08/02/2021 08/02/2021 E hënë, 8 shkurt 2021 – Shenjtori i ditës. Profeti Zaharia. Dëshmor i madh Theodhor Stratilati. Dëshmorët Likarioni, Marta etj. – Profeti Zaharia – Profeti i shenjtë Zaharia, biri i priftit Ido, u kthye nga internimi në Babiloni, sipas një urdhri të Kirit (538 para Krishtit). Ai nisi të profetizonte në Jerusalem me profetin Agje,...
08 Φεβρουαρίου, 2021 - 17:01

Profeti Zaharia

Διαδώστε:
Profeti Zaharia

E hënë, 8 shkurt 2021 – Shenjtori i ditës.
Profeti Zaharia. Dëshmor i madh Theodhor Stratilati. Dëshmorët Likarioni, Marta etj.
– Profeti Zaharia –
Profeti i shenjtë Zaharia, biri i priftit Ido, u kthye nga internimi në Babiloni, sipas një urdhri të Kirit (538 para Krishtit). Ai nisi të profetizonte në Jerusalem me profetin Agje, në vitin e dytë të mbretit Dar (520), për të nxitur judenjtë që të rinisnin punën e rindërtimit të tempullit, ndërprerë nga pengesat e shkaktuara nga samaritanët dhe të ndiqnin me besim qeveritarin Zorobabel dhe kryepriftin e madh Josue, që Perëndia e kishte caktuar kryetar të tyre.
Pasi e qortoi popullin që t’i linte punët e këqija dhe të kthehej te Perëndia: “Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem te ju, thotë Zoti Savaoth” (Zah. 1:4), ai bën të ditur me anë të një sërë profecish se rindërtimi i tempullit do të jetë shenja e dashamirësisë hyjnore për popullin e lodhur. “Zoti do ta ngushëllojë përsëri Sionin, ai do të zgjedhë përsëri Jerusalemin” (1:17). “Kështu flet Zoti. Do të kthehem në Sion dhe do të banoj në mes të Jerusalemit, Jerusalemi do të quhet Qyteti i Besnikërisë dhe mali i Zotit Savaoth, Mali i shenjtë” (8:3), sepse Perëndia e do me një dashuri xheloze popullin e Tij.
Në këtë qytet të rinovuar, që parafiguron Kishën, Jerusalemin e vërtetë, të gjitha kombet do të hyjnë për t’iu nënshtruar Krishtit, pararendës i të Cilit ishte Zorobabeli. Në një vizion tjetër, profeti pa një engjëll që zbriti nga qielli, për të matur me një litar përmasat e qytetit të ri të Perëndisë, portat e të cilit do të mbeten të hapura, për shkak të shumicës së banorëve të tij, mur i zjarrtë (2:9) rrethues i të cilit do të jetë Perëndia. Atje Shërbëtori i zgjedhur i Zotit, Mesia, Dielli që lind i ardhur nga lart, do të hyjë me përulësi, hipur mbi një pulisht, për të marrë zotërimin e mbretërisë së Tij me anë të Pësimit jetëdhënës.
Ndër shekuj, zëri i profetit Zaharia, i rimarrë nga ungjillorët, dëgjohet për të himnuar përulësinë e Zotit: “Ngazëllohu fort, o bijë e Sionit! Thirr nga gëzimi, bijë e Jerusalemit! Ja mbreti yt po vjen te ti: i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, …mbi një pulisht” (Zah. 9:9. Matth. 21:5).
Ai paratha gjithashtu se Krishtin do ta dorëzojnë për 30 monedha argjendi (shih 11:13) dhe paralajmëroi qartë pësimin e Tij, duke thënë: “Dhe ata do të shikojnë drejt meje, atë që e kanë shpuar. Ata do të vajtojnë mbi të, sikur të qajnë për një djalë të vetëm” (12:10, Jn. 19:37).
Por kjo do të jetë një vdekje shpëtimtare. Falë këtij Pësimi, do të rivendoset Shtëpia e Davidit. Dhe pas ardhjes së Shpëtimtarit “në atë ditë, do të ketë një burim të hapur për Davidin dhe për banorët e Jerusalemit, për të larë mëkatin dhe ndotjen” (13:1). Ky qytet i shenjtë do të ndriçohet nga një llambadar mbi të cilin do të ndodhen shtatë llamba, sytë e Zotit, që paraqesin shtatë dhuratat e Shpirtit të Shenjtë që i dërgohen Kishës gjatë Pentikostisë. Prandaj profeti pa këto llamba, që ishin të ushqyera me vaj nga dy pemë ulliri, Zorobabeli e Josueu, përfaqësues të pushtetit politik dhe të autoritetit shpirtëror, që Krishti do të bashkojë në personin e Tij hyjnor-njerëzor.
Me sytë e shpirtit të kthyer tek e ardhmja, Zaharia perceptoi në dritën e Mesisë qëllimet më të larta të gjinisë njerëzore dhe paratha betejën e madhe në ditët e fundme, që do të ndodhë kur të gjitha kombet do të mblidhen në Jerusalem për t’u gjykuar nga Perëndia dhe për t’u provuar nga zjarri. Vetë Zoti do të shfaqet atëherë, dhe të gjithë shenjtorët bashkë me Të; këmbët e Tij do t’i vendosë mbi malin e Ullinjve, duke hapur një luginë të madhe. Në këtë ditë të veçantë, drita e Perëndisë do të shkëlqejë përfundimisht, e kështu nuk do të ketë më ditë ose natë, ujëra të gjalla do të burojnë nga Jerusalemi për të vaditur botën mbarë. “Zoti do të jetë i vetmi Zot dhe emri i tij do të jetë unik” (14:19). Do të kremtohet një festë pa mbarim, në të cilën do të ftohen të gjitha kombet e dheut, judenj e paganë, ndërsa armiqtë do të vajtojnë përjetësisht në flakët e dënimit.
Në këtë Qytet të shenjtë do t’i ofrohet sakrificë Zotit, asgjë e ndyrë dhe keqe nuk do të hyjë, madje edhe tenxheret dhe zilet e kuajve do t’i kushtohen Perëndisë dhe do të mbajnë emrin e Zotit, që do të jetë tashmë gjithçka në të gjithë.
Profeti i shenjtë Zaharia e dha frymën e tij te Perëndia në një moshë të madhe dhe u varros pranë profetit Agje.
* * * * *
– Dëshmor i madh Theodhor Stratilati –
Martiri i madh Theodhor ishte nga Efkaita, një qytet i vogël jo larg Amasisë. Kuraja dhe aftësia oratorike tërhoqën vëmendjen e perandorit Licinius (rreth 320), i cili e caktoi kapiten të përgjithshëm dhe guvernator të qytetit të Herakleas në Pont. Kur mori detyrën, Theodhori ua bëri të ditur të gjithëve se ishte i krishterë dhe një pjesë e madhe e qytetit u konvertua në besimin e vërtetë për shkak të fjalëve të tij shumë të frymëzuara. Thuhet se ai e siguroi vërtetësinë e besimit të krishterë që predikonte duke vrarë një dragua, që terrorizonte banorët e zonës. I informuar për këto ngjarje që kishin lidhje me të zgjedhurin e tij, perandori e thirri Theodhorin. Por ai u përgjigj duke e ftuar Liciniusin që të vinte në Heraklea, me idhujt e tij të artë e të argjendtë.
Theodhori i bëri një pritje madhështore perandorit, i inkurajuar nga një vizion, ku i bëhej e ditur se tani ishte koha për të dëshmuar Krishtin duke derdhur gjakun. Licinusi lavdëroi rregullin e madh që ekzistonte në qytet dhe i tha guvernatorit të shfaqte nderimin e tij ndaj perëndive të tij, duke i ofruar atyre një sakrificë. Theodhori i kërkoi dhe i mori idhujt e artë në shtëpinë e tij, që t’i bënte gati për sakrificën publike të së nesërmes. E kaloi natën duke i copëtuar dhe në mëngjes ua shpërndau arin të varfërve. Kur erdhi ora e caktuar për sakrificën, një centurion shkoi i shqetësuar te perandori dhe i bëri të ditur se kishin gjetur një endacak që kishte kokën e artë të një statuje të hyjneshës Artemida.
Perandori, që nuk mblidhte dot veten, urdhëroi t’ia sillnin aty Theodhorin dhe ta rrihnin me kamxhik të bërë me deje demi 700 herë në kurriz dhe 50 herë në stomak dhe pastaj ta godisnin në zverk me një kamxhik lëkure me zara plumbi. Pastaj i rropën lëkurën dhe, pasi i vunë pishtarë të ndezur në plagë ia rropën mishin me copa tullash. Gjatë këtyre torturave shenjtori thoshte vetëm: “Lavdi më Ty, o Perëndi!”.
E futën përsëri në burg dhe e lanë 7 ditë pa ngrënë, më pas e mbërthyen mbi një kryq jashtë qytetit. Ushtarët e pamëshirshëm i futën në bark një shufër hekuri që i çau zorrët dhe fëmijët zbaviteshin duke e gjuajtur me shigjeta e, në këtë mënyrë, i nxorën edhe sytë. I duruar gjatë torturave dhe zemërgjerë me xhelatët, sipas shembullit të Zotit dhe Perëndisë Jisu, Theodhori qëndroi i palëkundur në lutjen e tij dhe e inkurajoi shërbëtorin e tij, Varusin, që të linte edhe me shkrim detajet e martirizimit të tij.
E lanë të varur në kryq gjatë gjithë natës, derisa një engjëll i Perëndisë erdhi për ta zgjidhur, e shëroi nga të gjitha plagët dhe e inkurajoi të qëndronte i palëkundur deri në fund të betejës së tij. Në mëngjes, kur ushtarët mbërritën atje, shkuan te kryqi për ta zgjidhur kufomën, por, kur e panë krejtësisht të shëruar, u konvertuan në të krishterë, duke tërhequr me vete edhe pjesën tjetër të kohortës, ashtu si edhe ushtarët e tjerë që erdhën për t’i ndëshkuar.
Pas gjithë këtyre mrekullive, qyteti u ngrit në revoltë. Licinusi dërgoi ushtarë të tjerë për ta ekzekutuar pa humbur kohë Theodhorin, si shkakun e gjithë këtyre rrëmujave. Disa të krishterë donin ta pengonin këtë gjë, por shenjtori, duke e ndier se kishte ardhur ora për t’u bashkuar me Krishtin, i ndaloi dhe shkoi i gëzuar para xhelatëve. Pasi u armatos me shenjën e Kryqit jetëdhënës, uli kokën dhe mori me një goditje të shpatës kurorën e fitores.
Sipas udhëzimeve të shenjtit, të krishterët e çuan lipsanin e shenjtë me një kortezh triumfal në shtëpinë e tij atërore, në Efkaita. Mrekullitë e tij ishin aq të shumta ndër shekuj, sa qyteti mori emrin Theodhoropolis.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων