Profeti Amos. Apostujt Stefanai, Fortunati nga të 70-t. Oshënar Jeronimi. Oshënar Agustini i Iponës
E hënë, 15 qershor 2020 – Shenjtori i ditës.
SOT FILLOJMË KRESHMËN E APOSTUJVE.
Profeti Amos. Apostujt Stefanai, Fortunati nga të 70-t. Oshënar Jeronimi. Oshënar Agustini i Iponës.
– Profeti Amos –
Profeti i shenjtë Amos ishte blegtor dhe kultivues fiqsh në fshatin e Tekoas, disa kilometra larg Betlehemit.
Ai jetoi në mbretërimet e Osias (781-740), mbretit të Judas dhe të Jerovoamit II (784-744), mbretit të Izraelit. Kur po kulloste grigjën e tij, Zoti e thirri dhe i tha: “Shko, profetizoji popullit tim Izrael”. Shkoi në mbretërinë e veriut, ku të pasurit i shtypnin të varfrit në mënyrë të turpshme, silleshin në mënyrë të shthurur dhe adhuronin një viç të artë. Për këtë arsye Perëndia e urdhëroi t’u lajmëronte se ndëshkimi i tyre nuk do të vononte. Amosi paratha fillimisht shkatërrimin e kombeve fqinje: të Damaskut, Filistisë, Fenicisë, Edomit, Amonit dhe Moabit dhe shtoi se zemërata e Perëndisë do të binte edhe mbi mbretërinë e Judës dhe para kësaj, mbi mbretërinë e Samarisë që kishte fyer Emrin e tij të shenjtë për hir të kultit idhujtar.
Profeti pa si fillim një vizion me një shumicë karkalecash që do të gllabëronin të gjitha kulturat e mbjella në Izrael, por ndërmjetoi për popullin dhe kjo plagë u mënjanua.
Banorët e mbretërisë së Veriut nuk u penduan dhe vazhduan në mëkatet e tyre, kështu që Zoti i shfaqi profetit, në tri vizione, se nuk do t’i falte më, por do t’i godiste rebelët dhe do të rrëzonte përtokë qytetet e tyre. Ai tha se “Dita e Zotit”, që prisnin ata që mburreshin se ishin populli i zgjedhur “do të ishte errësirë dhe jo dritë”. Kulti i tyre hipokrit, i përzier me paudhësi, tërhoqi zemërimin e Zotit, që i hodhi poshtë duke thënë: “Unë i urrej, i përbuz të kremtet tuaja dhe nuk mund t’i duroj dot festat tuaj solemne. Largoni prej meje tingullin e kantikëve, që të mos dëgjoj muzikën e harpave” (5:21-23).
Ata i priste ndëshkim i tmerrshëm, i cili do të shënonte edhe fundin e mbretërisë skizmatike të Izraelit: “Ajo ka rënë, nuk do të ngrihet më virgjëresha e Izraelit”.
Megjithatë, nuk do të mungonte shpresa e shpëtimit: “Kërkoni Zotin dhe do të jetoni… Urreni të ligën, doni të mirën dhe bëni që të mbretërojë e drejta, ndoshta Zoti do ta mëshirojë mbetjen e Josifit” (5:14-15). Sepse atëherë thotë Zoti: “Unë do të dërgoj urinë në vend, jo urinë e bukës, jo një etje, por urinë për të dëgjuar fjalën e Zotit” (8:11).
Kur profeti po lajmëronte këto ngjarje në Bethel, prifti Amasias e akuzoi te mbreti se po përhapte lajmin se sovrani do të vdiste nga shpata dhe se populli do të internohej larg tokës së tij. Ai i tha Amosit: “Shiko, ik, largohu nga dheu i Judës, ha bukën tënde atje dhe atje poshtë profetizo. Por mos profetizo më në Bethel, sepse është vendi i shenjtë mbretëror, një tempull për mbretërinë” (7:12-13). Amosi vazhdoi të profetizonte me gjithë këto kërcënime dhe i paratha priftit se do të vdiste në internim.
Në fund, ai paratha se këto fatkeqësi do të ngrinin linjën e Davidit, dhe do të përgatisnin për ardhjen e Mbretërisë Mesianike. Sipas profetit, në këto ditë, malet do të pikojnë ëmbëlsi dhe e tërë toka do të shndërrohet në një kopsht frutash të përjetshme.
Në një traditë të mëvonshme na thuhet se biri i Amasias, Osia, e goditi Amosin dhe e la gjysmë të vdekur. Profeti u çua në atdheun e tij, Tekoa, ku dha frymën e fundit pas disa ditësh.
* * * * *
– Oshënar Agustini i Iponës –
Ishte bir i Patricit, aristokrat i degjeneruar idhujtar dhe në fund i krishterë, dhe Monikës, besimtare e zjarrtë. Lindi më 354 në Numidia (të Algjerisë së sotme). I talentuar nga pikëpamja mendore, ndërsa studionte në Kartagjene ra në mëkat dhe bëri një fëmijë jashtë martese, Adeodatin. Kërkimet e tij shpirtërore e bënë të hallakatej në filozofi të ndryshme dhe në herezinë e Manikaizmit. Në Milano, ku jepte mësimin e retorikës (oratorisë), u ndriçua (384) nga predikimet e episkopit, shën Ambrozit (7 dhjetor). Por, etja e tij metafizike nuk ishte ngopur akoma.
E qetësonin letrat e Pavlit, derisa njëherë, siç po qante në kopshtin e tij, duke iu falur Perëndisë që ta qetësonte, dëgjoi një zë të mistershëm melodioz prej fëmije: “Merre dhe lexoje!” Mori Ungjillin. Syri i shkoi te Romakët 13:11-14: “Tani është ora të zgjohemi nga gjumi… le të hedhim tej punët e errësirës … vishni Zotin…”. Hiri e mbushi. Lutjet e dhimbshme të pareshtura të Monikës ishin dëgjuar. U pagëzua natën e Pashkës (387) nga Ambrozi, bashkë me Adeodatin 15-vjeçar, ndërsa thuhej se psalej për herë të parë “Të himnojmë, të bekojmë…”.
Misticist dhe njeri i zemrës themeloi vëllazëri murgërore në atdheun e tij, mbas kthimit atje më 388. Por, duke vizituar miqtë e tij në Ipona, në breg të Numidias, u detyrua prej të gjithëve më 391 të bëhej prift, më 396 ndihmës episkop dhe mbas pak kryebariu i qytetit. U kujdes pa u lodhur për klerin dhe popullin turpëronte dhe i bënte të pavlerë heretikët dhe idhujtarët.
Ati i vjetër dhe më i famshëm perëndimor fjeti më 28.8.430, duke na lënë në trashëgim një vepër tejet të madhe për nga shtrirja: Vepra polemike (si “Për [88] herezitë”), dogmatike (“Për Trininë”; “Për shtetin e Perëndisë” etj.), vepra autobiografike (“Rrëfime”; “Rishikime”), vepra filozofike, shpjeguese, morale, predikime e letra. Doktrina novatore dhe të fuqishme të tij u keqkuptuan nga heretikët.
Agustin, latinisht do të thotë: i respektuar.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë/ facebook
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










