12/03/2024 12/03/2024 E martë, 12 mars 2024 – Shenjtori i ditës. Omologjet Theofani. Oshënar Grigor Dialogu, Papë i Romës. Simeoni, Theologu i Ri. DERI PËR PASHKË NUK KONSUMOJMË MISH DHE PRODUKTET E TIJ. Këtë javë konsumojmë bulmet,vezë dhe peshk. KRESHMA E PLOTË FILLON NË DT. 18 MARS. – OSHËNAR GRIGOR DIALOGU, PAPË I ROMËS – Lindi në...
12 Μαρτίου, 2024 - 17:26

Omologjet Theofani. Oshënar Grigor Dialogu, Papë i Romës. Simeoni, Theologu i Ri.

Διαδώστε:
Omologjet Theofani. Oshënar Grigor Dialogu, Papë i Romës. Simeoni, Theologu i Ri.
E martë, 12 mars 2024 – Shenjtori i ditës.
Omologjet Theofani. Oshënar Grigor Dialogu, Papë i Romës. Simeoni, Theologu i Ri.
DERI PËR PASHKË NUK KONSUMOJMË MISH DHE PRODUKTET E TIJ. Këtë javë konsumojmë bulmet,vezë dhe peshk.
KRESHMA E PLOTË FILLON NË DT. 18 MARS.
– OSHËNAR GRIGOR DIALOGU, PAPË I ROMËS –
Lindi në Romë, rreth vitit 540, në një familje të rangut senatorial, e cila kishte nxjerrë disa papë. Pas përfundimit të studimeve, u bë prefekt i Romës. Por, i prirë që në rini në studimin e librave të shenjtë, mendonte se nuk ishte për atë detyrë, ndaj hoqi dorë pas vdekjes së të atit. Pasurinë e pamasë që i mbeti e shpërndau, duke ua dhënë disa manastireve: gjashtë në Sicili dhe njërit në Romë, i cili u ngrit mbi pallatin e tij dhe iu dedikua apostullit të shenjtë Andrea, ku hyri edhe vetë si murg i thjeshtë. Jetoi në vetëmohim të plotë dhe arriti të komunikonte vazhdimisht me Perëndinë dhe të shijonte ëmbëlsinë e soditjes. Si pasuri kishte vetëm një tas argjendi, në të cilin merrte ushqimin. Kur njëherë takoi një tregtar, të cilit i ishte mbytur anija dhe kishte përfunduar të kërkonte lëmoshë, Grigori i dhuroi tasin dhe që atëherë ndihej plotësisht i lirë. Si përgjigje, Perëndia i dha pushtet të kryente mrekulli.
Por nuk arriti të përfitonte për shumë kohë paqen e manastirit. Sapo u ngrit në pontifikat, papa Pelagji II (579-590) e emëroi apokrisar dhe e ngarkoi të shkonte në Konstandinopojë, që tí ngjallte patriarkut dhe perandorit interesin për çështjet e Italisë së shtypur nga lombardët. Grigori qëndroi atje për gjashtë vjet, duke u bërë shembull me thjeshtësinë dhe virtytet e tij. Kur u kthye në Romë me lipsane të çmuara, shkoi përsëri në manastirin e tij, ku pas pak u zgjodh igumen. Të gjithë murgjit e donin dhe shenjtori i ndihmonte në të gjitha kërkesat, si shpirtërore dhe ato materiale, me qëllim që t’i ruante nga përkujdesjet e tjera; por dinte të ishte i rreptë dhe të ruante traditat murgërore. Kështu, ai e hodhi trupin e një murgu të vdekur, i cili mbante fshehur tri monedha ari, por pastaj kreu për të Liturgji për tridhjetë ditë rresht dhe mori nga Perëndia faljen për të. Manastiri i Grigorit, falë rreptësisë së tij, u bë një shkollë e vërtetë shenjtërie dhe i gjithë populli e konsideronte igumenin si mbrojtësin e tij.
Një ditë, tek po kalonte në mes të tregut ku shiteshin si skllevër fëmijë, shën Grigori u prek dhe pyeti se nga vinin këta engjëj të veshur me trup. Mësoi se vinin nga Anglia, tokë që ende nuk e kishte marrë Lajmin e Mirë të Ungjillit. Shenjtori qau dhe nga ai çast vendosi të nisej me mision atje bashkë me disa murgj. Pasi kishin ecur tri ditë në këmbë drejt Veriut, e arritën lajmëtarët e dërguar nga papa, të cilët e njoftuan se populli kishte ngritur krye dhe kërkonte kthimin e tij.
Vitet e mëpasshme shërbeu si sekretar i papa Pelagjit dhe, kur ky i fundit ra viktimë e një epidemie murtaje, në vitin 590, kleri, senati dhe populli e detyruan Grigorin të merrte fronin, pavarësisht nga protestat dhe thirrja që i bëri Mavrikut, perandorit të Konstandinopojës. Fatkeqësisht, murtaja po përhapej kudo dhe shenjtori e nxiti popullin të pendohej dhe të kuptonte se ky ndëshkim vinte nga qielli, për shkak të mëkateve të tyre. Organizoi një procesion të madh nëpër qytet me në krye një ikonë të Hyjlindëses, në të cilin morën pjesë të gjithë murgjit dhe murgeshat. Tregohet se kudo që kalonte ikona e shenjtë, pastrohej ajri i ndotur dhe Kryeengjëlli Mihail, i cili u shfaq me shpatë në dorë mbi kështjellën që sot quhet fortesa e Engjëllit të Shenjtë (Castle Sant’Angelo), e futi atë në mill. Murtaja pushoi menjëherë, por Grigori u largua, që t’u shpëtonte nderimeve. U fsheh në një shpellë, por një shtyllë e ndritshme bëri që ta zbulonin dhe kundër dëshirës e çuan përsëri në Romë, ku u dorëzua papë më 3 shtator 590.
Përgëzimeve iu përgjigjej duke qarë: “Me barrën e episkopit, ja ku jam lidhur me botën më ngushtë se kur isha laik. E humba gëzimin e thellë të qetësisë sime; nga jashtë është një lartësim, përbrenda një rënie. Kur e përmbushja detyrën e përditshme, përpiqesha të kthehesha brenda vetes dhe nuk mundesha; mundime të zhurmshme dhe të kota më sulmonin”. Kisha ishte në fakt në gjendje të mjeruar, e skllavëruar nga herezitë, skizmat, nga shtypja barbare apo nga trazirat e princave të krishterë. Ndërkohë që në Romë mbretëronte uria, papa organizoi ndarje ushqimesh dhe ndihma për të vobektët.
Grigori e organizoi jetën në pallatin pontifikal sipas ikonës së manastirit. Kujdesej për Shërbesat Liturgjike dhe Tipikonë e adhurimit, nxiti nderimin e lipsaneve të shenjta, organizoi litani të shpeshta, caktoi lutjet dhe leximet që duhet të thuheshin gjatë vitit liturgjik dhe reformoi himnimin kishtar. Në të gjitha kishat që vareshin nga Roma, vëzhgoi zgjedhjen e rregullt të episkopëve, shoi simoninë dhe nuk u lejoi episkopëve të qëndronin jashtë dioqezave të tyre. Mblodhi sinode lokale, me qëllim që të luftonin kundër herezive dhe çrregullimeve morale dhe pengoi ndërhyrjen e autoriteteve civile në punët e Kishës, si dhe atë të episkopëve në drejtimin e manastireve. Kujdes të veçantë tregonte për korrespondencën e gjerë me të gjithë botën e krishterë, por gjente edhe kohë të shkruante ligjërata shpirtërore. Jetonte në përulësi të skajshme.
Duke ndrequr turbullirat e brendshme në Itali, u bë financier, që të shfrytëzonte burimet e Kishës, të blinte robërit dhe të bënte lëmoshë në dobi të Vendeve të Shenjta dhe të manastireve në mbarë botën e krishterë. I bindur se Kisha nuk mund të mbijetojë pa lutjet e murgjve, papa i shenjtë favorizoi ndërtimin e sa më shumë manastireve dhe drejtimin e tyre sipas traditave të Etërve të shenjtë, kryesisht të shën Benediktit të Norçias (14 mars), i cili ishte biografi dhe përhapësi i Kanonit të tij në mbarë Perëndimin.
I ndriçuar në mendje dhe realist për shenjat e kohëve, duke ruajtur marrëdhënie të mira me Konstandinopojën dhe me mikun e tij, perandor Mavrikun, shën Grigori i kushtoi vëmendje të madhe kthimit dhe edukimit moral të kombeve barbare, që kishin pushtuar pothuajse mbarë Evropën Perëndimore. Meqë nuk i hiqte nga mendja skllevërit anglosaksonë, që i kishte parë në tregun e Romës, sapo mundi (596), dërgoi me mision në Angli dyzet murgj të drejtuar nga Shën Agustini (28 maj), igumen i manastirit të Shën Andreas dhe iu ofroi gjithë mbështetjen e tij këtyre apostujve të rinj. Kur mësoi për sukseset e para të hierapostullimit të tyre, shkroi me entuziazëm në gjithë perandorinë për të shpallur kthimin e një populli të ri.
Gjatë viteve të tij në pontifikat përfundoi hartimin e Mësime për Jovin, komentar i zgjeruar i tekstit të shenjtë, në të cilin zhvillon një interpretim alegorik dhe moral, i cili do të pëlqehej shumë gjatë Mesjetës. Me sens të hollë të meandreve të shpirtit njerëzor, ai paraqet në të aspektet e jetës së krishterë, që nga më praktiket, deri në perspektivat më të larta shpirtërore.
Shkroi gjithashtu edhe librin Mrekulli të Etërve të Italisë, më i njohur me emrin Dialogë, në të cilin tregon, në formën e bisedave me dhjakun e tij, Petron, luftërat asketike dhe mrekullitë e Etërve që jetuan në kohën e tij në zonat e afërta me Romën. Çdo tregim e mbyll me një mësim doktrinal ose moral, sidomos në Librin IV, i cili i kushtohet jetës së shpirtrave pas vdekjes dhe ndikimit të lutjeve të Kishës për prehjen e tyre.
Dhjaku Petro, sekretari dhe besniku i tij, thoshte se e kishte parë shpesh Shpirtin e Shenjtë të shfaqej në formën e një pëllumbi të bardhë, për t’i diktuar në vesh papës mësimet e tij qiellore. Ia dorëzoi shpirtin Zotit më 12 mars të vitit 604. Duke u nisur për në banesën e shenjtorëve, la si trashëgimi shkrime dhe mësime, të cilat i përgatitën Kishës një të ardhme të ndritur në Perëndimin barbar, i cili dalëngadalë u kthye në Krishterim.

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων