28/03/2021 29/03/2021 E DIELA II E KRESHMËVE Markut 2, 1-12. BARRËMBAJTËSIT E DASHURISË “Bir, t’u falën mëkatet e tua.” v. 5. “Ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde.” v. 11. Ungjillori i hirshëm Marku, në pjesën e sotme të Ungjillit të shenjtë na njofton se Zoti u gjend në një shtëpi në Kapernaum. Lajmi...
28 Μαρτίου, 2021 - 18:02
Τελευταία ενημέρωση: 29/03/2021 - 1:06

Predikim – E Diela e II e Kreshmës (Grigor Pallamai) – Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati

Διαδώστε:
Predikim – E Diela e II e Kreshmës (Grigor Pallamai) – Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati

E DIELA II E KRESHMËVE
Markut 2, 1-12.
BARRËMBAJTËSIT E DASHURISË

“Bir, t’u falën mëkatet e tua.” v. 5.

“Ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde.” v. 11.

Ungjillori i hirshëm Marku, në pjesën e sotme të Ungjillit të shenjtë na njofton se Zoti u gjend në një shtëpi në Kapernaum. Lajmi i prezencës së Tij atje u përhap menjëherë në qytet. Dhe shumë shpejt shtëpia u mbush rrafsh me njerëz deri jashtë. Një ngjarje e mrekullueshme. Tregon në mënyrë shumë karakteristike, gatishmërinë e madhe të njerëzve për t’u gjendur pranë Zotit dhe për të dëgjuar mësimdhënien e Tij. Lanë punët e tyre, detyrimet e tyre të shumëllojshme dhe vrapuan tek Mësuesi i veçantë, megjithëse Ai nuk ndodhej në vendin e caktuar të predikimit, në Sinagogë, por në një shtëpi të zakonshme.

Midis tyre ishte dhe një i paralizuar. Por nuk ishte vetëm. E shoqëronin katër njerëz të tij, të cilët u treguan të gatshëm ta transportojnë mbi një shtrat, në mënyrë që ta sjellin tek Zoti. Kishin mësuar për mrekullitë që bënte Krishti dhe ishin të sigurt se mundej të shëronte dhe të sëmurin e tyre. Prandaj dhe kur arritën në shtëpi dhe panë turmën, që kishte zënë derën, nuk u dëshpëruan. U ngjitën që të katërt në çati dhe atje e shqepën në vendin ku ndodhej Zoti. Nga atje, ndërkohë që drita e qiellit derdhej dalëngadalë brenda në shtëpi, ata zbresin me kujdes me anë të litarëve shtratin me të paralizuarin. Zoti tani vëzhgon përpara Tij një të paralizuar që shikon me përgjërim duke pritur me besë mrekullinë. Të gjithë mbajnë frymën dhe presin të dëgjojnë urdhrin e mrekullueshëm të Zotit. Por Zoti do që të shfaqë diçka tjetër së pari. I thotë, pra, të paralizuarit: T’u falën mëkatet e tua, të cilat janë dhe shkaku i paralizimit tënd trupor.

Shkaku pra i sëmundjes së të paralizuarit nuk ishte ndonjë mikrob, por jeta e tij e shthurur, që i paralizoi dhe trupin. Dhe Zoti i dhuron së pari të paralizuarit, atë që me të vërtetë kishte nevojë, faljen e mëkateve, domethënë shëndetin e shpirtit të tij. Ndryshe, pra, shikon Zoti dhe ndryshe presin njerëzit. Ne zakonisht themi: “Shëndeti mbi të gjitha”. Ndërsa Zoti, sot, na mëson pikërisht të kundërtën: Mbi të gjitha shëndeti i shpirtit tonë.

Por, a e zbatojmë ne këtë të vërtetë në jetën tonë të përditshme? Sa para dhe sa kohë vëmë në dispozicion për shëndetin e trupit tonë dhe sa interes tregojmë në mënyrë paralele për shëndetin e shpirtit? Sa shpesh e vizitojmë mjekun tonë, dietologun tonë? Sa kujdesemi për ushqyerjen e trupit tonë dhe sa kujdes tregojmë për ushqimin e shpirtit tonë? Sa mjekime marrim kur sëmuremi dhe sa pendim tregojmë kur rritet temperatura e shpirtit tonë? Do të duhet pra të ndryshojmë hierarkinë e gjërave. “Mbi të gjitha shëndeti i shpirtit tonë.” Dhe Zoti do të na dhurojë edhe shëndetin e trupit tonë, siç ia dhurojë pastaj dhe të paralizuarit të Ungjillit.

-“Ty të them, ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde.” Edhe ai u ngrit menjëherë dhe mori shtratin, edhe doli përpara të gjithëve, që e shikonin të shtangur, dhe doli nga ajo shtëpi. Dhe të gjithë sa e panë lavdëruan Perëndinë duke thënë se: “kurrë s’kemi parë kështu.” Një i paralizuar, me një urdhër të ngrihet menjëherë i shëndoshë dhe të ecë.

Njerëzit lavdëruan Perëndinë, sepse kuptuan se një ngjarje e tillë vetëm me fuqi hyjnore mund të realizohet. Kështu është. Njerëzit e thjeshtë dhe me dëshirë të mirë, e dallojnë lehtë të vërtetën. Shikojnë veprat e mrekullueshme të Perëndisë dhe me gjithë zemrën e tyre lavdërojnë emrin e Tij. Ata e njohin të vërtetën dhe gëzohen për atë, sepse e vërteta nuk shikon arsimin dhe diplomat. U zbulohet zemrave të pastra. Atje ku mbretëron thjeshtësia dhe përulësia. Ata që kanë këto virtytet mund të shikojnë dhe të lavdërojnë Perëndinë për veprat e Tija të mrekullueshme.

Një dhuratë e pashpresuar për të “paralizuarin”! Para shëndetit të tij trupor, fiton shëndetin e shpirtit, faljen e mëkateve të tija! Me të vërtetë, e meritonte këtë dhuratë, jo vetëm për besën e tij personale, por dhe për besën që treguan miqtë e tij të mirë. Pa ata nuk do të bëhej mrekullia. Nëse nuk do ta besonin të gjithë bashkë, nuk do të guxonin të bënin diçka të tillë.

Nuk ishte e mundur, pra, Zoti i tërëmirë të ishte indiferent përpara besimit të këtyre njerëzve, që nuk e kërkonin mrekullinë për veten e tyre, por për vëllain e tyre të sëmurë. Gjithmonë Perëndia njeridashës dëgjon lutjet e përbashkëta, që i ofrohen me besim dhe dashuri. Sepse vetë Zoti na vërtetoi se: “në qofshin dy veta nga ju mbi dhe në një fjalë, për çdo gjë që të lypin, do t’u bëhet atyre nga Ati im, që është në qiejt.” Mattheu 18, 19.

Sa mrekulli bëhen, kur bashkojmë lutjen tonë me atë të pjesëtarëve të familjes sonë, të miqve dhe të vëllezërve tanë, për ata që kanë ndonjë vështirësi… Besa nuk është një arritje individuale, por një ngjarje kishtare. Prandaj dhe është e rëndësishme të kërkojmë lutjet e vëllezërve tanë, por dhe ne të lutemi për ata me besë të nxehtë dhe dashuri të sinqertë. Dhe atëherë të jemi të sigurt se do të shikojmë shumë mrekulli.

Çdo njeri, në përpjekjen e tij për t’iu afruar Zotit, takon shumë vështirësi dhe pengesa. Kjo ndodhi dhe me të paralizuarin, për të cilin na foli pjesa e sotme e Ungjillit. Katër burra, të mbushur me vetëmohim, bashkojnë fuqitë e tyre, që të transportojnë të paralizuarin tek Zoti. Me bashkëpunimin e tyre arritën, jo vetëm që të transportojnë të paralizuarin por dhe që të prishin çatinë e shtëpisë për ta zbritur tek këmbët e Krishtit. Me misionin e tyre të guximshëm arritën shërimin e mikut të tyre të paralizuar. Dhe ne, pra, me bashkëpunimin e të tjerëve, mund të ndihmojmë vëllezërit tanë, që mundohen dhe vuajnë.

Çështja është, po ne a bashkëpunojmë me të krishterë të tjerë për vepra dashurie dhe bamirësie? Ekzistojnë dhe sot shumë njerëz, që mundohen dhe vuajnë dhe kanë nevojë për mbështetjen tonë. Vallë, i mendojmë dhe kujdesemi bashkë me të tjerë? Por, përveç atyre, ekzistojnë dhe vëllezër të tjerë, që kanë nevojë t’i ndihmojmë. Ata nuk janë të paralizuar në trup. Janë të paralizuar në shpirt, në dëshirë. Gjenden në burgje, në spitale, në shtëpi. I takojmë madje dhe në rrugë, nëpër dyqane, në autobusë. Janë njerëz me krahë të thyera të shpirtit. Janë djemtë, që ranë pre të drogave dhe të herezive të ndryshme shkatërrimtare.

Ne çfarë bëjmë për ata? Vetëm ndoshta nuk mund të bëjmë diçka të rëndësishme. Por me bashkëpunimin e miqve dhe vëllezërve të tjerë mund të bëjmë shumë. Do të mundeshim për gjitonin tonë, që e la veten të paralizohet nga pija, nga alkooli, të bashkëpunojmë me mjekun tonë, me ndonjë mik të përbashkët, që të shpëtojë nga ky pasion i mallkuar. Të bëjmë çdo gjë, që ta bindim të ndryshojë jetë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Kështu edhe ne, me guxim dhe këmbëngulje, me thjeshtësi dhe dashuri, me frymë sakrifikimi dhe vetëmohimi, le të bashkëpunojmë me të tjerët. Me besën dhe dashurinë dhe lutjen do të hapen çati dhe dritare, që të hyjë drita e Diellit të drejtësisë, e Krishtit. Dhe atëherë ky bashkëpunimi ynë, me hirin e tërëfuqishëm të Zotit tonë, do të sjellë mrekulli.
U bëftë!

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
BERAT MË 28.03.2021

 

 

— facebook.com/mitropoliaberatit

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων