28/06/2021 28/06/2021 E DIELA I E MATTHEUT E GJITHË SHENJTORËVE Mattheu 10, 32-33, 37-38; 19, 27-30. PËRPJEKJA E BESIMTARIT DHE HIRI I KRISHTIT E MUNDIN BOTËN “Ai që nuk merr kryqin e tij e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.” v. 38. Këto fjalë të Zotit tonë janë shumë të rëndësishme. Ua drejton...
28 Ιουνίου, 2021 - 15:25

PËRPJEKJA E BESIMTARIT DHE HIRI I KRISHTIT E MUNDIN BOTËN

Διαδώστε:
PËRPJEKJA E BESIMTARIT DHE HIRI I KRISHTIT E MUNDIN BOTËN

E DIELA I E MATTHEUT
E GJITHË SHENJTORËVE
Mattheu 10, 32-33, 37-38; 19, 27-30.
PËRPJEKJA E BESIMTARIT DHE HIRI I KRISHTIT
E MUNDIN BOTËN
“Ai që nuk merr kryqin e tij e nuk vjen pas meje, nuk është
i denjë për mua.” v. 38.
Këto fjalë të Zotit tonë janë shumë të rëndësishme. Ua drejton nxënësve të Tij të dashur, por edhe nxënësve të të gjithë shekujve. Zoti Jisu kërkon ta dëshmojmë me dashuri dhe vetëmohim. Dhe në vazhdim na thekson se, ai që nuk merr një vendim të qëndrueshëm për të duruar çdo vuajtje, madje dhe vdekje në kryq, për besën tek Personi i Tij i shenjtë dhe nuk e ndjek pas si kryetarin dhe si shembullin e tij, nuk është i denjë për Atë.
Të gjithë martirët e shenjtë dhe dëshmuesit e besës, që i nderon sot në veçanti Kisha jonë, kishin heroizëm dhe vetësakrifikim. Treguan trimëri dhe vetëmohim. Së pari e mohuan lirisht veten e tyre. Mohuan dobësitë e tyre. Mohuan të përbotshmet dhe lidhjet e tyre me persona dhe gjëra. Kishin shumë para dhe i shpërndanë të gjitha, për të varfrit, dhe që të jetojnë
një jetë të shenjtë dhe engjëllore. Ndërsa të tjerë, si shën Vasili i Madh, Kryepiskopi i Qesarisë, punuan brenda në botë dhe me pasurinë e tyre ndërtuan komplekse institucionesh shembullore, të dashurisë dhe të përdëllimit, për të varfrit, për lebrozët, për jetimët, për të moshuarit.
E morën seriozisht urdhrin e Krishtit, që përmendet në pjesën e sotme të Ungjillit: “Ai që do të atin ose të ëmën më tepër se mua, nuk është i denjë për mua; edhe ai që do të birin a të bijën më tepër se mua, nuk është i denjë për mua”. v. 37.
Të Gjithë Shenjtorët e deshën Zotin Jisu më tepër se prindërit dhe fëmijët e tyre, ashtu si shën Fabiola, shën Varvara, shën Irena, shën Joan Kaliviti, dhe kaq shumë dëshmorë të tjerë të njohur dhe të panjohur. Sepse nuk kishin asnjë vartësi nga gjërat e botës dhe të përkohshme dhe dëshironin gjërat qiellore.
Sepse Krishti ishte bërë dashuria e tyre e parë dhe e madhe. Dhe kjo dashuri për Krishtin kapërcente çdo dashuri tjetër, dhe të atit, dhe të nënës, dhe të fëmijës. Dhe ne, pra, nxënësit e sotëm të Jisuit thirremi të jetojmë jetën e krishterë me vetëmohim, ashtu si Gjithë Shenjtorët. Ata e mohuan veten e tyre, ta mohojmë edhe ne veten tonë. Sepse, çfarë është kjo vetja jonë? Është idhulli ynë, ego-ja jonë. Larg Hirit të Krishtit, njeriu është egocentrik. Boshti i gjithë botës bëhet vetja e tij. Njeriu, kudo dhe gjithmonë, kërkon veten e tij. Kriter nuk është e vërteta e Krishtit, as besa tek Ungjilli, as interesi i përbashkët, por interesi i ngushtë personal dhe kënaqja e dëshirave egoiste.
Por ai që është i Krishtit dhe do të jetojë me vetëmohim nuk ka dëshirën e tij. Përpiqet ta njësojë dëshirën e tij me dëshirën e Krishtit. Secilido prej nesh është i lirë të zgjedhë Krishtin ose botën, që kundërshton dëshirën e Krishtit. Por, që nga momenti që do të zgjedhë Krishtin si Zotin e shpirtit dhe jetës së tij, i mohon dëshirat e botës dhe të vetes së tij të keqe dhe ia ofron pa kushte dëshirën e tij Krishtit.
* * *
Gjithë Shenjtorët vijnë nga të gjitha moshat dhe klasat shoqërore. Të rinj dhe të rritur, burra dhe gra, aristokratë dhe shërbëtorë, të urtë dhe analfabetë, përbëjnë rreshtin e shenjtorëve të padukshëm. Shenjtëria nuk është një privilegj i një klase njerëzish. Nuk është një privilegj i të arsimuarve apo i të pashkolluarve. Çdo klasë, çdo fis, çdo komb, i bardhë dhe i zi, i përket këtij rreshti të madh.
Shumë njerëz sot e harrojnë këtë të vërtetë. Nuk mund të jetoj, thonë, sipas porosive të Perëndisë. Virtyti, shenjtëria, janë për pak njerëz. Nuk janë për mua. Janë për të tjerët. Unë jam tregtar, jam avokat, jam punëtor… prandaj, që të jetoj, jam i detyruar të mos zbatoj disa prej porosive…
Por vijnë sot këta Shenjtorë të panjohur, që të na rikujtojnë, se të gjithë mund të ecim në rrugën e virtytit, në monopatin e shenjtërisë. Mjafton që ta dëshirojmë. Dhe le të mos harrojmë, se brenda pallateve të Neronit kishte shenjtorë dhe midis tyre, dhe gaztorë, dhe magjistarë, madje edhe xhelatë u bënë shenjtorë.
Për të gjithë ne është e vështirë rruga e virtytit. Rruga e shenjtërisë nuk është e lehtë. Kur ata që ndodhen rreth teje të lavdërojnë dhe kujdesen për ty, atëherë shpërblehesh në një farë mënyre për ndershmërinë tënde, për dashurinë tënde, apo për fjalën e mirë që do t’i thuash të afërmit tënd. Por, kur ndeshesh me reagime, kur askush nuk kujdeset për ty, kur has përbuzje, madje dhe ironi, atëherë je shumë afër shenjtorëve të panjohur.
Virtyti i padukshëm që kërkon sakrifica është më heroik! Sa e sa shenjtorë të padukshëm jetojnë dhe në ditët tona! Nëna me shumë fëmijë, që sakrifikohet për t’i rritur në mënyrë të krishterë fëmijët e saj, i sëmuri i durueshëm, që lavdëron Perëndinë, ai që parapëlqeu varfërinë në vend të pasurive të paligjshme, dhe aq të tjerë… I riu që sakrifikon suksesin e tij dhe bëhet klerik në një enori të vogël, apo ata që ofrohen në vepra njeridashëse, përbëjnë “renë e madhe” (Hebrenjve 12, 1) të shenjtorëve të epokës sonë. Me shembullin e tyre na ftojnë në rrugën e ndritshme të virtytit. Kërkojnë që të ndjejmë, se krishterimi është feja e heroizmit më të heshtur.
Por një jetë e tillë kërkon vullnet, përpjekje, por edhe lidhje të ngushtë me Zotin, si përkrahës. Virtytin e padukshëm e frymëzon “Jisui që është Kryetari dhe themeluesi i besës” (Hebrenjve 12, 2), “i cili kaloi vend më vend duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10, 38), por njëkohësisht edhe duke u fshehur. Kur i krishteri ndjek këtë rrugë të krishterë me vendosmëri, vullnet dhe përpjekje, lidhet në mënyrë të pandërprerë me burimin e fuqisë, Zotin dhe Perëndinë tonë, që i jep njeriut fuqinë të rrojë një jetë të tillë të padukshme por edhe heroike. Të tregojmë dashuri për të gjithë, të sakrifikohemi për të tjerët, qoftë edhe nëse nuk gjejmë gjithmonë përgjigje të përshtatshme.
Shumë nxjerrin justifikimin: “Jetojmë në botë. Bota shkakton skandale dhe ngasje. Shfaq të keqen dhe të tërheq në mëkat… Si është e mundur të jetojmë një jetë të krishterë?”
a. Shenjtorët e mundën botën: Pikërisht këtë justifikim e përmbysin shenjtorët. Shenjtorët mbretër, shenjtorët intelektualë, shenjtorët profesionistë, shenjtorët bujq, shenjtorët burra dhe shenjtoret gra, shenjtorët të rinj dhe të reja, dhe fëmijët e shenjtë. Sepse dhe ata jetuan brenda në botë dhe njohën ngasjet dhe skandalet dhe megjithatë e mundën botën, mëkatin dhe padrejtësinë. I përbuzën pasuritë dhe jetën e shthurur.
b. Shenjtorët mundën veten e tyre: Edhe po të mos na pengonte bota dhe mos të na shtynte në mëkat, vështirësinë e kemi brenda nesh, në vetë veten tonë. Natyra jonë është e ndryshuar dhe mëkatare. Duam të bëhemi të mirë, të jetojmë në mënyrë të krishterë. Por nuk mundemi. Pasionet na robërojnë dhe nuk mund të çlirohemi nga ato.
Por edhe Shenjtorët ishin njerëz me mish edhe kocka. Edhe ata kishin të njëjtën natyrë të dobët dhe të ndryshuar pas rënies. Dhe nuk kishin vetëm të njëjtat vështirësi me gjithë njerëzit e tjerë, por disa nga ata ishin mundur nga ngasjet dhe i ishin nënshtruar mëkatit. Mjaft nga shenjtorët ishin më parë “grabitës, të padrejtë, doganier dhe të përdala” dhe megjithatë e mundën veten e tyre dhe dalëngadalë u bënë shenjtorë. Nga errësira e mëkatit erdhën në dritën e shenjtërisë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Shenjtorët e mundën botën dhe veten e tyre. Por si ndodhi kjo? Sigurisht jo vetëm me përpjekjen e tyre, por kryesisht me fuqinë e Hirit shenjtërues të Krishtit. “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit, që më jep fuqi.” (Filipianëve 4, 13). Një rol të rëndësishëm luan pjesëmarrja në Misteret e Kishës sonë me përgatitje të mirë nga ana jonë.
U bëftë!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
Berat më 27.06.2021

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων