15/03/2021 15/03/2021 E DIELA E TË LIDHURIT TË DJATHIT Mattheu 6, 14-21. NJË KUSHT SHUMË I RËNDËSISHËM “Nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor.” v. 14. Një predikim faljeje, për ata që na padrejtësojnë, përmban Ungjilli i të dielës së sotme. Falni, që të faleni, na thotë. Jepni falje,...
15 Μαρτίου, 2021 - 16:45
Τελευταία ενημέρωση: 15/03/2021 - 16:48

“Një Kusht Shumë i Rëndësishëm”

Διαδώστε:
“Një Kusht Shumë i Rëndësishëm”

E DIELA E TË LIDHURIT TË DJATHIT
Mattheu 6, 14-21.
NJË KUSHT SHUMË I RËNDËSISHËM
“Nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor.” v. 14.
Një predikim faljeje, për ata që na padrejtësojnë, përmban Ungjilli i të dielës së sotme. Falni, që të faleni, na thotë. Jepni falje, që të merrni falje. “Nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor.” Ky është një kusht dhe një marrëveshje e qartë, që Perëndia bën me ne. Ne, do ta mohojmë këtë? Kurrë. Sepse na kërkon faljen e vëllezërve tanë.
* * *
Kur Zoti u mësonte njerëzve me “predikimin e Tij mbi mal”, pasi dha si shembull lutjen “Ati ynë”, në vazhdim theksoi nevojën të falim vëllezërit tanë. Sepse, siç na tha Ai vetë, nëse falni mëkatet që ju bëjnë njerëzit, Ati juaj Qiellor do falë dhe mëkatet tuaja. “Po nëse nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë fajet tuaja.” Domethënë, nëse nuk i falni njerëzit që mëkatuan ndaj jush, as Ati juaj nuk do tua falë mëkatet tuaja ndaj Tij.
Fjala e Perëndisë është e qartë. Kusht i domosdoshëm, që Perëndia të falë mëkatet tona të shumta dhe të larmishme, është të mësojmë edhe ne të falim të tjerët për gabimet dhe padrejtësitë, me të cilat ndoshta na dëmtuan ose na padrejtësuan. Patjetër, në shikim të parë kjo nuk është e lehtë. Vjen në kundërshtim me dinjitetin tonë të lënduar, me interesat tona personale, ndoshta dhe me të drejtë. Sidoqoftë, tërheqja jonë dhe falja e vëllait tonë nuk është dobësi dhe humbje. Përkundrazi, është një privilegj i madh, sepse na bën
të ngjajmë me Perëndinë, i Cili tregoi aq shumë dashuri për ne njerëzit mëkatar dhe mosmirënjohës. Është dhe fitore e madhe sepse mposhtim muret, që ngre egoizmi ynë dhe mundim djallin e ligë, që ushqen çdo mosmarrëveshje dhe ndarje.
Në mënyrë të logjikshme do ta konsideronim të pamend njeriun, që ka para dhe nuk blen diçka megjithëse ofrohet me çmim shumë të ulët, pothuajse falas. Dhe, megjithatë, më të shumtit nga ne, bëjnë diçka akoma më të madhe. Ai, që nuk shkëmben paratë e tija të pakta me diçka të çmuar që i ofrohet, në fund i mbeten paratë e tija të pakta. Ndërsa ne, humbim një thesar të tërë, faljen e mëkateve tona, që të mbajmë në shpirtin tonë mërinë, inatin, një pasion aq shumë të dëmshëm dhe që aq shumë na mundon.
Ndjehem aq keq dhe megjithatë nuk dua ta fal! Thonë disa. Më ka bërë aq dhe aq, më dëmtoi dhe më shkatërroi. Jetoj në varfëri për shkakun e tij. Më shkatërroi shtëpinë. U bëri keq fëmijëve të mi. E urrej! Dhe inati e bën që të shikojë si male dhe padrejtësitë më të vogla.
Secilit prej nesh i duket si diçka mbinjerëzore falja e tjetrit. Dhe sado të mirë të shfaqemi, në raste të tjera, me vështirësi e largojmë antipatinë, armiqësinë që na trazon. Urrejtja, antipatia nuk bëjnë fole në shpirtrat tanë vetëm për persona të largët, por dhe për ata më të dashur. Prindër dhe fëmijë, vëllezër dhe motra, urrehen midis tyre, sepse diçka i bëri njëri tjetrit, e dëmtoi, e padrejtësoi! Çdo ditë krijohen aq dhe aq trazira! Tronditen shtëpi. Shpërbëhen biznese. Shfaqen drama shoqërore. Dhe më të shumtat kanë si shkak antipatinë dhe urrejtjen.
Pa dyshim, ai që padrejtëson tjetrin, që i bën keq, që e dëmton, është shumë fajtor dhe do të japë llogari para Perëndisë për veprimet e tija. Askush nuk e falë atë, që shkel të drejtat e tjetrit. Tregtarin, që padrejtëson ortakun e tij. Të afërmin, që me fjalët apo me sjelljen e tij, dëmton pak ose më tepër. Gjitonin që hidhëron me fjalët e tij. Por tema jonë nuk janë ata. Është si e përballojmë ne të keqen që na bëjnë të tjerët. Ose më saktë, si ta përballojmë nëse duam të marrim dhe ne falje nga Ati qiellor.
Do t’i flasim atij, që na dëmton dhe na padrejtëson, dhe do t’i tregojmë gabimin e tij. Ndoshta do të vëmë dhe të tjerë të flasin se nuk sillet mirë. Por nëse ai vazhdon të na padrejtësojë, të na dëmtojë, nuk lejohet të mbizotërojë brenda nesh urrejtja, antipatia. Madje në kohën kur ne kërkojmë nga Perëndia të na falë aq dhe aq faje tona. Dhe si guxon çdo ditë të përsërisim në lutjen Zotërore, “dhe falna fajet tona, sikurse dhe ne ua falim fajtorëve tanë”? Kërkojmë diçka që nuk e japim. Është aq e pahijshme një sjellje e tillë. Shfaq një padrejtësi të tmerrshme, të cilën kur ne e shikojmë tek të tjerët nuk e falim.
Këtu gjendet dhe baza e temës sonë. “Nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor.” Çdo ditë shkelim vullnetin. Dhe shpesh kërkojmë falje. Por nuk e marrim, kur nuk pranojmë të falim vëllain tonë. E marrim vetëm kur, me luftë të ashpër, shpesh, me lutje të nxehtë, harrojmë se çfarë na bëri tjetri, e falim dhe kujdesemi të pajtohemi bashkë me atë. Do ta lëmë për shumë kohë akoma të mbyllur derën e Perëndisë, sepse e mbyllim derën e dhembshurisë për të afërmin tonë.
Cili nga ne do të guxojë në ditët e shenjta të Pashkës të afrohet tek potiri i shenjtë, pa kërkuar në misterin e pendimit dhe pa marrë faljen nga Perëndia? Dhe kush do të guxojë të kërkojë faljen nëse më parë nuk ka ofruar ai vetë tek ata që ndodhen rreth tij?
Zëri i shenjtë i shën Joan Gojartit na thekson: “Krishti pësoi vullnetarisht, që të shembë murin që ndan nga Perëndia dhe të bashkojë të poshtmit me të lartat dhe që t’i bëjë pjesëmarrës të engjëjve, në vend që ishim armiq me Perëndinë. Dhe nga njëra anë Krishti dha jetën e Tij për ty, ti bashkë me vëllain tënd mbetesh armik? Dhe si do mundësh të ecësh drejt altarit të paqes për të marrë kungatën e ndjesës?” Me të vërtetë si do t’i afrohemi altarit të paqes me zemër të tronditur dhe të trazuar nga armiqësitë?
Zoti na foli qartë. Vendosi përpara nesh një kufi: “Në sjellsh, pra, dhuratën tënde në therore, edhe atje kujtohesh, se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje dhuratën tënde përpara therores, edhe shko e pajtohu më parë me tët vëlla, edhe atëherë, si të vish, sill dhuratën tënde.” Mattheu 5, 23-24. Para se të sjellësh dhuratën tënde, pajtohu. Para se të prekësh thëngjillin e Trupit hyjnor, ndiz në zemrën tënde zjarrin e dashurisë hyjnore ndaj kundërshtarëve dhe armiqve të tu.
Këtu gjendet çelësi i temës sonë. “Nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor.” Faljen hyjnore e marrim me luftë të ashpër, me shumë përpjekje dhe lutje të nxehtë, kur edhe ne harrojmë se çfarë na bënë të tjerët, kur i falim dhe vrapojmë të parët të pajtohemi me ata.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Nuk është e rastësishme që Kisha jonë e shenjtë e quajti Mbrëmësoren e parë kataniktike, që kryhet në pasditen e të dielës së të lidhurit të djathit, si “Mbrëmësoren e faljes”. Në këtë mënyrë na fton të fillojmë luftën shpirtërore të kreshmës, të dashur dhe të falur midis nesh, në mënyrë që lutja jonë të jetë e pëlqyer nga Perëndia.
U bëftë!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
BERAT MË 14.03.2021

 

— facebook.com/mitropoliaberatit

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων