13/09/2019 13/09/2019 Vetë Jisui agjëroi dhe i mësoi nxënësit e tij të agjërojnë. Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t’u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën,...
13 Σεπτεμβρίου, 2019 - 16:36
Τελευταία ενημέρωση: 13/09/2019 - 16:38

Nga Spiritualiteti Orthodhoks: AGJËRIMI

Διαδώστε:
Nga Spiritualiteti Orthodhoks: AGJËRIMI

Vetë Jisui agjëroi dhe i mësoi nxënësit e tij të agjërojnë.

Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t’u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën, me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht (Matheu 6:16-18).

Qëllimi i agjërimit është të fitosh kontrollin mbi veten dhe t’i mposhtësh pasionet e mishit. Është të çlirosh veten nga varësia në gjërat e kësaj bote që të përqëndrohesh në gjërat e Mbretërisë së Perëndisë. Është që t’i japë fuqi shpirtit që të mos i dorëzohet tundimit dhe mëkatit. Sipas Shën Serafimit, agjërimi është një “mjet i domosdoshëm” për të fituar frytin e Shpirtit të Shenjtë në jetë (kr. Bisedë me Motovilovin), dhe Vetë Jisui mësoi se disa forma të së keqes nuk mund të mposhten pa atë (Matheu 17:21, Marku 9:29).

Njeriu nuk agjëron ngaqë i pëlqen Perëndisë që shërbëtorët e Tij të mos hanë, sepse, siç na kujtojnë hymnet e kreshmës së madhe të Kishës, “djalli, gjithashtu nuk ha kurrë” (Triodi). As agjërojnë që t’i shkatojnë vetes vuajtje dhe dhimbje, sepse Perëndia nuk kënaqet në shqetësimin e njerëzve të Tij. As agjërojnë me idenë se uria dhe etja e tyre mund në njëfarë mënyrë të shërbejë si “riparim” për mëkatet e tyre. Një kuptim i tillë nuk është dhënë kurrë në shkrimet e shenjta ose në shkrimet e shenjtorëve, që shpallin se nuk ka asnjë “riparim” për fajin e njeriut, përveçse kryqëzimit të Krishtit. Shpëtimi është një “dhuratë e lirë e Perëndisë” që asnjë “vepër” e njeriut nuk mund ta kryejë nga merita (kr. Romanët 5:15-17, Efesianët 2:8-9).

Prandaj, njerëzit agjërojnë dhe duhet të agjërojnë, vetëm që të çlirohen nga pasionet mishore, që dhurata e lirë e shpëtimit në Krishtin të mund të prodhojë fryte të mëdha në jetën e tyre. Njerëzit agjërojnë që të mund t’i shërbejnë Perëndisë më me shumë frytshmëri, i Cili i do ata dhe i ka shpëtuar në Krishtin dhe Shpirtin. Të agjërosh pa përpjekje në virtyt është tërësisht e kotë.

Ata thonë: “Pse kemi agjëruar, dhe Ti nuk e ke parë? Pse kemi hidhëruar shpirtërat tona dhe Ti nuk e ke vënë re?”.

Ja, ditën e agjërimit tuaj ju bëni atë që ju pëlqen dhe i detyroni punëtorët tuaj të kryejnë një punë të rëndë. Ja, ju agjëroni për grindje dhe mosmarrëveshje . . . Duke agjëruar ashtu si bëni sot, nuk bëni që zëri juaj të dëgjohet lart . . .

Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë . . . t’i lësh të lirë të shtypurit . . .A nuk qëndron vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq . . .

Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote. Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: “Ja ku jam!” (Isaia 58:3-9).

“Duke agjëruar në trup, o vëllezër, le të agjërojmë gjithashtu nga mëkati.” Kjo është kënga e Kishës në periudhën e kreshmës. Ai është, gjithashtu, edhe mësimi i shenjtorëve.

. . . në agjërimin një nuk duhet vetëm të bindet ndaj rregullit kundër grykësisë në lidhje me ushqimin, por të frenohet nga çdo mëkat, kështu që, ndërsa agjëron, gjuha të agjërojë gjithashtu, duke u frenuar nga shpifjet, gënjeshtrat, keqfolja, poshtërimi i vëllait, zemërimi dhe çdo mëkat i kryer nga gjuha. Një duhet të agjërojë, gjithashtu, nga sytë, domethënë, të mos shohë gjëra të kota . . mos të shohë asnjë pa turp dhe pa ndrojtje. Duart dhe këmbët duhet të ruhen, gjithashtu, nga çdo veprim i keq.

Kur një agjëron nëpërmjet kotësisë ose mendimit që ai po kryen diçka veçanërisht të virtytshme, ai agjëron marrëzisht dhe shpejt fillon të kritikojë të tjerët dhe ta konsiderojë veten si të madh.

Një njeri që agjëron urtësisht . . . fiton pastërti dhe përunjet . . . dhe e provon veten një ndërtues të aftë (Shën Aba Doritheus, shek 7,Drejtime në Stërvitjen Shpirtërore).

Vetë Shën Pavli agjëroi dhe në mësimin e tij mbi ushqimin ngulmonte që njerëzit të agjërojnë dhe ta bëjnë këtë në fshehtësi, pa këqyrjen dhe gjykimin e njëri-tjetrit.

Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullit që keni në ne. Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit, dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësore.(Filipianët 3:17-19).

Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do t’i nënshtrohem asnjërës. Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin (1 Korinthianët 6:12-13).

Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar. Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit?

Ai që e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai që nuk e çmon ditën, për Zotin nuk e ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit Perëndisë; dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit Perëndisë.

Mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd, atë për të cilin Krishti vdiq . . . sepse Mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë. Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit.

Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin . . . Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë . . . dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim (qoftë ngrënie ose agjërim) është mëkat (shih Romanët 14).

Etërit shpirtëror, sado që ishin asketë të rreptë, janë shumë të qartë në mësimin e tyre rreth agjërimit. Ata ngulmojnë së bashku me Zotin dhe shkrimet, se njerëzit duhet të agjërojnë që të çlirohen nga pasionet dhe epshi. Por ata ngulmojnë, gjithashtu, se gjëja më e rëndësishme është të jesh i çliruar nga mëkati, përfshirë krenarinë, kotësinë dhe hipokrizinë, që vjen nga agjërimi i marrë dhe i mëkatshëm.

. . . ngrënia përtej masës së ngopjes është dera e marrëzisë nga ku hyn epshi, sepse barku është mbretëresha e pasioneve që një njeri i shërben si skllav.

Por ju, të forcuar në këtë dituri, zgjidhni çfarë është e mirë për ju, sipas fuqisë suaj . . . sepse personi i përsosur, sipas Shën Pavlit duhet të jetë si “i ngopur ashtu dhe i uritur . . . dhe të bëjë gjithçka me anë të Krishtit që forcon . . .” (Filipianët 4:12-13)

Kështu një njeri që përpiqet për shpëtimin . . . nuk duhet ta lejojë veten të hajë në ngopje . . . por duhet të hajë nga të gjitha llojet e ushqimeve që nga njëra anë të shmangë krenarinë mburrëse dhe nga ana tjetër të mos tregojë përbuzje për krijimin e Perëndisë, që është më i shkëlqyeshmi . . . Ky është arsyetimi i atyre që janë të mençur (Shën Grigori i Sinait, Instruksione Hezikastëve)!

Shën Isaak Siriani thotë: “Ushqimi i varfër në tavolinën e të pastrit e pastron shpirtin e atyre që pjesëmarrin nga të gjitha pasionet . . . sepse puna e agjërimit dhe e agripnisë është fillimi i çdo përpjekje kundër mëkatit dhe epshit . . . pothuaj të gjitha pasionet pakësohen nëpërmjet agjërimit.”

Sepse etërit e shenjtë na mësuan të jemi vrasës të pasioneve dhe jo vrasës të trupit. Merr pjesë në gjithçka që lejohet me falënderim, për lavdinë e Perëndisë dhe për të shmangur arrogancën mburravece; por frenohu nga çdo teprim (Murgjërit Kalistos dhe Ignat, shek. 14, Porosi Hezikastëve).

Nëse është i tillë mësimi për murgjërit, sigurisht që është e zbatueshme edhe për të gjithë të krishterët. E gjithë esenca e problemit tregohet qartë në këto dy histori të shkurtëra nga etërit e shkretëtirës.

Një vëlla solli shumë copa buke të freskët dhe ftoi jerondët e tij. Kur ata hëngrën shumë, vëllai duke e ditur mundimin e madh të agjërimit të tyre, filloi t’u lutej përunjësisht që të hanin më shumë. “për hir të Perëndisë, hani sot dhe ngopuni.” Dhe ata hëngrën dhjetë të tjera. Shiko sesi këta që ishin murgjër të vërtetë dhe të sinqertë në agjërimin e tyre hëngrën më shumë se kishin nevojë, për hir të Perëndisë.

Epifani, peshkopi i Qipros, e ftoi igumenin Hilarion për ta parë. Një pjesë pule u vendos para tyre dhe peshkopi e ftoi igumenin të hante. Jeronda i tha: “Më fal, Atë, por qysh prej kohës që kam marrë këtë rrobe kurrë nuk kam ngrënë ndonjë gjë që është therur.”

Dhe Epifani i tha atij: “Dhe unë qysh prej kohës që kam marrë këtë rrobe nuk kam lënë asnjërin që të flerë që ka patur diçka kundër meje, as unë nuk kam fjetur duke mbajtur diçka kundër dikujt.”

Dhe jeronda i tha atij: “Më fal, Atë, sepse mënyra juaj e jetës është më e madhe se e imja” (Thëniet e Etërve).

—————–
Shkëputur nga libri i Protopresviter Thomas Hopko, Besimi Orthodhoks, Vëllimi 4 – Spiritualiteti, përkthyer nga Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2000. Publikuar në www.orthodoxalbania.net tek sektori Besimi Orthodhoks.

 

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων