12/01/2020 12/01/2020 Mësimi rreth Jisu Krishtit, Birit të mishëruar të Perëndisë, u zhvillua dhe u shpjegua më tej në Sinodin e Katërt Ekumenik të Kalqedonisë. Ky lloj shpjegimi ishte i nevojshëm sepse ishte një tendencë për të theksuar natyrën hyjnore të Krishtit aq shumë, sa që natyra e Tij njerëzore pothuaj ishte mohuar fare. Në sinodin e...
12 Ιανουαρίου, 2020 - 14:22

DOKTRINA ORTHODHOKSE – Sinodi i Kalqedonisë

Διαδώστε:
DOKTRINA ORTHODHOKSE – Sinodi i Kalqedonisë

Mësimi rreth Jisu Krishtit, Birit të mishëruar të Perëndisë, u zhvillua dhe u shpjegua më tej në Sinodin e Katërt Ekumenik të Kalqedonisë. Ky lloj shpjegimi ishte i nevojshëm sepse ishte një tendencë për të theksuar natyrën hyjnore të Krishtit aq shumë, sa që natyra e Tij njerëzore pothuaj ishte mohuar fare. Në sinodin e katërt u bë formulimi i famshëm që thotë se Jisu Krishti, Biri dhe Fjala e mishëruar e Perëndisë është një person (ose hipostazë) që ka dy natyra të plota: hyjnore dhe njerëzore. I frymëzuar veçanërisht nga letra e Shën Luanit, papës së Romës, sinodi i katërt insistoi që Jisui është krejtësisht çfarë Perëndia Atë është, në lidhje me Hyjninë e Tij. Kjo ishte një referencë direkte në Besoren e Nikeas që shpallte Birin e Perëndisë “që ka të qenët një me Atin”, që thjesht do të thotë, çfarë është Perëndia Atë, Biri është gjithashtu: Dritë prej Drite, Perëndi i Vërtetë prej Perëndie të Vërtetë. Gjithashtu sinodi insistoi që në mishërim Biri i Perëndisë u bë krejtësisht si të gjitha qeniet e tjera njerëzore, duke rrëfyer që Jisu Krishti ka gjithashtu “të qenët një” me të gjitha qeniet njerëzore në njerishmërinë e Tij. Kjo doktrinë mbronte mësimin e besës apostolike të shkruar në Ungjijtë dhe në shkrimet e tjera të Dhiatës së Re, për shembull në letrat e Apostull Pavlit:

I cili duke qënë në formë të Perëndisë, nuk e numuroj për rrëmbim të qenurit si një me një me Perëndinë; Por zbrazi veten e tij, edhe mori formë shërbëtori, e u bë porsi njerëzit në ngjashmëri; Edhe duke u gjendur në fytyrë porsi njeri, e përunji veten e tij, e u bë i bindur deri në vdekje, edhe vdekje kryqi ( Filipianët 2:6-8; shih: Hebrejtë 1-2, Joani 1).

Fjalët e mëposhtme janë fjalët bazë për përcaktimin e besimit në Sinodin e Kalqedonisë :

Duke ndjekur Etërit e Shenjtë ne mësojme me një zë që Biri i Perëndisë dhe Zoti ynë Jisu Krisht duhet të rrëfehet si një dhe i njëjti (Person), dhe Ai është i përsosur si Hyjni dhe i përsosur si njeri, Perëndi i Vërtetë dhe Njeri i Vërtetë, i përbërë me një shpirt të arsyeshëm dhe trup (njerëzor), dhe që ka të qenët një me Atin përsa i përket Hyjnisë së Tij dhe që ka të qenët një me ne përsa i përket njerishmërisë së Tij; i bërë në të gjitha si ne, me përjashtim vetëm të mëkatit; i lindur prej Atit përpara gjithë shekujve sipas Hyjnisë së Tij: por në këto kohë të fundit, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, u lind (në botë) prej Virgjëreshës Mari, Hyjlindëses (Theotokos), sipas njerishmërisë së Tij. Ky Jisu Krisht, i vetëm dhe i njëjti, i vetëmlinduri Bir ( i Perëndisë) duhet të rrëfehet që ka dy natyra, të pa përziera, të pa ndryshuara, të pa ndara dhe të pa veçuara (d.m.th. pa u shkrirë së bashku Hyjnishmëria me Njerishmërinë, kështu që karakteristikat e veçanta të secilës nuk janë ndryshuar apo humbur; dhe gjithashtu nuk janë të ndara që të jenë dy Bij) dhe këto dy natyra i ruajtën veçoritë e tyre, të bashkuara në një Person dhe Hipostazë, dhe jo të ndara në dy persona, por si një dhe i njëjti Bir i vetëmlindur, Perëndia Fjalë, Zoti ynë Jisu Krisht, si thanë dhe profetët e lashtë për Atë (p.sh., Emanueli i Isaisë 7:14), dhe si Jisu Krishti na ka mësuar, dhe si Besorja e Etërve na është dhënë.

Një numër të krishterësh nuk e pranuan Sinodin e Kalqedonisë dhe u ndanë me ata që e pranuan atë. Ata e bënë këtë sepse menduan që Sinodi kishte ringjallur doktrinën e gabuar të Nestorit, nga insistimi në “dy natyrat” mbas mishërimit, ndonëse në sinod u theksua fort “bashkimi” i dy natyrave. Këta të krishterë janë quajtur monofizitë (që do të thotë “një natyrë”), dhe ata vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë të ndarë nga Orthodhoksët e Kalqedonisë. Ato janë kishat Koptike, Etiopiane dhe Armene. Shpresojmë, që një ditë, me ndihmën e Perëndisë, kjo grindje do të zgjidhet. Sido që të jetë e ardhmja, Kisha Orthodhokse thekson që mësimi i Sinodit të Kalqedonisë është në pajtim të plotë me doktrinën anti-Nestoriane të Shën Qirilit dhe të Sinodit të Tretë Ekumenik të Efesit. Forca e Sinodit të Katërt, sipas pikëpamjes orthodhokse, është, sepse ai përcaktoi qartë faktin që kur Biri i Perëndisë u lind si njeri prej Virgjëreshës Mari, Hyjlindëses, Ai nuk pushoi së qenëri Perëndi, dhe nuk ndryshoi Hyjninë e Tij, ndonëse u bë një njeri i plotë dhe i përsosur në mishërimin. Sepse vetë Shpëtimi kërkon bashkimin e përkryer të Hyjnishmërisë me Njerishmërinë, në një Person të Jisu Krishtit; një bashkim ku Perëndia është Perëndi dhe Njeriu është Njeri, dhe ku të dy bëhen një, në një unitet të përkryer: pa shkrirje ose ndryshim, dhe pa ndarje apo veçim.

 

 

— Mitropolia e Shenjtë Korçë / Facebook

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων