22/04/2020 22/04/2020 † IGNATI Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës Klerit dhe Besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë Bijtë e mi të dashur më Krishtin Dëshmi për Ngjalljen “E tregoi veten e Tij të gjallë me shumë shenja pas pësimit të Tij.” (Veprat e Apostujve 1, 1 – 8.) Ngjallja e Zotit tonë është ngjarja më e madhe në historinë...
22 Απριλίου, 2020 - 16:51
Τελευταία ενημέρωση: 22/04/2020 - 16:56

PASHKA E SHENJTË – Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

Διαδώστε:
PASHKA E SHENJTË – Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

† IGNATI

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

Klerit dhe Besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë

Bijtë e mi të dashur më Krishtin

Dëshmi për Ngjalljen

“E tregoi veten e Tij të gjallë me shumë shenja pas pësimit të Tij.”

(Veprat e Apostujve 1, 1 – 8.)

Ngjallja e Zotit tonë është ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit. Është fitorja e Krishtit kundër vdekjes. Themeli mbi të cilin mbështetet e gjithë Kisha. Sepse, “nëse nuk u ngjall Krishti, besimi juaj është i kotë dhe jeni ende në mëkatet tuaja”, siç shkruan shën Pavli drejtuar Korinthianëve. 1 Korinthianët 15, 17.

* * *

Ngjallja është një ngjarje historike, që u zhvillua në një vend të caktuar dhe në një kohë konkrete dhe kjo theksohet, veçanërisht, nga Ungjillorët e hirshëm. Por, vazhdon të mbetet një mister. Një mister i madh, që përjetohet nga miliona besimtarë të Krishterë në Lindje dhe në Perëndim, në Veri dhe në Jug. E gjithë jeta e Kishës është një dëshmi e fortë e Ngjalljes. Një dëshmi autentike, që ofrohet fuqishëm nga Apostujt dhe Gratë Miroprurëse, që ishin dëshmitarë okularë dhe arrin deri tek besimtarët e sotëm.
Apostuj, nuk janë vetëm ata, që e morën, menjëherë, nga vetë Krishti, misionin e tyre apostolik, por edhe ata, që mund të dëshmojnë, nga përvoja dhe dija e tyre personale, për realitetin e Ngjalljes së Tij. Shën Joan Gojarti vëren me saktësi: “Nëse dhe Krishti u pushtua nga vdekja dhe nuk zhduki dhimbjet e tmerrshme, që sjell ajo, si i çliroi të tjerët, ndërsa Ai akoma gjendej nën pushtetin e vdekjes?” Në këtë bindje të ngjalljes mbështetet Himnografi i hirshëm, kur thotë: “Dërrmove vdekjen me Kryqin tënd; i çele kusarit Parajsën; e ndryshove vajtimin e miroprurëseve, dhe apostujve të tu u urdhërove të lëçitnin, se u ngjalle, o Krisht Perëndi, dhe i fale botës përdëllimin e madh.”

Jisu Krishti është i njëjti që pësoi, u ngjall dhe në vazhdim u ngjit në qiej. Jisui ua shfaqte veten e Tij, herë pas here, nxënësve të Tij, për dyzet ditë. Shfaqjet e Tija, Jisui i lidhte dhe me mësimdhënien tek nxënësit e Tij. Kjo mësimdhënie e Tij, i referohej themelimit, mbarëvajtjes dhe shtrirjes së Kishës, që Ai kishte ndërtuar. Porosia e Zotit të ngjallur ndaj nxënësve të Tij ishte, “të mos largohen nga Jerusalemi, por të presin premtimin e Atit”, që ishte dhe premtimi i Jisuit për dërgimin e Shpirtit të Shenjtë.
Dëshmitë për Ngjalljen e Zotit, ishin vepra kryesore e Apostujve të Krishtit. Pas Pentikostisë, që morën hirin dhe fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, filluan të predikojnë me guxim, për Ngjalljen e Zotit tonë të dashur. Me guxim u vërtetojnë të gjithëve “se me të vërtetë Zoti u ngjall”. Luka 24, 34.

Apostull Pjetri nuk nguron të shpallë Ngjalljen përpara mijëra hebrenjve, midis të cilëve, ishin dhe kryqëzuesit e Krishtit. Në predikimin e tij të mrekullueshëm, që kishte si përfundim të besojnë tre mijë dëgjues, midis të tjerave, tha: “O burra vëllezër, mund t’ju them me guxim për kryeatin David, se ai edhe vdiq edhe u varros, dhe varri i tij është tek ne deri në këtë ditë. Po duke qenë profet, dhe duke ditur se Perëndia me betim i premtoi se nga fryti i mesit të tij, do të ngjallë Krishtin, sipas mishit, që ta ulë në fronin e tij, e pa që më përpara dhe foli për ngjalljen e Krishtit, se shpirti i tij nuk u la në hadh, as mishi i tij nuk pa prishje. Perëndia e ngjalli këtë Jisu, për të cilin ne të gjithë jemi dëshmitarë.” Veprat e Apostujve 2, 29-32.

Në mënyrë të njëjtë dhe Ungjillor Joani thërret me zë të madh dhe jep dëshmi publike me fjalët e tija, të frymëzuara nga Perëndia: “…atë që kemi dëgjuar, atë që kemi parë me sytë tanë, atë që kemi vështruar, edhe duart tona e prekën… për atë ju lajmërojmë, që të keni edhe ju pjesëmarrje me ne; edhe pjesëmarrja jonë është me Atin dhe me Birin e tij Jisu Krisht.” 1 Joanit 1, 1-3.
Na bën përshtypje se njëmbëdhjetë nxënësit e Tij zgjodhën Matthian në vendin e Judës, që të bëhet dëshmitar i Ngjalljes: “një nga këta duhet të bëhet dëshmitar bashkë me ne për ngjalljen e Tij.” Veprat e Apostujve 1, 22. Dhe siç shkruan historian Eusebi i Qesarisë, mesazhi i Ngjalljes u trumpetua “për pak kohë në të gjithë botën”.

Përveç dëshmive të Apostujve të shenjtë kemi dhe dëshmitë e brendshme: Apostull Pavli, siç është e ditur, nuk ishte dëshmitar okular i Ngjalljes, as nuk e kishte parë Krishtin me sytë e tij. Dhe, megjithatë, ishte aq i madh sigurimi i tij për Ngjalljen e Tij, sa që fliste për atë, sikur ta kishte jetuar. Le ta dëgjojmë se çfarë na thotë: “Fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë diturie njerëzore, që mbushin mendjen, po me dëftim Fryme e fuqie, që të mos jetë besimi juaj me anë të diturisë së njerëzve, po me anë të fuqisë së Perëndisë. Edhe u flasim dituri atyre, që janë të përsosur, po jo dituri të kësaj jete, as të prijësve të kësaj jete, që po asgjësohen; po flasim dituri Perëndie në fshehtësi, atë të fshehurën që urdhëroi Perëndia, që para jetëve për lavdinë tonë, të cilën asnjë nga prijësit e kësaj bote nuk e njohu; sepse po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.”

1 Korinthianëve 2, 4-8.

Për Apostullin tonë, nuk ishte më pak e vërtetë Ngjallja e Krishtit, meqenëse, ai vetë, nuk e pa. Mund të mos i kishte jetuar ngjarjet; por kishte provuar fuqinë e Krishtit të ngjallur, jashtë mureve të Damaskut. Kishte rilindur, në mënyrë të mrekullueshme, nga drita e Ngjalljes. Ishte bërë një njeri i ri i mbushur me hirin e Tij.

Për njëzet shekuj tashmë, Ngjallja e Zotit tonë përbën një ngjarje shpëtuese, burim fuqie për miliona shpirtra. Besimi tek Ngjallja e Krishtit u dha fuqi dëshmorëve të ndeshen me luanët. Të japin jetën e tyre dhe të derdhin gjakun e tyre, me gëzim, për Zotin tonë të dashur. Ngjallja e Krishtit u dha durimin, ndriçimin dhe fuqinë e pamposhtur Etërve të shenjtë të Kishës. Ngjallja e Krishtit, na jep edhe neve, të Krishterëve të sotëm, guximin dhe kurajon, shpresën dhe durimin, në fatkeqësitë, në ngasjet e jetës. Për hir të Ngjalljes jemi të sigurt se do të jetojmë përjetë në Mbretërinë e Tij, sipas fjalëve të Shkrimit të Shenjtë: “Në durofshim, kemi edhe për të mbretëruar bashkë me Të” 2 Timotheut 2, 12. Nëse nuk do të ekzistonte Ngjallja, nuk do të ekzistonte sot as Kisha, as Krishtërimi.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Dëshmia, për Zotin Jisu Krisht të ngjallur, vazhdon. Dëshmitarë të Jisu Krishtit jemi të gjithë ne, të gjithë të Krishterët. Dhe dëshmojmë për Krishtin, me flakën e besimit, me moralin e Ungjillit, me mënyrën që jetojmë dhe sillemi. Dëshmia për Jisu Krishtin përbën një detyrë të përgjithshme, për të gjithë besimtarët dhe është një vepër që vazhdohet “deri sa Ai të vijë.” 1 Korinthianëve 11, 26.

Krishti u Ngjall – Vërtetë u Ngjall

Berat Pashkë 2020

 

— facebook.com/mitropoliaberatit

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων