sinodit të Shenjtë, Mitropolitin Nathanail dhe Hieromonakun Anastas Mamaj të zhvillonin ceremoninë e përmortshme të enjten, më 9 janar dhe në orën 3 pasdite në Varrezat e Kukuravas, në Makrinica.
Në varrim, shpenzimet e të cilit, në shenjë nderimi, u mbuluan nga Kisha e Shqipërisë, mori pjesë gjithashtu një përfaqësi prej 15 anëtarësh të saj. Kisha Orthodhokse e Shqipërisë do të kujtojë me mirënjohje kontributin hierapostolik të së nderuarës “bashkëpunëtores më Krishtin”, motrës Athanasia. I përjetshëm qoftë kujtimi i saj!
Edhe nëse rrojmë, edhe nëse vdesim, të Zotit jemi.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










