29/12/2019 29/12/2019 E diel, 29 dhjetor 2019 – Shenjtori i ditës. E Diela Oaskrishtlindjes (Josifi i fejuari i së Tërëshenjtës Mari, Profeti David, mbreti). 14.000 foshnjat e therura nga Herodi. Oshënar Alberti në Gambron. Oshënar Markeli. – Josifi, i fejuari i së Tërëshenjtës Mari – Josifi që ishte mjaft i shenjtë dhe i drejtë për t’u bërë...
29 Δεκεμβρίου, 2019 - 12:28
Τελευταία ενημέρωση: 29/12/2019 - 12:43

Shenjtori i ditës

Διαδώστε:
Shenjtori i ditës

E diel, 29 dhjetor 2019 – Shenjtori i ditës.

E Diela Oaskrishtlindjes (Josifi i fejuari i së Tërëshenjtës Mari, Profeti David, mbreti).
14.000 foshnjat e therura nga Herodi. Oshënar Alberti në Gambron. Oshënar Markeli.

– Josifi, i fejuari i së Tërëshenjtës Mari –

Josifi që ishte mjaft i shenjtë dhe i drejtë për t’u bërë dëshmitar dhe shërbyes i misterit të madh të Mishërimit, ishte nga fisi mbretëror i Judës dhe i shtëpisë së Davidit.

Bir i Jakovit (Matth.1:6) dhe nip i Ilias, ai ushtronte profesionin e thjeshtë të marangozit në Nazaret dhe kishte nga martesa e parë 4 bij: Jakovin, Joseun, Judën dhe Simonin dhe 3 bija: Esterin, Martën dhe Salomenë, gruan e Zevedheut dhe nënën e apostujve të shenjtë, Jakovit dhe Joanit.

Pasi mbeti vejan dhe kur ishte në prag të pleqërisë, u zgjodh me anë të një shenje hyjnore nga prifti i madh për t’u bërë mbrojtësi dhe ruajtësi i virgjërisë të së Tërëshenjtës, kur ajo doli nga Tempulli ku kishte ndenjur deri në moshën 12-vjeçare dhe në këtë mënyrë u duk në sytë e të gjithëve si gruaja e tij legjitime.

Gjatë kohës së fejesës së tyre, Virgjëresha mbeti shtatzënë me anë të veprimit të Shpirtit të Shenjtë dhe kur ajo u kthye në Nazaret, pasi ndenji 3 muaj pranë Elisabetës, u shfaqën shenjat e para të mëmësisë së saj, duke e futur Josifin e drejtë në një ankth shumë të madh.

Si ishte e mundur që Virgjëresha e cila i ishte përkushtuar Zotit mund të ishte fajtore për marrëdhënie të fshehta? Rreptësia e tij morale kërkonte që ai ta linte, por si njeri i drejtë dhe i mëshirshëm, nuk donte ta turpëronte vajzën publikisht.

Kështu duke u lutur, ai bëri planin për ta dëbuar atë në fshehtësi. Por një engjëll i Zotit iu shfaq atëherë në ëndërr, e siguroi duke i mësuar që kjo zënie ishte vepër e Shpirtit të Shenjtë dhe e urdhëroi të bëhej ati adoptues i fëmijës, i ngarkuar me mbrojtjen dhe rritjen e tij.

Josifi e mori Marinë, festoi martesën: por i Drejti ruajti në fshehtësi, duke adhuruar në heshtje, misterin e madh për të cilin ishte njoftuar, deri në çastin kur iu desh të shkonin në Jerusalem për të bërë regjistrimin. Josifi ishte një prej dëshmitarëve të parë të mrekullisë së mrekullive: Lindjes së Perëndisë së mishëruar.

Pas vizitës së magëve dhe të barinjve, engjëlli i Zotit e vizitoi përsëri gjatë gjumit, e porositi të merrte menjëherë Marinë dhe Fëmijën dhe të ikte në Egjipt, për t’i shpëtuar planit vrasës të Herodit. Kur u kthye në Nazaret, atëherë kur rreziku ishte larguar, ai rinisi profesionin e marangozit dhe e mësoi Fëmijën me gjithë sa dinte, me mësimet e Ligjit, pra Jisuin, Fjalën Krijues dhe Ligjvënës, që ishte bërë i dobët dhe i paditur për të na zbuluar dhe për ta na futur në njohjen e vërtetë.

Vitet e fëmijërisë së Zotit tonë kaluan në këtë gjendje paqeje, qetësie, pune të përditshme dhe bindjeje te prindërit tokësorë, nën mbrojtjen e Josifit, ruajtësit të heshtur të mistereve dhe të Nënës së Zotit, e cila ruante dhe meditonte për ne në zemrën e saj mrekullitë e Bërjes njeri të Perëndisë.

Kur mbërriti në prag të fillimit të veprës publike të Zotit tonë Jisu Krisht, Josifi, pasi përmbushi misionin e tij në përulësi dhe përkushtim, e dha shpirtin e tij te Perëndia në prani të Jisuit dhe të Marisë. Sipas legjendës, ai kishte përmendur këto fjalë: “Dhimbjet dhe frika e vdekjes më rrethojnë; por shpirti im ka gjetur qetësinë sapo kam dëgjuar zërin Tënd, Jisu mbrojtësi im, Jisu shpëtimtari im, Jisu streha ime, Jisu emri i të Cilit është i ëmbël në gojën time dhe në zemrat e të gjithë atyre që Të duan”.

* * * * *
– 14.000 foshnjat e therura nga Herodi –

Kur e pa se magët nuk i thanë të vërtetën, se ku ndodhej Fëmija Mbret, të Cilin kishin ardhur ta adhuronin nga Lindja të udhëhequr prej yllit, gjoja që të shkonte edhe ai për t’iu falur, mbreti Herod u dha urdhër ushtarëve të masakronin të gjithë fëmijët meshkuj të qytezës së Betlehemit dhe të krahinës përreth, që ishin më të vegjël se 2 vjeç. Ai kishte shumë frikë nga ky rival, i njohur prej shenjave të jashtëzakonshme dhe i adhuruar prej personaliteteve kaq të mëdha, të ardhur enkas së largu, prandaj urdhëroi të vriteshin viktima të pafajshme, foshnja të lindura pas shfaqjes së parë të yllit, sipas rrëfimit të magëve.

Kjo ditë kaq e errët për nënat e fisit të Beniaminit plotësoi profecinë e Jeremisë që thotë: “Zë u dëgjua në Rama (pra, në territorin e fisit të Beniaminit); vaj dhe gjëmë shumë; Rakela qante djemtë e saj dhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë më” (Matth. 2:18). Në fakt, varri i Rakelës ishte në Betlehem, që atëherë u duk sikur u ngrit prej varrit për të bashkuar vajtimin e saj me vajtimin e nënave të këtyre viktimave të tiranit, të vrara për Krishtin në vend të Krishtit, frytet e para të luleve të martirëve.

Mbreti barbar u ngrit kundër vullnetit të Perëndisë, duke derdhur gjak të pafajshëm, sepse Josifi, i lajmëruar në ëndërr nga një engjëll, mori me vete Fëmijën dhe nënën e tij dhe iku në Egjipt, para fillimit të kësaj masakre. Ky ishte një prej krimeve të fundit të Herodit. Ndërsa po thurte vrasjen e birit të tij, Antipaterit, që kishte komplotuar kundër tij, mbreti plak u godit nga një sëmundje e çuditshme, në të cilën mbarë bota pa një ndëshkim të Perëndisë.

Një zjarr i brendshëm e gllabëronte me lehtësi, zorrët e tij dhe mishrat nisën të kalbeshin, sikur të ishte një kufomë e gjallë, nga e cila dilnin krimba të neveritshëm. Kështu u nis për dënimin e përjetshëm, duke shpërndarë terror deri në frymën e fundit, duke torturuar kundërshtarët e tij dhe duke realizuar dënimin e birit të tij, Antipaterit.

* * * * *

– Oshënar Markeli –

Me origjinë nga një familje e pasur e Apamesë së Sirisë, në fillim të shekullit të 5-të, shën Markeli mbeti jetim dhe shkoi në Antioki për të studiuar me këmbëngulje dhe përkushtim shkencat profane. Ai e kuptoi fare mirë kotësinë e tyre dhe, i tërhequr nga premtimi i të mirave qiellore të përshkruara në Shkrimin e Shenjtë, i ndau gjithë të mirat e tij dhe e braktisi atdheun për të shkuar në Efes, që të siguronte jetesën duke ushtruar zanatin e kaligrafit. Ai kishte si shok pune dhe mësues në virtyt një skllav të quajtur Promotos, i cili e jepte lëmoshë pjesën më të madhe të rrogës së tij dhe që, pasi e kishte kaluar ditën në punishten e punës, e merrte me vete për të shkuar të luteshin në manastire dhe kisha, dyert e të cilave hapeshin vetë kur ata u afroheshin.

Kur dëgjoi për famën e shën Aleksandrit, Akimitit, i cili, pas pelegrinazheve në Siri dhe në Mesopotami, ishte vendosur me 30 nxënës të tij pranë kishës së Shën Minait në Konstandinopojë. Aty jetonte sipas mësimeve të heqjes dorë tërësisht nga bota dhe të varfërsisë sipas Ungjillit të shenjtë, duke praktikuar lavdërimin e Perëndisë si ditën, ashtu edhe natën. Për këto arsye, Markeli vendosi të jetonte me këta engjëj tokësorë.

Ideali asketik i Aleksandrit bënte që shumë nxënës murgj të vinin dhe të vendoseshin pranë tij, por kjo nxiste xhelozinë edhe të disa manastireve të tjera më të lidhura me botën. Kështu, shumë shpejt e akuzuan për mesalianizëm dhe iu desh të emigronte me nxënësit e tij në shkretëtirën e Gomonit në Bitini. Markeli u dallua për virtytet e tij dhe mori Skimën murgërore. Duke parandier vdekjen e ardhshme të Aleksandrit, ai iku fshehurazi nga manastiri nga frika se mos e zgjidhnin igumen dhe kaloi disa kohë në udhëtim, duke u bërë vizita murgjve të famshëm, kudo që ndodheshin, për të marrë mësimin e tyre dhe për të imituar virtytin e tyre.

Kur Joani u zgjodh igumen pas vdekjes së Aleksandrit, Markeli u rikthye në manastir dhe tregoi një përulësi të madhe, duke kryer edhe punët më të vështira me gëzim, si një kafshë barre. Por meqë Joani dinte të dallonte tek ai urtësinë dhe përvojën, i la përgjegjësinë shpirtërore për vëllezërit dhe nuk ngurronte t’i kërkonte këshillën për çdo çështje të rëndësishme. Kështu, duke marrë këshillën e Markelit, vëllazëria që tashmë ishte shtuar në numër, u zhvendos në një vend më pak të tërhequr, në Irineon, në bregun e djathtë të Bosforit.

Pas pak Joani ndërroi jetë dhe ishte Markeli ai që e zëvendësoi. Në drejtimin e tij, manastiri i Akimitëve fitoi një reputacion të mbarëbotshëm; aty vinin nga të gjitha anët e perandorisë, nga Perëndimi deri nga Persia dhe Armenia, për të mësuar parimet e jetës engjëllore dhe për të përhapur më pas kudo adhurimin e pandërprerë të Perëndisë. Komuniteti ishte i ndarë në tri grupe gjuhësore: grekë, latinë dhe sirianë, që kryenin me turne adhurimin e pandërprerë të Perëndisë në plotësim të porosisë së Apostullit “Lutuni pa pushim” (1 Thes. 5:17).

Shën Markeli gëzonte një prestigj të madh dhe një autoritet të jashtëzakonshëm shpirtëror në mes të shekullit të 5-të, saqë nuk themeloheshin manastire për burra ose gra, grupime asketësh dhe institucione bamirëse, pa kërkuar më parë bekimin dhe këshillën e tij. Ai i dërgonte kudo nxënësit e tij për të parë punën për këto themelime dhe këta zgjidheshin si drejtuesit e tyre. Kështu, kur patrici Studios vendosi të themelonte në Konstandinopojë, në vitin 463, manastirin që do të bëhej shumë i njohur disa shekuj më pas, ai i bëri thirrje Markelit për ta organizuar dhe për të sjellë aty murgj.

I zgjeruar dhe i pajisur me një kishë të re dhe me ndërtesa të mëdha murgërore të domosdoshme për këtë komunitet murgëror që shtohej pareshtur, manastiri i Akimitëve ishte tashmë metropoli i murgërisë dhe një prej qendrave më të famshme të kulturës. Aty ruhej një bibliotekë e pasur dhe një numër i madh murgjish merrej me kopjimin ose lidhjen e dorëshkrimeve, që qarkullonin më pas në gjithë perandorinë. Shën Markeli fitoi një emër të madh edhe për mbrojtjen e Orthodhoksisë kundër Eftikit dhe heretikëve monofizitë. Ai luajti një rol të rëndësishëm në Sinodin e Kalqedonisë (451) dhe më vonë, për konfirmimin e vendimeve të tij.

Në vitin 470, ai ngriti popullin dhe murgjit e kryeqytetit me bashkëpunimin e patriarkut Genad (17 nëntor) dhe arriti që perandori Leon (457-474) të mos e ngrinte në rangun e cezarit arianistin Patrikios, birin e të fuqishmit Aspar. Por, për më tepër, igumeni i shenjtë shkëlqente përmes mrekullive të tij: ai shëronte me anë të lutjes sëmundjet trupore të murgjve dhe të atyre që kërkonin lutjet e tij, edhe pse mund të ndodheshin larg. Ai u bë përkujdesja e të varfërve dhe shpërndante pa kursim te të gjithë ata që vinin në manastir, dhe po aq Perëndia bënte që rezervat e tyre të shtoheshin pa ndërprerje. E përbuzte pasurinë, madje, kur trashëgoi të gjithë pasurinë familjare pas vdekjes së të vëllait, nuk ruajti asgjë për manastirin e tij, por ua shpërndau të gjithë manastireve të tjera më të varfra dhe ua dha atyre njerëzve që kishin me të vërtetë nevojë.

Për ata që ishin të shtypur nga pushtetarët ose viktima të gjykatësve të padrejtë, ai u ofronte pa frikë azilin dhe mbrojtjen e tij; perandorët vetë e konsideronin si mësuesin e tyre dhe nuk hezitonin që t’i kërkonin këshilla. Për shpirtrat e pikëlluar nën barrën e mëkateve, ai ishte një ndërmjetës i zjarrtë dhe ngushëllimtar plot ëmbëlsi e dhembshuri: nuk e hidhte kurrë poshtë pendimin e atyre që ishin rrëzuar dhe priste me gëzim murgjit që kërkonin të rifuteshin në manastir, pasi e kishin braktisur. Duke u bërë gjithçka për të gjithë, me anë të dashurisë që Perëndia e frymëzonte brenda zemrës së tij, shën Markeli fjeti në paqen e Krishtit, në vitin 484, pas 60 vjet përpjekjesh asketike.

— facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων