11/11/2020 11/11/2020 Ekziston Bota e Padukshme Engjëjt “janë të gjithë frymëra shërbyese, që dërgohen për shërbesë për ata që kanë për të trashëguar shpëtim.” Hebrenjve 1, 14. Engjëjt kanë panair. Sa janë panairet e engjëjve? Të shumtë janë tempujt dhe kishëzat, që kremtojnë ditën e kujtimit të engjëjve. Dhe Himnografi i Hirshëm na fton të marrim pjesë...
11 Νοεμβρίου, 2020 - 16:48
Τελευταία ενημέρωση: 11/11/2020 - 16:51

MBLEDHJA E KRYEENGJËJVE TË USHTRISË QIELLORE MIKAEL DHE GABRIEL DHE E FUQIVE QIELLORE E TË PATRUP

Διαδώστε:
MBLEDHJA E KRYEENGJËJVE TË USHTRISË QIELLORE MIKAEL DHE GABRIEL DHE E FUQIVE QIELLORE E TË PATRUP

Ekziston Bota e Padukshme

Engjëjt “janë të gjithë frymëra shërbyese, që dërgohen për shërbesë për ata që kanë për të trashëguar shpëtim.” Hebrenjve 1, 14.

Engjëjt kanë panair. Sa janë panairet e engjëjve? Të shumtë janë tempujt dhe kishëzat, që kremtojnë ditën e kujtimit të engjëjve. Dhe Himnografi i Hirshëm na fton të marrim pjesë në këtë panair duke psalur: “Ne njerëzit duke kremtuar në botë siç u përket engjëjve le t’i thërresim Perëndisë, që rri në fron të lavdisë, himnin: I Shenjtë je Ti, o Atë qiellor, i Shenjtë je Ti, Fjala e bashkëqënëshme; i Shenjtë je Ti, Shpirti i Tërëshenjtë”. Dhe zhvillimi i temës së këtij panairi, me hirin e Perëndisë, do na ndihmojë të thellohemi në kuptimin e kësaj bote të padukshme.

* * *

“Ekziston bota e padukshme”.

Në Shkrimin e Shenjtë flitet shumë herë për engjëjt. Që në faqet e para të librit të parë të Dhiatës së Vjetër, të Zanafillës, deri në librin e fundit të Dhiatës së Re, të Zbulesës, të shumta janë vargjet, që flasin për engjëjt. I shfaqin lart mbi qiell duke himnuar dhe duke lavdëruar, me shprestari të pafund dhe dashuri, madhështinë e paanë të Perëndisë së gjithëlavdëruar. I shfaqin të zbresin në tokë, të komunikojnë me njerëzit, t’i rrethojnë me dashuri dhe t’i shërbejnë me gatishmëri. Në kapitullin e parë të letrës drejtuar Hebrenjve apostull Pavli shkruan për engjëjt, se “të gjithë janë frymëra shërbyese që dërgohen për shërbesë për ata që kanë për të trashëguar shpëtim.”

* * *

Janë, pra, frymëra, domethënë nuk kanë trup lëndor. Nuk u nënshtrohen ligjeve të natyrës, nuk ndikohen nga ndryshimet atmosferike. Janë të paprekshëm nga ligji i prishjes dhe i ndryshimit. Nuk kanë nevojë për ushqim dhe veshje. Janë pa peshë, në mënyrë që të lëvizin shumë shpejt, nga njëra anë e krijimit në tjetrën.

Kur Nxënësit, pas Ngjalljes, panë Zotin midis tyre, menduan se shikonin frymë. Por Ai u tha: “Shihni duart e mia dhe këmbët e mia, se jam unë vetë; prekmëni dhe shihni; se fryma s’ka mish e eshtra, siç më shihni mua të kem.”Llukait 24, 39. Zoti, me këto fjalë, na informon se frymërat, engjëjt, nuk kanë mish dhe eshtra, janë të palëndshëm.

Shën Joan Damaskinoi na thotë se, bota engjëllore, engjëjt, kanë logjikë dhe mendim, fitojnë dije dhe urtësi, kanë vullnet të lirë dhe iniciativë. Këto dhunti ua dha Perëndia. Nuk është e mundur të kufizohen brenda mureve lëndore, të burgosen dhe të kyçen. Frymëra, siç janë, nuk pengohen nga pengesa materiale, as nga dimensioni i ambientit. Lëvizin shumë shpejt, në mënyrë që të mundin, nga njëri moment në tjetrin, të përshkojnë tërë botën. Sigurisht, nuk janë të kudondodhur. Nuk mund të gjenden njëkohësisht në qiell dhe në tokë. U krijuan nga Perëndia të pamëkatshëm dhe të mirë, ashtu si të parëgatuarit. Kultivuan virtytet dhe kanë si thesar të përjetshëm dhe të përhershëm përkushtimin tek Perëndia, shenjtërinë, drejtësinë, mirësinë, dashurinë dhe virtytet e tjera, të cilat i ka Perëndia në gradën absolute.

Një ushtri, pas një lufte, rigrumbullohet. Mblidhen, numërojnë humbjet dhe riformohen në një pozicion lufte. Kishte dikur humbje ushtria e rreshtave engjëllore. Pësoi një sulm të tmerrshëm dhe të rrezikshëm. Cili ishte armiku? Sigurisht i padukshëm. Siç janë të padukshme dhe rreshtat e engjëjve. Armiku ishte egoizmi. Goditi për vdekje një të dhjetën e fuqive qiellore, një nga dhjetë rreshtat engjëllore, rreshtin e parë, Eosforin. Rresht i lavdëruar dhe i shndritshëm, u mund nga mendjemadhësia. Dëshiroi ta vendosë fronin e tij, mbi fronin e Perëndisë.

Përfundimi: Mposhtje e tmerrshme. Rënie e frikshme. U rrokullis nga lartësitë në thellësitë e errëta. Rreshti i Eosforit, u shndërrua në rreshtin demoniak. Dhe në atë moment të frikshëm të shkatërrimit të rreshtave qiellore u dëgjua një zë tronditës. Kryeengjëlli Mikael, ngriti shpatën e tij të zjarrtë, që rrotullohej, dhe u thirri rreshtave engjëllore: “Le të vëmë re!” Dhe pas pak, urdhëri i dytë tronditi botën qiellore: “Le të qëndrojmë mirë! Le të qëndrojmë me frikë!” Dhe engjëjt qëndruan dhe vunë re. Dhe reshti rrokullisja. Dhe engjëjt mbetën të vendosur në punën e tyre. Dhe mbetën tashmë “të pandryshuar” në të mirën. Është tashmë e pamundur të mëkatojnë engjëjt.

Këto dy urdhëra i dëgjojmë në Liturgjinë hyjnore. Moment i frikshëm. Engjëj dhe Kryeengjëj qëndrojnë pranë dhe fluturojnë në Altarin e Shenjtë. Kryhet misteri i Falënderimit Hyjnor. Zbret Shpirti i Shenjtë. Bëhet mrekulli e madhe. Krishti vendoset mbi Altarin e Shenjtë. Në Trup dhe Gjak të Krishtit, shndërrohen buka dhe vera. Si mundet të qëndrojë dikush i paprekur përpara kësaj mrekullie? Prifti porosit: “Le të qëndrojmë mirë! Le të qëndrojmë me frikë! Le të vëmë re!…” Me përgjërim dhe shprestari, me besë dhe mallëngjim, duhet të qëndrojmë në atë moment.

Por dhe jashtë Liturgjisë Hyjnore, dëgjohet urdhëri engjëllor: “Le të vëmë re! Le të qëndrojmë mirë! Le të qëndrojmë me frikë!” Luftë e padukshme shumë herë. Armik i padukshëm, që na sulmon. Vijnë momente që, të magjepsur nga tërheqja e mëkatit, rrezikojmë të biem. Në atë moment dëgjohet urdhëri i Kryeengjëllit: “Le të vëmë re! Le të qëndrojmë mirë! Le të qëndrojmë me frikë!” Qëndroni në këmbë. Që të mos rrëshqisni! Të mos copëtoheni! Në këmbë në bedenat e shpirtit. Ruani besën dhe qashtërsinë.

Por njeriu është i dobët. Shikon shumë herë, se nuk mund ta durojë sulmin e armikut. Jemi të dobët, po. Por nuk jemi vetëm. Dikur në Dhiatën e Vjetër, Jisui i Navisë, pasardhësi i Moisiut, u gjend me Izraelitët, para Jerikosë me muret shumë të larta. Mendoi se ishte e pamundur të bien muret. Papritur, para tij shikon një njeri të panjohur, fytyra e të cilit ndriçonte. -Nga tanët je, apo nga kundërshtarët? –“Unë jam kryegjeneral i ushtrisë së Zotit dhe tani sapo erdha.” Jisui Navisë 5, 14. Ishte kryeengjëlli Mikael.

* * *

Dhe ne nuk jemi vetëm. Kur, përpara nesh, ngrihen, si mure shumë të larta dhe të forta, problemet, vështirësitë dhe ngasjet, një engjëll i fuqisë së Zotit “paraqitet”. Një nga engjëjt e Tij ka dërguar Perëndia i Tërëfuqishëm. Të ashtuquajturit persona të lartë në botë, kanë ndonjë truproje. Truprojat janë në shërbim të personave të lartë. Por Perëndia, ka vënë në dispozicion nga një truproje, jo për personat e lartë, por për të gjithë personat, për të gjithë njerëzit. Secilido prej nesh ka truprojën e tij, mbrojtësin e tij, engjëllin e tij. “Engjëll paqeje, udhëheqës besnik, të trupave dhe të shpirtrave tanë”. Lutet Kisha, që të mos mungojë nga ne. Dhe engjëlli ynë, nuk është vetëm roje për ne. Është dhe pedagog hyjnor i shpirtit tonë. Mendimin e mirë, frymëzimin e së mirës, atij ia detyrojmë. Dhe, për çdo veprim të mirë tonin, gëzimi i tij, këndon si bilbil i ëmbël brenda thellësive të zemrës sonë. Dhe “inkurajimi i tij” është një nxitje e re, për përsëritjen e çdo të mire. Megjithatë, si pedagog i ndriçuar nga dija hyjnore, di dhe të rrahë. Për të mirën tonë. Dhe ngaqë i vjen keq dhe i dhimbsemi, kur rrëshqasim në rrugën e virtytit dhe të detyrës, nuk nguron të na bëjë të pikëllohemi, që të gjejmë përsëri rrugën e drejtë dhe të ecim me qëndrueshmëri. Por dhe përsëri, kur, me dërrmim dhe me lot pendimi, e lajmë shpirtin nga ndotja e mëkateve, ndërkohë që transmeton lajmin e gëzueshëm, di të bëjë panair engjëllor në gjerësitë e qiejve “për një mëkatar të penduar”.

Vetëm një gjëje t’i trembemi. Asaj që e largon engjëllin nga ne. Se çfarë është kjo na e thotë shën Vasili i Madh: “Ashtu si tymi shpërndan bletët dhe era e keqe pëllumbat, kështu dhe mëkati e detyron engjëllin të largohet nga njeriu.” Këtij t’i trembemi. Mëkatit. Atëherë do ta mbajmë engjëllin tonë mbrojtës, shokun tonë, si udhëheqës, jo deri në fund të kësaj jete, por deri në portat e qiellit. Dhe akoma më lart. Do të na shoqërojë deri në fronin e Perëndisë.

Kur dikush feston, i bëjmë një dhuratë. Dhe engjëjt që festojnë në Nëntor, presin një dhuratë nga ne. Dhurata më e bukur për engjëjt është gëzimi. Engjëjt kanë gëzim. Por ka momente që ndiejnë një gëzim të veçantë, kur ua ofrojnë njerëzit. Kur? Kur të shikojnë në tokë një lot. Kur nga sytë e mëkatarit -dhe kush nuk është mëkatar?- do të bien lotë pendimi dhe rrëfimi para atit shpirtëror, engjëjt fluturojnë, i marrin këto lotë, dhe si diamante të çmuara i ngrenë në fronin e Perëndisë. “Bëhet gëzim përpara engjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet.”Llukait 15, 10.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Oh, sikur të ndodhte dhe tek ne kjo mrekulli e pendimit të sinqertë! Qielli do të kishte panair. Një gëzim i mistershëm shprese do të ndriçonte rrugën e jetës sonë; sepse Engjëj do të na presin pasi të lëmë trupin tonë, me Engjëj do të jetojmë përjetë, me Engjëj do të dëfrejmë në qiell!

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

 IGNATI

Berat me 08.11.2020

 

— facebook.com/mitropoliaberatit/

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων