“Pendimi, parakusht për Mbretërinë e Perëndisë”!
Pendimi, të dashur besimtarë, është një parakusht që ne të bëhemi pjesë e Mbretërisë së Perëndisë. Këtë pikërisht e dëgjojmë së pari nga goja e profetit më të madh, Shën Joan Pagëzorit: “Pendohuni, se u afrua Mbretëria e Perëndisë”. Këtë shpalli ai.
Pendimin si parakusht për Përjetësinë na e siguron akoma më tepër vetë Shpëtimtari ynë Jisu Krisht. E dëgjuam në pjesën e Ungjillit të sotëm ku Krishti filloi mësimet e Tij duke predikuar e dukë thënë, “pendohuni se mbretëria e qiejve është afër”.
Ky pendim që kërkohet nuk është diçka që arrihet dhe fitohet lehtë. Është në natyrën tonë njerëzore që pendimi të vijë nëpërmjet sfidave dhe vështirësive të shumta të jetës. Hidhërimet, problemet, sëmundjet janë ato që shpesh herë na drejtojnë të kuptojmë gabimet dhe mëkatet tona edhe të na sjellin në pendim. Kur gjërat “shkojnë mirë”, ne nuk e shohim të nevojshme të pendohemi dhe harrojmë Zotin.
Etërit thonë nëse duket se çdo gjë shkon mirë në jetën e një personi, ne duhet të shqetësohemi për atë. Shën Joan Gojarti thoshte se nëse shohim se një njëri i pasur nuk ka asnjë vështirësi, ne na duhet të na vijë keq për atë dhe të lutemi sepse Zoti e ka harruar. Thonë që Shën Ambrozi i Milanos, gjatë një udhëtimi të tij, u fut për të kaluar natën në shtëpinë e një të pasuri. Kur i pasuri i thoshte se nuk kishte asnjë vështirësi, asnjë sëmundje, asnjë problem, shenjtori i tha miqve të tij që e shoqëronin se duhet të largoheshin menjëherë nga banesa. Shenjtori me miqtë sapo dolën, shtëpia u shemb duke zënë brenda gjithë pjesëtarët e familjes.
Etërit vazhdimisht theksojnë që gjithë jeta jonë të jetë një pendim i vazhdueshëm. Çdo moment që kuptojmë gabimin apo mëkatin tonë të kërkojmë ndjesë. Na këshillojnë që çdo natë të bëjmë një analizë të ditës që kaluam edhe nëse shikojmë që diku kemi gabuar të kërkojmë falje. Etërit na mësojmë që të mos kërkojmë nga Zoti dhurata për të bërë mbrekulli, por të kërkojmë që Zoti të na japë pendimin të shoquar nga virtyti i përulësisë. Shën Efrem Siriani thotë:- “Më i lartë është ai që shikon mëkatet e tij, sesa ai që nxjerr demonët”.
Pendimi zbutë “zemërimin e Perëndisë”. Le të kujtojmë historinë e Ninevisë! Perëndia dërgon profetin Jona në Ninevi që të shpall se do ta shkatërroi atë qytet për shkak të mëkateve të banorëve të saj. Kur dëgjuan këtë gjë të gjithë banorët duke filluar që nga mbreti agjëruan për tre ditë, akoma edhe kafshët u lanë pa ushqim dhe ujë në këto tre ditë. Gjithashtu i drejtuan lutje Perëndisë duke kërkuar mëshirën e Tij. Dhe Perëndia duke parë pendimit e tyre, Perëndia u pendua dhe nuk e shkatërroi qytetin e Ninevisë.
Pendimi është një magnet që tërheq hirin e Perëndisë. Kisha na mëson se shenjtorët nuk janë njerëz të pagabueshëm, por njerëz që kanë jetuar me pendim. Nuk duhet të dashur besimtarë që të humbasim kurajon dhe besimin se Zoti na ka braktisur edhe nuk na dëgjon lutjet se jam njëri mëkatar. Zoti na i dëgjon lutjet pavarësisht çfarë mëkati ne kemi kryer nëse jemi penduar.
Tregojnë se në një manastir shkoi të jetoi familja e një fisniku, për shkak se përndiqeshin. Atje ndodhi që dhjaku i manastirit mëkatoi me një nga vajzat e këtij mysafiri. E keqja u përhap dhe filloi të skandalizoi shumë njerëz. Fajtori u pendua dhe shkoi pranë një eremiti , u rrëfye dhe qëndroi në një shpellë afër tij, ku eremiti i çonte pak ushqim. Kaluan vite dhe njerëzit humbën gjurmën e fajtorit dhe pushuan të merren me këtë skandal. Ndodhi që një kohë lumi Nil, nuk kishte ujëra dhe njerëzit vuanin për shkak të thatësirës.
Bënë lutje, mbajtën kreshëm, bënë litani, por asnjë rezultat. Në fund një episkop, dëgjon një zë gjatë lutjes së tij, “nëse nuk lutet dhjaku që është në një nga shpellat afër Nilit, uji nuk ka për të ardhur”. Ditën tjetër episkopi, klerikë dhe besimtarë shkuan tek shpella dhe e nxorën dhjakun me zor nga aty dhe e detyruan që të lutet. Sapo ai ngriti duart drejt qiellit, ujërat mbushën lumin. Kaq e madhe është fuqia e pendimit.
Shën Andoni i madh shpjegon se njeriu mund të bëhet shenjtor me anë të fuqisë së pendimit brenda një dite.
Le të kërkojmë dhe jetojmë gjithë jetën tonë me pendim dhe Zoti nuk do të na privojë nga Mbretëria e Tij.
*Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, e Diela pas Theofanisë, dt. 10/01/2021
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










