21/04/2021 21/04/2021 Kur mendojmë për kreshmimin në Kishën e sotme Orthodhokse, pothuajse menjëherë priret mendja jonë të shkojë te rregullat kishtare që lidhen me ushqimin kreshmor. Kjo mënyrë e të menduarit është veçanërisht e lidhur me Kreshmën e Madhe, kreshmimin më të gjatë dhe më të rëndësishëm në Kishë. Kështu, kur bëhet fjalë për këtë kreshmim dyzetditor,...
21 Απριλίου, 2021 - 19:51

Për Kreshmimin

Διαδώστε:
Për Kreshmimin

Kur mendojmë për kreshmimin në Kishën e sotme Orthodhokse, pothuajse menjëherë priret mendja jonë të shkojë te rregullat kishtare që lidhen me ushqimin kreshmor. Kjo mënyrë e të menduarit është veçanërisht e lidhur me Kreshmën e Madhe, kreshmimin më të gjatë dhe më të rëndësishëm në Kishë. Kështu, kur bëhet fjalë për këtë kreshmim dyzetditor, disa përqendrohen pothuajse ekskluzivisht mbi kohën kur të privohemi nga çfarë, cilat ushqime specifike të shmangin në cilat ditë dhe cilat janë udhëzimet të Kishës për bulmetin dhe ushqimet me ose pa vaj. Të tjerë janë edhe më të zellshëm; shqyrtojnë me shumë kujdes çdo përbërës në ambalazhin e çdo gjëje që blejnë në supermarket, për tu siguruar të mos ketë asnjë gjurmë të përbërësve ‘të ndaluar’.
Me të drejtë, shpesh çështje lindin dhe pyetje shtrohen në lidhje me konceptimin e mësipërm. A mos është ky i vetmi kreshmim i vërtetë orthodhoks? Kreshma e Madhe është një periudhë përgatitjeje e cila i përgatit shpirtërisht besimtarët për të takuar Krishtin e Ngjallur në ditën e Pashkës, kështu që ne duhet të shikojmë me kujdes për të vënë re nëse kjo mënyrë e të menduarit për kreshmimin ndihmon në këtë udhëtim shpirtëror. Cili është kuptimi i vërtetë i kreshmimit? A ia kemi zvogëluar rëndësinë kësaj periudhe të shenjtë të vitit? Mos e kemi reduktuar në një grup të thjeshtë rregullash diete?
Ndoshta mund ta rigjejmë kuptimin e vërtetë të kreshmimit duke studiuar disa nga himnet e Triodit. Kjo mënyrë është e arsyeshme për shkak se himnet e Kishës Orthodhokse shprehin dhe pasqyrojnë vizionin dhe pikëpamjen theologjike të saj. Më konkretisht, do të shqyrtojmë, megjithëse shkurtimisht, disa himne të shërbesës së mbrëmjesores. Këto himne përshkruajnë në mënyrë specifike se si vetë Kisha e percepton praktikën e kreshmimit dhe janë futur qëllimisht në këtë shërbesë për t’u rikujtuar besimtarëve këtë kuptim të vërtetë. Fatkeqësisht, shumë njerëz sot nuk janë të vetëdijshëm për lidhjen e këtyre himneve me kreshmimin, dhe për pasojë, shpesh nuk e vërejnë rëndësinë e tyre.
Qoftë edhe një studim sipërfaqësor i këtyre himneve e tregon qartë se qëllimi kryesor i kreshmimit është ripërtëritja e marrëdhënies sonë me Perëndinë, të afërmin dhe tërë krijimin. Mbrëmja e së Hënës së Bardhë, në fillim të Kreshmës, na rikujton se kreshmimi përfshin pastrimin e plotë personal, jo thjesht “detoksifikim” diete: “Le të mbajmë një kreshmë të pranueshme prej Zotit; kreshmë e vërtetë është shmangia nga të këqijat, përmbajtja e gjuhës, largimi nga inati, ndarja nga dëshirat, përgojimi, gënjeshtra dhe betimi i rremë; mungesa e këtyre është kreshmë e vërtetë dhe e mirëpritur“.
Në këtë rast, kreshmimi shoqërohet me pastrim shpirtëror. Krishti na ka thirrur për shenjtërim (Mat. 5:8), dhe në këtë mënyrë, shumë etër të Kishës sonë na rikujtojnë se hapi i parë i domosdoshëm për të “lavdëruar Perëndinë” është të bëhesh “i pastër në zemër”. Prandaj, kreshmimi duhet të shoqërohet gjithmonë me një luftë për pastrimin e shpirtit. Vetë himni na drejton tek i njëjti shenjtërim.
Koncepti i pastërtisë dhe ai i kreshmimit nuk duhet të zbehen. Fjala “pastrim” vjen nga përsosja, d.m.th. procesi për tu bërë i plotë, i përsosur. Prandaj, pastrimi nënkupton një stabilitet të brendshëm, një karakter të plotë që mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj Perëndisë përballë çdo tundimi. Ai kërkon një transformim gradual shpirtëror nga shpërbërja tek plotësia. Dhe kështu, sipas himnit, kreshmimi i vërtetë është një “mjet” për të arritur “tërësinë”.
Përveç luftës shpirtërore për të eleminuar pasionet, qëllimi i kreshmimit është edhe të sjellë besimtarët te madhështia e jetës së re më Zotin nëpërmjet Kryqit. Pra, kur ndiejmë atë uri minimale fizike që sjell kreshmimi, ne përpiqemi t’i japim tjetër formë dhe ta transformojmë atë në “uri dhe etje” për Krishtin. Ky aspekt transformues i kreshmimit mund të gjendet në himnet e psalura në mbrëmjen e së martës së javës e parë të Kreshmës: “Me kreshmim, heqim dorë jo vetëm nga ushqimi i papastër por edhe nga çdo pasion lëndor, që të tiranizojmë dhe skllavërojmë mishin tonë që të bëhemi të denjë për misterin e qengjit, në anën e Birit të Perëndisë të vrarë vullnetarisht nga bota, dhe të festojmë shpirtërisht Ngjalljen e Shpëtimtarit nga të vdekurit”.
Prandaj, kreshmimi e gjen kuptimin e tij të vërtetë vetëm kur privimi i jashtëm nga ushqime të caktuara shoqërohet me një luftë të brendshme shpirtërore qëllimi i së cilës është të rritet dëshira jonë për Zotin. Kjo luftë përjetohet nëpërmjet pastrimit dhe pendimit dhe përsoset brenda misterit të Kungimit Hyjnor.
Por, përveç aspektit fizik dhe atij shpirtëror të kreshmimit të vërtetë, ekziston edhe një dimension i tretë i domosdoshëm: dhembshuria për të afërmin – siç e shpreh qartë edhe himni në Liturgjinë e parë Hyjnore të Dhuratave të Parashenjtëruara: “Duke kreshmuar, o vëllezër, trupërisht, le të kreshmojmë dhe shpirtërisht; le të zgjidhim çdo lidhje padrejtësie; le të thyejmë shtrembërime marrëdhëniesh të dhunshme, le të grisim çdo padi të padrejtë, le t’u japim bukë të uriturve dhe le të futim në shtëpi të varfrit e pastrehë, që të marrim prej Krishtit përdëllim e madh. ”.
Kreshmimi i vërtetë kërkon jo vetëm privimin por edhe dhënien. Jo vetëm të qëndrojmë larg ushqimeve të caktuara, por edhe të angazhohemi në lëmoshëdhënie dhe projekte bamirësie, përfshirë këtu eleminimin e padrejtësisë dhe mikpritjen – veçanërisht për ata në nevojë. Himni e shpreh thjesht këtë. Nuk mund të ketë kreshmim të vërtetë pa dashuri për të afërmin, dhe veçanërisht për afërmin tonë në nevojë.
Si përfundim, kreshmimi është një mjet që na rikujton jo vetëm që jemi të varur nga Perëndia, por edhe të vërtetën shpesh të harruar që Perëndia gjendet te fytyra e afërmit tonë. Pa luftën shpirtërore, pa përpjekjen e vazhdueshme për ta sjellë mendjen dhe zemrën tonë te Perëndia dhe për të parë Fytyrën e Tij edhe tek i afërmi ynë edhe tek i gjithë krijimi, një kreshmim i thjeshtë ushqimor nuk ka asnjë vlerë. Por kur e përqafojmë plotësisht, bëhet kreshmimi një veprim pozitiv, një prani e vërtetë e Perëndisë që na zbulon bukurinë e papërshkrueshme dhe madhështinë e shndritshme të Zotit të Ngjallur.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων