14/06/2021 14/06/2021 JETA JONË E PËRJETSHME “Kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë; edhe Jisu Krishtin që dërgove.” v. 3. E Diela e sotme u është kushtuar Etërve të shenjtë të Sinodit të Parë Ekumenik, i cili u mbajt në vitin 325 pas. K. në Nikea të Vithinisë dhe...
14 Ιουνίου, 2021 - 16:17

E DIELA E ETËRVE TË SHENJTË TË SINODIT TË PARË EKUMENIK

Διαδώστε:
E DIELA E ETËRVE TË SHENJTË TË SINODIT TË PARË EKUMENIK

JETA JONË E PËRJETSHME

“Kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë; edhe Jisu Krishtin që dërgove.” v. 3.
E Diela e sotme u është kushtuar Etërve të shenjtë të Sinodit të Parë Ekumenik, i cili u mbajt në vitin 325 pas. K. në Nikea të Vithinisë dhe themeloi besën e Kishës tek personi Perëndinjeri i Zotit Jisu. Këtë të vërtetë për personin e Krishtit na shfaq pjesa e sotme e Ungjillit, e cila është pjesë e lutjes kryepriftërore të Zotit, që drejtoi Krishti ynë si Kryeprift i Madh mbas Darkës Mistike dhe pak para se të arrestohej.
* * *
Zoti sot i jep përgjigje një pyetjeje themelore të besës sonë. Na thekson se çfarë është përjetësia. Jeta e përjetshme, na thotë, është njohja jonë me Perëndinë, jeta më Perëndinë, hyjnizimi ynë, ngritja dhe përparimi i vazhdueshëm i besimtarëve në njohjen personale të Perëndisë së vetëm të Jisu Krishtit. Por, këtë temë, që ndoshta për disa duket teorike dhe e pakuptueshme, Fryma e Perëndisë, e thjeshtëson në Shkrimin e Shenjtë, ndërkohë që na tregon disa mënyra praktike, që të shpien në këtë hyjnizim, në këtë njohje të Perëndisë. Le t’u afrohemi.
Një mënyrë është bindja. E njoh Zotin, pra, do të thotë jetoj sipas dëshirës së Tij. Qenia ime është e varur nga Ai dhe i sinkronizoj rrahjet e zemrës sime me rrahjet e zemrës së Tij, eci në gjurmët e Tij. Ata, që para çdo veprimi, e pyesin veten e tyre: Vallë e do Perëndia atë që po shkoj të bëj? Dhe në mënyrë analoge përparojnë ose i shmangen të bëjnë gjëra dinake ndaj Zotit, këta e njohën me të vërtetë Jisuin. Kjo bindje krijon një bashkim të thellë të shpirtit tonë me Perëndinë. Atëherë jetojmë “më Krishtin”. Përfundimi i këtij bashkëpunimi tonë të ngushtë është dhe njohja jonë me Perëndinë.
Një rrugë tjetër, që na sjell në të njëjtin përfundim, është dashuria. “Perëndia erdhi në botë dhe kjo botë nuk e njohu.” Joani 1, 10. Dhe pse ky fenomen? Shumë thjesht: “Ai që nuk ka dashuri, nuk e njohu Perëndinë”, thotë në mënyrë kategorike Ungjillori i dashurisë. 1 Joanit 4, 8. Meqenëse Perëndia është dashuri, “kushdo që ka dashuri… e njeh Perëndinë” 1 Joanit 4, 7. Dashuria është ura, që e shpie njeriun nga toka në qiell. Dashuria e nxehtë e zemrës së njeriut mund t’i afrohet dhe ta njohë misterin e Perëndisë. Prandaj dhe apostull Pavli, mbi fuqinë, dijen dhe të mirat e tjera, vendosi dashurinë, që është mjeti më i përsosur që na njeh Zotin, që na bashkon me Perëndinë dhe na bën “pjesëtarë të natyrës së Perëndisë” 2 Pjetrit 1, 4.
Pra, kur jemi njerëz të dashurisë, domethënë i duam vëllezërit tanë dhe ua tregojmë këtë me veprat tona, atëherë bëhemi magnet shpirtëror, që tërheqim dhe vetë Perëndinë pranë nesh. Për shembull, kur, me tolerancë, me zemër të hapur, me zërin tonë të ngrohtë, me shikimin tonë të gëzuar dhe të ëmbël, me buzëqeshjen tonë, me vlerësimin tonë, me besnikërinë tonë, me përkujdesjen tonë, përqafojmë vëllezërit tanë, atëherë vjen Zoti dhe banon në shpirtin tonë, lidhim marrëdhënie të ngushta me Atë dhe bëhemi si ati me birin, si dy miq të mirë dhe të sinqertë.
Çfarë është jeta e përjetshme? Fillon që tani: Ekziston përshtypja se jeta e përjetshme është vetëm një gjendje e ardhshme -pas historike-. Prandaj, në përgjithësi, quhet jeta tjetër, jeta e ardhme. Por e sakta është se jeta e përjetshme fillon që tani e tutje. Krishti na mësoi se ai që beson tek Ai fillon të jetojë jetën e përjetshme që tani “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ai që dëgjon fjalën time, edhe i beson atij, që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme.” Joani 5, 24. Fillon të bëjë hapat e para të jetës së përjetshme. Kjo jetë e përjetshme nuk ndërpritet nga vdekja trupore, sepse vdekja trupore është një episod, një promovim në grada më të larta të jetës së përjetshme. Megjithatë kjo jetë e përjetshme do të marrë formën e saj përfundimtare pas ngjalljes së përbashkët, atëherë njerëzit do të fillojnë të jetojnë përjetë në një botë të re dhe me një trup të ri, me një trup të ngjallur të paprishur: “Edhe pashë një qiell të ri edhe një dhe të ri; sepse qielli i parë edhe dheu i parë shkoi; edhe deti nuk është më.” Zbulesa 21, 1.
Jeta e përjetshme është njohja e Perëndisë; njohja dhe marrëdhënia personale me Atin qiellor dhe me Birin e Tij të vetëmlindur, i Cili në një kohë të caktuar u bë njeri dhe na shfaqi Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Njohja e vërtetë e Perëndisë fillon që nga kjo jetë brenda në Kishë dhe nëpërmjet Kishës, vijon vazhdimisht duke u shtuar në përjetësinë e pambarim.
Por, do të më thoni: Kush është ai që i pa dhe i vërtetoi? Ju përgjigjem, pra, është një, që dëshmia e tij vlen më tepër nga tërë bota. Të gjithë mund të thonë gënjeshtra, por Ai, që na vërteton për botën tjetër, nuk tha gënjeshtra kurrë. Është Krishti. Fjala e Tij është e vërtetë. Çdo gjë që tha, u tregua e vërtetë. Kaluan tashmë njëzet e më shumë shekuj, ranë shtete, u shpërbënë mbretëri, ndryshuan ideologji, të lartat u bënë të poshtme, por ato që tha Krishti, asnjë nuk u lëkund. Dhe ajo që ndodh deri sot, nuk ka dyshim se do të ndodhë dhe në të ardhmen. Janë të përjetshme fjalët e Krishtit.
Ngasje, kurthe, sprova të shumëllojshme ngrihen përpara nesh në mënyrë kërcënuese. Ngatërrohen në luftëra të ashpra, të përgjakshme, që krijon bota e mbushur me dyshime për besimin. Bota me dëshirat dhe zakonet mëkatare. Dhe megjithatë, Kisha e Krishtit fiton. E mban Besën të papërzjerë. Përparon pa ndaluar. Shtohet. Triumfon. Bashkë me të tregohet fitimtar dhe triumfues dhe çdo besimtar. Një gëzim hyjnor i pafund buron në zemrën e çdo besimtari luftëtar të së vërtetës së krishterë. Dhe jeton dhe shijon mrekullinë.
Zoti, në lutjen e Tij kryepriftërore drejtuar Atit qiellor, u lut për të gjithë ne dhe për secilin në veçanti. Por edhe tani dhe gjithmonë, Zoti ndërmjeton tek Ati i Tij qiellor, si Kryeprift i përjetshëm, për shpirtrat tanë. Ndërmjeton dhe për Kishën si bashkësi. Le të mos kemi frikë, pra, asgjë. Le të jemi paqësor dhe të guximshëm në luftën tonë shpirtërore. Kurrë të mos lëkundemi dhe të mos dyshojmë për dashurinë dhe mbrojtjen e Tij. Zoti u lut dhe lutet për ne dhe kjo është një armë e tërëfuqishme kundër armiqve tanë të padukshëm; është burim fuqie dhe gëzimi për shpirtrat tanë,
është garanci për shpëtimin tonë. Duhet t’i jemi mirënjohës për ndërmjetimin që bën për ne. Por, të mos mjaftohemi vetëm me mirënjohjen. Duhet gjithashtu të lutemi dhe ne dhe të luftojmë me nxehtësi dhe zell për ruajtjen tonë nga armiqtë e shpirtit dhe për ndërtimin tonë shpirtëror dhe përsosjen tonë, “që të jemi të përsosur edhe të plotë, pa ju munguar asnjë gjë”, siç na këshillon dhe Apostulli. Jakovi 1, 4. Kështu bashkëpunimi i vullnetit tonë me ndërmjetimin e Zotit do të ketë përfundime të rëndësishme në jetën tonë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Me lindjen tonë biologjike, filloi jeta jonë pas rënies. Me Pagëzimin e shenjtë filloi jeta jonë e përjetshme. Duke rikapitulluar ato që u thanë, le ta mbrojmë këtë jetë dhe le ta kultivojmë duke e vaditur me ujërat jetëprurëse të Hirit hyjnor. Mund të themi pa rezerva, se për çdo të krishterë – jo vetëm për klerikët dhe predikuesit – vlen nxitja vijuese e apostull Pavlit: “bëj punë ungjillëtari”, 2 Timotheut 4, 5. I krishteri i saktë që nuk bashkëpunon me vepra për transmetimin e së vërtetës bie në përgjegjësinë, që shprehin fjalët e tjera të të njëjtit Apostull të famshëm: “Mjerë unë, në mos predikofsha ungjillin.” 1 Korinthianëve 9, 16. Ne që me hirin e Zotit dëgjojmë këtë fjalim, që njohim sipas ndriçimit hyjnor Perëndinë e vërtetë, mësimdhënien dhe vullnetin e Tij, duhet ta transmetojmë, sipas mundësisë, mesazhin e Ungjillit tek njerëzit e ambientit tonë.
U bëftë!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
Berat më 13.06.2021
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων