20/03/2021 20/03/2021 E shtunë, 20 mars 2021 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS Mrekullia e grurit nga shën Theodhori. Oshënarët dëshmorë në Manastirin e Shën Savës. Dëshmore Aleksandria, Klaudia, Efprasia, Matrona, Juliana, Efimia dhe Theodhosia. Oshënar Nikita Konfesori, episkop i Apollonisë. – Mrekullia e grurit nga shën Theodhori – Më 361, Julian...
20 Μαρτίου, 2021 - 15:07
Τελευταία ενημέρωση: 20/03/2021 - 15:11

Shenjtori i ditës: Mrekullia e grurit nga shën Theodhori – Nga jeta e Shën Theodhorit – Oshënarët dëshmorë në Manastirin e Shën Savës – Dëshmore Aleksandria, Klaudia, Efprasia, Matrona, Juliana, Efimia dhe Theodhosia

Διαδώστε:
Shenjtori i ditës: Mrekullia e grurit nga shën Theodhori – Nga jeta e Shën Theodhorit – Oshënarët dëshmorë në Manastirin e Shën Savës – Dëshmore Aleksandria, Klaudia, Efprasia, Matrona, Juliana, Efimia dhe Theodhosia

E shtunë, 20 mars 2021 – Shenjtori i ditës.

JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS

Mrekullia e grurit nga shën Theodhori. Oshënarët dëshmorë në Manastirin e Shën Savës. Dëshmore Aleksandria, Klaudia, Efprasia, Matrona, Juliana, Efimia dhe Theodhosia. Oshënar Nikita Konfesori, episkop i Apollonisë.

– Mrekullia e grurit nga shën Theodhori –

Më 361, Julian Apostati po përpiqej, me sa kishte në dorë, të rivendoste zakonet pagane. Duke e ditur se të krishterët e kishin zakon të shenjtëronin veten e tyre gjatë Javës së Parë të Kreshmëve të Mëdha me lutje dhe kreshmë, tirani i lig i tha prefektit të Konstandinopojës të spërkaste të gjitha ushqimet që shiteshin në treg me gjakun e kafshëve të sakrifikuara për perënditë pagane. Në këtë mënyrë, asnjë njeri në qytet nuk do t’i shpëtonte dot ndotjes së idhujtarisë. Por Perëndia i të krishterëve nuk e braktisi popullin e Tij të zgjedhur. Ai dërgoi shërbëtorin e Tij, Theodhorin, për të turpëruar tiranin. Shën Theodhori iu shfaq në një vizion patriarkut Evdhoks (360-364) dhe e informoi për çka ndodhte dhe se duhej të urdhëronte të krishterët të mos blinin ushqim në treg, por, në vend të tyre, të hanin koliva, grurë të zier. Kështu, falë ndërhyrjes së martirit të shenjtë, Theodhorit, populli i krishterë u ruajt i pacenuar nga ndotja e idhujtarisë.

Kisha ka caktuar përkujtimin e kësaj mrekullie të shtunën e parë të Kreshmës së Madhe, për t’u kujtuar besimtarëve se kreshmimi dhe përkorja kanë fuqinë për të pastruar të gjitha njollat e mëkatit.

 

—-

 

– Nga jeta e Shën Theodhorit –

Ky martir i madh dhe i shenjtë i Krishtit e kishte origjinën nga Amasia e Pontit dhe ishte një legjionar romak në kohën e persekutimit të madh të Maksimianit (rreth 303). Ishte i krishterë që prej fëmijërisë, por e mbante të fshehtë besimin e tij, jo nga frika, por sepse nuk kishte marrë ende një shenjë nga Perëndia për ta paraqitur veten për martirizim. Ndërsa kohorta e tij ishte vendosur pranë qytetit të Efkaitës (Helenoponti), mësoi se njerëzit e asaj krahine kishin frikë nga një bishë, që kishte bërë strehë në pyllin atje pranë. E kuptoi se në këtë ngjarje fshihej përgjigjja që Perëndia do t’i jepte, nëse kishte ardhur koha ose jo që të martirizohej. Ndaj shkoi thellë në pyll, ku gjeti një fshat të shkretuar, banorja e vetme e të cilit ishte Efsevia, një princeshë e krishterë, e cila i tregoi se ku strehohej bisha. Theodhori e gjeti dhe, pasi u armatos me shenjën e Kryqit të shenjtë, e gjuajti me shtizën e tij bishën që ulërinte e tërbuar dhe e vrau.

I bindur se tashmë, me anë të hirit të Perëndisë, ishte gati për të fituar edhe mbi dragoin shpirtëror, Djallin, siç kishte bërë me bishën e dukshme, shën Theodhori u kthye në kamp, i gatshëm për të pohuar besimin e tij. Kur komandanti i kohortës së tij urdhëroi që të bëhej një sakrificë për zotat e perandorisë, Theodhori qëndroi në tendën e tij. “Unë jam i krishterë”, i tha ai skuadrës që erdhi për ta kërkuar. “Unë adhuroj vetëm Krishtin. Ai është mbreti që unë i shërbej dhe vetëm Atij jam gati t’i ofroj therore”. Pasi i bënë pyetje me djallëzi, ata e lanë për të pyetur edhe ushtarë të tjerë të krishterë. Theodhori, duke marrë zemër prej zjarrit të zellit hyjnor, i nxiti edhe të krishterët e tjerë që ta shfaqnin veten e tyre të denjë për Krishtin, i Cili i kishte zgjedhur ata ushtarë në mbretërinë e Tij qiellore. Atë natë ai shkoi në tempullin pagan dhe shkatërroi altarin e Reas, nënës së zotave, duke e bërë copa-copa. E kapën teksa po bënte këtë veprim dhe e çuan te guvernatori Publius.

Në Efkaita u bë trazirë e madhe kur u mësua për këtë ngjarje, por Theodhori iu përgjigj me qetësi guvernatorit, duke i treguar absurditetin e të besuarit se një copë e vogël druri, që ishte djegur në pak minuta, ishte një hyjni. Kur e kërcënuan me tortura të frikshme, shenjtori u përgjigj: “Kërcënimet tuaja nuk më frikësojnë, sepse, në mes të këtyre torturave, fuqia e Krishtit do të jetë gëzim dhe ngazëllim për mua”. Duke kërcëllitur dhëmbët nga inati, guvernatori e futi në një burg të errët. Atë natë Krishti iu shfaq në burg shërbëtorit të tij besnik dhe i premtoi se Hiri i Tij do të ishte ushqimi, pija, gëzimi dhe mbrojtja e tij. I ngushëlluar në këtë mënyrë, Theodhori i psali tërë natën himne Perëndisë së bashku me engjëjt, aq sa rojat menduan se kishte edhe të krishterë të tjerë aty brenda edhe pse dyert e burgut ishin të mbyllura.

Kur i ofruan bukë dhe ujë, Theodhori i refuzoi duke thënë se Krishti i kishte premtuar atij ushqim prej qiellit. Kur mbërriti te Publiusi për herë të dytë, atij i ofruan një post të lartë priftëror të idhujve, por shenjti qeshi dhe e siguroi guvernatorin se ishte gati të vdiste për hir të dashurisë për Krishtin. Atëherë e varën nga thembrat dhe trupin ia çanë me thonj hekuri. Por kur panë qëndresën e pathyeshme të shenjtorit, torturuesit e kuptuan se lodheshin më kot dhe guvernatori, duke parë vendosmërinë e tij e duke pasur frikë shembullin e tij, që do të inkurajonte edhe të krishterë të tjerë, e dënoi me vdekje.

Kur mbërritën te turra e druve, martiri i hoqi vetë rrobat dhe iu lut nxehtësisht Perëndisë, që t’i forconte edhe martirët e tjerë. Ai shkoi vetë drejt flakëve, që e rrethuan por nuk e prekën, sikur donin të tregonin me këtë bindjen e tyre. Në mes të atij rrethi triumfal shën Theodhori ia dha frymën Perëndisë, duke e falënderuar Atë. Efsevia shpresëtare bleu trupin e tij dhe e çoi në Efkaita. Aty u ndërtua një kishë për nder të shën Theodhorit, ku pelegrinët e shumtë fitonin shëndetin e shpirtit dhe të trupit, duke u lutur me besë.

Shën Theodhor Tironi përveç mrekullisë grurit, kreu edhe shumë mrekulli të tjera për ata që i luteshin me besë.

Një ditë, duke shkëlqyer mbi një kalë të bardhë, ai iu shfaq një vejushe të varfër dhe i solli djalin e saj të vetëm, që ishte kapur rob prej saraçenëve. Ai i çonte shpesh në vend të sigurt shumë njerëz që i zinte stuhia e tmerrshme; drejtonte hajdutët në pendim dhe shumë të arratisur i ktheu përsëri në paqe pranë fëmijëve të tyre. Në të gjitha mrekullitë ky legjionar romak tregoi se është mbrojtës qiellor i të krishterëve.

 

 

* * * * *

 

– Oshënarët dëshmorë në Manastirin e Shën Savës –

Në vitin 796, saraçenët nisën një luftë të përgjakshme kundër fiseve beduine të shpërndara në Palestinë dhe të dy palët sulmuan fshatrat e qytetet e krishtera. Kështu ata plaçkitën qytetin e Elefteropolit, duke e boshatisur nga banorët dhe rrafshuan Gazën, Askalonin dhe qytete të tjera. Një numër i madh banorësh të këtyre zonave gjetën strehë në qytetin e Jerusalemit, fortifikatat e të cilit ishin përforcuar dhe, me ndihmën e Perëndisë, mundën t’i zmbrapsin sulmet barbare. Të tërbuar nga dështimi kundër qytetit të shenjtë të Jerusalemit, ata u turrën me egërsi kundër manastireve të zonës, duke zbritur si re karkalecash mbi lavrën e Shën Haritonit dhe, pasi e plaçkitën, iu drejtuan lavrës së Shën Savës, e cila u rezistoi për njëfarë kohe sulmeve të tyre.

Kaluan disa muaj nën kërcënimin e pandërprerë të sulmeve të këtyre ujqve të shkretëtirës. Murgjit luteshin ditë e natë te Perëndia, duke lypur mëshirën e Tij dhe duke inkurajuar njëri-tjetrin, se duhej t’i rezistonin çdo lloj kërcënimi, madje edhe vdekjes, sesa të largoheshin nga vendi ku kishin mohuar jetën e kësaj bote, sipas zotimeve që kishin marrë kur ishin qethur murgj. Ata i thoshin njëri-tjetrit: “Si është e mundur që ata që kanë mohuar botën, për të ndjekur Krishtin që tha: ‘Mos kini frikë ata që vrasin trupin’ (Matth. 10:28), të kthehen në botë nga frika e njerëzve? Krishti është mbrojtja jonë e vetme dhe Shpirti i Shenjtë mburoja ndaj shigjetave të barbarëve. ‘Sepse për ne të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim’” (Fil. 1:21).

Atëherë djalli mblodhi rreth gjashtëdhjetë barbarë, të cilët, nga frika e një ekspedite bizantine, ishin shpërndarë në shkretëtirë dhe i dërgoi të sulmonin lavrën, më 13 mars të vitit 797. Disa murgj u dolën para dhe iu folën qetë, duke u kujtuar mikpritjen dhe ndihmën që manastiri ofronte pa dallim, si për të krishterët ashtu dhe për saraçenët. Barbarët u kërkuan murgjve t’u jepnin arin e manastirit, por ata iu përgjigjën se mezi siguronin të ardhurat për t’u ushqyer e për t’u veshur.
Atëherë të inatosur, pasi rrëmbyen ç’gjetën rrotull, u vunë zjarrin qelive. Kur në horizont po afrohej një ushtri e krishterë, saraçenët ia mbathën, por gjashtë ditë më vonë, më 19 mars, më të shumtë në numër, u sulën përsëri si bisha të egra ndaj manastirit, therën disa murgj si të ishin kafshë për thertore, disa të tjerëve ua shtypën kokën me gurë dhe i ndoqën ata që morën arratinë nëpër shkrepa. Kur iu afruan njërës prej shpellave ku mendonin se kishte njerëz, një nga pesë murgjit që fshiheshin atje doli që të jepej në duart e tyre dhe të kursente vëllezërit e tjerë.

Më pas i mblodhën ata që mbetën në oborrin e manastirit dhe u kërkonin me forcë t’u jepnin thesaret dhe të tregonin superiorët e tyre. Meqë etërit ruajtën heshtjen, i mbyllën në një tunel të nëndheshëm, të cilin shën Sava e përdorte për të kaluar nga qelia e tij për te kisha, dhe e mbushën me tym. Tetëmbëdhjetë murgj vdiqën të asfiksuar, të tjerët i nxorën jashtë për t’i shtypur me këmbë e i rrahën, ndërsa më pas plaçkitën kishën dhe qelitë.

Rrëmbyesit u larguan, duke lënë mbrapa tyre njëzet etër të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur rëndë. Pak kohë më vonë, zemërimi hyjnor goditi me një epidemi murtaje barbarët e përfshirë në këtë sulm kundër shërbëtorëve të Perëndisë.

 

* * * * *

 

– Dëshmore Aleksandria, Klaudia, Efprasia, Matrona, Juliana, Efimia dhe Theodhosia –

Gjatë kohës së persekutimit të madh të Maksimianit (303-305), meqë i dërguari i tiranit dënonte me vdekje dhe me tortura të frikshme të gjithë të krishterët e qytetit të Aminsos në Kapadoki, këto shtatë gra guximtare dolën para qeveritarit dhe e qortuan për mizorinë që po bënte kundër të krishterëve, duke pohuar ndërkohë Krishtin si Perëndinë e vërtetë.

Ushtarët u sulën mbi to, i zhveshën dhe i fshikulluan. U shqyen trupin me egërsi të tillë, sa u dolën edhe zorrët dhe pastaj i hodhën në një furrë të ndezur, ku atletet e bekuara plotësuan betejën e tyre të lavdishme.

 

facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων