16/06/2023 16/06/2023 E premte, 16 qershor 2023 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E APOSTUJVE Tihoni, episkop i Amathundës. Dëshmoret Neonila, Gresina. Aureliani i Arles. Dëshmorët Tigni, Eftropi etj. Oshënar Tihoni në Kaluga. – TIHONI, EPISKOP I AMATHUNDËS – Ati ynë i shenjtë Tihoni ishte bir i një familjeje thjeshtë të Amathundës, qytet në pjesën jugore...
16 Ιουνίου, 2023 - 16:03

Tihoni, episkop i Amathundës. Dëshmoret Neonila, Gresina. Aureliani i Arles. Dëshmorët Tigni, Eftropi etj. Oshënar Tihoni në Kaluga.

Διαδώστε:
Tihoni, episkop i Amathundës. Dëshmoret Neonila, Gresina. Aureliani i Arles. Dëshmorët Tigni, Eftropi etj. Oshënar Tihoni në Kaluga.

E premte, 16 qershor 2023 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E APOSTUJVE
Tihoni, episkop i Amathundës. Dëshmoret Neonila, Gresina. Aureliani i Arles. Dëshmorët Tigni, Eftropi etj. Oshënar Tihoni në Kaluga.

– TIHONI, EPISKOP I AMATHUNDËS –

Ati ynë i shenjtë Tihoni ishte bir i një familjeje thjeshtë të Amathundës, qytet në pjesën jugore të Qipros. Iu përkushtua Përëndisë që fëmijë, u rrit me shpresëtari dhe u bë lexues në kishë (anagnost). I ati, që ishte bukëpjekës, e çoi një ditë të shiste bukë në qytet. Por Tihoni ua shpërndau të varfërve, duke zbatuar mësimet e Ungjillit. Kur i ati e mori vesh, u inatos shumë, por i biri iu përgjigj se nuk kishte bërë asgjë të gabuar, sepse do të merrnin njëqindfish më shumë si shpërblim sipas fjalës së Zotit. Në të vërtetë, kur u kthyen në shtëpi i gjetën depot e grurit plot.
Pas vdekjes së të atit, gjithë të ardhurat ua dhuroi njerëzve të tjerë dhe hoqi dorë nga shqetësimet e botës, për të marrë përsipër barrën e ëmbël dhe të lehtë të Krishtit. Takoi episkopin vendas, Mnimonion, i cili e hirotonisi dhjak, duke vlerësuar cilësitë e tij dhe e ngarkoi me administrimin e të mirave të kishës dhe mësimin e popullit.
Tihoni i hodhi poshtë tërë argumentet e rreme të judenjve dhe të paganëve me anë të fjalëve të tij të zjarrta dhe i solli episkopit shumë prej tyre që t’i pagëzonte. Kur Mnimonio ndërroi jetë, shën Tihoni u bë episkop i Amathundës, pasi u hirotonis nga shën Epifani (shih 12 maj). Shkëlqeu në shandanin e Kishës, fitoi një numër të madh njerëzish me argumente të palëkundshme dhe të tjerë me anë të mrekullive të shkëlqyera. Dëbonte demonët, shëronte sëmundjet e trupit dhe shpirtit, duke bërë të pamundurën të mundshme me anë të hirit të Perëndisë që vepronte tek ai.
Kur disa idhujtarë u treguan kokëfortë në adhurimin e idhujve, episkopi i shenjtë hyri në tempullin e tyre dhe i rrëzoi poshtë statujat. Ai e dëboi me kamxhik priftëreshën e Artemisës, Anthusën, e cila e kishte mbuluar me sharje. Por më pas, ajo e kuptoi fuqinë e Perëndisë, që ndodhej brenda shpirtit të shenjtorit dhe pohoi Krishtin e u pagëzua me emrin Evanthi.
Një ditë, në një konkurs vallesh dhe sjelljesh të turpshme, paganët bënë një procesion me statujën e një perëndeshe të Qipros. Por, kur kaluan pranë kishës, shën Tihoni doli, theu statujën dhe hodhi poshtë bestytnitë e tyre, duke bërë që të gjithë të ktheheshin dhe të kërkonin të pagëzoheshin. Një herë tjetër, episkopi i shenjtë u akuzua nga dy paganë, Kalikio dhe Kleopatra, dhe u detyrua të paraqitej te guvernatori i ishullit. Iu përgjigj magjistratit se ishte shërbëtor i Perëndisë, që është miku i njerëzve dhe që ka dhembshuri për ata që janë në errësirën e gabimit dhe dëshiron që ata të kthehen e të njohin të vetmin Perëndi të vërtetë. Ai thoshte se i konsideronte paganët si të sëmurë dhe se misioni që i kishte ngarkuar Perëndia ishte shërimi i tyre. Për këtë ishte i gatshëm të duronte fyerjet dhe poshtërimet e çdo lloji, si një imitim i dobët i pësimeve që duroi Zoti për shpëtimin tonë. I habitur nga qetësia dhe paqja e shenjtorit, gjykatësi e liroi dhe kjo ngjarje shkaktoi shumë kthime mes të pranishmëve.
Shën Tihoni kishte edhe një vresht, për të cilin kujdesej vazhdimisht. Një ditë, pak kohë para se të ikte nga kjo jetë, kaloi andej për të parë punën e vreshtarëve në kohën e krasitjeve. Mori një degë të thatë, ia paraqiti Krishtit dhe i kërkoi që ai bisk të merrte jetë dhe të jepte fryte të ëmbla e të shumta para kohe. Pastaj e mbolli në tokë, duke i siguruar të pranishmit që kjo mrekulli do të vazhdonte të kryhej për shumë shekuj, si shenjë e pranisë së padukshme të bariut të tyre dhe të lutjeve të tij. Çdo vit, gjatë vigjiljes së fjetjes së tij, që kremtohet më 16 qershor, veshulët e rrushit që ishin ende jeshilë, siç është e natyrshme gjatë kësaj stine, piqeshin papritur gjatë agripnisë dhe bëheshin me ngjyrë të errët e plot lëng, në çastin e Liturgjisë Hyjnore, për t’u përzier me Theroren e shenjtë. Besimtarët i merrnin kokrrat e rrushit për të bekuar vreshtat e tyre; një pjesë i përdornin dhe për të shëruar të sëmurit.
Kur shën Tihoni mori nga Perëndia lajmin për fjetjen e tij, shkoi takoi fshatarët që po korrnin elbin në fushë. Kur ata vrapuan për t’i marrë bekimin, dëgjuan një zë qiellor që e ftonte shenjtorin për të shkuar në mbretërinë e qiejve. Pas tri ditësh ra në shtrat ai që për shumë vjet kishte shëruar shumë njerëz të tjerë me lutjen e tij. Ngushëlloi të ëmën që vajtonte pranë, duke i kujtuar që duhet të jetojmë këtu poshtë me shpresën e ngjalljes. Pastaj mblodhi bijtë shpirtërorë dhe lavdëroi cilësinë e lartë të të krishterëve, që janë bërë fëmijë të Perëndisë dhe vëllezër të Krishtit dhe u rikujtoi se duhej të ecnin në gjurmët e Tij, pa e lënë veten të mashtrohet nga joshjet e kësaj jete.
Pasi qëndroi në shtrat për tri ditë, bariu i shenjtë u mor me gëzim në oborrin qiellor, ndërsa i tërë ishulli i Qipros ra në zi. Gjatë ceremonisë së varrimit të shenjtorit, e celebruar nga të gjithë episkopët dhe priftërinjtë e ishullit, në prani të një lumi njerëzish, trupi i tij rrezatoi dritë dhe lëshonte aromë qiellore.
Shën Tihoni nuk reshti së vigjiluari mbi grigjën e tij, siç edhe premtoi kur ndodhej në këtë botë. Ai shëroi një grua të lebrosur, një fëmijë shurdhmemec të pushtuar nga demoni. Prindërit e fëmijës po largoheshin të trishtuar prej kishës së shenjtorit, pasi ishin lutur për një kohë të gjatë për shërimin e të birit, duke ia atribuuar mëkateve të tyre gjendjen e pashpresë të djalit. Shën Tihoni iu shfaq me pamjen e një prifti dhe i nxiti të tregoheshin më këmbngulës. Atëherë demoni e shkundi fort fëmijën, duke thirrur: “O Tihon, ndërmjetimi yt para Perëndisë po më dëbon!”. Pas kësaj, fëmija nisi të fliste.
* * * *
– OSHËNAR TIHONI NË KALUGA –
Lindi në Kiev dhe që i ri u bë murg në manastirin e Kudovit në Moskë. Më pas shkoi në një vend të shkretë, në një pyll të dendur rreth 15 km nga Medina, në krahinën e Kalugës. Jetoi në asketizëm për vite të tëra dhe shkëlqeu si një yll si nga shenjtëria, ashtu edhe nga jeta dhe mrekullitë. Jetonte në një zgavër të një lisi dhe ushqehej me bimë dhe pinte ujin e një pusi që kishte gërmuar vetë atje afër.
I butë e i mirë, njeriu i Perëndisë pranoi pranë vetes dy nxënës, Fotin dhe Gjerasimin, tek të cilët transmetoi përvojën në artin e pastrimit të shpirtit. Edhe pse ishin të varfër, nuk pranonin asnjë dhuratë, por me fuqitë e tyre kultivonin një tokë jopjellore që kishin. Nuk kishin kuaj, por një karrocë që e tërhiqnin vetë. Me gjithë këto kushte të vështira, shumë njerëz që dëshironin jetën murgërore erdhën pranë tij dhe i kërkuan të ngrinte një manastir.
Një herë, gjatë një gjuetie, pronari i tokave përreth gjeti shenjtin dhe e detyroi të largohej nga vendi, por menjëherë iu paralizua dora. I mjeri e kuptoi gabimin dhe i kërkoi shenjtit ta shëronte. Zoti i dha Tihonit atë çka ishte e domosdoshme për ndërtimin e manastirit. Kështu ai themeloi manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses, ku qëndroi deri në pleqërinë e tij igumen i saj.
Fjeti në paqe më 1492. Manastiri u shkatërrua më 1610 gjatë kohës së turbullimeve, por sërish u restaurua. Falë mbrojtjes së shën Tihonit, ai qëndron deri sot një qendër pelegrinazhi.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων