06/04/2021 06/04/2021 E martë, 6 prill 2021 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS Eftihi i Konstandinopojës. Oshënar Grigor Sinaiti. Grigor Athoniti. Dëshmorët në Persi. – Oshënar Grigor Sinaiti – Ati ynë i shenjtë Grigori lindi në gjirin e një familjeje të pasur në fshatin Kukulion, në jug të gjirit të Smirnit. Në...
06 Απριλίου, 2021 - 17:00

Eftihi i Konstandinopojës. Oshënar Grigor Sinaiti. Grigor Athoniti. Dëshmorët në Persi

Διαδώστε:
Eftihi i Konstandinopojës. Oshënar Grigor Sinaiti. Grigor Athoniti. Dëshmorët në Persi

E martë, 6 prill 2021 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS
Eftihi i Konstandinopojës. Oshënar Grigor Sinaiti. Grigor Athoniti. Dëshmorët në Persi.
– Oshënar Grigor Sinaiti –
Ati ynë i shenjtë Grigori lindi në gjirin e një familjeje të pasur në fshatin Kukulion, në jug të gjirit të Smirnit. Në vitet e para të mbretërimit të Andronikut II Paleologut (1282- 1328), u kap rob nga turqit selxhukë, që atëherë shkatërruan tërë Azinë e Vogël dhe e çuan bashkë me familjen në Laodicea. Ndërsa morën pjesë në një shërbesë në kishë, të krishterët e vendit u prekën shumë kur i dëgjuan të psalnin në mënyrë melodioze, ndaj grumbulluan një shumë parash dhe i çliruan. Grigori shkoi në Qipro, ku u bëri shumë përshtypje banorëve me pamjen e gëzuar dhe të hijshme, që zbulonte gjendjen e tij shpirtërore. Perëndia, kur pa brenda zemrës së tij dashurinë e zjarrtë për virtytin, bëri që ai të takohej me një murg eremit, i cili e pranoi si rishtar.
Kur u fut në misteret e jetës murgërore, shkoi në Malin Sina, që të mund të bënte përpjekje më të mëdha asketike. Atje mori edhe rrobën murgërore, duke braktisur çdo dëshirë mishore me qethjen e flokëve. Në pak kohë i habiti murgjit me jetën e tij, që ishte e ngjashme me atë të engjëjve të patrup. Kreshmët, agripnitë, psalmodia dhe lutja e tij e pandërprerë nuk mund të përshkruheshin me fjalë. Kryente pa u ankuar çdo lloj pune, sado e rëndomtë të ishte, duke menduar se Perëndia e kishte ngulur shikimin mbi punën e tij.
Çdo mbrëmje, pasi merrte bekimin e igumenit, shkonte në qeli dhe i ofronte me të gjithë zemrën lutjen e tij Perëndisë, duke lartësuar duart dhe mendjen si një sakrificë lavdërimi. E recitonte të gjithë Psaltirin, derisa të mbërrinte në një gjendje ngazëllimi shpirtëror. Në mëngjes, kur binte kambana, ishte i pari që futej në kishë dhe dilte i fundit. Pak bukë dhe pak ujë i mjaftonte për të mbajtur trupin në jetë, edhe pse për tre vjet me radhë bënte punën e vështirë të kuzhinierit dhe bukëpjekësit. Ai e respektonte këtë shërbim njësoj si atë të shërbimit në altar dhe u shërbente të gjithë vëllezërve me përulësi, sikur të ishin engjëj. Kishte edhe një kaligrafi për t’u admiruar dhe kalonte ditë e net të tëra duke mbledhur, si një bletë, nektarin që ndodhet në Shkrimet e hyjfrymëzuara. Përpos këtyre, ngjitej sa më shpesh që mundej në Malin Sina, për të nderuar vendin ku Zoti iu shfaq profetit Moisi.
Kur pa përparimin e shërbëtorit të Perëndisë, djalli, armiku i çdo të mire, ngjalli te bashkëmurgjit pasionin shkatërrues të zilisë. Kur pa se ky pasion rrezikonte të prishte unitetin e Trupit të Krishtit, Grigori e la manastirin, i shoqëruar nga Gjerasimi, bir i një familjeje fisnike, i cili u bë një prej nxënësve më të njohur të shenjtorit. Ata shkuan fillimisht për t’u falur në Vendet e Shenjta dhe më vonë në ishullin e Kretës. Me vështirësi gjetën një shpellë të përshtatshme për jetë të qetë (hezikia) dhe të lutjes pa shpërqendrim që ata dëshironin. Shën Grigori rifilloi me energji të dyfishuara jetën e tij asketike. Nga përkorja e madhe, fytyra i kishte marrë një ngjyrë të verdhë të zbehtë dhe gjymtyrët e tij të thara lëviznin me vështirësi, duke u dhënë të drejtë fjalëve të profetit, që thotë: “Gjunjët e mi u dobësuan nga agjërimi dhe mishi m’u tjetërsua për shkak të vajit” (Ps. 108:24). Por, megjithatë, kërkonte një njeri hyjmbajtës, të aftë që t’i mësonte artin e soditjes shpirtërore. Një ditë, i prekur nga Shpirti i Shenjtë, hezikasti Arsen, që kishte dhuratën e të tejshikuarit, trokiti në derën e tij dhe nisi t’i shpjegonte se çfarë kuptojnë Etërit e shenjtë me ruajtjen e mendjes, vigjilencën e vërtetë (nipsis) dhe lutjen e pastër.
Pasi e pyeti Grigorin për mënyrën e deriatëhershme të jetës së tij, Arseni i tha se mundimet e deriatëhershme që kishte bërë për virtytin u korrespondojnë atyre që shenjtorët i quajnë praktika (praksis), por nuk të japin vetvetiu soditjen shpirtërore (theoria). Për ta arritur dikush këtë gjendje shpirtërore, duhet së pari ta pastrojë shpirtin me anë të ruajtjes së porosive dhe t’i kushtohet me zell e dashuri lutjes së brendshme. Zemra e hezikastit mund të ndriçohet nga hiri dhe vetë njeriu mund të bëhet i gjithi dritë, vetëm duke thirrur emrin e Zotit tonë Jisu Krisht. Me këmbënguljen e Grigorit, ai i shpjegoi për pengesat që ngrihen para atij që lutet, për kurthet që u bën i ligu në të djathtë e në të majtë dhe për mundimet që duhet të durojnë nga njerëzit smirëzinj.
Sapo biseda mbaroi, Grigori, pa humbur asnjë çast, u nis për në Malin e Shenjtë Athos, metropolin e Hezikazmës, me shpresën për të gjetur njerëz të tjerë të frymëzuar nga Perëndia. Ai vizitoi të gjitha manastiret, qelitë, skitet dhe takoi shumë etër që ishin zbukuruar me virtytet e jetës praktike. Por kur i pyeste nëse praktikonin ruajtjen e mendjes dhe lutjen e zemrës, ata nuk e dinin as për çfarë po fliste. Më në fund, gjeti tre murgj që i ishin përkushtuar lutjes së brendshme në skitin e Magulës, pranë manastirit të Filotheut. Ndërtoi një qeli afër tyre dhe i vetëm përpara Perëndisë, duke përqendruar në veten e tij të gjitha shqisat dhe duke e gozhduar mendjen në Kryqin e Krishtit, i kalonte ditët dhe pjesën më të madhe të netëve i ulur mbi një stol, duke thënë pareshtur: “Zot Jisu Krisht, mëshiromë mua mëkatarin!”, me dhimbje në shpirt dhe duke psherëtirë thellë e duke e njomur tokën me lot. Kur lodhej nga lutja për një kohë të gjatë, ngrihej për t’u qetësuar në hapësirën e psalmodisë ose në meditimin e një fjale të Shkrimit të Shenjtë, në kujtimin e vdekjes, në punët e dorës ose në lexim, duke qëndruar në këmbë për të lodhur trupin.
Në fakt, për hezikastët që qëndrojnë të ndarë nga njerëzit, as puna dhe as shërbesat liturgjike nuk kanë kaq shumë rëndësi; e tërë vëmendja e tyre është përqendruar në aktivitetin më të rëndësishëm njerëzor: në lutjen e zemrës.
Lutja, – shkruan shën Grigori, – është te fillestarët si një zjarr ngazëllimi që buron prej zemrës dhe tek të përsosurit ajo i ngjan një drite plot aromë të mirë. Ajo është predikimi i apostujve, një akt besimi, ose më mirë vetëbesimi: ‘garancia e të mirave që shpresojmë’ (Hebr. 11:1). Ajo është Ungjilli i Perëndisë, shenjë e pastrimit, simbol i shenjtërimit, zbulesë e Pagëzimit, dashuri që vepron, fryt i parë i Shpirtit të Shenjtë, mëshirë Perëndie, vula e Krishtit, rreze e diellit shpirtëror, ylli i mëngjesit (që ngrihet në zemra), konfirmim i Krishterimit, dekret i pajtimit me Perëndinë, hir Perëndie, urtësi Perëndie, ose më saktë, princip i Urtësisë që ekziston nga vetja, shfaqje e Perëndisë, puna e murgjve, mënyra e jetesës së eremitëve, rast për të përqafuar hezikian, provë e jetës ungjillore. E çfarë të themi më shumë? Ajo është Perëndia që është gjithçka për të gjithë, meqë ka një energji të vetme të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, që i kryen të gjitha në Jisu Krishtin.
Në këtë mënyrë, duke qëndruar në lutje me këmbëngulje, me besim dhe përulësi, Grigori pësoi ndryshimin e mirë dhe, me anë të veprimit të Hirit, një ditë pa në qelinë e tij një dritë hyjnore. I transportuar jashtë vetes dhe botës, u mbush me dashurinë e Perëndisë, domethënë me vetë Perëndinë, saqë më pas i tha një nxënësi: Ai që është lartësuar te Perëndia me anë të kësaj ngritjeje të shenjtë, nga praktika drejt soditjes (theoria), shikon me anë të hirit të Shpirtit të Shenjtë të gjithë krijesën të shkëlqejë si në një pasqyrë. Kur dilte nga qelia, fytyra i shkëlqente nga gëzimi dhe pohonte se, shpirti që digjet nga dashuria për Perëndinë, nuk mund të fshihet nga njerëzit e tjerë. Në fakt, zemra që ngazëllohet dhe frymëzohet nga gëzimi nën efektin e Hirit, bën që fytyra të shkëlqejë si shenjë e tepricës së tij, ashtu sikundër thotë fjala e të urtit: “Zemra e gëzuar e zbukuron fytyrën” (Fja. Urt. 15:13).
Një ditë, shën Kalisti, nxënësi dhe biografi i tij, kërkoi të mësonte se si arrihet që të shohësh ngjalljen e shpirtit tënd. Shenjtori u përgjigj: Kur shpirti përdor të gjithë zellin e tij dhe lufton me përulësi për fitimin e virtyteve praktike, i përmbys të gjitha pasionet dhe i nënshtron. Virtytet e natyrshme e rrethojnë njësoj si shpirti ndien trupin dhe e çojnë nëpërmjet një shkalle shpirtërore deri në gjendjen që e kapërcen natyrën. Dhe kur mendja (nous) lartësohet përmbi të, e ndriçuar e gjitha nga shkëlqimi i Shpirtit të Shenjtë sipas masës së hirit që ka marrë, shikon më qartë natyrën e qenieve, jo sipas mënyrës së të diturve të kësaj bote, por në një marrëdhënie esenciale me Krijuesin. Pas kësaj përparon në soditje dhe, duke u shtrirë pareshtur përpara, harron rrugën e përshkuar (Fil. 3:14) dhe shpirti braktis çdo lloj mendimi natyror dhe vjen në një bashkëbisedim të parrëfyer dot me fjalë me Perëndinë, i zhveshur nga çdo lloj mendimi dhe forme. I ndriçuar prej dritës së pafund, nuk ndien më asgjë nga trupi material dhe tokësor dhe e gjen veten të rrëmbyer te Perëndia në një vrull të pandalshëm dashurie. Në këtë mënyrë, me anë të praktikimit këmbëngulës të lutjes së brendshme, mbërrin në një shkallë kaq të lartë shpirtërore, saqë njeriu, i rivendosur në lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë, mund të shikojë ngjalljen e shpirtit të tij përpara ngjalljes së ardhshme të përgjithshme.
Me anë të aromës së mirë të virtyteve, Grigori hyjnor tërhiqte pranë vetes, si një magnet, një numër të madh murgjish të Malit të Shenjtë. Pamja e tij e gëzuar dhe lumturia që shprehte, dëshmonin sa pranë Perëndisë kishte arritur. Dhe, pasi dëgjonin mësimin e tij për jetën kontemplative dhe lutjen e zemrës, shumë nga ata linin etërit e tyre shpirtërorë për t’u drejtuar nga ai. Kur u fliste vizitorëve për pastrimin e shpirtit dhe mënyrën se si njeriu bëhet perëndi sipas hirit, atëherë, njësoj si në kohërat e apostujve, Shpirti i Shenjtë zbriste përmbi ta dhe mbusheshin me një dëshirë të shenjtë dhe të parezistueshme për të përqafuar në të njëjtën mënyrë këtë jetë qiellore. Me shumë përulësi dhe duke imituar Krishtin, shenjtori mikpriste me gëzim gjithë ata që shkonin tek ai me etje shpirtërore. Por i pranonte si nxënës, vetëm pasi i kishte provuar me ashpërsi në bindje dhe në përulësi.
Demoni, i paaftë të ndalonte ndikimin e Grigorit, nxiti disa nga murgjit më të ditur të Malit të Shenjtë, të shtyrë nga xhelozia, të kundërshtonin mësimin e Grigorit për hezikian, ruajtjen e mendjes dhe lutjen e brendshme, si një risi të papranueshme. Fillimisht, shenjtori ruajti qetësinë dhe e la të ligun të bënte të tijën. Pastaj, mori me vete dy hezikastë të nderuar dhe shkoi në Karies, për ta shqyrtuar mësimdhënien e tij nga i pari i Malit të Shenjtë. Protosi e njohu menjëherë dhe me thjeshtësi të drejtën e tyre dhe deklaroi: “Sot po flas me apostujt e mëdhenj Petro dhe Pavël!”. Nga ai çast, të gjithë athonitët e quajtën Grigorin mësuesin e tyre të përbashkët dhe numri i vizitorëve pranë tij u shtua aq shumë, saqë iu desh të largohej dhe të shkonte në vende të vështira për t’u arritur, si p.sh. manastiri i Simonopetras, për t’iu kushtuar lutjes dhe soditjes shpirtërore.
Sulmet e reja të turqve, që po shkretonin skitet dhe merrnin rob murgjit e shpërndarë dhe pa mbrojtje, e pengonin Grigorin dhe nxënësit e tij që të shijonin qetësinë shpirtërore. Prandaj, e lanë Malin e Shenjtë dhe shkuan në Selanik, duke synuar që më vonë të shkonin në Malin Sina (1326). Por, kur mësoi se edhe atje nuk do t’i t’i shpëtonte kërcënimit të turqve, Grigori shkoi në Hios e pastaj në Mitilini. Pasi kaloi dimrin në Konstandinopojë, në fund mbërriti në vendin e shkretë Parorias, krahinë malore e thepisur e përshtatshme për jetën hezikaste, që ndodhej mes Adrianopojës dhe Detit të Zi, e cila përcaktonte në atë kohë kufirin midis Perandorisë Bizantine dhe Bullgarisë. Atje u vendos në një vend të quajtur Mesomilion, që iu dha nga Amirales, igumeni i një grupi eremitësh. Por Llukai, njëri nga eremitët, nxënës i Grigorit në Athos, i pushtuar nga një smirë vrastare kundër njeriut të Perëndisë, arriti sa t’i sulej me shpatë në dorë. Nxënësi i ëmbël i Jisuit, shpëtoi për pak nga vdekja, por nuk u shqetësua fare dhe nuk i mbajti mëri agresorit. Përkundrazi, tregoi mjaft dhembshuri për Llukain dhe hartoi për dobi të tij një nga traktatet kryesore për hezikian dhe lutjen. Pak kohë më vonë, vetë Amirali, i shtyrë nga xhelozia deri në çmenduri, i dëboi hezikastët dhe pagoi një bandë grabitësish për të plaçkitur qelitë e tyre. Kur e pa se nuk e mundi dot këtë xhelozi të ligë as me zemërgjerësinë e tij dhe as me ëmbëlsi, shenjtori shkoi në Konstandinopojë nga Sozopolis e më pas u kthye në Malin e Shenjtë.
Ardhja e hezikastëve në Lavrën e Madhe u kthye në festë të vërtetë shpirtërore. Ata u vendosën në qeli të shpërndara afër Lavrës, por nën kërcënimin e sulmeve të turqve, iu desh të strehoheshin në manastir, ku shoqërimi me murgj të shumtë dhe ritmi i jetës kinovjake ishin pengesë për qetësinë që kërkonin. Grigori mori me vete një nxënës dhe shkoi në Adrianopojë dhe nga andej më këmbë në Paroria, ku shpejt rreth tij u mblodhën murgj të shumtë nga vende të ndryshme. Ai themeloi një lavër në malin Katakriomeni, rreth së cilës u mblodhën asketë të shumtë, që jetonin në qeli të ndara dhe në vazhdim u ndërtuan aty rrotull edhe tri lavra të tjera më të vogla. Por vendi ishte mbushur me kusarë, që u shkaktonin shumë mundime murgjve dhe u prishnin qetësinë shpirtërore, ndaj Grigori i kërkoi ndihmë mbretit të Bullgarisë, Joan Aleksandrit (1331-1371). Sovrani, një mik i murgjve dhe admirues i kulturës bizantine, e pranoi me gëzim kërkesën e shenjtorit dhe dërgoi menjëherë pará dhe punëtorë për të ndërtuar një kullë, një kishë të madhe dhe qeli. Ai e pajisi manastirin me gjithçka të nevojshme dhe i dhuroi fshatra, tufa me bagëti dhe liqene me peshq. Perëndia i dha mbretit mbrojtjen e tij si shpërblim dhe e shpëtoi nga një komplot i thurur kundër tij. I vendosur në qendër të këtij qyteti shpirtëror, shën Grigori tregonte zell apostolik duke ndezur te të gjithë njerëzit zjarrin shpirtëror që na mundëson, nëpërmjet jetës praktike dhe qëndrimit këmbëngulës në Lutjen e Jisuit, të arrijmë në majën e soditjes shpirtërore. Ai jepte pa u lodhur mësime shpirtërore dhe arriti të kthente në dele shpirtërore shumë nga kusarët e krahinës.
Fjala e tij kumbonte deri në skajet e botës dhe Paroria u bë qendra e një lëvizjeje të gjerë, që synonte të përhapte spiritualitetin hezikast në vendet sllave. Midis nxënësve të tij, numri i të cilëve ishte shumë i madh, kishte grekë, bullgarë, serbë e rumunë. Njëri nga ata, shën Theodhosi (27 nëntor), themeloi manastirin e famshëm të Kelifarevos, pranë Tërnovos, që u bë manastiri më i rëndësishëm në Ballkan dhe selia e një shkolle të famshme shpirtërore, nga ku dolën një numër i madh shenjtorësh, asketësh e barinjsh shpirtrash, si shën Efthimi, Patriarku i Tërnovos (20 janar) dhe shën Qipriani, Mitropolit i Kievit (16 shtator). Shën Romili (18 shtator) dhe shën Grigor Hezikasti (7 dhjetor) përhapën edhe në Serbi traditën e Lutjes së Zemrës, falë ndihmës së princit Llazar (6 maj).
Sovranët orthodhoksë të asaj kohe, Androniku III Paleologu (1328-1341), Stefan Dushani i Serbisë (1331-1356), Joan Aleksandri i Bullgarisë dhe Nikolla Aleksandri i Vllahisë (1352-1363), donin të kishin miqësinë e shën Grigorit dhe patën me të një korrespondencë të gjerë, për të marrë këshilla shpirtërore. Ky është një fakt shumë i rëndësishëm për jetën shpirtërore. Mund të pohohet pa ngurrim se shën Grigori ishte burimi i kësaj lëvizjeje të madhe hezikaste që Bizanti do ta çonte në botën sllave, si trashëgiminë e tij më të vyer shpirtërore.
Me gjithë zellin e tij apostolik, Grigori kishte një etje të pashuar për qetësinë shpirtërore dhe jetonte në një qeli të vogël pranë manastirit. Atje Perëndia e njoftoi për largimin nga kjo botë, ndaj u tërhoq në heshtje të plotë, duke i tërbuar demonët që suleshin kundër tij si kafshë të egra. Ata ndërmorën çdo përpjekje për ta privuar në orën e fundit nga kurora e tij e lavdisë, por më kot. Pas tri ditësh, një fuqi hyjnore i dëboi demonët dhe e mbushi shenjtorin me një ëmbëlsi të jashtëzakonshme. Pak kohë më vonë, ai hyri plot gëzim në jetën e pafund, më 27 nëntor 1346.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων