29/06/2020 29/06/2020 “Pasi u drejtësuam pra prej besimi, kemi paqe me Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht.” v. 1. Shën Pavli, në pjesën e sotme të Apostullit, u thekson të krishterëve të Romës, se Zoti ynë Jisu Krisht dha jetën e Tij për ne dhe me sakrifikimin e Tij mbi kryq na pajtoi me Perëndinë...
29 Ιουνίου, 2020 - 18:04
Τελευταία ενημέρωση: 29/06/2020 - 18:09

Pajtim me Perëndinë

Διαδώστε:
Pajtim me Perëndinë

“Pasi u drejtësuam pra prej besimi, kemi paqe me Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht.” v. 1.
Shën Pavli, në pjesën e sotme të Apostullit, u thekson të krishterëve të Romës, se Zoti ynë Jisu Krisht dha jetën e Tij për ne dhe me sakrifikimin e Tij mbi kryq na pajtoi me Perëndinë Atë.

* * *

Paqja, i jep fund një lufte, një trazire. Njeriu ishte i trazuar me veten e tij, sepse ishte armik i Perëndisë. Dashuroi mëkatin; dhe ai që dashuron botën, “e cila gjendet nën pushtetin e të ligut”, 1 Joani, 5, 19, bëhet armik i Perëndisë. “A nuk e dini se miqësia e botës është armiqësi e Perëndisë?” Jakovit 4, 4. Ai që dashuron errësirën, është armik i dritës dhe i veprave të dritës. Mëkati kishte ngritur mure të larta, që ndanin njeriun nga Perëndia. Bëhet fjalë për murin ndërmjetës të armiqësisë. Efesianëve 2, 14.

Pikërisht, në këtë dimension të mosbindjes dhe armiqësisë, që krijoi mëkati midis nesh dhe Perëndisë, ndërhyri Zoti Jisu Krisht, si ndërmjetësi i vetëm, që të rimëkëmbë marrëdhëniet paqësore midis Perëndisë dhe njeriut. Ashtu si përdëllimi i Perëndisë shtrihet për të gjithë njerëzit, kështu dhe ndërmjetimi i Krishtit shtrihet për të gjithë “bijtë e njerëzve”, sepse pagoi një çmim, një shpërblim për lirimin tonë, shumë të mjaftueshëm, për shpëtimin e gjithë njerëzimit. 1 Timotheut 2, 5-6. Koment i Letrave Pimantike, Panajot Trebela, fq. 353.
Krishti vjen me një vepër të posaçme, të rrëzojë murin e turpit, të pajtojë njeriun me Perëndinë, në mënyrë që njeriu të jetë “pjesëtar i shtëpisë së Perëndisë”. Efesianëve 2, 19. Vepra kryesore e Krishtit është vepra “e pajtimit”. Mbi kryq vdiqën dy gjëra të neveritshme: Vdekja dhe armiqësia. Efesianëve 2, 16. E zhduku armiqësinë, që kishte krijuar mëkati; asgjësoi distancën, që ndante njeriun nga Perëndia dhe solli pajtimin. Tashmë, njeriu nuk është më i huaj, as rob; është bir i Perëndisë, bir i Mbretërisë.

Këtë “kemi paqe me Perëndinë”. Dhe kur flet për paqen shën Pavli, nuk nënkupton thjesht një ndjenjë të brendshme. Nënkupton një mënyrë jete dhe sjellje. E urrejmë mëkatin, që na largon nga Perëndia. Na thotë shën Joan Gojarti: “Ç’do të thotë, le të kemi paqe me Perëndinë? Unë mendoj se shën Pavli flet për sjelljen: Le të kemi paqe. Domethënë, le të mos mëkatojmë më kurrë, as të mos kthehemi në të mëparshmet; sepse kjo do të thotë luftë me Perëndinë. Dhe si u bë e mundur e mëparshmja, sepse ndërkohë që ishim përgjegjës për kaq shumë mëkate, u çliruam me anë të Krishtit, shumë më tepër do të mundemi me Krishtin të mbetemi tek ato që jemi.

Paqja, si pajtim me Perëndinë dhe me njerëzit, si shoqëri vëllazërimi, e ka prejardhjen nga sakrifica e Krishtit. Prandaj na thotë shën Pavli: “Me anë të Zotit tonë Jisu Krisht”. v. 1. Paqja ekziston kur ka pajtues. Paqe ka kur dikush nga kundërshtarët sakrifikon të drejtat e tija. Paqe ka kur i bamirësuari e vlerëson sakrificën e tjetrit dhe e ruan pajtimin. Dy nga të mësipërmet i bëri Krishti. E treta mbetet për njeriun. Krishti është paqebërësi. Efesianëve 2, 6. “Është ndërmjetësi i një dhiate të re”. Henrenjve 9, 15.

Sakrifikohet i Biri i Perëndisë, “që është në gjirin e Atit” Joani 1, 18, për njeriun, që u rebelua dhe u bë armik i Perëndisë. Është Krishti, “i Cili u dorëzua për mëkatet tona”. Romakëve 4, 25. Njeriut i mbetet që të ruaj paqen, që u mboll në tokë me sakrificën e Birit të njeriut, domethënë Krishtit. Dhe paqja ruhet kur druri i kryqit vaditet vazhdimisht me lotët e pendimit tonë, me rëniet në gjunjë dhe me djersën e luftës sonë. Nuk ka paqe, veçse nëpërmjet Zotit tonë Jisu Krisht. Për shën Pavlin, katër fjalët “Zoti ynë Jisu Krisht”, përmbajnë gjithë kuptimin e jetës.

Emri “Zoti ynë Jisu Krisht”, ka fuqi të madhe, mjafton që të thuhet me besim të thellë dhe dashuri të nxehtë. Shën Joan Gojarti thotë: “Djalli dëbohet kur thërrasim emrin e ëmbël të Zotit tonë Jisu Krisht”. E.P. 16b, 518.

Krishti ndeu duart e dashurisë së Tij, ne detyrohemi të ndejmë dorën e besës sonë ndaj Tij.

Këtë dashuri sakrifikuese të Zotit e shpreh himnografi i hirshëm në Kanonin e së Shtunës së Madhe dhe të Shenjtë: “Duart kur i ndeve, bashkove të gjitha sa ishin ndarë, dhe sot që u pështolle përbrenda varrit me një savan, çlirove të burgosurit. Ska tjetër Shenjt si ty, ti je Zot i Madh i jetëve.” Tropari III në Odën III.

Për ne, që kishim shkuar “në një vend të largët, duke kaluar jetën në shthurje”, Lukai 15, 20, erdhi Perëndia shumë afër nesh. U bë Emanueli, Perëndia është bashkë me ne. Krishti mori përsipër njerëzit me gjithë barrën e tyre, me gjithë mëkatet e tyre dhe i solli në qiell. Gjendja e re, në të cilën na drejton Krishti, është Hiri. Nëse ecim dhe nuk biem, ia detyrohemi Hirit. Dhe e gjithë jeta jonë është një mbështetje e Hirit. Dhe zëri i meshtarit të kishës këtë na kujton vazhdimisht në kryerjen e Liturgjisë hyjnore dhe të çdo shërbese tjetër kishtare, vazhdimisht dhe herë pas herë, na kujton: “Përkrahna, shpëtona dhe ruajna o Perëndi me Hirin tënd”. Dhe përpjekja jonë është që të qëndrojmë gjithmonë në territorin e Hirit.

Është udhëheqësi dhe ndërmjetësi ynë. Një himn i Lutësores, -e cila është një libër kishtar, që përdoret në Kishë çdo të diel dhe gjatë gjithë javës, himnet e së cilës janë dogmat e Kishës në vargje- këtë na mëson dhe këtë na shprehë. Për shembull, përmendim himnin e mëposhtëm: “Ndërmjetës i Perëndisë dhe njerëzve je bërë, o Krisht Perëndia ynë; sepse me Ty, o Kryezot, drejt Atit Tënd, Burimit të Dritës, u drejtuam nga errësira e padijes.” Kënga V, Ting. II.

Melodia është mjalti me të cilin përziejmë himnet, të cilat janë mësimdhënia e Shkrimit të Shenjtë, që shijojmë dhe ushqehemi çdo ditë në adhurimin hyjnor të Kishës sonë.
Për këtë Hir dhe mësimdhënie, që shijojmë brenda në Kishë, “mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë”. v. 2. Gëzohemi për të tashmet, gëzohemi dhe për të ardhmet, të cilat shpresa i bën të tashme. Kemi shpresë për sa kohë jetojmë. Me shpresën kemi shpëtuar. Romakëve 8, 24.

Kur do të largohemi nga kjo jetë, me besimin tonë do të kemi ato që shpresuam, që është realiteti i atyre. Besa jonë mbështet në realitete të së ardhmes. “Besimi është të qenurit e gjërave që shpresohen”. Hebrenjve 11, 1. I sigurt është ai që i ka paratë e tij në banka me garanci të madhe. Më i sigurt është njeri që e ka depozituar shpresën e tij në qiell. Garantues i shpresës sonë është Krishti. “Është shpresa që ruhet për ne në qiejt”. Kolosianëve 1, 5.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Sakrifica e Zotit për ne mëkatarët është një treguese e paparë dhe e pakonceptuar e dashurisë hyjnore. Dhe duhet ta ndjejmë zemrën tonë, të përmbytet nga mirënjohja e paanë për Çlirimtarin tonë dhe nga përkushtimi i plotë ndaj Tij, që shpresën e shpirtrave tanë.
U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI

— facebook.com/MitropoliaFier

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων