Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, E Diela e “Grave Miroprurëse”
Krishti u Ngjall!
“Secili prej nesh ka rolin e tij, ka misionin e tij brenda planit dhe ekonomisë së Perëndisë”!
Të dashur besimtarë, ne jemi të sigurt që gjithçka që ndodh në botë është brenda planit dhe ekonomisë së Perëndisë. Pavarësisht në dukje shumë herë mendojmë që gjërat shkojnë për keq ose duken se janë jashtë kontrollit, ne përsëri kemi sigurinë se Zoti ka në kontroll gjithë historinë e botës. Dhe secili prej nesh brenda planit dhe ekonomisë së Perëndisë ka rolin e tij, ka misionin e tij. Ne jemi pikërisht aty ku
na ka caktuar Zoti dhe jemi vegël e duarve të Tij. Patjetër brenda rolit apo misionit tonë ne jemi të lirë të pranojmë këtë rol apo të largohemi larg qëllimit për të cilin na ka thirrur Zoti.
Ja, le të kujtojmë nga Shkrimi i Shenjtë të 12 Apostujt, të cilët uthirrën me qëllim që të vazhdojnë veprimin shpëtimtar të Krishtit, por Juda një nga të dymbëdhjetit, jo vetëm tradhtoi Zotin, por u largua
një herë e përgjithmonë nga ky mision duke varur veten. Edhe apostujt në momentin e Kryqëzimit e lanë vetëm Zotin, përveç nxënësit të tij të dashur Shën Joan Theologut. Por pavarësisht largimit të përhershëm të Judës dhe braktisjes së Zotit nga apostujt misioni dhe plani i Zotit u përmbush. Ai plotësoj misionin e Tij që me vdekjen dhe Ngjalljen e
Tij të shkatërronte pushtetin e vdekjes dhe të djallit dhe ta bënte njeriun përsëri pjesë të mbretërisë së Tij të përjetshme. Kështu edhe ne të dashur besimtarë kudo që jemi duhet të përmbushim misionin dhe përgjegjësinë që na ka dhënë Zoti.
Sigurisht edhe ne mund të bëjmë si Juda, jemi të lirë ta bëjmë këtë gjë. Mund të veprojmë si apostujt që për arsye të ndryshme si frika, pasiguria, dëshirave për pasuri, për kënaqësi, për pushtet etj., të largohemi nga përmbushja e qëllimit që na ka dhënë Zoti. Sigurisht edhe nëse ne vendosim të largohemi përkohësisht apo përgjithmonë larg përmbushjes së përgjegjësisë dhe misionit që na ka dhënë Perëndia,
nuk do të ndodhë që plani i Perëndisë do të dështojë dhe nuk do të përmbushet.
Përkundrazi, ai do të realizohet me patjetër. Dëmi do të jetë të jetë për ne, jo për Zotin. Ne do të humbim shansin dhe mundësinë, por Zoti do të realizojë qëllimin e Tij. Dhe në vendin tonë do të vendosë Zoti
dikë tjetër, si vegël të duarve të Tij. Kështu Juda u largua, dënimi është vetëm për të dhe ishte aq i madh për të sa vetë Zoti tha: “Do të ishte më mirë për të, që të mos kishte ndodhur fare”.
Por vendin e tij e zuri dikush tjetër, e zuri Matia dhe plotësoi numrin e 12 apostujve. Kështu edhe në momentin e kryqëzimit dhe të varrosjes së Zotit apostujt, veç Joan Teologut e braktisën mësuesin e
tyre në momentin më kritik dhe të vështirë, por vendin e apostujve përkohësisht e zunë gratë miroprurëse që festojnë sot bashkë me Josifin dhe Nikodhimin që qëndruan Zotit në momentet e vështira të kryqëzimit dhe më pas morën trupin e tij dhe pasi e lyen me miro e varrosën. Këto gra më pas zëvendësuan përsëri apostujt dhe me marrjen
e lajmit të ngjalljes së Krishtit. Ishin apostujt ata të cilët duhet të dëgjonin, të merrnin dhe të shpërndanin lajmin triumfal të Ngjalljes së Zotit, pasi ata kishte përgatitur Zoti për vite të tëra, por në vend të tyre e bënë gratë miroprurëse, ato u bënë dëshmitare të Ngjalljes dhe lajmërueset e apostujve.
Kështu edhe ne të dashur besimtarë kudo që jemi, kudo që na ka caktuar Zoti, në çfarëdo shërbese që na ka dhënë Perëndia, le të mos largohemi nga shërbesa jonë, nga misioni ynë. Edhe nëse ndodh
përkohësisht, siç bëri Petro që mohoj Zotin 3 herë, apo siç bënë apostujt në kohën e arrestimit dhe kryqëzimit, le të kthehemi me lot pendimi si Petro, le të kthehemi me më tepër forcë si apostujt dhe le
të vazhdojmë si ata deri në çdo sakrificë ti shërbejmë Zotit. Akoma dhe kur i shërbejmë Zotit të mos bëhemi mburravec, por të themi me përulësi dhe thjeshtësinë e zemrës, nëse nuk e bëjë unë këtë shërbesë që bëj tani dikush tjetër do ta bëjë dhe ai tjetri do ta bëjë më mirë se unë.
Kështu të dashur besimtarë le të vazhdojmë edhe ne ti shërbejmë Zotit si gratë miroprurëse të cilat, që kur njohën Zotin e ndihmuan atë në misionin e Tij, e ndihmuan me parat e tyre, qëndruan besnikë në kryqëzim dhe vdekje. Dhe më pas vazhduan të jenë dëshmitare të Ngjalljes së Zotit.
Le të bëjmë edhe ne si gratë miroprurëse të përmbushim misionin që kemi dhe kudo dhe kurdoherë të jemi dëshmitarë të Ngjalljes së Zotit.
Amin!
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, E Diela e “Grave Miroprurëse”, dt. 16/05/2021

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










