19/02/2020 19/02/2020 Gjithçka filloi në vitin 1991. Atë periudhë si gjithë vendi që po kalonte nga një sistem në një sistem tjetër edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë rifilloi një rrugëtim të vështirë dhe te gjatë për rimëkëmbjen e saj. Fronëzimi i Kryepiskopit Anastas, në 2 gusht 1992 solli edhe fillimin e epokës së re si dhe...
19 Φεβρουαρίου, 2020 - 10:48
Τελευταία ενημέρωση: 19/02/2020 - 10:56

Organizimi I Restaurimit Të Monumenteve Të Kultit Orthodoks (1991-2019)

Διαδώστε:
Organizimi I Restaurimit Të Monumenteve Të Kultit Orthodoks (1991-2019)

Gjithçka filloi në vitin 1991. Atë periudhë si gjithë vendi që po kalonte nga një sistem në një sistem tjetër edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë rifilloi një rrugëtim të vështirë dhe te gjatë për rimëkëmbjen e saj. Fronëzimi i Kryepiskopit Anastas, në 2 gusht 1992 solli edhe fillimin e epokës së re si dhe sfida te reja për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithçka do të fillonte nga fillimi. Ishte e nevojshme riaktivizimi i gjithë sistemit të Kishave në mënyrë shumë urgjente. Nevoja për të pasur objekte kulti funksionale ku duhet të rifillonin ceremonitë e ndryshme kishtare shtrihej ne dy plane: së pari ngritja e Kishave të reja dhe së dyti restaurimi dhe rikonstruksioni i kishave, të cilat kishin mbijetuar ateizmit shtetëror. Shumë shpejt, përveç organizimeve të tjera kishtare, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ngriti Zyrën e Shërbimit Teknik, e cila deri ne vitin 2001, mbulonte të dy sektorët, atë të ngritjes së kishave të reja, si dhe atë të restaurimit dhe rikonstruksionit të kishave të vjetra.

Fillimisht u ndërhy në objekte të cilat me pak punë mund të shndërroheshin dhe të riktheheshin funksionit të tyre të dikurshëm si kisha. Këto ishin ish kinema, salla kulturore ose palestra sportive, të cilave iu ishte tjetërsuar funksioni gjatë viteve të sistemit totalitar. Krahas këtyre rikonstruksioneve interesimi më i madh i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ishte dhe kujdesi për veprat e kultit orthodhoks të trashëgimisë kulturore. Në fillim të viteve 1990-të, shteti ishte në një emergjencë totale dhe nuk mund të bëhej fjalë që të kujdesej për monumentet e tij të kulturës. Nuk kishte as mundësi edhe as fonde për të bërë këtë gjë. Në këtë periudhë, roli i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në trajtimin e monumenteve të kulturës mori një rol parësor.

Shumë shpejt specialistë të Zyrës së Shërbimit Teknik filluan të bashkëpunonin me profesionistë të organeve të trashëgimisë kulturore, por edhe jashtë saj, të cilët kishin krijuar përvojë të pasur në dhjetëra vite me restaurimin e këtyre monumenteve, por që tashmë kishin ngelur pa mbështetjen e shtetit për tu kujdesur për to. Ky bashkëpunim iniciua dhe u mbështet shumë nga Kryepiskopi Anastas. Nuk ishin vetëm me financimet, por u vu ne dispozicion një logjistikë bashkëkohore, siç janë makinat e transportit për zona të vështira ku këto monumente ndodheshin, zyra të pajisura në mënyrë moderne me materiale dhe instrumente, të cilat ndihmonin në krijimin e grafikës së projekteve, të cilat mundësuan dhe mbështetën këta specialistë për të pasur një kujdes sa më të mirë për monumentet.

Më pas u pa e nevojshme që punonjësit e Zyrës së Shërbimit Teknik të merrnin konsulencë dhe eksperiencë nga jashtë, për të pasuruar njohuritë e tyre dhe për të përmirësuar ndërhyrjet në monumentet e kulturës, si në projektim ashtu edhe në terren. Për këtë u thirrën specialistë të huaj, misionarë, si dhe besimtarë, të cilët me profesionalizimin e tyre do të sillnin këtë eksperiencë të re në ambientet e Zyrës së Shërbimit Teknik. Përveç kësaj pati edhe disa specializime të inxhinierëve dhe arkitekteve jashtë vendit.

Puna për restaurimin e monumenteve të kulturës vazhdoi në mënyrë të pandërprerë edhe gjate viteve te vështira 1996,1997,1998. Kjo përvojë e krijuar deri në vitin 2001, ishte një bazë e mirë për të çuar në nivele më të larta organizimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në restaurimin e monumenteve të kulturës. Tashmë ishin pjekur kushtet për krijimin e një organizimi të veçantë të destinuar vetëm për trashëgiminë kulturore të objekteve të kultit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ishte ideja e Kryepiskopit Anastas për krijimin e Bërthamës së Trashëgimisë Kulturore, e cila në fillimet e saj u krijua si një bashkëpunim i një pjesë të specialistëve të Zyrës së Shërbimit Teknik, zyrë e cila më vonë u orientua vetëm për ndërtimet e reja dhe për mirëmbajtjen e tyre, dhe nga ana tjetër bashkëpunëtorë të jashtëm, të cilët konsiderohen profesionistë të vërtetë në fushën e restaurimeve, duke mbuluar kështu të gjithë spektrin e ndërhyrjeve restauruese, si ato konstruktive, arkitektonike, veprave të artit bizantin orthodhoks në interierë, atë të restaurimit të afreskeve, të ikonostaseve etj. U angazhuan shumë specialistë në fushën e gjeologjisë, hidrogjeologjisë, në fushën e përbërjes së dherave, si edhe specialistë të laboratorëve të trashëgimisë kulturore, për të analizuar materialet e ndërtimit që merreshin si kampion në monumentet e kulturës. Gjithçka u ngrit në nivele shumë të larta shkencore dhe hulumtuese, përveç restaurimeve dhe ndërhyrjeve te mirëfillta në objekte.

E gjithë kjo punë dhe ky material i mbledhur në kohëra dhe i krijuar në gjithë këto vite pune zhvilloi një pjesë tjetër të aktivitetit të Bërthamës së Trashëgimisë Kulturore, atë të botimeve në fushën e restaurimit dhe të organizimit të aktiviteteve të ndryshme shkencore me temë trashëgiminë kulturore të kultit orthodhoks dhe më gjerë. Bërthama e Trashëgimisë Kulturore në organizimin e saj ka pasur parasysh krijimin e një arkivi grafik dhe digjital të materialeve të hershme, por edhe të kohës, për sa i përket informacionit bazë, por edhe materialeve ndërhyrëse për secilin objekt në mënyrë të specifikuar. Në arkiv numërohen dhjetëra e dhjetëra projekte, raporte para dhe pas ndërhyrjeve, foto digjitale dhe filmime, që na japin informacion viziv mbi monumentet dhe gjendjen e tyre, para ndërhyrjeve restauruese, gjatë ndërhyrjeve si edhe pas ndërhyrjeve restauruese. Është krijuar një arkiv i plotë profesionale e cila pasurohet në vazhdimësi dhe do të shërbejë si një bazë e mirë në të ardhmen.

Bashkëpunimit me institucionet shtetërore të trashëgimisë kulturore Bërthama e Trashëgimisë Kulturore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë, duke ndjekur me përpikmëri format ligjore ne fuqi, si në hartimin e projekteve të restaurimit nga persona të licensuar në këtë fushë, miratimin e tyre në organet e posaçme në rang kombëtar të trashëgimisë kulturore si dhe zbatimin me përpikmëri nga kompani të licensuara për restaurimet, kriteret dhe kushtet e vendosura nga projektet e miratuara. Kontrolli dhe ndjekja në terren të restaurimeve nga specialistët e Bërthamës së Trashëgimisë Kulturore, por edhe me parë nga Zyra e Shërbimit Teknik, është bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe profesionale. Specialistët ushtrojnë kontroll në mënyrë periodike, duke kontrolluar cilësinë e punimeve, si dhe nëse lind nevoja për korrigjimin e mundshëm të ndërhyrjeve restauruese nëse gjatë tyre do të ndodheshin para fenomeneve të papritura, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me organet e specializuara të shtetit. Gjithmonë mbi këto që përmendëm më sipër ri kujdesi i drejtpërdrejtë i Kryepiskopit Anastasm i cili është jo vetëm gjetës dhe akordues i fondeve për monumentet, por dhe një njohës i mirë i tyre duke orientuar në vazhdimësi Bërthamën e Trashëgimisë Kulturore në monumentet më me vlerë dhe më me emergjencë për tu fokusuar në to.

Gjatë periudhës 1991 – 2016 janë restauruar plotësisht rreth 63 kisha dhe manastire, pa përmendur këtu ndërhyrjet shpëtuese dhe emergjente, të cilat janë më shumë se kaq. Deri tani nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë janë investuar në fushën e restaurimeve mbi 10 milion euro. Ky është një investim shumë i madh, duke pasur parasysh edhe periudhat e vështira që ka kaluar vendi, si kriza e tranzicionit, kriza ekonomike si dhe ne momente të caktuara, kriza të ekzistencës së shtetit, por gjithashtu edhe angazhime të tjera të Kishës Orthodhokse Autoqefale te Shqipërisë paralelisht me restaurimet e monumenteve.

Mjafton të përmendim vetëm disa nga 63 kishat dhe manastiret e restauruara, të cilat janë më të njohura dhe kanë vlera unikale për trashëgiminë tonë kulturore: Manastiri i Ardenicës Lushnjë, Manastiri i Shën Kozmait Kolkondas, Fier; Manastiri Fjetja e Hyjlindëses, Zvërnec, Vlorë; Kisha e Gjithë Shenjtorëve, Himarë; Manastiri i Shën Dhimitrit, Qeparo; Kisha e Shën Gjergjit, Çukë- Sarandë; Kisha e Shën Mërisë Vraho-Goranxi Gjirokastër, Kisha e Shën Mërisë Zërvat Gjirokastër, Manastiri i Shën Nikollës, Nivan, Gjirokastër; Kisha Fjetja e Hyjlidëses, Leusë, Përmet; Kisha e Manastirit të Shën Prodhromit në Voskopojë, Korçë; Kisha e Manastirit të Shën Joan Vladimirit, Elbasan; Kisha e Shën e Parashqevisë (Premtes), Çetë, Kavajë; si dhe shumë kisha e manastire të tjera, të cilat janë po aq të rëndësishme sa edhe këto që përmendëm.

Aktualisht Bërthama e Trashëgimisë Kulturore pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë vazhdon aktivitetin e saj, duke hartuar projekte për kishat e monumentet e kulturës në nevojë, ndjekjen e punimeve të restaurimit, pa u shkëputur nga puna hulumtuese dhe shkencore dhe ne vijimësi me botime të librave dhe botimeve periodike të ndryshme. Duke parë gjithçka në retrospektive, kontributi dhe puna e kryer nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë patjetër që do të lërë gjurmë të forta në historinë e restaurimit dhe kujdesit ndaj objekteve të Kultit Orthodhoks të trashëgimisë tonë kulturore.

 

facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων