25/01/2022 25/01/2022 E martë, 25 janar 2022 – Shenjtori i ditës. Oshënar Grigor Theologu i Konstandinopojës. Oshënar Marisi. Dëshmore Margarita. – OSHËNAR GRIGOR THEOLOGU I KONSTANDINOPOJËS – Shën Grigori, ky njeri me shpirt qiellor dhe me gojë të shenjtëruar nga zjarri i Shpirtit të Shenjtë, depërtoi kaq thellësisht në misteret e Perëndisë, sa ndër Etërit e shenjtë...
25 Ιανουαρίου, 2022 - 11:49

OSHËNAR GRIGOR THEOLOGU I KONSTANDINOPOJËS

Διαδώστε:
OSHËNAR GRIGOR THEOLOGU I KONSTANDINOPOJËS

E martë, 25 janar 2022 – Shenjtori i ditës.
Oshënar Grigor Theologu i Konstandinopojës. Oshënar Marisi. Dëshmore Margarita.
– OSHËNAR GRIGOR THEOLOGU I KONSTANDINOPOJËS –
Shën Grigori, ky njeri me shpirt qiellor dhe me gojë të shenjtëruar nga zjarri i Shpirtit të Shenjtë, depërtoi kaq thellësisht në misteret e Perëndisë, sa ndër Etërit e shenjtë vetëm ai u gjykua i denjë për titullin Theolog, ashtu si Joani, Nxënësi i Dashur. D.m.th. jo ai që mëson për profesion dogmat, por ai që, pasi u pastrua, u bashkua me Perëndinë nëpërmjet Hirit dhe u kthye më pas drejt popullit, si Moisiu, që t’i transmetonte orakujt hyjnorë dhe t’i komunikonte dritën. Ashtu si shën Vasili dhe shën Joan Gojarti, jeta e tij i tejkaloi gjerësisht kufijtë e një biografie të thjeshtë dhe paraqitet më tepër te ne si prototipi i shenjtërisë së krishterë dhe veprat e tij të pavdekshme, të pakapërcyeshme në bukuri dhe thellësi, përbëjnë stolinë më të vyer të Nuses së Fjalës së Perëndisë.
I ati, shën Grigori i Vjetër (kujtohet më 2 janar), njeri i urtë dhe i virtytshëm, ishte ngatërruar dikur në sektin e Ipsisterëve; pastaj u kthye falë durimit dhe lutjeve të bashkëshortes, shën Nonës (5 gusht), dhe u bë episkopi i Nazianzit, qytetit të vogël të Kapadokisë, pranë pronës së tyre familjare të Arianzit. Mbetën për një kohë të gjatë pa pasardhës, por Perëndia u dha menjëherë tre fëmijë: shën Gorgonian (23 shkurt), shën Grigorin dhe shën Qesarin (25 shkurt). Pas lindjes së Gorgonias, shën Nona i ishte lutur vazhdimisht Zotit t’i dhuronte një djalë, duke i premtuar se do t’ia përkushtonte Atij.
Perëndia iu përgjigj kësaj lutjeje, duke i treguar në ëndërr fytyrën e fëmijës që do të lindte dhe i dha edhe emrin. Që kur lindi Grigori, më 329, e ëma u kujdes që të kultivonte tek ai farat e virtyteve të shenjta, dhe fëmija tregoi menjëherë urtësinë e të vjetërve, tërheqje të madhe e të papërballueshme për studimin, soditjen dhe lutjen. Një natë, ai pa në ëndërr dy virgjëresha të reja e të pastra, që iu shfaqën të veshura me të bardha dhe fytyrën e kishin të mbuluar hijshëm me një shami. E përkëdhelën butësisht, duke i thënë se njëra ishte pastërtia dhe tjetra dëlirësia, shoqe të Zotit tonë Jisu Krisht dhe mikesha të atyre që lënë martesën për të bërë jetë qiellore. “Ato më nxitën ta bashkoja zemrën me frymën e tyre dhe, kështu, i mbushur me shkëlqimin e virgjërisë, ato mundën të më nxirrnin para dritës së Trinisë së Shenjtë”, thotë ai në një poemë autobiografike. Që atëherë, mori vendimin t’ia kushtonte jetën Perëndisë në virgjëri dhe t’u shmangej kënaqësive dhe argëtimeve të kësaj bote. I shtyrë nga dashuria për shkencën, u nis bashkë me të vëllanë, Qesarin, për të studiuar retorikë në Qesari të Kapadokisë, ku njohu shën Vasilin, pastaj u kthye në Qesari të Palestinës dhe në Aleksandri, ku la të vëllanë, për të lundruar drejt Athinës së ndritshme, e cila ruante ende famën si kryeqytet i oratorisë dhe i filozofisë.
Por anija ku kishte hipur, u rrëmbye për më tepër se 20 ditë nga një stuhi e llahtarshme. I gjunjëzuar në bashin e anijes, ku fytyra i goditej nga era dhe dallgët, Grigori, i cili sipas zakonit të asaj kohe, ende nuk ishte pagëzuar dhe, i frikësuar se mos privohej përgjithmonë nga uji i shenjtë që na pastron dhe na hyjnizon, shtriu duart drejt qiellit dhe iu lut Perëndinë me lot. Befas, në çastin kur kujtoi premtimin që kishte dhënë për t’i shërbyer Perëndisë gjatë gjithë jetës, stuhia u fashit, paganët që i besuan lutjes së shenjtit, u bënë të krishterë dhe anija mbërriti pa pengesë në Athinë.
Atje Grigori lidhi miqësi me Vasilin. Gjithçka mes tyre ishte e përbashkët: dashuria për dije, talenti i oratorisë, thellësia e reflektimit dhe, mbi të gjitha, pastërtia e zakoneve, kërkimi i përsosmërisë dhe vigjilenca e gjithë qenies së tyre para Perëndisë. Këto i bënin që t’ua kalonin bashkëstudentëve dhe mësuesve të tyre, u bënë të dashur për të gjithë dhe tërhoqën të gjithë njerëzit që kërkonin sinqerisht të vërtetën. Dhe kur Vasili vendosi të kthehej në atdhe, duke menduar se tashmë kishte fituar njohuri mjaftueshëm, shokët e tij u përpoqën ta mbanin Grigorin për ca kohë dhe ta bënin mësuesin e tyre. Shën Grigori arriti më në fund të lirohej nga kjo lidhje e papërshtatshme dhe u kthye në Kapadoki më 359, kur ishte 30 vjeç, dhe u pagëzua.
Tashmë nuk bëhej fjalë që ai të shikonte drejt shkencave dhe bukurisë së gjuhës. Me gjithë vrullin e shpirtit, donte të jetonte vetëm për Perëndinë, për soditjen e Mbretërisë dhe lavdisë së Tij, duke e çliruar mendjen nga lidhjet me botën.
Deri në fund të ditëve të tij ia nënshtroi trupin asketizmit, me gjithë sëmundjet e herëpashershme, që turbullonin veprimtaritë e tij, por që i duronte me gëzim. Derdhte shumë lot kur lutej ose kur zhytej në leximin e Shkrimit të Shenjtë, që të mbushej me fjalën e Perëndisë; dhe oratorinë që kishte fituar, e vuri në shërbim të Fjalës. Por më shumë se gjithçka, dëshironte të jepej pa u turbulluar në soditje, në heshtje larg botës. Prandaj u bashkua me nxitim me shën Vasilin, në vendin e tij të tërhequr në luginën e Irisit, që të jetonin së bashku si engjëj, sipas planeve që kishin bërë kur ishin në Athinë. Depërtuan së bashku, si një shpirt i vetëm, në misteret e Perëndisë; të dy u transportuan në soditje qiellore, parafigurim i gëzimit dhe i harmonisë së të zgjedhurve në Mbretërinë e Perëndisë, dhe morën kështu nga Zoti një njohje të pakrahasueshme për misterin e njeriut dhe të natyrës, si dhe për artin e pastrimit të shpirtit nga pasionet.
Prandaj, me gjithë moshën e tyre të re dhe vitet e pakta në jetën murgërore, arritën të hartonin Rregullat murgërore, të cilat mbetën statuti i themelimit të murgërisë orthodhokse.
Kjo jetë e përbashkët qiellore zgjati për pak, sepse Grigori u thirr nga i ati i moshuar, që të kujdesej për të dhe të merrte, në vend të tij, drejtimin e Kishës së Nazianzit, fatkeqësisht të përçarë pas sinodit heretik të Riminit (359). Me të ardhur në fron, Grigori më kot u përpoq të pajtonte ata që ishin ndarë nga kungimi me të atin, duke u përpjekur të bashkonte soditjen dhe jetën aktive. Me gjithë frikën e përzier me respekt për priftërinë dhe parapëlqimin për soditjen, u hirotonis prift pa pëlqimin e tij, nga i ati, i cili shpresonte t’i jepte më tepër fuqi predikimit të tij dhe dëshironte ta përgatiste si pasues. I çuditur për këtë hirotonisje si nga një “tirani”, Grigori iku për në Pont, që të paqësonte dhimbjen bashkë me mikun e tij të shtrenjtë, Vasilin. Shumë e qortuan shenjtin, duke e akuzuar për frikë dhe dobësi karakteri. Por nuk ishte e vërtetë. Si mund të dyshosh për ekuilibrin psikologjik dhe fuqinë e shpirtit të një njeriu kaq të fuqishëm, i cili kishte arritur që në rini papasionshmërinë e lumur dhe zotërimin e të gjitha fuqive të shpirtit të tij? Më mirë është të shikosh te shën Grigori një shembull të mrekullueshëm të delikatesës së tejskajshme dhe të ndjeshmërisë që fitojnë shenjtorët, duke iu afruar Perëndisë.
Ashtu sikurse edhe e shpjegon në ligjëratën e tij apologjetike, ai nuk iu largua priftërisë nga frika, por nga ndërgjegjja e thellë e përgjegjësisë së frikshme që ka bariu i shpirtrave dhe, mbi të gjitha, sepse preferonte të bashkohej në soditje me Perëndinë dhe, nëpërmjet Tij, me të gjithë njerëzit: “Asgjë nuk më dukej aq e dëshirueshme, thotë ai, sesa të mbyllja derën e shqisave, të dilja nga mishi dhe bota, të përqendrohesha në vetvete, duke mos mbajtur asnjë kontakt me gjërat njerëzore, përveç rastit të ndonjë nevoje absolute, të bisedoja me veten dhe me Perëndinë, që të jetoja mbi realitetet e dukshme, që të mbaja mbi vete shëmbëllimin hyjnor, pa ndryshim dhe pa përzierje me format kalimtare të kësaj bote; të bëhesha me të vërtetë pasqyrë dhe, duke u bërë vazhdimisht pasqyrë e vërtetë e panjollë e Perëndisë dhe e gjërave hyjnore, duke i shtuar dritë dritës dhe duke e zëvendësuar turbullimin me rregullin, duke u bashkuar që tani nëpërmjet shpresës me të mirat e jetës së ardhshme, për të shoqëruar engjëjt në rrethin e tyre, duke qëndruar mbi dhé, pasi të lija tokën dhe të lartësohesha nga Shpirti. Në qoftë se ndonjë nga ju është pushtuar nga kjo dëshirë, e kupton atë që dua të them dhe do të më falë atë që kam përjetuar dikur”.
Pas tre muajsh, me porosi të shën Vasilit dhe nga frika se mos nuk i bindej vullnetit të Perëndisë, u kthye në Nazianz, dhe punoi me zell, që të sillte harmoni mes orthodhoksëve dhe t’u qëndronte pranë prindërve të moshuar. Për 10 vjet, ai ishte për Nazianzin modeli i bariut: dishepull i përulur i Zotit, shërbyes i fjalës dhe i Hirit të Tij, kanon i besës dhe ikonë e gjallë e përsosmërisë ungjillore.
Në vitin 361, kur perandori Julian, për të cilin Grigori kishte parathënë apostazinë e tij kur ishin bashkënxënës në Athinë, filloi përpjekjen për të rivendosur paganizmin, duke u ndaluar fëmijëve të krishterë të drejtën për mësimin e letërsisë, atëherë shën Grigori iu përgjigj me një fjalim të shkëlqyer që kishte shkruar dhe me poema sublime, në të cilat shpaloste misteret e besimit me përsosmëri letrare dhe pasuri figurash, me fjalor që ua kalonte veprave të autorëve më të mëdhenj të Antikitetit. Me shën Grigorin dhe Etërit e tjerë të Kishës së kësaj epoke, kultura helene jo vetëm që u kthye në Krishterim, por e tejkaloi përfundimisht dhe ia la vendin një kulture qartësisht të krishterë orthodhokse, e cila përdor më të mirën e krijimtarisë së Antikitetit, duke e shndërruar atë.
Në vitin 370, shën Grigori dhe i ati bashkëpunuan për zgjedhjen e shën Vasilit në fronin e Qesarisë dhe në njohjen e tij si udhëheqës i orthodhoksëve. Më i lirë se Vasili, që ishte i ekspozuar nga të gjitha anët dhe i detyruar të mbante një lloj ekuilibri, Grigori shpalli hapur hyjninë e Shpirtit të Shenjtë kundër heretikëve makedonianë dhe kundërshtoi me guxim persekutimin e perandorit Valens. Të dy miqtë kishin fituar autoritet në popull, ndaj perandori nuk guxoi t’i përndiqte dhe ishin të vetmit orthodhoksë që i shpëtuan atëherë syrgjynosjes.
Në vitin 372, me gjithë dëshirën e Grigorit, që Vasili e aprovonte, për t’u tërhequr nga detyrat baritore pas vdekjes së prindërve, ai u hirotonis nga miku i tij episkop i qytezës së rrënuar të Sasimës, e cila ndodhej në zonën e Kapadokisë së Dytë, provincë që u krijua nga Valensi, për të kundërshtuar veprimtaritë e episkopit të Qesarisë. Me gjithë simpatinë që kishte për Vasilin dhe merakun që ky kishte për Kishën, shën Grigori nuk e pranoi këtë detyrë dhe u arratis në mal, duke shpresuar të gjente ndonjë ngushëllim nga Perëndia në këto trazira. Por, për shkak të ngulmimit të të atit, pranoi të kthehej në Nazianz dhe siguroi qeverisjen e kësaj kishe si episkop zëvendësues, deri ku i vdiq i ati në moshën 100-vjeçare. Pas të atit, fjeti edhe e ëma, shën Nona, dhe Grigori iu dorëzua përgjërimeve të besimtarëve dhe pranoi të qëndronte në atë vend derisa të zgjidhej një episkop i ri, ndonëse ishte tepër i dobësuar nga sëmundja, asketizmi dhe betejat për besën. Por, kur e kuptoi se qytetarët donin ta mbanin aty, duke vonuar zgjedhjen e të riut, u arratis përsëri fshehtazi për në Seleuci, mitropolia e Izaurisë (375), dhe qëndroi në manastirin e Shën Theklës, duke menduar se do të gjente, më në fund, qetësinë. Por edhe atje iu desh të bënte luftën e mirë të besës kundër arianëve, që pa mëshirë po mbillnin kudo trazira.
Në fillim të vitit 379, Kisha u vesh me rroba zie për vdekjen e kandilit të Orthodhoksisë, shën Vasilit, por e ndërroi menjëherë në tunikë ngazëllimi, kur u zhduk heretiku Valens dhe u emërua Theodhosi i Madh, mbrojtësi besnik i besimit të Nikeas. Të gjithë orthodhoksët i kthyen sytë nga Grigori, si përfaqësuesi më i denjë i besës dhe predikuesi më i shkëlqyer.
Besimtarët e Konstandinopojës, kryeqytetit perandorak, që gjendej për më shumë se 40 vjet në duart e heretikëve, i kërkuan episkopit të Nazianzit t’i ndihmonte. E nxorën përsëri nga kënqësitë e soditjes hyjnore, me qëllim që të mbronte Kishën. Ai shkoi në Konstandinopojë, duke pasur me vete fuqinë e pakundërshtueshme të fjalës dhe të mrekullive të tij. U prit në një shtëpi të prindërve, ku populli orthodhoks nisi me të shpejtë të mblidhej që të dëgjonte me entuziazëm predikimet e tij, dhe banesa e shenjtit u shndërrua në kishë, me emrin e Anastasisë (Ngjalljes së shenjtë); sepse besimi që kishte vdekur në Konstandinopojë, ishte ngjallur me fjalën e shën Grigorit.
I vetëm kundër shumicës së heretikëve dhe sekteve të ndryshme, shenjti e bënte për vete auditorin me oratorinë e tij dhe i priste sofizmat dhe argumentet e urtësisë mishore me shpatën e fjalës së Perëndisë. Në një seri prej 5 fjalimesh, të cilat i dhanë titullin Theolog, ai tregoi, para së gjithash, se nuk ishte e përshtatshme të flisje për misteret e Perëndisë si për diçka të zakonshme, por vetëm në kohën e vet dhe pasi të jesh pastruar siç duhet. Ai paraqiti një shpjegim përfundimtar për pakuptueshmërinë e Esencës hyjnore, hyjninë e Birit dhe atë të Shpirtit të Shenjtë. Më shumë se të gjithë Etërit e tjerë, shën Grigori shkëlqeu në paraqitjen me shprehje të shkurtra dhe të mahnitshme të mistereve të mëdha të besës. Këto përkufizime janë kaq të përsosura, sa, me rrjedhën e shekujve, theologët e shenjtë e më të ndritur u kanë kushtuar fjalime të tëra për t’i komentuar, dhe janë kaq të bukura, sa një numër i madh prej tyre u përdor nga kompozitorët tanë për hartimin e himneve liturgjike të të kremteve të mëdha të vitit. Të lexuara dhe të mësuara përmendësh, si Shkrimi i Shenjtë, veprat e shën Grigorit janë një ikonë, ato të transportojnë në qiell dhe të futin në misteret e parrëfyeshme. Gjuha e tij është kaq e përsosur, sa e bën të panevojshme çdo fjalë dhe e çon natyrshëm të dashuruarin e Fjalës në lutjen e heshtur.
Me rigorozitet të palëkundur, për sa i përket besimit, shën Grigori kishte sjellje të butë ndaj çdo njeriu, mëkatar ose të humbur. Korrigjonte zakonet, duke treguar shembullin e sjelljes së krishterë me jetën e tij të mënjanuar nga jeta e botës, me rreptësinë e tij dhe me durimin në sprova e sëmundje, sa një numër i madh nga njerëzit që dëgjonin fjalimet e tij, u kthyen plotësisht në besim. Suksesi i tij nxiti kundërshtime të ashpra nga ana e sekteve, dhe ziliqarët përhapën kundër tij shpifje të turpshme, sidoqoftë, pa arritur ta mundnin durimin dhe butësinë që kishte ndaj armiqve. Natën e Pashkës së vitit 379, disa heretikë, nxënës të Apolinarit, që ai e kishte mundur në mënyrë të shkëlqyer, shpërthyen në kishën e Shën Anastasisë, mbollën panik dhe u përpoqën ta qëllonin me gurë shenjtin, por nuk arritën dot ta vrisnin, gjë që ai e dëshironte për ta mbyllur vrapimin, duke marrë palmën e martirizimit.
Pas kësaj sprove, e nxorën para gjykatës si kriminel, por doli fitimtar dhe i nxiti miqtë e tij për falje. Qëndrimi i përmbajtur, dashuria, drejtësia e këtij dishepulli të përsosur të Jisu Krishtit, përfundimisht, ngjallën kundër tij armiqësinë e të dyja palëve: të heretikëve plot urrejtje dhe të orthodhoksëve tepër të zellshëm.
Ndërsa, falë betejave të tij, dukej se herezia po tërhiqej, djalli i solli sprova të reja me anën e një filozofi cinik nga Aleksandria, i quajtur Maksim. Ky, duke e fshehur në fillim planin e pabesë që kishte, pati vlerësimin e Grigorit; por shpejt u zbulua, kur u vetëzgjodh në mënyrë të parregullt episkop i Konstandinopojës, duke mbjellë kështu turbullim dhe skandal në Kishë. Shën Grigori i urtë ishte gati ta braktiste fronin, që të mos e kundërshtonte mashtruesin me luftë dhe urrejtje, por populli u ngrit kundër Maksimit dhe e luti bariun e tij të mos i linte në duart e ujqve që po kërcënonin grigjën e Krishtit, duke thënë: “Nëse na lë, o atë, ta dish se do ta marrësh me vete edhe Shën Trininë”. Shenjti u bind dhe i bëri thirrje perandorit Theodhos, i cili atëherë banonte në Selanik. Ky e hodhi poshtë uzurpatorin dhe pak kohë më vonë hyri në mënyrë triumfale në Konstandinopojë, pas fitores mbi barbarët (24 nëntor 380). Që të nesërmen, i spastroi arianët nga kishat që kishin zaptuar dhe e caktoi shën Grigorin episkop të qytetit perandorak. Ky i fundit, i djegur gjithnjë nga dashuria për t’u tërhequr, në fillim refuzoi, por pranoi me kërkesë të popullit entuziast. Megjithatë, përderisa ai ishte normalisht episkop i një froni tjetër, transferimi për në Konstandinopojë duhej të ratifikohej me anën e një sinodi; për këtë arsye Theodhosi mblodhi një vit më vonë (381) Sinodin e Dytë Ekumenik, i cili, pasi njohu unanimisht zgjedhjen e Grigorit, dënoi herezinë e pnevmatomakëve (makedonianëve) dhe shënoi fundin e arianizmit, si dhe fitoren përfundimtare të Orthodhoksisë.
Por gëzimi për këtë triumf u ndërpre herët pas vdekjes së kryetarit të Sinodit, shën Meletit, episkop i famshëm i Antiokisë (2 shkurt). Atëherë Grigori u caktua të drejtonte sesionet gjatë të cilave duhet të vendosej për pasuesin e këtij froni të ndarë prej shumë vitesh nga skizma mes orthodhoksëve: nga njëri krah pasuesit e Meletit dhe nga krahu tjetër të Paulinit. Meqenëse kishin rënë dakord që i mbijetuari do të njihej nga të gjithë si i vetmi episkop, shën Grigori mori anën e Paulinit, por ndeshi në kundërshtimin plot urrejtje dhe në konspiracionet e episkopëve lindorë. Këta arritën deri atje, sa vunë një të ri heretik për ta vrarë; por, kur u sul mbi shenjtin, keqbërësi u shtang, ra në këmbët e tij, duke rrëfyer mes lotësh planin e tij djallëzor. Grigori e ngriti, e përqafoi me dhembshuri dhe i kërkoi që t’i kushtohej tani e tutje Perëndisë e të hiqte dorë nga herezia. Episkopë të tjerë, pasues të Paulinit, e akuzuan shenjtin se nga Sasima ishte transferuar në Konstandinopojë në kundërshtim me kanunet e shenjta. I mërzitur nga gjithë ato grindje të kota dhe me zemër të thyer kur shikonte Kishën e Krishtit të përçarë, ai që kurrë nuk kishte kërkuar ndere e as pushtet, deklaroi në asamble se dëshira e tij më e madhe ishte të kontribuonte për paqen dhe, nëse rasti i zënies së fronit të Konstandinopojës do të ishte shkak ndarjeje, ishte gati të hidhej në det, si Jonai, që të paqësohej kjo furtunë, me kusht që besa orthodhokse të mbetej e pastër. Dhe me këto fjalë, e la asamblenë; u kthye në pallat, ku iu përgjërua perandorit ta aprovonte dorëheqjen dhe i kërkoi që vetë ai, nëpërmjet autoritetit të tij, të ngarkohej për vendosjen e unitetit dhe mirëkuptimit në Kishë.
Në një fjalim të fundit dhe tepër prekës, u dha lamtumirën kishës së dashur të Anastasisë, lavdisë dhe kurorës së tij, Shën Sofisë dhe kishave të tjera të qytetit, ku kishte rivendosur besimin e vërtetë dhe pastërtinë e zakoneve, duke e përgatitur për një mijëvjeçar të lavdishëm. Përshëndeti klerin, murgjit, virgjëreshat, të varfrit, madje edhe heretikët, të cilëve u bëri thirrje të ktheheshin, i tha lamtumirë Lindjes dhe Perëndimit, engjëjve mbrojtës të Kishës së tij dhe Trinisë së Shenjtë, në duart e së cilës dorëzoi grigjën. Pastaj la Konstandinopojën, pasi caktoi Nektarin si pasues (11 tetor) dhe u kthye për disa kohë në Nazianz, ku u përpoq të emëronte në vend të tij një episkop titullar. Pas zgjedhjes së kushëririt të tij, Evlalit, u tërhoq përfundimisht në pronën e tij në Arianz, ku, i dërrmuar nga sëmundja dhe nga gjithë ato veprimtari, të cilat asnjëherë nuk i kishte pëlqyer, i kaloi vitet e fundit të jetës në heshtje dhe vetmi.
Ashtu si një mbikëqyrës besnik në postin e tij, nuk reshti së vigjiluari nga larg për pastërtinë e besimit. Dërgonte letra dogmatike, për të evituar herezitë që lindnin, ose nxiste Nektarin dhe episkopë të tjerë orthodhoksë për më shumë drejtësi, u dërgonte fëmijëve të tij shpirtërorë këshilla të mençura, për të arritur në përsosmëri, dhe hartonte poema të mrekullueshme në greqishten e vjetër. Me zemër të thyer dhe të përulur, por me mendje të përqendruar në soditjen e mistereve të padepërtueshme të Trinisë së Shenjtë, ky shërbëtor besnik edhe luftëtar fjeti në paqe më Zotin (390).
* * * * *
– OSHËNAR MARISI –
Kur ishte i ri, oshënar Marisi e magjepste popullin e krishterë që mblidhej për të kremtet e shenjtorëve, me bukurinë e zërit dhe hijeshinë e fytyrës së tij. Hoqi dorë menjëherë nga të gjitha këto dhunti dhe u mbyll në një qeli të vogël, me lagështirë pranë fshatit Omer, ku qëndroi për 37 vjet. Mbante veshje prej lëkure dhie dhe ushqehej vetëm me bukë e kripë.
Një ditë, kur miku dhe biografi i tij, Theodhoriti i Kirit, erdhi për ta vizituar, asketi i shenjtë i rrëfeu se që prej shumë vitesh dëshironte të merrte pjesë në Liturgjinë Hyjnore. Episkopi dërgoi menjëherë të kërkonte enë të shenjta në fshat, por, meqë mungonte Tryeza e shenjtë, ai celebroi Blatën e shenjtë mbi duart e një dhjakoni. Si u kungua me Misteret e shenjta, njeriu i Perëndisë i tha se gjatë gjithë celebrimit ishte ndier sikur po transportohej në qiell, pranë Fronit të Perëndisë, dhe se gjatë gjithë jetës së tij nuk kishte përjetuar një gëzim kaq të madh shpirtëror.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων