Kreshma dhe vetëpërmbajtja
Kreshma dhe vetëpërmbajtja janë të nevojshme për ne nëse ne jepemi pas kënaqësive trupore.
Është e domosdoshme për një të Krishterë të kreshmojë, për të pastruar mendjen e tij, për të zgjuar dhe zhvilluar ndjenjat e tij, dhe të stimuloj vullnetin e tij tek aktiviteti i dobishëm. Këto tre fuqi njerëzore, ne i errësojmë dhe iu zëmë frymën me anë të grykësisë dhe pijes, dhe kujdeseve e kësaj jete. Nëpërmjet tyre ne largohemi nga Perëndia, Burimi i jetës, dhe shkojmë në baltë dhe kotësi, duke e përdorur për keq dhe ndotur imazhin e Perëndisë brenda nesh. Ato na lidhin në tokë, dhe na presin krahët e shpirtit.
Është gjithashtu e domosdoshme për të Krishterin që të kreshmojë, sepse kur Biri i Perëndisë mori natyrën tonë njerëzore, ajo natyrë njerëzore u lartësua në planin hyjnor, dhe tani ne nxitojmë drejt Mbretërisë së Perëndisë e cila nuk është ushqim dhe pije; por drejtësi dhe paqe dhe gëzim në Shpirtin e Shenjtë.
I krishteri ka shumë kënaqësi shpirtërore dhe hyjnore. Dëshirat mishore duhet gjithnjë të nënshtrohen ndaj këtyre dëshirave më të larta; dhe kur dëshirat shpirtërore pengohen ato duhen çliruar.
Kreshma nuk është vënë nga Kisha që të kufizojë lirinë e njeriut, por që t’i ofrojë atij kënaqësinë reale, të pafundme dhe të përjetshme; prandaj mishi dhe vera ndalohen gjatë Kreshmës, me qëllim që shpirti i njeriut i cili është shumë i dashur për Perëndinë, duhet të ngjitet vetëm tek Perëndia, dhe tek asgjë e prishme dhe e pavlerë për të.
Duke qenë se lutja e zjarrtë dhe e sinqertë ka lidhje me vetëpërmbajtjen, vetëpërmbajtja dhe kreshmimi janë të nevojshme për të mbajtur brenda vetes jetën e Krishterë – zjarrin e besimit, shpresës dhe dashurisë. Gjërat që e shuajnë frymën e besimit brenda nesh janë, mospërmbajtja, dëshira për argëtime të kësaj bote dhe një jetë e shthurur. Por ku të çojnë kreshma dhe pendimi? Ato të çojnë tek pastrimi i shpirtit nga mëkatet, tek paqja e shpirtit, tek bashkimi me Perëndinë; ato na mbushin me devocion dhe dashuri, dhe na japin kurajë para Perëndisë. Prandaj, ka me të vërtetë shumë arsye për të kreshmuar dhe për t’u rrëfyer me gjithë shpirt. Do të ketë një shpërblim të paçmueshëm për këtë punë të ndërgjegjshme.
Nëse ju hani dhe pini me babëzi, atëherë do të ktheheni në mish; në qoftë se ju do të kreshmoni dhe do të luteni, ju do të bëheni frymë, “Mos u dehni me verë, por mbushuni me Frymën e Shenjtë”. Kreshmoni dhe lutuni dhe do të kryeni gjëra të mëdha. Njeriu i ushqyer së tepërmi nuk është i aftë për të bërë gjëra të mëdha. Por me besim të thjeshtë, ju do të kryeni shumë gjëra, sepse “çdo gjë është e mundur për atë që beson”.
Kreshma është një mësues i mirë:
1) Ajo e bën njeriun që kreshmon të kuptojë që njeriu ka nevojë për shumë pak ushqim dhe pije, dhe që në përgjithësi ne jemi grykës dhe hamë shumë më tepër se na nevojitet.
2) Kreshmimi zbulon në mënyrë të dukshme të gjitha mëkatet dhe të metat, të gjitha dobësitë dhe sëmundjet e shpirtit tonë, njësoj si dikush kur fillon të pastrojë baltën, uji i ndenjur dhe pisllëku që fshihen brenda saj zbulohen.
3) Ajo na tregon domosdoshmërinë për t’u kthyer tek Perëndia me gjithë shpirt, dhe për të kërkuar mëshirën e Tij, ndihmën e Hirit Shpëtimtar.
4) Kreshma na tregon të gjitha dinakëritë dhe të këqijat e frymërave pa trup, të cilave iu kemi shërbyer pa dashje deri tani, dhe të cilat na persekutojnë ne me keqdashje sepse kemi pushuar së ndjekuri pas ato.
Ata të cilët nuk pranojnë të kreshmojnë harrojnë se cili ishte shkaku i rënies në mëkat i njerëzve të parë – mospërmbajtja – dhe se çfarë do të thotë të kundërshtosh mëkatin dhe tunduesin, të dëshmuar nga Zoti ynë Jisu Krisht – kur vet Ai u tundua në shkretëtirë – Ai kreshmoi dyzet ditë dhe net. Ata nuk e dinë – ose nuk dëshirojnë ta dinë – që njeriu shpeshherë largohet nga Perëndia nëpërmjet mospërmbajtjes.
Filloni të përmbushni urdhërimet që lidhen me gjërat e vogla, dhe ju do të jeni në gjendje më pas të përmbushni urdhërimet që kanë të bëjnë me gjëra të mëdha; kurdoherë gjërat e vogla të drejtojnë tek gjërat e mëdha.
Filloni duke përmbushur urdhrin e kreshmimit të Mërkurave dhe të Premteve, ose të urdhëresës së dhjetë që ka të bëjë me mendimet dhe dëshirat e këqija, dhe përfundimisht ju do të ushtroheni të përmbushni të gjitha urdhërimet, “kush është besnik në të vogla është besnik edhe në të mëdhatë” (Luka 16:10).
Ata të cilët kundërshtojnë kreshmën largojnë prej vetes dhe të tjerëve armët kundër trupit të tyre, me veset e shumta, dhe kundër Djallit, të dyja këto janë veçanërisht të fuqishme kundër nesh nëpërmjet mospërmbajtjes sonë. Prandaj ata nuk janë ushtarë të Krishtit, sepse ata i hodhën tej armët e tyre dhe u dorëzuan në mënyrë të vullnetshme si të burgosur ndaj trupit të tyre sensual dhe mëkatar.
Shën Joani i Kronshtadit
Radio “Ngjallja”
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










