03/04/2020 03/04/2020 E premte, 3 prill 2020 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS Omologjet Nikita. Oshënar Josif Himnografi. Dëshmor Elpidofori. Oshënar Iliri. – Omologjet Nikita – Ati ynë oshënar Nikita lindi në Qesari të Bitinisë, afër Prusës. E ëma i vdiq tetë ditë pas lindjes së tij dhe djalin e përkushtuan te...
03 Απριλίου, 2020 - 13:24

Shenjtori i ditës

Διαδώστε:
Shenjtori i ditës

E premte, 3 prill 2020 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS

Omologjet Nikita. Oshënar Josif Himnografi. Dëshmor Elpidofori. Oshënar Iliri.

– Omologjet Nikita –

Ati ynë oshënar Nikita lindi në Qesari të Bitinisë, afër Prusës. E ëma i vdiq tetë ditë pas lindjes së tij dhe djalin e përkushtuan te Perëndia, si të ishte një Samuel i ri. Ai u caktua t’i shërbente Kishës nga i ati, Fillareti, që u bë edhe vetë murg.

Episkopi i qytetit e mori pranë për t’i mësuar Shkrimin e Shenjtë dhe në moshën dymbëdhjetëvjeçare e dorëzoi anagnost. Meditonte me zell mbi librat e shenjtë dhe, i pushtuar nga një zjarr hyjnor kur lexoi fjalët e Zotit, që i nxiste nxënësit të braktisin botën, vendosi të ndiqte shembullin e të atit, duke marrë edhe ai kryqin për t’i shkuar pas Krishtit. Shkoi te një asket i shenjtë i quajtur Stefan, i cili banonte në një shpellë pranë qytetit. Për disa kohë Nikita jetoi pranë tij duke ndjekur një jetë të rreptë asketike. Por eremiti e këshilloi të shkonte në një manastir me jetë të përbashkët, për të përfituar më shumë nga ana shpirtërore. “Atje do të gjesh pikëllimin që sjell gëzimin dhe do të fitosh, me anë të provave të jetës së përbashkët, dallueshmërinë dhe përparimin në ngjitjen drejt Perëndisë”. Adoleshenti shkoi atëherë në Manastirin e Medikit, i themeluar në malin Olimp të Bitinisë nga shën Niqifori (4 maj).

Bindja shembullore, dashuria pa kufi për atin shpirtëror, vetëpërmbajtja dhe durimi i tij e bënë të dashur ndër të gjithë vëllezërit. Pas pesë vjetësh Nikita u dorëzua prift nga patriarku, shën Tarasi (25 shkurt). Kur u kthye në manastir, shën Niqifori, pa u dorëhequr nga vendi i igumenit, i besoi drejtimin e manastirit, në bashkëpunim me një murg tjetër, Athanasin, nga manastiri i Simboleve, të cilin e kishte caktuar kujdestar të përkohshëm. Zelli për virtytin i këtyre njerëzve të shenjtë e bëri Medikin model për të gjitha manastiret e tjera të kohës dhe qiell të vërtetë në tokë, ku nuk dëgjohej kurrë një fjalë e kotë. Shën Nikita ishte për vëllezërit ikonë e gjallë e të gjitha virtyteve; ai i drejtonte ata me rreptësi dhe njëkohësisht me përulësi plot ëmbëlsi. Me anë të hirit të Perëndisë, që banonte brenda tij, ai parathoshte të ardhmen dhe shëronte shumë të sëmurë. Por, pas disa kohësh, u privua nga prania e Athanasit dhe pak më vonë e atit të tij shpirtëror, Niqiforit. Atëherë, nën presionin e murgjve dhe të patriarkut, Niqifori I (2 qershor), u detyrua të pranonte detyrën e igumenit.

Në ato kohë, Leoni V Armeni (815), pasi rinisi persekutimin kundër ikonave të shenjta, thirri në Kostandinopojë igumenët më të njohur. Ai shpresonte se do t’i kishte ata në anën e tij dhe do të fitonte në këtë mënyrë popullin, që kishte mbetur besnik i Orthodhoksisë. Perandori, kur i takoi, përdori vargun e Shkrimit të Shenjtë, që thotë të lutemi në frymë dhe në të vërtetë (Jn. 4:22), për të justifikuar mospranimin e ikonave të shenjta. Por Nikita iu përgjigj me guxim, se ata që veprojnë në këtë mënyrë, mohojnë realitetin e Mishërimit të Zotit tonë Jisu Krisht. Kur pa se argumentet për të nuk kishin vlerë në këtë rast dhe i frikësuar nga reputacioni i igumenit të Medikit, tirani vendosi të përdorte dhunë. Dha urdhër ta burgosnin shenjtorin, ta futnin në një qeli që kundërmonte në mënyrë të padurueshme dhe e la në dorë të fyerjeve dhe abuzimeve të të dërguarve të tij, që shkonin rregullisht për ta marrë në pyetje.

Prania e pohuesve të besimit në kryeqytet paraqiste një kërcënim të madh për realizimin e planeve të tij, ndaj perandori e dërgoi shenjtorin dhe shokët e tij, më këmbë, në fortesën e Masaleas, në Azinë e Vogël. Por sapo mbërritën atje, dha urdhër t’i kthenin përsëri në Konstandinopojë. Perandori u tha pohuesve të besimit, se mjaftonte të kungoheshin vetëm një herë me Theodhotin (815-821), pasuesin e patriarkut shën Niqifor, të cilin e kishin dërguar në internim (Theodhoti thoshte se ai vetë kishte ikona në shtëpi dhe “i nderonte”, por “pa i adhuruar”). Të raskapitur nga burgimi i gjatë dhe të gënjyer nga fjalët hipokrite të perandorit, pohuesit pranuan të kungoheshin me patriarkun uzurpator. Ata e bindën edhe Nikitën që të bënte po të njëjtën gjë (Pashkë 815).

Shumë shpejt pas kësaj ngjarjeje shenjtori, me brejtje të fortë të ndërgjegjes, u arratis drejt Prokonezit (deti Marmara), për të bërë pendim në një vend të tërhequr. Por, duke menduar për ndikimin e kobshëm që kishte pasur te populli veprimi i tyre, kungimi me heretikët, u kthye në Konstandinopojë. Atje doli në një vend të hapur dhe, për shkak të respektit ndaj njerëzve, bëri një tërheqje publike, duke goditur gjoksin dhe fajësuar veten për fajin që kreu.

Menjëherë e arrestuan dhe e internuan në ishullin e Shën Gliqerisë, në kepin Akrita. Atje iu nënshtrua për gjashtë muaj persekutimeve të një farë Anthimi, të cilit i kishin vënë nofkën “Kajafa”, për shkak të sjelljes së tij çnjerëzore me nxënësin e Krishtit. I mbyllur në një burg të errët, duke u ushqyer vetëm me bukë të njomur në ujë të ndenjur, shën Nikita i përballoi mundimet me shumë durim, i vendosur të vuante deri në vdekje, për të shlyer fajin e tij dhe për të ruajtur besimin orthodhoks. Por, ndërkohë që trupi vuante, shpirti i tij ngrihej lirisht në lartësitë e soditjes së Perëndisë. Për më tepër, Perëndia i dha dhuratën e kryerjes së mrekullive për të ndihmuar miqtë e tij në rrezik.

Pas vdekjes së Leonit V (820), Nikita u lirua, por nuk u kthye në manastirin e Medikit. E gjykoi veten të padenjë për të rimarrë drejtimin e vëllezërve pas rënies që pati dhe vendosi ta ofronte jetën e tij, nëse nuk ishte e mundur me anë të martirizimit të gjakut, të paktën me atë të ndërgjegjes. Për këtë arsye shkonte sa nga njëri vend në tjetrin në ishujt aty pranë Konstandinopojës, duke jetuar vetëm me Perëndinë dhe ofronte ndihmë duke u lutur për të ngushëlluar të sëmurët dhe të pikëlluarit.

Në fund u vendos në një pronë të vogël në Bririn e Artë, përballë Konstandinopojës, ku bëri një jetë më shumë engjëllore sesa njerëzore. Pas disa muajsh, i dërrmuar nga vuajtjet e burgimit dhe të jetës së tij të ashpër asketike, u sëmur rëndë dhe ia dorëzoi shpirtin Perëndisë, më 3 prill 824. Një numër i madh murgjish dhe pohuesish të Orthodhoksisë morën pjesë në funeralin e tij, midis të tjerëve edhe shën Josifi i Selanikut (14 qershor). Ata e shoqëruan trupin me litani deri në manastirin e Medikit, ku u vendos pranë shën Niqiforit.

 

 

facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων