13/02/2025 13/02/2025 Fort i nderuar, Fortlumturia juaj, Kryepiskopi Anastas Bekimin Tuaj. Jam i privilegjuar të jem sot pjesë e këtij kremtimi gjysmëshekullor dhe shumë i bekuar të kem mundësinë të shpreh sadopak në lidhje me atë që ju jeni dhe atë që Zoti ka bërë nëpërmjet jush, dhe që sytë tanë i kanë parë. Sepse edhe nuk...
13 Φεβρουαρίου, 2025 - 15:35
Τελευταία ενημέρωση: 13/02/2025 - 15:36

VEPRA SHUMË-DIMENSIONALE E KRYEPISKOPIT ANASTAS NË KOHËRAT MODERNE

Διαδώστε:
VEPRA SHUMË-DIMENSIONALE E KRYEPISKOPIT ANASTAS NË KOHËRAT MODERNE
Fort i nderuar, Fortlumturia juaj, Kryepiskopi Anastas
Bekimin Tuaj.
Jam i privilegjuar të jem sot pjesë e këtij kremtimi gjysmëshekullor dhe shumë i bekuar të kem mundësinë të shpreh sadopak në lidhje me atë që ju jeni dhe atë që Zoti ka bërë nëpërmjet jush, dhe që sytë tanë i kanë parë. Sepse edhe nuk mund të rrimë dot pa folur për atë që kemi parë dhe përjetuar.
Me përulësi më lejoni të shpreh me thjeshtësi zemre atë për të cilën secili prej nesh është dëshmitar, edhe pse fjalët janë të varfra në përshkrimin e veprës hyjnore të njeriut të dorëzuar në vullnetin e Zotit.
Zoti i mëshirshëm na bekoi me zemërgjerësi kur ju dërgoi mes nesh, një popull i privuar në shumë drejtime, por më tepër një popull i munduar në errësirën e mosnjohjes së Zotit. Nëpërmjet jush “populli që dergjej në errësirë”, pa një dritë të madhe. Sepse Ai e dinte nevojën tonë për një drejtues, mishërimi i dashurisë së Krishtit për çdo njeri, i cili rrezaton hirin dhe paqen e Tij me çdo person dhe është gati të japë jetën e tij për grigjën.
Më lejoni Fortlumturia ynë, të përshkruaj shkurtimisht disa prej veprave tuaja madhështore të bekuara me bollëk nga hiri i Zotit.
1. Formimi i brezit të ri – produkt i të cilit jam edhe unë, biri yt në Zotin.
Vizioni juaj për Kishën tonë dhe veçanërisht për rininë është shumë i lartë dhe frymëzues, dhe ne përpiqemi që ta arrijmë duke ndjekur shembullin e dashurisë dhe të përkushtimit tuaj. Ju jemi shumë mirënjohës që çdo vit, që prej 1994, investoni shumë për rritjen tonë në Zotin me anë të programeve të shumta në qendra rinore që janë ngritur posaçërisht për edukimin e brezit të ri. Ju falënderojmë pafundësisht që çdo vit, që prej 1996, mundësoni zhvillimin e kampeve verore për qindra vajza e djem, vlera monetare e të cilave do të bënte të mundur të ngrihej një ndërtesë kishe, por ju preferoni më shumë të ndërtoni mijëra kisha të gjalla besimtarësh të rinj të cilët do të ecin në gjurmët e Zotit. Ju jemi thellësisht mirënjohës dhe falënderues që na mundësoni njohjen dhe përjetimin e Besimit Orthodhoks, thesarin më të madh të jetës për çdo person në këtë botë. Jemi të bindur që lutjet tuaja do të japin fryte, që vendi ynë të ketë një rini të shëndetshme, aktive dhe krijuese, sepse ne po përpiqemi të ecim në hapat tuaja, duke dëgjuar dhe nderuar atin tonë. Gjithmonë kujtojmë fjalët tuaja, Fortlumturi, që ta duam vendin tonë dhe të punojmë për të. Shpesh, në takimet tona rinore, ju theksoni: “Duam që të përparoni dhe të kultivoni të gjitha talentet që ju dha Perëndia. Në jetën tuaj të jeni të suksesshëm dhe të bekuar. Ne, të vetmen gjë që ju kërkojmë është të ndani me të tjerët atë që mësoni. Kujdesuni që kudo që të ndodheni të jeni bekim për vendin, për Shqipërinë. Vendi ka nevojë për shumë dashuri. Ju nuk jeni vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e këtij vendi”.
2. Udhëheqës i shquar i botës Orthodokse.
Dy ngjarje të mëdha do të spikasnin në dekadat e para të shek 21 ku padyshim do të binte në sy vepra e Kryepiskopit Anastas në mbarë botën e Krishterë Orthodhokse.
A. Shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë në datën 1 Qershor 2014.
Kjo ditë mblodhi në Tiranë kryetarët dhe përfaqësuesit e Kishave Orthodhokse, duke e kthyer për një ditë Shqipërinë, si kurrë më parë në histori, në qendrën e botës Orthodhokse. Eshtë kjo ngjarje një vlerësim përfundimtar burim krenarie për veprën e jashtëzakonshme të Kryepiskopit Anastas, që e ringjalli Kishën tonë nga hiri i gërmadhave ateiste dhe e bëri të barabartë me të gjitha kishat e tjera. Ishte dhe konsakrimi më domethënës i Autoqefalisë reale të arritur në këto vite, pas rrugës së mundimshme në shek. XX.
B. Mbledhja e Sinodit të Madh dhe të Shenjtë dhe roli i Kryepiskopit Anastas
Përgjatë gjithë javës së Pentikostisë 2016, në Kolimbari të Kretës, në mjediset e Akademisë Theologjike Orthodhokse, me pjesëmarrjen e dhjetë Patriarkanave dhe Kishave lokale Orthodhokse, zhvilloi punimet Sinodi i Shenjtë dhe i Madh. Ai rezultoi me sukses të plotë dhe me miratimin e teksteve të parashikuara në gjithë mbledhjet dhe takimet e Primatëve të Kishave lokale Orthodhokse e, në veçanti, të atij të Shambezisë, në Janar 2016.
Fortlumturia e Tij, si një personalitet shpirtëror i gjithëpranuar, shumëdimensional dhe i hirësuar nga Shpirti i Shenjtë, sikundër pohohet gjerësisht, ishte një nga shtyllat kryesore të Sinodit të Shenjtë e të Madh të Kretës 2016. Kryepiskopi, si një nga pjesëmarrësit me më shumë kontribute, dëshmitar ndoshta unikal i fillimit të lindjes së idesë për Sinod në vitet ’60 të shekullit të kaluar, me përvojën e hierapostullit më të njohur Orthodhoks në jetë, me suksesin e ringjalljes së një Kishe nga hiçi dhe sidomos me përgatitjen e pamohueshme theologjike, ishte njëherësh edhe më promovuesi i ideve të reja që u adoptuan pa vështirësi në tekstet e Sinodit.
3. Marrëdhëniet ndër të Krishterë
Kryepiskopi thekson se sot, kur në botën e globalizuar, shumë çështje, si teknologjia, sporti apo arti, nuk mbeten më në nivelin lokal apo etnik, nuk është më e mundur për të krishterët të qëndrojnë të ndarë dhe të izoluar por duhet të jenë bashkë .
Tashmë kemi mundësinë t’i njohim “të tjerët”, t’i respektojmë, dhe njëkohësisht të lutemi për ta. Kisha Orthodhokse ka një përgjegjësi të madhe për të dëshmuar atë çka është. Ky është prioriteti kryesor.
Ne duhet gjithashtu të bëjmë të njohur tek të krishterët e tjerë të gjitha diskutimet tona, gjithë ndërgjegjjen tonë kishtare, tërë dinamikën e kultit tonë. Kisha Orthodhokse nuk është një muze, por realiteti i gjallë i Trupit të Krishtit, që i përqafon të gjitha, dhe jo vetëm një pjesë të botës.
Ne nuk duhet të qëndrojmë në periferi, atje ku të tjerët do të vendosin për ne.
Përgjegjësia jonë është që të ndajmë me të tjerët të vërtetën që kemi marrë nga Perëndia. Orthodhoksët duhet të japin dëshmi jete.
Ekumenizmi është një pasurim për të tjerët, por gjithashtu edhe për orthodhoksët. Nuk është një udhëtim me një kah të vetëm. Ka ndarje të përvojave.
Kisha Orthodhokse duhet të vërë theksin tek teologjia e saj, tek historia, tek tradita, tek pasuria e të shkuarës.
Tradita që ne mbartim nuk është një iluzion, por një realitet që nis nga mijëvjeçari i parë. Duhet të japim një dëshmi të këtij realiteti. Dhe shpesh më e rëndësishmja nuk është vetëm ajo çka themi, por ajo që jemi. Të jesh i krishterë orthodhoks në gjithë aspektet e jetës – kjo është një sfidë e madhe.
Sot Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas është anëtare me të drejta të plota e KBK (Këshilli Botëror i Kishave) dhe KEK (Këshilli Europian i Kishave) gjithashtu pjesmarrëse aktive në aktivitetet që organizohen nga Komuniteti i Sant’Egidio, Forumi Global i Krishterë (Christian Global Forum) dhe Fetë për Paqen (Religious For Peace) etj.., si dhe në dialogje konstruktive me Kishën Katolike, Anglikane etj.
Fortlumturi, Kryebariu ynë i dashur, drejtuesi ynë i ndriçuar së larti, predikues dhe mësues i të vërtetës hyjnore, përçues i ungjillit deri në skajet e dheut dhe skutat e zemrave, njeriu i zemrave tona, ati i shumë jetimëve, mbështetja e mijëra fëmijëve, përkrahja e qindra të pambrojturve, instrumenti i dashurisë së Zotit për popullin shqiptar, dhe jo vetëm, bamirës i madh e i dashur, Kryepiskop dhe lypës, drejtues dhe shërbëtor, mësues dhe nxënës, therore dashurie dhe therore akuzash dhe përndjekjesh prej atyre që do, si t’jua shprehim mirënjohjen për atë që jeni dhe atë që keni bërë?!
Motoja juaj që “Në Orthodhoksi, e vërteta, bukuria dhe dashuria qëndrojnë bashkë”, na bën të mendojmë edhe të përpiqemi edhe më shumë, që vlerat mijëvjeçare të Krishterimit të ndryshojnë jetën dhe vendin tonë.
Jeta juaj dhe shërbimi juaj 30-vjeçar në Shqipëri është libri që lexojmë dhe frymëzohemi çdo herë, sepse kemi parë që mjafton një person plot dashuri, që një komb të mësojë drejtësi;
mjafton një bari me përkushtim, që të drejtojë popullin në jetë me kuptim;
mjafton një drejtues vizionar, që të rritë një brez të ri shpresëtarë dhe besimtarë!
Mirënjohje pafund, Kryebariu ynë! Jemi të sigurtë në dashurinë tuaj atërore dhe në lutjet tuaja të nxehta për rritjen tonë në Krishtin.
Atë Grigor Pelushi
(Mbajtur në sallën e Qendrës Kulturore të katedrales Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” me rastin e 50 vjetorit të dorëzimit në gradën episkopale të Kryepiskopit Anastas)

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων