06/06/2022 06/06/2022 E hënë, 6 qershor 2022 – Shenjtori i ditës. Oshënar Ilarioni i Ri. Oshënarët Atali, Anuvi, çudibërës. Dëshmor Gjelasi. Oshënar Klaudi, episkop i Bezansonit. – OSHËNAR ILARIONI I RI – Ati ynë oshënar Ilarioni ishte me origjinë nga Kapadokia. I ati ishte furnitor buke në pallatin perandorak. Kur ishte 20 vjeç, Ilarioni hyri në manastirin...
06 Ιουνίου, 2022 - 14:09

OSHËNAR ILARIONI I RI

Διαδώστε:
OSHËNAR ILARIONI I RI

E hënë, 6 qershor 2022 – Shenjtori i ditës.
Oshënar Ilarioni i Ri. Oshënarët Atali, Anuvi, çudibërës. Dëshmor Gjelasi. Oshënar Klaudi, episkop i Bezansonit.
– OSHËNAR ILARIONI I RI –
Ati ynë oshënar Ilarioni ishte me origjinë nga Kapadokia. I ati ishte furnitor buke në pallatin perandorak. Kur ishte 20 vjeç, Ilarioni hyri në manastirin e Ksirokopion të Konstandinopojës, dhe shpejt iku së andejmi për në manastirin e famshëm të Dalmatës, ku u qeth murg. I përulur dhe i dashuruar pas qetësisë, për dhjetë vite me radhë shërbeu si kopshtar, duke shkëlqyer në virtyte. Meqë kishte dëbuar me lutje një demon nga një djali i ri, igumeni e hirotonisi prift pa dëshirën e tij.
Pak kohë pas vdekjes së igumenit, bashkëmurgjit donin ta zgjidhnin igumen dhe për këtë arsye shenjtori shkoi në manastirin e Katharëve, në Bitini. Por murgjit e Dalmatës i bënë thirrje patriarkut Niqifor dhe perandorit për ta kthyer shenjtorin në manastir. Kështu ai u emërua prej Sinodit të Shenjtë igumen dhe arkimandrit i manastireve të kryeqytetit (807). E drejtonte me paqe grigjën e tij shpirtërore kur Leon Armeni, i cili kishte filluar një persekutim të ri ikonoklast (813), e thirri Ilaronin të paraqitej tek ai dhe u përpoq ta bindte për të mos i nderuar më ikonat e shenjta. Shenjtori e qortoi me guxim dhe e quajti ateist dhe apostat të ri. Leoni u tërbua dhe e torturoi dhe më pas e futi në burg.
Pas një burgimi të gjatë, Hilarionin e çuan prapë para perandorit, të cilit i përsëriti pa frikë të njëjtat fjalë. Atëherë Leoni ia dorëzoi patriarkut heretik Theodhot Kasiterasi, me shpresë se ky i fundit do t’ia dilte mbanë ta bindte pohuesin e guximshëm dhe, bashkë me të, do të kthehej edhe një pjesë e madhe e murgjve. Theodhoti dështoi dhe e mbylli për shumë ditë Hilarionin në një burg të errët, pa i dhënë ushqim. Nxënësit, kur mësuan se rrezikohej të vdiste nga uria, e lutën perandorin ta lironte shenjtorin, duke premtuar se ati i tyre shpirtëror do t’i nënshtrohej vullnetit të tij. Leoni e liroi dhe i premtoi se do t’i jepte përsëri manastirin e tij. Por shumë shpejt e kuptoi se e kishin gënjyer dhe shenjtorin e mbyllën për gjashtë muaj në manastirin e Foneos, në Bosfor,
ku e keqtrajtonin me urdhër të igumenit, i cili mbante tashmë anën e perandorit.
Pas një dalje tjetër para tiranit, Hilaronin e çuan në manastirin e Kiklovion, në anën perëndimore të kryeqytetit, ku qëndroi për dy vjet e gjysmë dhe që aty e çuan në burgun e Numerianëve, pranë pallatit. Së andejmi, pasi e rrahën me kamxhik, e internuan në fortesën Protilion.
Pas vrasjes së Leon Armenit në kishën ku kishte nisur persekutimin kundër ikonave, duke hedhur përtokë ikonën e Krishtit, Mihaili II mori pushtetin dhe urdhëroi të liroheshin të gjithë pohuesit e besimit (820). Hilarioni u lirua, por nuk e lanë të hynte në kryeqytet. Ai jetoi shtatë vjet në një pronë fshati, që ia la një grua besimtare, deri në fund të mbretërimit të Theofilit, i cili i thirri të gjithë mbrojtësit e ikonave të shenjta, duke i marrë në pyetje një e nga një. Kur e pyetën se a do t’i nënshtrohej autoritetit perandorak, shenjtori e dënoi tiranin, duke e quajtur si të pabesë dhe mashtrues. Për këtë mori 117 goditje me shkopinj, pa pasur mëshirë për moshën e tij, pastaj e internuan në ishullin Afusia në jug të Propontidës.
Shenjtori gërmoi një qeli të ngushtë në një shkëmb dhe u lut që të dilte një burim uji. Perëndia ia dëgjoi lutjen dhe ai qëndroi atje deri në vdekjen e Theofilit (842). Shumë shpejt, shën Hilarioni, me lejen e perandoreshës Theodhora, u kthye në Konstandinopojë dhe mori përsëri drejtimin e manastirit të tij. Pasi ndihmoi në restaurimin e Orthodhoksisë, kaloi tre vjet duke u mësuar murgjve traditat e shenjta, duke shkëlqyer me shenjtërinë dhe mrekullitë e tij, dhe më pas, në moshën 70-vjeçare (845), ia dorëzoi shpirtin Zotit.
* * * * *
– OSHËNAR KLAUDI, EPISKOP I BEZANSONIT –
Lindi më 607 dhe ishte bir i guvernatorit të Bezansonit. Megjithëse që i ri ishte ushqyer me jetët e shenjtorëve, u bë ushtarak. Në moshën 20-vjeçare e braktisi ushtrinë tokësore për të hyrë në rreshtimin e Krishtit. U pranua nga kleri i katedrales së Bezansonit, i cili në atë kohë jetonte si në një manastir, duke ndjekur rregullin që sapo kishte shkruar episkopi i tyre, shën Donati. Shumë shpejt u bë modeli i priftërinjve dhe u caktua nga episkopi të jepte mësim në shkollën e katedrales.
Pas 12 vjet jetë asketike, ai u bë murg në manastirin e Kondatit, të themeluar nga shën Romani (28 shkurt), që bashkë me manastirin e Lukseilit ishin ndër më të famshmit në atë kohë. Ushqehej me rrënjë bimësh, flinte në kushte të mjerueshme. Igumeni i propozonte të merrte vendin e tij, por shenjti gjithnjë refuzonte. Pas vdekjes së tij (644), me dëshirën e vëllezërve shën Klaudi u bë igumen i manastirit. Me ndihmën e mbretit Klovis II, dhe me mbështetjen e gruas së tij shën Batildës (30 janar), shenjti mori një ndihmë të madhe për vëllazërinë dhe zgjerimin e manastirit. Ndoqi rregullin e shën Benediktit.
Pas vdekjes së episkopit të Bezansonit, Gjervazit, populli dhe klerikët u grindën për zgjedhjen e pasuesit. U lutën dhe dëgjuan një zë nga qielli që propozonte shën Klaudin si bari të tyre. Nuk pranoi, por më vonë iu bind vullnetit të Perëndisë dhe të popullit. Jetonte me asketizmin e një murgu, duke u dhënë me zell edhe në detyrat e një episkopi. Pas 7 vjet si episkop, pasi pa që kleri e neglizhonte disiplinën e vendosur, ai hoqi dorë nga froni episkopal dhe u kthye në manastirin tij (693). Jetoi atje për 6 vjet në paqe dhe fjeti më 6 qershor 699.
Në shekullin e 12-të, trupi i tij u gjend i paprishur dhe shumë mrekulli ndodhën me lipsanin e tij. Për fat të keq, më 1794 një pjesë e lipsanit të tij u dogj nga revolucionarët.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων