10/12/2021 10/12/2021 E premte, 10 dhjetor 2021 – Shenjtori i ditës. Dëshmorët Minai, Hermogjeni, Efgrafi. Dëshmorët Gemeli, Mariani. Oshënar Thoma Defurkinos. JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES (15 NËNTOR – 25 DHJETOR) – Dëshmorët Minai, Hermogjeni, Efgrafi – Gjatë mbretërimit të shkurtër, në perandorinë e Lindjes, të Maksiminit të Thrakës, një njeri mizor dhe shumë i rreptë (235),...
10 Δεκεμβρίου, 2021 - 14:35

Dëshmorët Minai, Hermogjeni, Efgrafi

Διαδώστε:
Dëshmorët Minai, Hermogjeni, Efgrafi

E premte, 10 dhjetor 2021 – Shenjtori i ditës.

Dëshmorët Minai, Hermogjeni, Efgrafi. Dëshmorët Gemeli, Mariani. Oshënar Thoma Defurkinos.

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

– Dëshmorët Minai, Hermogjeni, Efgrafi –
Gjatë mbretërimit të shkurtër, në perandorinë e Lindjes, të Maksiminit të Thrakës, një njeri mizor dhe shumë i rreptë (235), qyteti i Aleksandrisë ishte i përfshirë nga mosmarrëveshje politike dhe nga suksesi i vazhdueshëm që korrnin mbështetësit e Ungjillit mbi adhuruesit e idhujve të kotë. U dërgua edhe një delegacion pranë Maksiminit për të kërkuar ndërhyrjen e tij dhe sovrani caktoi një prej këshilltarëve të tij, Minain, për të pajtuar palët kundërshtare.
Minai, një njeri i shkolluar dhe fisnik nga Athina, ishte quajtur edhe Melodiozi (Kalikelados), për shkak të elokuencës së tij të famshme. Por perandori nuk e dinte faktin se ai ishte kthyer në Krishterim prej shumë viteve dhe se ishte në pritje të një shenje nga Perëndia për të pohuar besimin e tij, sepse kishte frikë se mos ndoshta nuk ishte gati për një vdekje të parakohshme.
Kur mbërriti në Egjipt, nuk e pati të vështirë të vendoste mirëkuptimin dhe paqen midis banorëve, për hir të fjalës së tij plot urtësi dhe autoritetit të marrë nga perandori. Por, për sa i takon Ungjillit, ai, në vend që ta ndalonte, u shfaq si mbrojtësi i tij më i flaktë. Duke përbuzur artificet e diskutimeve të ndryshme të diturisë së botës, ai dëshironte të shpallte përherë me forcë mesazhin e shpëtimit ndër paganët dhe të fuqizonte të krishterët në besimin e tyre.
Për më tepër këtë e shfaqte edhe me anë të shumë mrekullive që kryheshin nëpërmjet tij, fakt që zbulonte se Krishti banonte tek ai me fuqi. I mjaftonte të vinte dorën mbi të sëmurët që shkonin tek ai dhe t’i shënonte me shenjën e Kryqit, që ata të shëroheshin menjëherë dhe të lavdëronin Perëndinë. Përpara këtyre mrekullive të panumërta, shumë banorë të Aleksandrisë, kryeqytetit të paganizmit, hiqnin dorë nga mashtrimi i idhujve, i përmbysnin ato dhe shkonin të takonin shenjtorin, për të shuar etjen me ujin e gjallë të mësimit të tij.
Kur perandori mësoi se metropoli i Egjiptit rrezikonte të kthehej i gjithi në Krishterim me anë të atij që e kishte dërguar si njeriun e tij të besuar, ai dyshoi se brenda kësaj fshihej një komplot dhe se Minai synonte uzurpimin e pushtetit të tij. Ai vendosi ta lironte nga detyrat e tij dhe dërgoi në Aleksandri një tjetër magjistrat, Hermogjenin, për të rivendosur autoritetin e tij dhe për të bindur Minain të braktiste besimin e krishterë nën kërcënimin se, në rast refuzimi, do t’i pritej koka pasi më parë të vihej në tortura të frikshme. Edhe Hermogjeni ishte me origjinë nga Athina. I mirë dhe i drejtë, ai besonte, duke mos e njohur Krishtin, se i shërbente drejtësisë duke mbrojtur interesat e perandorit. Ai hyri në qytet i shoqëruar nga një eskortë e fortë dhe, pasi e futi Minain në burg, urdhëroi ta sillnin për ta gjykuar.
Por Minai iu përgjigjej me shumë qetësi dhe siguri në vetvete të gjitha pyetjeve të Hermogjenit. Ai pohoi edhe një herë besnikërinë e tij ndaj perandorit në gjithçka që nuk binte në kundërshtim me besimin e tij në Perëndinë e vetëm triadik dhe në Birin e Tij të mishëruar, për hir të shpëtimit tonë. Ai tregoi se si ishte konvertuar dhe se si Perëndia, që nga ajo kohë, nuk kishte reshtur së bëri mrekulli me anë të tij.
Populli i mbledhur atje, ndjeu admirim të madh teksa dëgjonte shenjtorin që po pohonte publikisht fuqinë e Krishtit dhe po hidhte poshtë me aq shumë autoritet kultin e idhujve të rremë. Ishin kaq shumë të pranishmit që dëshmonin mrekullitë e bëra nga ai, saqë u bë një zhurmë e madhe dhe mbledhja po kthehej në favor të të krishterëve. Prefekti e mbylli seancën dhe urdhëroi që gjykimi të vazhdonte të nesërmen.
Në agimin e ditës tjetër, u mblodhën përsëri në amfiteatër. Hermogjeni urdhëroi të sillnin përsëri përpara tij martirin dhe, pasi i paraqiti të gjitha mjetet e torturës, shpresonte ta kthente atë nga besimi i tij dhe të mohonte Krishtin. Por as fjalët dhe as pamja e frikshme e mjeteve të torturës nuk mund të tronditnin dot shërbëtorin e Perëndisë. I rropën lëkurën e këmbëve, duke e mbuluar vendin me gjak, por martiri, me gjithë dhimbjen e madhe, kishte fytyrë paqësore dhe plot dritë. Për më tepër, psalte lavdërime për Perëndinë dhe kështu duroi tortura të shumta, i duartrokitur edhe nga turma e madhe entuziaste. Duroi prerjen e gjuhës dhe nxjerrjen e të dy syve dhe në fund fare Hermogjeni urdhëroi ta çonin në qeli dhe të nesërmen t’ua flaknin bishave të egra.
Gjatë natës, Zoti Jisu Krisht iu shfaq Minait në burg dhe e shëroi nga të gjitha plagët. Ditën tjetër, Hermogjeni, i penduar për mizorinë e tij, vendosi ta mblidhte përsëri turmën në amfiteatër, për të nderuar heroizmin e atij që mendonte se tanimë duhej të kishte vdekur. Por sa e madhe ishte habia e tij kur pa shën Minain të paraqitej përpara tij shëndoshë e mirë, i shoqëruar nga dy engjëj me pamje të shkëlqyer, që ishin dërguar nga Perëndia për t’i shërbyer si truproja. Hermogjeni pranoi fuqinë e besimit të të krishterëve, e cila është më e fortë se vdekja dhe çdo pushtet tjetër në botë dhe u kthye në të krishterë, i brohoritur nga populli.
Pak kohë më vonë u pagëzua në shoqërinë e shumë banorëve të Aleksandrisë dhe pas 8 ditësh, sipas këshillës së shën Minait, ai u zgjodh episkop i qytetit të madh egjiptian nga një asamble e përbërë prej 13 episkopësh që ndodheshin aty për të mbështetur luftën e shenjtorëve. Hermogjeni, në detyrën e episkopit, nisi të tregonte me anë të jetës së tij shembullin e jetesës ungjillore: i shpërndau te të varfrit pasuritë e tij, përmbysi altarët e idhujve dhe i ktheu ato në kisha të Perëndisë. Ai predikonte pareshtur fjalën e së vërtetës, vizitonte të sëmurët dhe tregohej i dhembshur për fatkeqësinë e të gjithë atyre që ndodheshin në mundime dhe vuajtje, njësoj si Krishti.
Perandori, kur mori vesh këto lajme të reja, i tërbuar, vendosi të linte çdo punë tjetër dhe të shkonte vetë në Aleksandri me një ushtri të madhe, për të dënuar këta rebelë të rrezikshëm. Pas një gjykimi, në të cilin perandori doli shumë i ngatërruar, falë mbrojtjes së bërë nga martirët, Maksimini urdhëroi xhelatët t’i prisnin këmbët dhe duart Hermogjenit dhe t’ia flaknin në një furrë të ndezur përpara tij. Pastaj dha urdhër t’ia shponin trupin me heshta dhe t’ia shpërndanin në tokë të përbrendshmet, para se ta flaknin trupin në lumë.
Pastaj u kthye nga Minai, që ishte përgjegjës për të gjitha sa kishin ngjarë. Duke pasur frikë se mos bëhej përsëri qesharak përpara popullit nga ndonjë mrekulli e shenjtorit, apo edhe nga frika se mos provokonte kryengritje popullore po ta ekzekutonte atë në publik, perandori vendosi ta varte Minain në burg. Në një qeli të errët, e vari shenjtin nga krahët dhe i vuri gurë të rëndë në këmbë, që të vdiste me ngadalë dhe me dhimbje, pa asnjë ngushëllim njerëzor.
Por të dy shenjtorët shpëtuan në mënyrë të mrekullueshme nga Perëndia dhe u paraqitën përpara tiranit, të përshëndetur nga britma entuziaste të turmës që thërriste: “Nuk ka perëndi tjetër, përveçse Perëndisë të vërtetë: Krishtit”. Përpara kësaj pamjeje të mrekullueshme, njëfarë Efgrafi, sekretar i Minait, me zemrën të mbushur plot me guxim të shenjtë, kërceu në pistë dhe, duke bërë shenjën e Kryqit, shpalli se ishte i krishterë dhe kërkoi nderin që të vdiste për Zotin. Maksimini, në kulmin e tërbimit përpara heroizmit të atij djali të ri, si dhe nga qortimi që i bëri ai, kapi shpatën e një prej truprojave të tij dhe e vrau me duart e veta. Pastaj, pa humbur kohë, ua preu kokën Minait dhe Hermogjenit.
Lipsanet shenjta të martirëve u transferuan më pas në Bizant, të shoqëruara me shumë mrekulli, provë që Shpirti i Shenjtë banonte dhe banon gjithnjë në trupin e shenjtorëve, edhe pas vdekjes së tyre.
* * * * *
– Dëshmor Gemeli –
Perandori Julian Apostati (361-363), duke kaluar një ditë nëpërmjet Ankirës në një udhëtim të tij në Azinë e Vogël, takoi një të krishterë shpresëtar nga enoria e Klimaksinës, i cili e qortoi me aq shumë ashpërsi për blasfemitë e tij, saqë tirani u nxeh tej mase. Urdhëroi ta arrestojnë dhe ta torturojnë aty në vend. Pastaj, ai dha urdhër ta merrnin me vete në gjithë udhëtimet e tij, duke e torturuar gjatë ndalesave në qytete të ndryshme të Azisë së Vogël. I fortë si diamant, martiri i shenjtë vazhdoi të qëndronte i palëkundur në besimin e tij dhe madje u pagëzua me Pagëzimin e Shenjtë, gjatë këtij marshimi, ndërsa plagët e tij u shëruan dhe u dëgjua një zë prej qiellit, që tha: “Ti je i bekuar, Gemel, sepse luftove me trimëri!”. Më pas shenjtorin e kryqëzuan në kryq dhe ai dorëzoi shpirtin te Zoti. Të krishterët besimtarë e morën trupin në fshehtësi, për t’i bërë një varrim të denjë martirit të Krishtit.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων