18/08/2019 18/08/2019 Ndonëse të krishterët e hershëm nuk kishin një kopje të plotë të Biblës, ata kanë lulëzuar për shumë shekuj dhe kanë mbjellë shumë kisha. Si ka ndodhur diçka e tillë?   Imagjinoni që je predikues. Perëndia të ka thirrur që të jesh një predikues dhe ka vënë shumë njerëz nën kujdesin tuaj. Puna jote është...
18 Αυγούστου, 2019 - 10:55

Të predikosh pa një Bibël – Si ka lulëzuar Kisha për shekuj të tërë pa një Bibël

Διαδώστε:
Të predikosh pa një Bibël – Si ka lulëzuar Kisha për shekuj të tërë pa një Bibël

Ndonëse të krishterët e hershëm nuk kishin një kopje të plotë të Biblës, ata kanë lulëzuar për shumë shekuj dhe kanë mbjellë shumë kisha. Si ka ndodhur diçka e tillë?

 

Imagjinoni që je predikues. Perëndia të ka thirrur që të jesh një predikues dhe ka vënë shumë njerëz nën kujdesin tuaj. Puna jote është që t’u mësoni atyre se kush është Perëndia, çfarë ka bërë dhe çfarë kërkon Perëndia. Ke vetëm një javë për të përgatitur një predikim të mirë, të denjë për t’ia paraqitur të krishterëve. E kështu i përvishesh punës dhe përgatit predikimin me zell.

Por ka vetëm një pengesë – nuk të lejohet të përdorësh një Bibël! Madje nuk të lejohet të shohësh ndonjë libër që citon nga Bibla. Dhe nuk ke mësuar përmendësh asnjë varg nga Bibla.

Po çfarë duhet të bësh? Si do t’i predikosh njerëzve për Perëndisë nëse nuk mund të përdorësh as dhe një Bibël? A është diçka e tillë e mundur?

Në fakt, Bibla na tregon për një njeri që e kreu besnikërisht këtë detyrë në shumë raste. Ai quhej Noueu. Te 2 Petro 2:5, ai quhet “predikues i drejtësisë”. Para përmbytjes, ai u predikonte njerëzve rreth drejtësisë së Perëndisë. Megjithatë Noueu ka jetuar shumë shekuj para se Moisiu të përpilonte Pentateukun. Sipas Biblës, Noueu predikoi predikime të mira pa përdorur Biblën.

Kjo ishte gjendja normale për mijëra vite. Populli i Perëndisë nuk e kishte Biblën, e megjithatë predikonin besnikërisht. Enoku jetoi shumë kohë përpara Noueut dhe Shkrimi na tregon se ai i mësonte njerëzit për ardhjen e dytë të Jisuit. Enoshi jetoi edhe para Enokut dhe Shkrimi na tregon se njerëzit i thërrisnin emrit të Zotit në kohën e tij. Por si mund të ndodhte kjo nëse askush nuk kishte një kopje të Biblës?

Pa Bibël, nuk mund të ketë studime Biblike, predikime interpretuese nga Shkrimet, as komentarë të Biblës  . . . . Pra si mësoi populli i Perëndisë që të predikonte, lutej, këndonte ose të adhuronte? Pa një Bibël, si mund të ishte e mundur?

Por ne mund të themi: “Kjo ka ndodhur në kohën e Dhiatës së Vjetër”. Perëndia vepronte në mënyrë të mistershme në atë kohë dhe lejonte gjithfarë gjërash që na duken të huaja, si monarkia, poligamia, flijimet e cjepve dhe . . . dhe me mundim e them  . . . rrethprerja!  Perëndia bëri gjithashtu shumë gjëra që na duken të çuditshme. Nëse fëmijët do të silleshin me rebelim, Perëndia kërkonte që të vriteshin me gurë. Nëse bija e një prifti ishte imoral, Perëndia kërkonte që të digjej. Perëndia i tha Isaias që të ecte lakuriq, Ezekielit të gatuante ushqimet mbi bajgë dhe Oseas që të martohej me një prostitutë.    Perëndia e ktheu një bari djalosh në një mbret të madh. Perëndia e mori një mbret të madh dhe e bëri të hajë bar për shtatë vjet si të ishte një dele. Perëndia bëri gjëra shumë të çuditshme gjatë kohës së Dhiatës së Vjetër. Ndoshta ky “predikim pa Bibël” është një nga ato gjërat e çuditshme që mund ta hedhim në detin e harresës. Perëndia me siguri nuk sillet në mënyrë kaq të çuditshme, apo jo?

Le të kalojmë me të shpejtë një mijë vjet. Enoku, Noueu, Abrahami, Moisiu dhe Davidi kanë kaluar dhe kanë nisur ditët e lavdishme të Kishës. Jezusi vdiq, u ringjall dhe është ngjitur në qiell. Erdhi Pentekostia dhe Shpirti i Shenjtë e ka mbushur mrekullisht popullin e Tij. Tani që ne jetojmë në Kishën e Dhiatës së Re Perëndia nuk do priste besoj që dikush të predikonte pa një Dhiatë të Re në dorë, apo jo? A mund të imagjinoni të predikosh për vite të tëra pa përdorur Dhiatën e Re?

Por faktikisht Kisha e hershme lulëzoi për dekada pa asnjë Dhiatë të Re! Për shumë vite, apostujt udhëtuan në mbarë botën, duke predikuar Ungjillin, duke pagëzuar të sapokthyerit me shtëpitë e tyre, duke predikuar Ungjillin, duke dorëzuar priftërinj dhe duke mbjellë kisha. Këtë e bënin pa pasur as dhe një libër të Dhiatës së Re. Për vite, apostujt u morën me shkrimin e librave të Shkrimit, që nuk ishte përparësi për ta, sepse ishte më e rëndësishme që të predikonin Ungjillin dhe të mbillnin kisha. Për shumë vite, Shpirti i shenjtë e pa të udhës që ishte mirë që të gjitha kishat të predikonin e mësonin në bazë të mësimeve gojore që kishin mësuar nga apostujt dhe asgjë më shumë. Kaluan shumë vite, u mbollën shumë kisha dhe me mijëra të kthyer u fituan, para se më në fund apostujt të gjenin kohën për t’u ulur dhe për të përpiluar librat që ne i kemi mbledhur së bashku në përmbledhjen që e quajmë “Dhiata e Re”. Tani është një libër mjaft i çmuar për ne, por Kisha e hershme ka lulëzuar për dekada të tëra pa atë.

Në rregull. Kishte predikues në Dhiatën e Vjetër, që nuk kishin asnjë Bibël. Por Perëndia ka bërë shumë gjëra të çuditshme në Dhiatën e Vjetër.  Na duhet vërtet të pranojmë se Kisha e hershme u rrit dhe lulëzoi për shumë vite para se të shkruhej Dhiata e Re. Por së paku apostujt ishin gjallë në atë kohë!  Ne mund të sugjerojmë që Kisha e hershme ishte e mangët për sa i përket Shkrimit, por fakt mangësia e saj konpensohej më së miri nga fakti që apostujt jetonin ende. Në fund të fundit, në vend që të bësh për orë të tëra një studim të vështirë në Shkrimin, thjesht mendoni sesa e lehtë do të ishte të shkosh te apostujt dhe t’u bësh pyetje të vështira si “Pjetër, a duhet të pagëzojmë foshnjat? “Pavël, sa shpesh duhet të shërbehet kungimi?” “Jakov, a mund të ketë kisha një priftëreshë, apo nuk e pëlqen?” “Joan, më pëlqen libri i ‘Zbulesës’ që ke shkruar, por më duket i çuditshëm. Prandaj më fol troç …. Ҫfarë duhet të besoj për kohët e fundit? A duhet të jem premilenianist, amilenialist apo postmilenialist?”

Sa mirë do të ishte t’u bëje pyetje të tilla nga afër apostujve! Dhe mund të ketë qenë edhe më e lehtë se kaq. Pa i bërë ndonjë pyetje apostujve, mund t’i ndiqje nga afër për të parë nëse do të pagëzonin apo jo foshnja. Mund të vizitojë disa prej kishave të tyre dhe të shikoje vetë nëse dorëzonin apo jo gra si priftërinj. Nëse kishe pyetje për shpeshtësinë e kungimit, të duhej thjesht t’i shikoje. Nëse do të ishe kureshtar se ç’lloj muzike ishte e përshtatshme në kishë, mund ta dëgjoje vetë. Po të doje të shikoje sesa mund të zgjashte predikimi, mund të merrje me vete drekën apo darkën, ndërsa e dëgjoje nga afër Pavlin të predikonte deri në mesnatë.

Apostujt e gjallë ishin një dhuratë e madhe për Kishën. Prania e tyre në dekadat e para të historisë së Kishës shpjegon pse nuk nevojitej Dhiata e Re, Ne e kuptojmë pse Perëndia vepronte në mënyrë të çuditshme në Dhiatën e Vjetër dhe ndoshta ka vepruar në mënyrë të çuditshme në vitet e para të Dhiatës së Re. Sa larg në të ardhmen na duhet të shkojmë që të shohim diçka që i ngjan sado pak gjendjes që na duket aq normale sot dhe sa larg duhet të ecim përpara në të ardhmen para se të ndalojmë e të qëndrojmë në zonën tonë të rehatisë?

Sigurisht që pasi u shkrua libri i fundit i Dhiatës së Re dhe apostulli i fundit vdiq, Kisha më në fund kaloi në atë pozicionin “normal” që ne shohim sot, apo jo? Historianët na tregojnë se apostulli Joan ishte apostulli u fundit që vdiq dhe se ai vdiq aty nga fundi i shekullit të parë. Nga fillimi i vitit 100 m.K, Perëndia e kishte bekuar Kishën e Tij me Dhiatën e Re të plotë, e mund të shkruanin komentarë, të fillonin studime biblike, të shpërndanin kopje të Dhiatës së Re, ta interpretonin dhe të predikonin prej saj. A është e vërtetë?

Jo. Aspak.

Kishës së hershme iu deshën rreth 300 vjet që të pranonte e autorizonte plotësisht se cilat libra i përkisnin Dhiatës së Re. Për dy brezat e para pas vdekjes së apostullit, Kisha nuk ishte në një mendje akoma mbi kanonicitetin e librave të Veprave, Hebrenjve, Jakobit, 1 e 2 Petros, 1,2,3 Joanit, Judës dhe Zbulesës. Pra për 10 prej 27 librave!  Gjithashtu, një sërë kishash besonin se libri i 1 Clementit bënte pjesë në Shkrimin, se Didake dhe Bariu i Hermesit ishte gjithashtu pjesë e Shkrimit. Pastaj, për shekujt pasues, Kisha i studioi, u lut dhe diskutoi për këto libra dhe nga fundi i shekullit të 4, Kisha më në fund u pajtua se cili duhet të ishte kanoni i Dhiatës së Re që e njohim sot.Me fjalë të tjera, Kisha e hershme u rrit, lulëzoi dhe predikoi për 300 vjet, para se dikush, në çdo vend të mund të kishte një kopje të plotë të “Dhiatës së Re”, ashtu siç e njohim ne sot. Për shumë breza, miliona të krishterë besnikë kanë jetuar e vdekur pa dëgjuar kurrë për diçka të tillë. Aso kohe, dhomat e moteleve nuk kishin kopje të Biblës së Gideonit, me Dhiatën e Re, Psalmet dhe Fjalët e Urta. Nëse Kisha ishte një pulë, dhe Dhiata e Re një vezë, nuk do të duhej një shkencëtar që të zbulonte se cila ishte e para.

Por si mbijetoi Kisha?  Si i udhëhiqnin burrat e krishterë familjet e tyre? Si i kryenin predikuesit detyrat e tyre? Si predikuan ata për tre shekuj, pa pasur akses ndaj një Dhiate të Re të plotë?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje do të jetë më e qartë po të fokusohemi për një çast në disa gjëra që Jezusi nuk i bëri kurrë:

  1. Shikoni në tërë Dhiatën e Re, dhe nuk do gjeni Jezusin të ketë shkruar ndonjë libër.
  2. Kërkoni kudo në Dhiatën e Re dhe nuk do të gjeni kurrë Jezusin të urdhërojë dishepujt e tij të shkruajnë ndonjë libër.
  3. Kërkoni në tërë Dhiatën e Re dhe nuk do të gjeni Jezusin që të parashikonte se një libër i tillë si “Dhiata e Re” do të vinte në ekzistencë një ditë.

Në fakt Dhiata e Re, nëse është e heshtur për ndonjë doktrinë, është e heshtur në lidhje me formimin përfundimtar të vetë Dhiatës së Re!

Në Porosinë e Madhe, Jezusi nuk u tha apostujve që të çonin kopje të Dhiatës së Re në të gjitha skajet e tokës, sepse në atë kohë, asnjë libër i saj nuk ishte shkruar ende. Ai nuk i urdhëroi apostujt e tij që të merrnin një pushim, një sabatik që të shkruanin Dhiatën e Re. Në fakt Ai nuk u tha që të shkruanin asgjë. Por u dha këtë urdhërim të mëposhtëm:

 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen”.” (Mt. 28:19-20)

Në këtë Porosi të Madhe, Jezusi e përdor fjalën “mësoj” dy herë dhe fjalën “pagëzoj”, por fjala “shkruaj” nuk përmendet kurrë. Pas 20 vitesh, disa prej apostujve shkruajtën disa libra për të plotësuar mësimet e tyre. Por nga fillimi deri në fund, mësimi i tyre është zbatuar në formë gojore dhe liturgjike, duke përdorur si pamjen ashtu edhe zërin. Në vend që të predikonin nga një letër e Dhiatës së Re, ata thjesht predikonin gjërat që kishin mësuar nga Krishti. Në vend që të shkruanin mësime të detajuara për pagëzimin, ata thjesht pagëzonin njerëz. Në vend që të kompozonin liturgji të shkruara për Darkën e Zotit, ata thjesht bekonin bukën e verën dhe ua japin të krishterëve gjatë shërbesës së adhurimit. Në vend të zhvillimit të kurrikulumit për kishë-mbjellësit, ata thjesht mbillnin kisha. Në vend që të shkruanin artikuj për mësimdhënien, ata mësonin. Në vend që të shkruanin libra për predikimin, ata predikonin. Apostujt ecnin në gjurmët e Krishtit dhe të krishterët besnikë i ndiqnin. Apostujt e jetonin jetën e krishterë dhe të krishterët besnikë i imitonin. Kjo është fuqia e Kishës së hershme, që nuk mund të përfshihej në libra. Atëherë, ashtu si sot, veprimet krijonin mbresa më të mëdha sesa fjalët.

Prandaj, kishës në Selanik, apostulli Pavël i shkruan: “Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe mbani porositë që mësuat, me anë të fjalës ose me anë të letrës sonë” (2 Thes. 2:15). Pavli thotë se nuk ka rëndësi nëse një i krishterë ka mësuar diçka prej tij gojarisht, ose nëpërmjet shkrimeve të tij. Sidoqoftë, doktrina e Pavlit duhet të ndiqej, sepse vetë Pavli ishte një apostull i Krishtit. Nëse Pavli mbillte një kishë, atëherë kjo kishë e dinte sesi të kremtonte Eukaristinë, sepse e kishin parë Pavlin ta bënte atë, edhe nëse nuk kishin një kopje të 1 Korintianëve. Ata dinin si të luteshin, si të predikonin dhe si t’i prezantonin njerëzve Krishtin, edhe nëse nuk kishin një kopje të Romakëve. Dhe ata i kuptonin kërkesat e priftërinjve, edhe nëse ata nuk zotëronin kopje të letrave pastorale. Shumë kohë para se të kishin kopje të Dhiatës së Re, ata besnikërisht i përcillnin mësimet e Pavlit, çdo vit dhe nga brezi në brez.

Apostulli Pavël dorëzoi shumë burra për shërbesë. Një nga dishepujt më të famshëm të Pavlit ishte një episkop me emrin Timothe. Nga fundi i jetës së tij, Pavli dëshironte të sigurohej që Kisha do të vazhdonte të ishte e fuqishme pas vdekjes së tij dhe që Ungjilli  të vazhdonte të predikohej pastër, prandaj i dha Timotheut udhëzime në lidje me metodën përmes së cilës do të propagandohej mësimi apostolik në Kishë, në të gjitha kohërat: “dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë” (2 Tim. 2:2)

Tani është e rëndësishme që të mos fokusohemi te Timoteu. Me të drejtë do të vinim re pozitën e tij të privilegjuar , meqë ai ishte I bekuar që të kishte korrespondencë personale me vetë apostullin! Asnjëri prej nesh sot nuk mund të shpallë sinqerisht se ka marrë një shënim personal nga Pavli, prandaj le të mendojmë përtej Timotheut për një çast. Le të mendojmë për predikuesit e tjerë të paemër që janë përmendur në këtë pasazh.

Së pari, vini re se Pali i thotë Timotheut që t’ua “besojë” mësimet e Pavlit “burrave besnikë”. Me fjalë të tjera, Pali i thotë Timotheut për t’u mësuar Të Vërtetën burrave të tjerë që do të bëhen më vonë shërbyes të Ungjillit. Pali i thotë Timotheut që të trainojë burrat të bëhen episkopë dhe presbiterë (priftërinj). Tani, ne nuk na thuhen emrat e të gjithë këtyre burrave. Por për volinë tonë, le të hamendësojmë se pas vdekjes së Pavlit, Timotheu mori një emër studenti ““David”.   Timotheu e mëson atë besnikërisht dhe së fundi e dorëzon klerik Davidin, i cili do të drejtojë besnikërisht një kishë.

Por çfarë do të thoshte për kredencialet e tij po ta pyesje atë? Ai nuk kishte asnjë kopje të Dhiatës së Re, sepse një kopje e plotë e saj nuk do të ekzistonte dhe për 200 vite të tjera. Ai nuk kishte diplomë seminari, sepse nuk ishin krijuar ende seminaret. Prandaj e pyet nëse ishte mësuar drejtpërdrejt nga një apostull. Por mjerisht, përgjigjja e tij është “jo”. Si unë e ti, Davidi nuk kishte takuar personalisht asnjë prej apostujve. Por ja çfarë thotë Davidi: “E kam mësuar besimin nga një njeri që e ka mësuar besimin nga një apostulli cili e kishte mësuar besimin nga Krishti”. Dhe meqë 2 Tim. 2:2 sugjeron që këto lloj kredencialesh janë të pranueshme, ne do të bënim mirë që të biem dakord që dorëzimi i Davidit është i vlefshëm. Ai zë një vend të drejtë të autoritetit brenda shërbesës së Kishës, sepse dorëzimi ka qenë në përputhje me doktrinën apostolike dhe praktikën apostolike. Po ashtu, shumë prej kolegëve të tij pajtohen se Davidi është një bari i mirë që mëson doktrinën apostolike. Prandaj nuk kemi asnjë arsye të ligjshme që të vëmë në diskutim zotërimin e doktrinës prej tij. Ndonëse Dhiata e Re është me shekuj larg nga të pranuarit e plotë të Kishës universale, Davidi është ende dikush që mund të besohet të predikojë besnikërisht Ungjillin, për çdo javë, çdo të diel në mëngjes. Bashkësia e tij është në duar të mira.

Davidi nuk ishte një apostull, e as nuk është mësuar nga një apostull. Dhe nuk kishte një kopje të plotë të Dhiatës së Re. Megjithatë ai shpenzoi disa dekada të jetës së tij si një predikues i perëndishëm, që i mësonte besnikërisht bashkësisë së tij doktrinat e besimit të krishterë. Në fakt kjo është interesante. Por ne ende nuk i kemi gërmuar ende thellësitë e  2 Timothy 2:2.  Por ka edhe një grup tjetër njerëzish që përmenden në këtë varg.

Pavli jo vetëm urdhëron Timotheun që t’u mësonte të tjerëve atë që kishte mësuar nga Pavli. Ai urdhëron gjithashtu Timotheun që t’i mësojë njerëz të tillë si Davidi aq mirë saqë “të jenë në gjendje të mësojnë të tjerë”. Me fjalë të tjera, mësimdhënia nuk ndalon pas një brezi. Timotheu duhet të mësonte Davidin që të ishte një mësues. Dhe pastaj Davidi duhet të përsëriste të njëjtin proces. Ashtu si Pavli ishte një dishepull i Jezusit, Timotheu ishte dishepull i Pavlit dhe Davidi duhet të përgatiste një brez të ri shërbëtorëve të Fjalës që mund të vazhdojnë të predikojnë besnikërisht Ungjillin pasi Davidi të kishte shkuar në parajsë.

Ta zëmë se Davidi përgatit një burrë me emrin Jese. Ta zëmë se Jeseu bëhet udhëheqësi i dashur i një bashkësie begatuese, dhe e perëndishme, diku nga fundi i shekullit të dytë. Cilat janë kredencialet e Jeseut? A mësoi ai drejtpërdrejt nga Jezusi? Jo. A kishte mësuar ai nga një apostull? Jo. A mësoi nga dikush që kishte mësuar nga një apostull? Jo. Ai duhet të shikojë pas tre breza për të arritur te një apostull. Jeseu kishte mësuar nga dikush që kishte mësuar vetë nga një apostull. Megjithatë sipas 2 Tim. 2:2, nuk ka arsye që të vihet në diskutim as autoriteti e as doktrina e tij. Kisha e pranon Jeseun si një predikues besnik, më shumë se 200 vjet para se Kisha të pranonte plotësisht Dhiatën e Re.

Por mjerisht, djalli nuk kënaqet me pak. Që nga fillimi, Kisha u sulmua nga brenda dhe nga jashtë prej heretikëve që mësonin doktrina të rreme, mesi të rreme dhe ungjij të rremë. Në mes të heretikëve në Kishën e hershme ishin grupe famëkeq si Gnostikët, Donatistët, Sabelianët, Patripasianët, Arianët dhe shumë të tjerë. Ata mohonin çdo gjë nga mirësia e materies deri te hyjnia e Krishtit. Të gjithë shpallnin se ishin pjesëtarë Të vërtetë të Kishës së Krishtit dhe të gjithë kishin sajuar marifete për të mashtruar me mijëra njerëz. Shumë prej këtyre grupeve madje përdornin citime nga Shkrimi në mbështetje të herezive të tyre. Ҫfarë duhet të bënte Kisha, për t’u mbrojtur nga ky sulm?

Ashtu siç kishin urdhëruar apostujt, udhëheqësit e perëndishëm të Kishës vazhduan të predikonin mësimet e pastra apostolike që kishin marrë. Ata u takuan me njëri-tjetrin dhe formuluan deklarata doktrinore të tilla si Besoren Apostolike, që artikulonin qartë mësimet e apostujve në një mënyrë të tillë që heretikët të çrrënjoseshin.

Në vitin 325, në Sinodin e parë të Nikeas, një pjesë e madhe e Kishës u mblodh në një vend të caktuar, që të çrrënjoste herezinë e Ariosit. Arianët e mohonin hyjninë e Krishtit dhe shpallnin se pjesë të ndryshme të Shkrimit i mbështesnin pikëpamjet e tyre. Kisha e vërtetë e dinte se ata ishin të gabuar, por nuk ishin në gjendje që të paraqisnin as dhe një tekst të vetëm të Shkrimit me të cilin Arianët nuk do të ishin dakord. Këta të krishterë të vërtetë e ndienin nevojën e artikulimit të Besimit në një mënyrë aq të qartë që Arianët nuk do ta kishin të mundur që të pajtoheshin. Prandaj në 325, përpiluan variantin origjinal të Besores Nikease, një pohim besimi që ende nderohet në krishterimin në mbarë botën.

Pas 51 vitesh, në 376, Athanasi shkroi një letër që përfshinte një listë të 27 librave të kanonit të DHR. Menjëherë, Kisha mbarëbotërore ra dakord që kanoni i DHR ishte zyrtarizuar plotësisht. Hebrenjve ishte pjesë e Shkrimit, ndërsa 1 Klementit jo. Ndërsa Zbulesa ishte pjesë, Bariu i Hermesit nuk ishte pjesë e Shkrimit. Më vonë në shekullin e katërt, Kisha më së fundi e mori plotësisht dhuratën e Perëndisë së Dhiatës së Re.

Disa vite pasi Athanasi shkroi letrën e tij, në 381, Besorja e Nikeas u vendos më së fundi në formën e saj moderne në Sinodin e I- rë të Kostandinopojës. Dhe në vitet 393 e 397, sinodet rajonale të Hipos dhe Kartagjenës  i vunë vulat e miratimit po atij kanoni të DHR që ishte shpallur nga Athanasi.

Është e veçantë të konsiderosh që versioni origjinal i Besores Nikease është shkruar nga Kisha më shumë se gjysmë shekulli para pranimit të plotë të kanonit të DHR prej Kishës. Beteja ndaj doktrinës së Trinisë, vetë thelbi i Besimit tonë u luftua trimërisht për shumë vite para se Kisha ta dinte se cilët libra bënin pjesë në Biblën e saj. Pra, mund të themi në një kuptim real se Besoret i paraprinin Shkrimet. Para se çdo i krishterë duhet të besonte në të 27 librat e DHR, ai duhet të besonte fuqimisht në Besoren Nikease. Ky ishte testi vendimtar i besimit apostolik.

Imagjinoni që keni jetuar në vitin 330 p.K. Cilën kishë do të frekuentoni? Cilën doktrinë do të besoni? Ҫfarë pret vetë Perëndia që ju të bëni? Në përputhje me Hebrews 13:17, Perëndia do t’ju udhëzojë që “Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari”.  Në përputhje me Efesianëve 4:11, Perëndia do t’ju bënte të ditur se i ka dhënë autoritet barinjve e mësuesve, që sugjeron gjithashtu idenë se Ai na ka dhënë një përgjegjësi ne të tjerëve që t’i dëgjojmë ata. Nëse Perëndia donte që ata të ishin mësues, atëherë Ai do që ne të jemi nxënës. Në përputhje me 2 Timoteu 2:2, ne duhet të kërkojmë ata barinj e mësues që mund ta ndjekin shugurimin e tyre deri te vetë apostujt. Dhe në nënshtrim të plotë ndaj këtyre burrave të perëndishëm të mbushur me Shpirtin, ne duhet të ndjekim mësimet e tyre dhe si rrjedhim duhet t’u nënshtrojmë pohimeve doktrinore të pranuara gjerësisht, si  Besoren Nikease.

Më herët në referencë ndaj 2 Tim. 2:2, ne folëm për predikuesin hipotetik të quajtur “David” dhe “Jese” dhe dëgjojmë apostullin Pavël që na thotë t’i dëgjojmë, ndonëse ata vetë nuk ishin apostuj.  Perëndia na urdhëron që të dëgjojmë Jeseun sepse ai ka mësuar nga Davidi. Perëndia na urdhëron që të mësojmë nga Davidi sepse ai ka mësuar nga Timotheu. Perëndia na urdhëron që të dëgjojmë Timotheun sepse ai ka mësuar prej Pavlit. Dhe Perëndia na urdhërin që të dëgjojmë Pavlin, sepse ai ka mësuar prej Jezusit.

Por nuk është e nevojshme që ne të konsiderojmë njerëz të tillë hipotetikë si Davidi dhe Jeseu. Ka njerëz të tjerë, të vërtetë që na imponojnë respektin. Sot, ne ende kemi një libër të shkruar nga Klementi, që ishte dorëzuar nga vetë apostulli Petro. Sot, ne ende kemi një libër të shkruar nga Klementi, që u dorëzua nga vetë apostulli Petro. Kemi gjithashtu dhe shkrime të shumta të Ignatit, që ishte dorëzuar nga Petro. Ne mund të lexojmë për martirizimin e Polikarpit, një burrë që ishte nxënës i apostullit Joan. Dhe mund të lexojmë shkrimet e Ireneut, që e njihte nga afër Polikarpin. Këta janë ata që përmenden në vetë Shkrimin, si te 2 Timotetheu 2:2, të cilët mësuan nga apostujt që kishin mësuar nga nxënësit e apostujve. Këta janë Etërit e hershëm të Kishës, ata të cilët na udhëzon Perëndia që t’u bindemi. Nëse nuk i dëgjojmë ata, atëherë e cenojmë frymën e 2 Tim.  2:2, Hebrenjve 13:7, Efes. 4:11, dhe një morie shkrimesh të tjera. Me fjalë të tjera, vetë Bibka mëson që të dëgjojmë zërat e Etërve të Kishës së Hershme.

Për mijëra vite përpara se të ishte shkruar DHV, Perëndia i fuqizoi ende njerëzit që të isin predikues dhe për qindra vjet para se të pranohej plotësisht DHR, Perëndia ende i fuqizoi njerëzit që të predikonin Ungjillin. Në fakt, shumica e trashëgimisë sonë themelohet në “Predikues pa Bibla”.

Por ç’do të thotë kjo për ne sot? A duhet t’i flakim Biblat tona, që të mbledhin pluhur? Mos e dhëntë Perëndia!  Ҫdo prift duhet të jetë një nxënës i përkushtuar i Biblës dhe çdo predikim duhet të mbushet me Shkrime. Udhëtimi ynë përmes historisë nuk duhet ta dobësojë pikëpamjen tonë ndaj Shkrimit, por duhet ta forcojë atë. Bibla nuk zbriti nga qielli, shkruar në pjata të arta. Por Shpirti i Shenjtë i shkroi fjalët e Perëndisë në zemrat e njerëzve në Kishë dhe pikërisht nga këta njerëz e kemi marrë Besimin tonë të krishterë. Pse e nderojmë aq shumë Biblën? Për të njëjtën arsye që i nderojmë edhe etërit e hershëm të Kishës….e nderojmë sepse përmban mësime të apostujve dhe të nxënësve të apostujve.  Etërit e Kishës së Hershme nuk janë në konkurrim me Biblën, por janë mësuesit apostolikë përmes të cilëve Perëndia na ka dhënë Biblën.

Ky predikim është predikuar në verën e 2009, në Christ the King Church në Omaha, Illinois, nga Joseph M. Gleason.

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων